Avokati i të akuzuarit është një emër i njohur i gjyqësorit shqiptar, Adrian Visha, i cili mbron dhe Fatmir Mediun në çështjen e Gërdecit
I akuzuari për trafik ndërkombëtar droge Abdulselam Turgut, i cili u la i lirë nga Gjykata e Apelit në Tiranë, është zhdukur nga banesa e tij pa adresë. I arrestuar në Rinas më 18 shkurt të këtij viti për llogari të drejtësisë gjermane, ai doli nga burgu fal një vendimi skandaloz të Gjykatës së Apelit. Vendimi skandaloz është marrë nga tri gjykatës: Gjin Gjoni, Hysni Demiraj dhe Agron Papajani, të cilët kanë vendosur “ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, duke ndryshuar masën e sigurimit nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest shtëpie’, në godinën e ndodhur në ‘Kthesën e Kamzës’.”
Vendimi i gjykatës është shumë i thatë dhe në të nuk parashikohet nëse kjo godinë, e cila nuk ka as numër, dhe as adresë të saktë, duhet të survejohet nga Policia e Shtetit. Tashmë ai është larguar dhe nuk gjendet në banesën në të cilën ka dhënë adresën.
Arrestimi i 44-vjeçarit turk, që kërkohej për llogari të drejtësisë gjermane, është kryer në një heshtje të plotë nga ana e policisë shqiptare. Dyshimet pse policia ka mbajtur sekret arrestimin e trafikantit turk duket se lidhen me njerëz të fuqishëm në Policinë e Shtetit, që kanë kontrollin mbi këtë linjë të trafikut të drogës.
Shërbimet e inteligjencës perëndimore po hetojnë lidhjet e këtij grupi shqiptarësh me një nga drejtuesit më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, i cili ka urdhëruar mbajtjen në heshtje të arrestimit të këtij shtetasi turk në Rinas. Ka sinjale se nëse hetohet kjo linjë trafiku, mund të zbardhen dhe disa enigma që lidhen me disa kurthe, në të cilat ka rënë policia shqiptare gjatë vitit të kaluar, kur në një rast u morën dhe katër jetë policësh.
Gjithashtu mësohet se Gjermania ka përgatitur një notë proteste ndaj lirimit të trafikantit turk. Në rrugë jozyrtare, reagimi i autoriteteve gjermane ka qenë mjaft shqetësues, ku rrezikohej bashkëpunimi në të ardhëm i drejtësisë shqiptare dhe asaj gjermane, ndërsa nuk përjashtohen as masat më të ashpra për këtë vendim skandaloz.
Sipas Gjykatës së Apelit në Tiranë, vendimi është marrë në kundërshtim me ligjin dhe jashtë kuadrit të provave që ndodhen në dosje. “Masa e sigurimit me afat 40-ditor e përzgjedhur nga gjykata është tejet ekstreme dhe nuk i përgjigjet rëndësisë së faktit. I arrestuari është vendosur nën masë sigurimi për efekt ekstradimi në Gjermani. Nuk ka kërkesë për ekstradim, por ka vetëm një kërkesë për masë shtrënguese. Të arrestuarit i janë marrë dokumentet, ai nuk ka rrezik ikjeje, pasi ka lëvizur gjithmonë lirisht brenda shtetit turk dhe ai është i sëmurë, ka një kontratë qiraje me shtetas shqiptarë, ka një biznes të rregullt, është familjar.”
Por sot i kërkuari nga drejtësia është i lirë dhe i zhdukur, edhe pse nuk kish pasaportë apo edhe pse tri gjyqtarët tanë kishin vlerësuar se kishte biznes të rregullt familjar.
Mësohet se turku i arrestuar në Shqipëri ka përdorur disa linja për dërgimin e heroinës në vendet perëndimore. Pikënisja e të gjitha linjave është vendlindja e Turgut, Turqia. Më pas fillon e ashtuquajtura linja e “Ballkanit”. Droga përpunohet dhe paketohet në Turqi, niset në Greqi, kalon në Shqipëri e përfundon në Itali. Ndërkohë, linja e “qendrës” niset sërish nga Turqia, shkon në Bullgari, Maqedoni, Serbi, Mali i Zi, Bosnja, Kroaci, Slloveni dhe përfundon sërish në Itali ose Austri. Ndërsa linja e “veriut” niset nga Turqia, kalon në Bullgari e Rumani për të përfunduar në Austri, Hungari, Çeki, Poloni dhe përfundon në destinacion në Gjermani.
Abdulselam Turgut përmendet si emër edhe në shtypin turk, në një operacion antidrogë të kryer në këtë vend. Sipas shtypit turk, Abdulselam Turgut është mes pesë emrave të tjerë, ku ka edhe shtetas shqiptarë, që janë nën hetim pasi sipas shtypit turk kishin bërë plane të fusnin një ngarkesë heroine edhe në Shqipëri, nëpërmjet një mjeti të ngarkuar me patate. Por ky plan ka dështuar pas arrestimit të një futbollisti, i cili u kap me 30 kilogramë heroinë.
Ja linku i lajmit i gazetës Hyrriet, që lidh këtë emër me disa shqiptarë të akuzuar për trafik droge në Turqi: http://arama.hurriyet.com.tr/arsivneës.aspx?id=-50797
Një futbollist i Fenerbahçes me origjinë shqiptare, Ismail Çira është arrestuar nën akuzën e trafikut të drogës. Gjykata ka kërkuar deri në 30 vjet burg për shkak të pozitës që Çira ka pasur në trafikun e drogës. Në një rast tjetër në Stamboll janë arrestuar si bashkëpunëtorë të Çirës Musa Qazim Ay, Xhemail Pasmaçiu, Hekuran Hoxha, Fatmir Sofia dhe Abdulselam Turgut, të cilët po gjykohen të burgosur.
Më tej artikulli i Hyrriet shpjegon se si futbollisti Çira erdhi në Turqi dhe si u përfshi në trafikun e drogës.
Avokati i të akuzuarit për trafik droge është një nga avokatët e njohur që merret dhe me çështje politike në Shqipëri. Ai ka mbrojtur së fundmi Ministrin Fatmir Mediu, të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit dhe ka mundur të mbrojë atë me imunitet. Siç dihet, çështja Mehdiu lidhet ngushtësisht me çështjen që rrethon përfshirjen e djalit të kryeministrit në atë biznes.
Nga ana tjetër, burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se ky nuk është rasti i vetëm që shteti shqiptar shqetësohet për vendimet e gjyqësorit shqiptar.
Pak javë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dënuar tre shtetas gjermanë për akuzën e trafikut të narkotikëve, ndërsa për bashkëpunëtorin e tyre shqiptar është dhënë pafajësi.
Bëhet fjalë për ngarkesën prej 40 kilogramë heroinë, e cila është ngarkesa më e madhe e sekuestruar ndonjëherë në Shqipëri. Si për çudi, shqiptari në këtë dosje cilësohej edhe si kreu i grupit, ndërsa “pensionistët” gjermanë ishin korrierët.
Interpoli ndërkohë ka bërë me dije se e ka shpallur sërish në kërkim shtetasin turk.
Comments are closed.
“Shërbimet e inteligjencës perëndimore po hetojnë lidhjet e këtij grupi shqiptarësh me një nga drejtuesit më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, i cili ka urdhëruar mbajtjen në heshtje të arrestimit të këtij shtetasi turk në Rinas.” – Prape Kulici apo ndonje tjeter kesaj radhe?