Tregtarët drogaxhinj të armëve (2)

18 Mars 2011, 21:23Politika TEMA

Si u bënë dy djelmosha amerikanë tregtarë të mëdhenj armësh derisa Pentagoni iu kthye atyre

Nga Guy Lawson, Rolling Stone

(VIJON NGA NUMRI I DJESHEM)

Në qershor, shtatë muaj pasi Packouz nisi punën në AEY, ai bashkë me Diverolin udhëtuan për në Paris për të marrë pjesë në Eurosatory, panairin më të madh në botë për armët. Një hapësirë e pamasë ishte mbushur me instrumentet e fundit të vdekjes- tanke, robotë, aeroplanë pa pilotë- shërbehej shampanjë dhe kaviar për disa nga zyrtarët politikë e ushtarakë më të fuqishëm në planet. Packouz e Diveroli ishin më të rinjtë aty, por përpiqeshin të dukeshin si ata, kishin veshur kostume dhe kishin vënë kravata. “Prit sa të arrij në kulmin tim,” kishte thënë Diveroli. “Ky mut panair do jetë pronë e imja.”

Në panair ata u takuan me Hajnrish Tomet, një tregtar zviceran armësh me pamje si të një aktori filmash. Ishte i gjatë, biond, me sy blu dhe mjaft sharmant. Fliste shumë mirë anglisht me një theks të lehtë gjerman dhe shtonte “OK” në fillim e në fund të çdo fjalë. Dukej se kishte lidhje gjithandej, në Rusi, Bullgari, Hungari. Ai përdori kontaktet e tij në Shqipëri për t’i siguruar Diverolit një çmim të mirë për municion kinez për trajnimin e forcave speciale amerikane në Gjermani- një marrëveshje që teknikisht ishte ilegale për shkak të embargos amerikane kundër armëve kineze, e vendosur pas masakrës në Sheshin Tiananmen në vitin 1989.

“Tomet mund të gjente antiplumba, mitraloza, raketa- gjithçka,” kujton Packouz. “Ai ishte një nga ndërmjetësit më të mirë në këtë biznes, një Zot Lufte i vërtetë.”

Ashtu si Diveroli, edhe Tomet kishte qenë në këtë biznes që kur ishte adoleshent, dhe e dalloi shumë shpejt se dy të rinjtë mund t’i duheshin. Tomet ishte cilësuar nga Amnesty International si dhunues i sanksioneve të SHBA për shkak se kishte dërguar armë në Zimbabve. Ai ai gjithashtu shte nën hetim nga SHBA për shkak se kishte dërguar armë nga Serbia për në Irak, ndaj ishte vendosur në listën e vëzhgimit nga Departamentit të Shtetit. Nisur nga fakti se ai kishte pengesa për të shitur armë direkt për SHBA-në, synonte të përdorte AEY, çka do i mundësonte një akses të lehtë tek kontratat e Pentagonit.

Me Tometin në krahun e tyre, Diveroli dhe Packouz shumë shpejt e gjetën atë që po kërkonin. Më 28 korrik 2008, u publikua një dokument prej 44 faqesh në sitin ku bëheshin aplikimet për kontrata ushtarake. Dokumenti ishte pjesë e një aksioni gjysëm sekret të administratës Bush për ushtrinë e Afganistanit. Ishte një mënyrë për të dhënë fonde pa lejen e Kongresit. Nuk pati asnjë deklaratë për publikun e asnjë debat. Paratë ishin të vlefshme për dy vjet, ndaj duheshin shpenzuar sa më shpejt. Ndryshe nga të gjitha kontratat federale, nuk kishte kufizime për dollarët, kompanitë mund të ofronin aq sa donin.

