PS: Paratë e naftës virgine përfunduan në llogarinë e kompanisë së familjes Berisha

16 Mars 2011, 12:59Politika TEMA

Deputeti socialist, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat, tha se familja Berisha është e implikuar në aferën e kontrabandës së naftës virgine. Balla foli për një kompani të familjes Berisha, tek llogaria e së cilës përfundonin paratë e këtij trafiku.

“Fol Sali Berisha, tregoju shqiptarëve për ndonjë kompani off-shore të njërit prej të të arrestuarve në ortakëri me një pjestar të familjes tënde, i cili del ne skene sa herë dalin në dritë aktivitete mafioze e kontrabandë. Një kompani drejt llogarive të së cilës janë transferuar paratë e mashtrimit dhe kontrabandës kriminale të llumit që iu shit shqiptarëve për naftë. Ky krim i kryer me bekimin tënd Sali, ku janë përfshirë familjarët e badigardët e tu, është veç një arsye më shumë pse shqiptarët do të të thonë ty dhe bandës që ti drejton: kurrë më! Kurrë më votat, kurrë më një hajdut e kusar si ty!” tha Taulant Balla.

Deputeti socialist tha se ky është një krim shtetëror. “Në kontrabandën e naftës “Vergine”, të kthyer në një krim shtetëror, rezultojnë të përfshirë shumë zyrtarë, ish-drejtues të ARMO-s shtetërore, drejtues lokalë të policisë e deri në drejtues të lartë të policisë së shtetit siç është rasti i ish bodigardit të Saliut, Agron Kuliçaj, punonjës të sistemit doganor, të inspektoriatit qëndror teknik dhe të tatim-taksave. Dhe fajin për këtë kriminalizim të strukturave të shtetit e ka Saliu. Ky ka qenë një aktivitet që nuk ka sjellë vetëm dëme financiare, por ka dëmtuar drejtpërdrejtë qytetarët tek automjetet e tyre, dhe ç’është më tragjikja edhe tek shëndeti i tyre me atë helm që shisnin këta kontrabandistë, dhe që përfundonte në mushkëritë tona e të fëmijëve tanë. E si ka mundësi që një shtet i tërë mos t’i ketë rënë në gjurmë një krimi me përmasa të tilla? Shpjegimi është i thjeshtë: ai quhet Agron Kuliçaj, me profesion badigard i Saliut, i mbajtur në punë nga Lulzim Basha si zëvendës drejtor i përgjithshëm i policisë për të fshehur pisllëqet e Saliut. Asgjë më mirë se ky fakt nuk tregon se çfarë regjimi mafioz ka ngritur Saliu. E ka fajin Saliu që zëvendës drejtori i përgjithshëm i policisë, i atij institucioni që ka detyrimin të luftojë kontrabandën, është njëheri një kontrabandist për llogari të kryeministrit dhe të familjes së kryeministrit.”

Lini një Përgjigje