Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare, ka ftuar qytetarët që të jenë të pranishëm pasditen e djeshme në protestën e organizuar nga opozita me rastin e tre vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona.
Bare ka thënë se për vdekjen e atyre njerëzve ka përgjegjësi direkte Sali Berisha dhe për këtë arsye duhet protestuar për largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.
“26 të vrarë e 300 të plagosur, e qindra familjarë që ende vajtojnë humbjen e të afërmve të tyre, dhe për të gjitha këto fajin e ka Saliu njësoj si t`i kishte vrarë e plagosur ata qytetarë të pafajshëm me dorën e tij. Prandaj nesër, në përvjetorin e tretë të tragjedisë në ora 17:00 shqiptarët do të protestojnë në Gërdec në kujtim të viktimave dhe për t`i thënë kurrë më regjimit vrastar të Saliut”, u shpreh deputeti i PS-së.