Nisur nga shifrat, dukej se bëhej fjalë për jashtëzakonisht shumë para. Ushtria kërkonte të blinte një gamë të gjerë armësh që nga fishekët për kallashnikov e deri tek raketat kundër-ajrore. Sasia ishte gjigante- bëhej fjalë për mjaftueshëm municion sa për të krijuar një ushtri- dhe e gjithë kontrata do të shkonte për një ofertues të vetëm. Diveroli e lexoi njoftimin i eksituar. Mori në telefon Packouz që po udhëtonte në autostradë. “Kam gjetur kontratën perfekte për ne,” tha Diveroli. “Është gjigante- shumë- shumë më shumë se ajo që kemi bërë deri më tani”.

Të dy u takuan në apartament për të thithur ca hashash e për të diskutuar strategjinë. Që të plotësoje këtë kontratë duhej të blije me miliona dollarë armatim në bllokun lindor për tu përdorur nga afganët. Për shkak se këto armë shiteshin në tregun e zi- një vend i populluar nga shumë trafikantë- Pentagoni nuk mund të dilte të blinte vetë armatimin, për shkak se do shkaktonte një katastrofë në marrëdhëniet me publikun. Kushdo që do e fitonte kontratën do shërbente në një farë mënyrë për të pastruar armë për Pentagonin.

Normalisht, një kompani e vogël si AEY nuk do kishte pikë shansi në një kontratë kaq të madhe. Por Diveroli e Packouz kishin tre avantazhe. Së pari, administrata e Bushit kishte nisur iniciativën e biznesit të vogël në Pentagon, së dyti tregtarët e rinj kishin bërë atë lloj tregtie deri më tani që i interesonte Pentagonit dhe së treti në kishte asnjë specifikim në kontratë, por thuhej se municioni duhet të jetë “i shërbyeshëm, pa ndonjë specifikim”. Siç e interpretuan Diveroli dhe Packouz, kjo do të thoshte se Pentagonit nuk i bëhej fare vonë nëse dërgohej municion për ibret, për sa kohë fisheku dilte nga arma.

Për dy miqtë, ishte një shans për të hyrë në një botë që zakonisht është e rezervuar për kontraktorë të mëdhenj me lobistë të njohur. “E dija që ishte goditja e madhe,” kujton Packouz. “DO na duhej të konkurronim me djemtë e mëdhenj. Mendoja se e kishim një shans. Nëse do punonim shumë. Nëse do kishim fat.”

Të bësh një ofertë për kontratat e mbrojtjes është një biznes spekulativ- kërkon punë, kohë e nuk ka një vend të dytë. Diveroli vendosi se ishte koha që Packouz të merrte një rol më të madh.

“Nuk kam kohë për të sistemuar të gjithë këto gjëra,” i tha Packouz. “Por kam kontaktet e duhura për ty për të nisur. Futu në internet dhe gjej çmimet për gjithçka dhe për nënën e tyre. Çdo burim që do më sjellësh në tavolinë, do bëjë që të marrësh 25 përqind të fitimit.”

Ky ishte shansi i madh për Packouz. Atë natë u fut online dhe po kërkonte për çdo prodhues armësh në Europën Lindore. Dërgoi e-maile dhe fakse dhe telefonoi te gjithsecili. Telefoni nuk punonte mirë dhe ndonjëherë e ngrinte zërin. Kur dikush nuk fliste anglisht duheshin minuta të tërë për të gjetur dikë që fliste disa fjalë. “Da, da” i thonin ata Packouz. “Ti blen, ti blen”. Kur ia doli që të merrej vesh me ta, ai u tregoi se si duhej të funksiononin gjërat. “Duhet të duken mirë, të mos jenë në kuti të ndryshkura ose të ekspozuara ndaj elementëve.”

Për gjashtë javë, Packouz punoi çdo natë, duke fjetur në divanin e Diverolit e duke mbijetuar vetëm me hashash e adrenalinë. Ai siguroi stoqe të tëra me municion nga Europa Lindore me çmim të mirë. Në të njëjtën kohë, Hajnrish Tomet kishte siguruar një sasi shumë të madhe municioni përmes lidhjeve të tij në Shqipëri. Ndërsa dita e ofertës po afrohej, Diveroli ishte në agoni. Pinte hashash, një re i rrinte mbi kokë dhe shpesh shante.

