Gazetaria është një gjë, politika një gjë tjetër

2 Prill 2011, 14:18Politika TEMA

Nga Mustafa Nano

Alexander Stille është një gazetar amerikan me origjinë italiane; është figlio d’arte, dmth djali i një gazetari tjetër, Ugo Stille. Shkruan shpesh për çështje të Italisë; shkruan në gazetën la Repubblica. Para tri-katër ditësh, në blog-un e vet, kuturisi të jepte një konsideratë të shkurtër mbi gazetarin tjetër italian, bujëmadhin Giuliano Ferrara, të cilit kohët e fundit i kanë dhënë një pesëminutësh të përditshëm pas edicionit informativ të orës 20.00 në kanalin Rai Uno, në harkun e të cilit ai bërtet opinionin e vet mbi ngjarjen e ditës (sa do doja ta kisha dhe unë një hapësirë të tillë të përditshme; në fakt, e kam kërkuar; por s’ma japin; kanë frikë se “i kaloj limitet”). Çfarë thotë Stille në shënimin e tij dy paragrafësh? Lexojeni:

“Është e çuditshme, se si nuk shkakton as habi, as indinjatë fakti që Giuliano Ferrara, ish-zëdhënës i parë i qeverisë Berlusconi, e kryeredaktor i një të përditshmeje të familjes Berlusconi, ka ndërmarrë një fushatë të egër në mbrojtje të Berlusconi-t bash pas një takimi tête-à-tête me të, e që – sikur të mos ish mjaft kjo gjë – po drejton një program në Rai në një interval kohor, kur shënohet piku i audience-ës (20.30-20.35).

E kuptoj, mes një mijë e një skandaleve të epokës berlusconi-ane, ky është më i parëndësishmi. Por të rrimë shtrembër e të flasim drejt, fakti që një ish-zëdhënës i një leader-i politik, që vijon të marrë dhe sot e kësaj dite një rrogë nga familja Berlusconi, ka edhe një program të vetin të përditshëm në një nga tre kanalet kryesore të televizionit publik është një skandal, ashtu siç është skandal që këtë hapësirë televizive e shtie në punë për t’ju vërsulur të ashtuquajturve talebanë të puritanizmit italian, duke përbërë kështu një zë të rëndësishëm në korin e krijuar për të zbutur krizën ‘Ruby-gate”. Ferrara bën sikur s’kupton që Ruby-gate s’ka fare të bëjë me moralin privat apo me lirinë seksuale; përkundrazi, është një çështje e dhunimit të një numri ligjesh: prostitucion me të mitur, favorizim i prostitucionit në përgjithësi, dhe shpërdorim detyre.”

Kaq ka shkruar Stille junior. Më pas nuk mungoi përgjigja e Ferrara-s; nuk mund të mungonte. Bëri një shkrim të gjatë në gazetën e tij të çuditshme Il Foglio (them “të çuditshme”, pasi është gazetë me dy fletë, bash një fletushkë; të paktën, kështu ka qënë deri para ca kohësh; nuk besoj se mund t’ia kenë shtuar numrin e faqeve, pasi kësisoj do t’i iknin semantikës së titullit Foglio-fletushkë). E personalizon shumë polemikën, zë e flet për të atin e Alexander-it, Ugo-n, të cilin ai e ka njohur, i cili “ishte inteligjent, e njihte politikën, e donte jetën”, dhe me të cilin “flisnim së bashku mbi Leo Strauss-in, dhe në përgjithësi mbi politikën e mbi botën”. “Mirëpo këto fjalë të mira s’mund të thuhen për të birin”, vijon Ferrara, dhe këtu zë fill sulmi mbi gazetarin Alexander Stille, të cilin e quan parricida (prind-vrasës; në kuptimin metaforik, kuptohet). Në këtë shkrim nuk kursen askënd. I bie Scalfari-t, Saviano-s, të cilin e konsideron banal, Enzo Biaggi-t, të cilin e konsideron gazetar të kategorisë së dytë, Beppe Severgnini-it, të cilin e quan amerikanist të pagdhendur, dhe gjatë gjithë kohës fyen, injoron, përçmon Stille-in. Për të legjitimuar zgjedhjen që ka bërë, përmend gazetarët amerikanë William Safire e George Stephanopoulos, të cilët edhe kanë shkruar fjalime për Nixon-in (Safire) apo kanë qënë në staff-in e Clinton-it (Stephanopoulos), edhe kanë bërë gazetarin.

“Stille thotë se unë i kreh bishtin Berlusconi-t, mirëpo është e kundërta: unë jam në gjendje të mbroj idetë e mija, dhe faktin që mbaj anë. Jam në gjendje t’i mbroj këto ide ballëhapur, dhe nuk lë askënd që të më mbrojë”, përfundon shkrimin e tij Ferrara, duke lënë të kuptohet, se “po u krruajtën prapë, ai prapë do bëhet i gjallë”.

