Nëse zgjedhjet do të bëheshin sot, shumica e krerëve të bashkive aktuale do rikonfirmoheshin. Të paktën kështu thotë një sondazh i realizuar në disa bashki kryesore në vend nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare. Intervistat u zhvilluan në Shkodër, Lezhë, Kukës, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. Sipas sondazhit, pyetjes: “Në qoftë se zgjedhjet lokale do të zhvilloheshin nesër, a do të votonit për rizgjedhjen e kryetarit të tanishëm të bashkisë suaj?”, i janë përgjigjur me PO 43.8 përqind, 34.4 përqind kundër dhe 21.8 përqind nuk janë të vendosur.
Më poshtë konkluzionet kryesore të këtij sondazhi.
– Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të vitit 2011 pritet të mbetet midis 60% dhe 70% dhe nuk sugjeron të shënoje ulje të interesit për pjesëmarrje në zgjedhje. ? 76.4% e personave që zgjedhin të mos votojnë e bëjnë këtë si pasojë e mosbesimit në bërjen e zgjedhjeve të drejta (42.6%) ose sepse besojnë se zgjedhjet nuk sjellin ndryshim (33.8%). Kjo shpjegon 16.7% të kampionit të përgjithshëm (krahasuar me 24% të cilët thanë se nuk do të votonin).
– Qeveria, qytetarët, komuniteti ndërkombëtar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë perceptuar si aktorët më kryesorë përgjegjës për drejtimin e zgjedhjeve të lira e të drejta (të renditura sipas nivelit të rëndësisë së perceptuar).
– Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk besojnë se do të ketë zgjedhje të lira e të drejta në 2011 ose nuk dinë ç’të presin në këtë drejtim. Kampioni ndahet në tre grupe të krahasueshme nga madhësia. Ata të cilët besojnë se zgjedhjet vendore do të jenë të lira e të drejta (34.7%), ata që besojnë se nuk do të jenë të lira e të drejta (28.3%), dhe ata të cilët nuk e dinë (37.0%).
– Perceptimi i marrëdhënies së qeverisë vendore me qeverinë qendrore është negativ (58% zgjodhën vlerësim negativ përkundrejt 38% pozitiv). Grupe të barabarta (23- 24% secila) mendojnë se kjo marrëdhënie është “disi e mirë” ose “shumë e keqe”. Vetëm 3% mendojnë se marrëdhënia është “shumë e mirë”.
– Qytetarët tregojnë një shpërndarje më simetrike midis kënaqësisë dhe pakënaqësisë nga shërbimet që siguron qeveria vendore dhe nuk ka një mospërputhje të madhe në vlerësimin e performancës përmes sektorëve apo llojeve të shërbimeve të siguruara. Nivelet më të mëdha të pakënaqësisë shkojnë për “strehimin” dhe “shërbimet publike”, ndjekur nga një kategori e dytë me “planikim urban dhe ndërtim”, “shëndetësi” dhe “ujë e kanalizime”. Nivelet më të mëdha të kënaqësisë janë treguar në drejtim të “arsimit” dhe “mirëmbajtjes së zonave publike”, pasuar nga një kategori e dytë e cila konsiston në “transportin urban” dhe “infrastrukturën”.
– Kontakti me qeverinë vendore mbetet i kufizuar. Më pak se gjysma e të anketuarve kanë kontaktuar institucionet qeveritare vendore. Kjo është e vërtetë edhe për një numër më të madh institucionesh, autoritetesh publike dhe kryetarësh politikë. Në një pyetje ku janë dhënë një sërë institucionesh publike, 1/3 e të anketuarve thanë se nuk shkojnë gjëkundi kur kanë për të zgjidhur një problem, ndërsa 20% thanë se “nuk e dinë”.
– Gjysma e të anketuarve që kontaktojnë autoritetet, është ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis kontaktit me ligjvënësit (13%), kryetarët e bashkive (9%), dhe kryetarët vendorë dhe qëndrorë të partisë (përkatësisht 9% dhe 13%).
– Shqetësimet kryesore, të vlerësuara në mënyrë të ngjashme, janë “papunësia”, “korrupsioni” dhe “varfëria” (renditur sipas rëndësisë). Këto janë ndjekur nga shqetësimet mbi “shëndetin”, “mjedisin”, dhe “strehimin”. Një kategori e tretë e shqetësimeve më pak shqetësuese përfshijnë “shërbimet sociale”, “hapësirat urbane” dhe “dhuna/siguria”. Arsimi është perceptuar si më pak problematiku.
– Këto pikëpamje janë konfirmuar nga pyetje individuale mbi arsimin, shëndetin, zhvillimin ekonomik dhe mjedisin.
– Shumica e të anketuarve e vlerësojnë arsimin dhe shërbimin shëndetësor në nivel mesatar (me 60-70% të anketuarve “disi të kënaqur” apo “pak të kënaqur” si me shërbimin arsimor ashtu edhe me atë shëndetësor”. Raporti i vlerësimeve pozitive/negative për arsimin është 45/43 ndërsa për shëndetësinë është 39/46. Cilësia e shkollave është parë si pozitive nga 50% e të anketuarve dhe si negative nga 33%.
– Vlerësimi i përpjekjeve dhe performancës është më i ulëti për zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit. Përpjekjet për zhvillimin ekonomik dhe atë të mjedisit janë vlerësuar si të pakënaqshme nga 60% e të anketuarve, krahasuar me 20% të cilët i vlerësojnë përpjekjet deri më sot si të mjaftueshme.
Comments are closed.
Keto sondazhe jane komplet fallsitet dhe te pabesueshme. Kam idene se na duhen edhe rreth 30 vjet per te bere sondazhe te tilla.