“Efraimi kishte një dilemë nëse duhej të kërkonte 9 apo 10 përqind fitim për çmimet,” kujton Packouz. “Diferenca ishte më shumë se 3 milion dollarë cash, që ishte shumë e madhe- por me çdo marzh fitimi, ne sërish do merrnim më shumë se 30 milion dollarë. Ai mendonte se dikush tjetër nga ofertuesit mund të kërkonte nëntë përqind fitim. Ndoshta duhej të kërkonim tetë?”

Momentin e fundit, Diveroli vendosi për 9 përqind. Në formular formoi shifrën 298 milion dollarë. Ishte një veprim me mend. Edhe dhjetë minuta kishin mbetur përpara se të mbylleshin aplikimet. Të dy hipën në makinën e Diverolit dhe u nisën drejt postës.

Pentagoni është një burokraci që lëviz ngadalë, një vend ku letrat të marrin shpirtin. Por për shkak se tenderi për Afganistanin ishte një “pseudo rast”, ishte i destinuar për të lëvizur shpejt. Në mbrëmjen e 26 janarit 2007, Packouz po parkonte makinën e tij të vjetër Mazda, kur e mori në telefon Diveroli.

“Kam lajme të mira dhe lajme të këqija,” tha Diveroli.

“Cili është lajmi i mirë?” pyeti Packouz.

“Dërgesa jonë e parë është 600 mijë dollarë.”

“Dmth e fituam kontratën?” pyeti mosbesues Packouz.

“Që çke me të”, tha Diveroli.

Dy miqtë, që sapo kishin nisur të njëzetat, ishin përgjegjës tani për një nga elementët kryesorë të politikës së jashtme të administratës së Bush. Festuan në një restorant italian, pa harruar kokainën, që e kalonin poshtë tavolinës dhe bënin sikur po fshinin hundët.

“Unë dhe ti shoku,” thoshte Diveroli. “Unë e ti do e marrim përsipër këtë industri. Dua ta shoh AEY si një kompani me 10 miliard dollarë në pak vite. Ata trashaluqët me takimet e tyre të bordit nuk ia kanë idenë se çfarë po i godet.”

Pavarësisht atmosferës festive, ata e dinin se puna e tyre sapo kishte nisur. Duhej të merreshin me auditin e shtetit, të punësonin një llogaritar që të kujdesej për sistemin e letrave dhe taksave. Pak javës pasi kishin fituar kontratën, ata u thirrën në një takim nga zyrtrët e blerjes në Rock Island.

Diveroli i kërkoi Ralf Meril, prodhuesit të armëve nga Utah, që të vinte. Një biznesmen me eksperiencë rreth të 60-ave, Merril kishte ofruar mbështetjen e nevojshme financiare për kontratën.

Takimi me zyrtarët e ushtrisë ishte një formalitet. Diveroli u dha atyre gjithçka duhej, burimet nga do vinte municioni, certifikatat fundore, eksperiencën e AEY. Ata nuk pyetën për moshën e tij. “Ishim shumë bindës” thotë Packouz. “Mendoj se kurrë nuk u kishte ndodhur në ushtri që të bënin marrëveshje me dy persona që sapo kishin mbushur njëzet vjeç.”

Në të vërtetë, Pentagoni kishte arsye të forta që të mos e linte AEY as të konkurronte. Kompania ishte vendosur në listën e vëzhgimit nga Departamenti i Shtetit për shkak se kishte importuar armë zjarri ilegale. Por Pentagoni nuk e pa listën. Ata injoruan faktin që AEY kishte pasur probleme me kontratat e mëparshme. Fillimisht në zyrën e kontratave, AEY cilësohëj si “e pakënaqshme”, më pas u ngrit në “mirë” e më pas në “shkëlqyeshëm”.

Kishte vetëm një arsye për këtë rritje meteorike: Diveroli i kishte lënë shumë mbrapa ofertuesit e tjerë. Në biseda private, zyrtarët u thanë se oferta e tyre ishte 50 milion dollarë më pak se ndjekësi më  afërt. Të paktën në një rast taksapaguesit po merrnin një marrëveshje të mirë për mbrojtjen.

Dërgesa e parë duhej të ishte rreth 600 mijë dollarë, granata dhe municion- një test që duhej kaluar. Në rast të kundërt, do u hiqej e gjithë kontrata prej 298 milion dollarë.

Pas darkës festive, ata u nisën për tek Audi i ri i Diverolit. Ndërsa ky i fundit po merrte ca kokainë, iu drejtuar Packouz me një paralajmërim që të kishte kujdes me granatat: “Ia kemi hequr pantallonat kurvës, por nuk e kemi palluar ende.”

Por nuk kishte qenë nevoja që të shqetësoheshin. Sapo kishin nisur punën për dërgesën e parë, kur mbërriti kërkesa për një dërgesë të dytë. Kësaj here bëhej fjalë për 49 milion dollarë municion- përfshi 100 milion fishekë kallashnikovi dhe më shumë se 1 milion granada për raketahedhës. Nuk kishte më pyetje. Pentagoni ishte i lumtur që ia dha kontratën një kompanie të vogël që plotësonte kuotën e vendosur nga presidenti Bush për iniciativën e biznesit të vogël.

Packouz llogariti se edhe me marzhin më të vogël të fitimit, ata sërish do fusnin në xhep 6 milion dollarë. Por nuk ishte i sigurt nëse AEY do ishte në gjendje të bënte dërgimin. Diveroli ishte nisur për rrugë duke udhëtuar në Ukrainë, Mal të Zi dhe Çeki në kërkim të furnizuesve. Kështu që Packouz duhej të merrej vetë me kontratën- një punë që çdo kontraktor me eksperiencës do ia kishte ngarkuar dhjetëra punonjësve full- time.

Në shkurt të vitit 2007, Packouz shkoi në Abu Dabi në Ekspozitën Ndërkombëtare të Mbrojtjes për të kërkuar për furnizues. “Ishte e çuditshme. Isha një kalama, por isha ndoshta tregtar single më i madh i armëve në botë. Dukej sikur Diveroli më kishte futur në një film,” kujton Packouz.

Në Abu Dabi, Packouz shpresonte të gjente një furnizues të vetëm që të plotësonte të gjitha kërkesat e AEY. Kandidati më i dukshëm ishte Rosoboron Export, një kompani zyrtare për të gjitha armët ruse. Ajo kishte trashëguar perandorinë e armëve të Rusisë dhe tani menaxhohej nga një rrjet oligarkësh pranë Vladimir Putin. Ishte aq e madhe si kompani sa mund të plotësonte kërkesat e Packouz me një ndalesë të vetme.

Por kishte një kleçkë, një lloj perversiteti të përbashkët në botën e trafikut të armëve: Rosoboron ishte ndaluar nga Departamenti i Shtetit për shkak se i kishte shitur material nuklear Iranit. Qeveria amerikane kërkonte armatim rus, por jo nga rusët. AEY nuk mund të bënte tregti me firmën ruse, të paktën jo legalisht. Por për tregtarët e armëve kjo është një pengesë që kalohet.

Packouz kaloi disa ditë deri sa siguroi një takim me zëvendësdrejtorin e kompanisë ruse. Ai dukej si një ish- spiun i KGB-së, ishte i shëndoshë, rreth të gjashtëdhjetave dhe mbante syze. Ndërsa Packouz fliste, ai hidhte sytë vërdallë për tu siguruar që nuk i shihte kush. Packouz i tregoi listën e municioneve që kërkonte dhe sasitë. Zëvendësdrejtori ngriti një vetull, i habitur nga shkalla e këtij operacioni.

“Kemi shumë interes për të bërë biznes bashkë,” tha ai me një theks rus. “Ti e di që ne jemi e vetmja kompani që ofrojmë gjithçka.”

“E di,” tha Packouz, “ndaj dua të bëjmë biznes bashkë”.