U krruajtën aty për aty, dmth të nesërmen. Si gjithmonë, në gazetën la Repubblica. Italo-amerikani Stille është i shtruar, dhe përgjigjen e ka, gjithashtu, të shtruar, s’ka gjë se Ferrara e kish marrë shumë përpjekur. Është pak i zemëruar me epitetin “parricida”, të cilin e konsideron krejt të padrejtë për t’atin. “T’më thuash mua prind-vrasës, ngaqë jam kritik me Italinë e viteve ’80, është si ta reduktosh kokëçarjen antikomuniste të Ferrara-s në një dëshirë për të vrarë të atin, që ka qënë komunist”, ia kthen ai.

Stille përsërit kritikat e tij ndaj Ferrara-s. Nuk heq shumë për të shquar një konflikt interesi tek një gazetar që, edhe drejton një gazetë të familjes Berlusconi, edhe bën një program në televizionin publik, ndërkohë që Berlusconi është kryeministër. Përsa i takon amerikanëve William Safire e George Stephanopoulos, këta nuk kanë bërë gazetari sa kohë kanë bërë zëdhënësin e presidentëve amerikanë, dhe nuk kanë bërë zëdhënësin sa kohë kanë bërë gazetari (Thotë Stille, jo unë). Dhe për ta ilustruar situatën me modele amerikane, ai sjell një ngjarje relativisht të freskët. Vjet, Keith Obermann, drejtuesi i një programi politiko-informativ në kanalin Msnbc, është pezulluar nga puna në momentin që u mor vesh, se kish derdhur kontribute në fushatën elektorale në favor të kandidatëve demokratë (vini re: kish derdhur pará në përputhje me ligjin). Pezullimi ishte një masë e tepruar ndaj një gazetari të rreshtuar hapur, thotë Stille, por televizioni ish i idesë, se ky gjest e kish komprometuar distancën e gazetarit nga politika.

Dhe “armiku” i Ferrara-s vijon: “Eshtë e rëndë që një gazetar të marrë rrogë nga Berlusconi sipërmarrës e të mbrojë në televizionin publik Berlusconi-n kryeministër. Mirëpo Ferrara mendon ndryshe; ai ka një koncept tjetër mbi deontologjinë e gazetarit; është mburrur gjithë kohën, që ka marrë marrë pará nga Cia si informator i saj, dhe nuk sheh asnjë të keqe që gjatë viteve të erës Berlusconi-ane ka bërë zëdhënësin, ministrin, këshilltarin, kryeredaktorin e një gazete të familjes, kandidatin për deputet, dhe drejtuesin e një programi televiziv në Rai. Giuliano Ferrara sulmon ‘puritanismin tim të mërzitshëm’ duke shtënë në punë nga ana e vet një alamet neo-makiavelisimi”.

Më tej thotë: “Nuk jam puritan, e nuk besoj as në dlirësinë time, as në dlirësinë e ndokujt tjetër. E pikërisht ngaqë besoj, se jemi të gjithë nën trysninë e tundimeve (për pará e për pushtet), shtroj nevojën e rregullave për të zgjidhur konfliktin e interesit. Dhe në fund e mbyll me një frazë të James Medison-it, i cili gjatë debatit mbi kushtetutën amerikane (ishte një nga autorët kryesorë të kësaj kushtetute), ka thënë: “Sikur të ishim të gjithë ëngjëj, nuk do të kishim nevojë për rregulla, ligje, e shtet”.

* * * * *

Nuk di nëse ua solla të paprekur thelbin e debatit, por di që është një nga ato debate, që mungojnë këtejpari. Edhe kur bëhen, bëhen shpejt e shpejt, duke i ardhur rrotull argumentit (rëndom me të shara, fyerje, shpifje e etiketime; ngaqë mungojnë gazetarët e ideve, kuptohet). Bëhen njimend debate të tilla? Më duhet të pranoj, se ka kohë që nuk bëhen.

Kush ka të drejtë në ndeshjen mes Ferrara-s e Stille-it? Stille-in nuk e njoh shumë; I kam lexuar një numër shkrimesh në gazetën la Repubblica, dhe kaq. Ndërsa Ferrara-n e kam ndjekur në vijimësi. Është një gazetar inteligjent dhe i zoti. Është një nga më të zotët në Italinë e sotme. Në pikëpamje profesionale nuk ia ha qeni shkopin. Edhe i vetëm ia del të imponohet në debatin politik në fqinjin tonë përtej Adriatikut. Mirëpo, kur vjen puna tek deontologjia e profesionit Stille ka të drejtë. Nuk mund të bësh ashtu si duhet punën e gazetarit (të paktën, nuk mund të kesh besueshmëri publike), nëse je bythë e brekë me një udhëheqës politik, nëse je pjesë e entourage-it të tij, nëse ha dreka e darka, nëse hyn e del në shtëpinë e tij, e nëse punon në gazeta e televizione të financuara e të kontrolluara prej tij.

