Partia Socialiste ka kërkuar dje ndryshimin e fletës së votimit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për bashkinë e Tiranës. Në këtë fletë ndodhen emrat e tre kandidatëve: Edi Rama, Hysni Milloshi dhe Lulzim Basha.
Kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen”, Edi Rama do të jetë i pari në fletën e votimit. Në krahun e majtë të fletës janë shënuar kandidatët ndërsa poshtë tyre forcat politike, të cilat janë anëtare të koalicionit. Poshtë emrit të liderit të opozitës janë shënuar 23 siglat e partive që bëjnë pjesë në koalicionin e majtë. Kandidati demokrat Lulëzim Basha është i treti në fletën e votimit.
Në krahun e djathtë të fletës ndodhet edhe emri i koalicionit që mbështet kandidatët. Por këtu PD dhe PS nuk janë paraqitur njësoj. Për opozitën është shënuar vetëm sigla “koalicioni AA”, dhe jo emri i partive që mbështesin Edi Ramën. Për mazhorancën nuk është bërë e njëjta gjë. Në kuadratin e përkrah emrit të Lulzim Bashës nuk është shënuar emri i kandidatit, por lista e plotë e 22 partive që e mbështesin.
Socialistët kanë kërkuar që të dy kandidatët të jenë njësoj dhe ose të kenë emrin e koalicionit, ose emrat e të gjitha partive që i mbështesin. Një tjetër pretendim i selisë rozë ka të bëjë edhe me renditjen e koalicionit në fletën e votimit për këshilltarë për Tiranën. Në fletën e miratuar nga KQZ blloku i koalicionit të majtë ” Aleanca për të Ardhmen”është lënë i dyti pas koalicionit “Aleanca për Qytetarin” me arsyetimin se nyja “t” duhet të merret për bazë në renditje, ndërsa për socialistët ajo është thjesht nyje dhe sipas Rregullave të Gjuhës shqipe renditja bëhet duke marrë për bazë fjalën.
Për këtë arsye socialistët mendojnë se koalicioni i majtë duhet të ishte i pari në fletën e votimit për këshilltarë. Në fund të mbledhjes me forcën e kartonit katër anëtarët e djathtë vendosën miratimin e fletëve të hartuar nga administrata e KQZ-së. Përfaqësuesi i PS-së Genc Gjonçaj deklaroi se Partia Socialiste do të dërgojë në Kolegjin Zgjedhor vendimet e KQZ-së për fletët e votimit. Sot pritet edhe dorëzimi i ankimimit në Kolegj.