“Por sic e di, Departamenti i Shtetit na ka futur në listën e zezë. Nuk e kuptoj qeverinë tuaj. Një muaj është OK për të bërë tregti,më pas jo. Nuk është e ndershme, është shumë politike.”

“E di që nuk mund të bëjmë biznes direkt,” i tha Packouz, duke i thënë se kishte mënyra të tjera për ta bërë këtë indirekt.

“Do flas me njerëzit e mi,” i tha zëvendësdrejtori duke marrë një nga kartat e biznesit të Packouz.

Ishte hera e fundit që Packouz dëgjonte për rusin. Disa javë më vonë, ndërsa po rregullonte rrugët e dërgesave, Packouz u informua se AEY nuk do kishte të drejtë të fluturonte mbi Turkmenistan, një ish- satelit sovjetik, për të shkuar në Afganistan. “Ishte e qartë se Putini po kruhej direkt me ne,” thotë Packouz.

Packouz arriti të siguronte një leje fluturimi përmes një linje ukrainase- por episodi tregoi edhe njëherë se sa pak kuptonte ai nga kjo punë. “Ishte një lojë shumë e thellë, nuk e dija ç’po ndodhte.”

Kur rregulloi fluturimin për në Kabul, i ra telefoni. Kërkohej më shumë municion. Sa më i lirë, aq më mirë. Sa më pak të kushtonte, aq më shumë fusnin në xhep ata. Nuk kërkohej cilësi, madje Packouz e shkruajti këtë në një email që i dërgoi një furnizuesi.

Packouz u ul në divan në apartamentin e Diverolit dhe nisi të merrte në telefon ambasadat amerikane në vendet me “stan”. E trashte zërin dhe përpiqej të kishte një ton ushtarak. Bisedonte me ta, qeshte, dhe i pyeste se si shkonin gjërat në Kazakistan. “U thoja që isha pjesë e një procesi vital për ndërtimin e kombit në frontin qendror të luftës ndaj terrorit,” kujton Packouz. “Më pas u thoja se çfarë po dërgoja, të gjithë ishin gati për të ndihmuar.”

Nuk u desh shumë kohë që AEY ta rriste marzhin e fitimit nga 9 përqind në 25- mjaftueshëm sa për të dërguar në xhepat e të rinjve rreth 85 milion dollarë. Por edhe kjo shumë gjigante nuk e kënaqte Diverolin. Ai kërkonte më shumë kontrata nga Pentagoni.

Me biznesin në rritje, AEY mori me qera një hapësirë më të madhe e më të shtrenjtë në Miami Beach. Punësuan një menaxher e dy sekretare të reja që i gjetën në Craigslist. Diveroli solli dhe dy miq nga sinagoga, përfshi një djalë që fliste rrjedhshëm rusisht. “Gjërat po ecnin vetë”, kujton Packouz. “Por dërgonim sasi të qëndrueshme. Kishin furnizues në Hungari e Bullgari dhe në vend të tjera. Kisha rregulluar më në fund edhe lejet e fluturimit.”

Packouz duhej të paguhej, por ai ishte i bindur se do të bëhej shumë i pasur. E shiti makinën e tij Mazda e mori një Audi A4 të ri. Gjithashtu mori një apartament më pamje të mirë. Edhe Diveroli bëri të njëjtën gjë. Tani banonin në të njëjtin kompleks me Raulin, personin që u shiste drogën.

“Jashtë ballkonit tim kishte femra që bënin plazh topless. Ishin modele ose kozmetologe. Djemtë ishin avokatë ose biznesmenë. Ne u thoshim që ishim tregtarë armësh. “E keni parasysh luftën në Afganistan?, u thoshim, “Ne i dërgojmë të gjithë fishekët”. Ishte si parajsë. Dukej sikur ishim në majë të botës.”

Në mbrëmje shkonin në një fermë ku ndodhej një dyqan armësh dhe gjuanin me uzis dhe MP5. “të gjuash me një automatik të bënte të ndjehesh i fuqishëm”, kujton Packouz.