Jam me Stille-in edhe kur flitet për qëndrimin ndaj skandaleve të Berlusconi-t. Ferrara ka shpikur betejën kundër një puritanizmi moral, që në Itali nuk ka shumë përfaqësues (ka të tillë me siguri brenda kishës, është Di Pietro në politikë, deri diku Beppe Grillo e Roberto Saviano në shoqërinë civile, Marco Travaglio në gazetari, e ndoca të tjerë), por kundërshtarët seriozë të Berlusconi-t nuk është se janë marrë me faktin, që Berlusconi fton në shtëpinë e tij vajza të reja, e bën me to çfarë ai, dhe ato, duan të bëjnë; Problemi s’ka qënë asnjëherë ky; problemi ka qënë shkelja e ligjit (ligji italian nuk të lejon, fjala vjen, të shkosh në shtrat me një 17 vjeçare).

Shkurt, në këtë debat çmoj forcën gazetareske të Ferrara-s dhe vlerësoj qasjen deontologjike të Stille-it. E sikur të binim dakord për një moment ta shihnim Ferrara-n thjesht si një talent imoral, dhe Stille-in thjesht si një gentleman e nobleman të patalentuar (kuptohet, po e thjeshtëzoj situatën e po e çoj në kufijtë e një spekullimi; në fakt, të dy, kush më shumë e kush më pak, kanë talentin dhe integritetin moral e profesional të tyre), ne mund të nxirrnim identikit-in e një gazetari të shkëlqyer. Si? Duke marrë pjesën më të mirë të secilit.

Mirëpo, nuk ka pse të stisim e improvizojmë situata virtuale; kemi një situatë reale; kemi pra një debat, e jo një mixture, mes Ferrara-s e Stille-it. E sikur në këtë mes të shihnim një vijë fronti, unë do të hidhesha në anën ku është duke luftuar Stille. Në anën tjetër të frontit nuk ka vetëm njerëz të sojit të Giuliano Ferrara-s; ka së shumti një llum gazetaresk, dmth gazetarë të patelentuar që veç ofrojnë shërbime në këmbim të favoreve. E nuk ka më keq se sa përballë të kesh ca gazetarë krejt të patalentuar, që janë edhe mercenarë me patentë. Shqipëria është e mbushur me të tillë.

2 komente në “Gazetaria është një gjë, politika një gjë tjetër”

  1. Spiro Cobo says:

    Ne komunitetin e gazetareve te vertete, ky artikull ka vend. Ne masen e gjere te lexuesve, qe kane nivele teper te ulta gazeatrie, madje edhe ne ate te politikaneve tane, qe te pakten te ishin ne mesataren e popullit qe perfaqesojne, ky artikull nuk pertypet dot. Mustafai e di pse e ka shkruar dhe botuar. Nje miku im qe e kishte lexuar me tha, po te takoja Mustafa Nanon, ne lidhje me kete shkrim, do t’i thoja ate batuten e Mato Grudes ne filmin “Njeriu me top” kur i drejtohet Augustos, kur ky i fundit i thote: “Mato, ti je gjeni” (italianit qe mbante ne shtepi, kur ky i fliste per shpikesin e topit apo dicka te tille): Ha gjize, Agush, ha gjize, se gjiza te frskon mendjen”. Ç’probleme kemi ne, e per cfare shkruan ky Mustafai.

  2. Claus says:

    Diku ne faqet e Aleksander Frangajt dhe Fahri Balliut lexova qe gazetari i “Wener Zeitung” na paska dale me nje deklarate qe ne artikullin e tij te dates 12 mars mbi ndertimin e parlamentit te ri ne Tirane. Sipas tyre ai deklaronte se na paska patur keqekuptime dhe se ishte mbeshtetur ne te dhenat qe kishte marre nga gazeta tjeter bulevardeske “die Krone” te dates 6 mars. Gazetari Chrsitian Ortner vinte ne dukje se ka patur “keqkuptime” ne kete histori. Nuk e di se si nje gazetar mund te shkruaj dhe artikujt e tij te shkaktojne keqekuptime, eshte gje e rralle per nje gazetar apo gazete te botoje artikuj te “paqarte” qe nese do te kemi dy lexues njeri do te “keqkuptoje” dhe tjetri do ta “mirekuptoje”. Ne nje rast te tille ai nuk eshte gje tjeter por eshte bere vetem nje komentues qe shkruan ne ndonje blog, aq me shumice ne keto kohera. Nuk besoj te jete i tille, por si duket Tirana zyrtare ka reaguar ashper sipas zhargonit “nxirreni per zhelesh”. Gazetaret nuk jane trembur kur kane zbuluar skandalet ne seri te Berluskonit, na u terhiqkan para nje laraske te zeze. Turp per Ortner dhe turp per gazeten e Vjenes, nese eshte e vertete. Mesazhi i Nanos eshte teper i qarte. Nuk le shkak per “keqkuptime” te llojit Ortner.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje