Zvicra ‘frikësohet’ nga Shqipëria

31 Mars 2011, 11:50Sport TEMA

Vëllezërit Taulant e Granit Xhaka shihen si e ardhme e përfaqësueses së Zvicrës. Mirëpo, ky vend frikësohet nga Shqipëria, e cila i ndjek me kujdes ata. Për ta, primare është përfaqësuesja helvetike, por nuk e përjashtojnë as Kombëtaren kuqezi.

Zvicra i konsideron të rëndësishëm vëllezërit kosovarë, Taulant e Granit Xhaka. Helvetikët llogarisin në këta dy futbollistë në të ardhmen. Mirëpo, ky vend ka filluar të brengoset për faktin se dy futbollistët e rinj janë në shënjestër të Kombëtares shqiptare.

Taulanti dhe Graniti, të cilët janë pjesë e Baselit, kanë luajtur rregullisht për grupmoshat e reja të Zvicrës. Ky fundit madje ishte shpallur kampion i botës me Zvicrën U17, vitin e kaluar.

Me këtë rast, kishin lëvizur udhëheqësit e futbollit shqiptar, të cilët kishin kërkuar informata për 18-vjeçarin.

Këtë e pranon edhe vetë mesfushori i ri kosovar. “Është e vërtetë, ka pasur sinjale nga Shqipëria. Ka pasur presion për këtë në Federatën e Futbollit të Zvicrës”, deklaroi Granit Xhaka, i cili luan me përfaqësuesen U19 të Zvicrës.

Natyrisht, objektiv i tij është që në të ardhmen të luajë me ekipin e parë të Zvicrës, por ai nuk i përjashton as mundësitë e tjera. “Zvicra është ëndërr e imja. Mirëpo, derisa nuk do të ketë diçka konkrete, mund ta marr në konsideratë edhe Shqipërinë”, vazhdoi Xhaka.

Vëllezërit Xhaka kanë luajtur vetëm me grupmoshat e Zvicrës. Ky fakt mund t’i shpëtojë ata, ngase artikulli i 15-të i Statutit të FIFA-s për futbollistë, i lejon ata që ta ndërrojnë përfaqësuesen, nëse kanë kombësi të dyfishtë, pa marrë parasysh në çfarë moshe gjenden lojtarët. Momentalisht, vëllezërit Xhaka kanë vetëm pasaportë të Zvicrës./express/

Lini një Përgjigje