Copa më e madhe në kontratë, në terma të sasisë ishte municioni për AK 47. Packouz kishte marrë sasi të mira nga furnizuesit në Hungari dhe Çeki. Por Diveroli insistonte se duhej përdorur tregtari zviceran i armëve, Hajnrish Tomet dhe kontaktet e tij në nivele të larta në Shqipëri. Kjo lëvizje do kishte kuptim. Shqiptarët nuk kërkonin një depozitë të madhe si pagesë fillestar, çka e bënte me të lehtë për AEY që të bënte kërkesa të mëdha. Dhe sigurisht që qeveria shqiptare do e përballonte këtë volum: liderët paranojakë komunistë ishin aq të bindur që do sulmoheshin nga fuqitë e huaja sa kishin transformuar vendin në një kosh të madh municionesh, me bunkerë të shpërndarë në të gjithë vendin. në fakt, municioni AK 47 ishte aq i shumtë, sa presidenti shqiptar kishte fluturuar së fundmi për në Bagdad duke ofruar për të dhuruar miliona fishekë për gjeneralin David Petraeus.

Struktura e blerjeve të AEY për municionet shqiptare ishte standarde për botën ilegale të armëve, ku e gjithë rëndësia është tek zhdukja e origjinës dhe përdoruesit përfundimtar. Ishte perfekte nga pikëpamja legale, por bëhej fjalë për një marrëveshje dyfishe. Një kompani me emrin Evdin, të cilën e kishte ngritur Thomet në Qipro, do e blinte municionin nga kompania shqiptare e eksportit të armëve. Evdin më pas do ia rishiste AEY. Kështu Tomet hynte si ndërmjetës dhe AEY e qeveria amerikane do izoloheshin nga çdo mëdyshje ligjore e morale se po bënin biznes me një vend tejet të korruptuar e të paparashikueshëm si Shqipëria.

Por kishte një problem: kur Diveroli bëri ofertën, nuk kishte përfshirë në të kostot e dërgimit, duke mos marrë parasysh kështu as kostot në rritje të karburantit. Ushtria i kishte dhënë atij leje të ripaketonte fishekët në kuti kartoni, por të bëje këtë gjë në një vend kaq jofunksional si Shqipëria nuk ishte e lehtë. Kështu që Diveroli dërgoi një nga miqtë e tij të sinagogës, Aleks Podrizki, në Tiranë për të parë detajet e përmbushjes së marrëveshjes.

Telashet u shfaqën menjëherë. Kur Podrizki mbërriti në Shqipëri, ai shkoi në një bunker ku mbaheshin municionet. Dukej se shqiptarët nuk kishin aspak kujdes për sigurinë. Kutitë e fishekëve i hapnin me sëpatë, pinin cigare në një dhomë të mbushur me barut. Municioni vetë ishte i vjetër disa dekada, por dukej se punonte. Vetëm se mbahej në kuti të ndryshkura ose në arka druri, duke mos respektuar asnjë protokoll për një material kaq të rrezikshëm. Mbi të gjitha, Podrizki vuri re se kontejnerët- të njohura me emrin kuti sardeleje- mbanin sipër shenja kineze. Podrizki mori në telefon Packouz në Miami.

“E kontrollova materialin dhe është në rregull,” i tha Podrizki. “Por plako, e di që ky është municion kinez?”

“Çfarë po thua?” i tha Packouz.

“Municioni është kinez.”

“Nga e di që është kinez?”

“Ka shenja kineze gjithandej mbi kuti.”

(VIJON NESER)

1 komente në “Tregtarët drogaxhinj të armëve (2)”

  1. raimondi says:

    Po Vinerolli si thote ne panairin e armeve ne Paris ?…..“Prit sa të arrij në kulmin tim,” kishte thënë Diveroli. “Ky mut panair do jetë pronë e imja.”
    —– hahahahahahahahahaahahahhaaha —I madh fare

Comments are closed.

Lini një Përgjigje