Partia Demokratike e Kosovës dhe Koalicioni për Kosovë të Re gjatë një takimi në mes të Hashim Thaçit, kryetar i PDK-së dhe Behgjet Pacolli, kanë fuqizuar dhe ridizajnuar Marrëveshjen për Partneritetit Qeverisës.
Të dyja palët – siç njoftohet në një komunikatë të PDK-së – kanë harmonizuar pikat e përbashkëta programore për mandatin qeverisës dhe kanë përcaktuar përgjegjësitë e secilit subjekt si dhe anëtar të qeverisë.
Gjatë takimit, siç shpjegohet më tej, është arritur pajtueshmëri që të themelohet Ministria për Diasporë, e cila do të udhëhiqet nga përfaqësuesi i Koalicioni për Kosovë të Re (KKR) dhe që brenda një afati të nevojshëm kohor KKR do të drejtojë edhe një ministri.
“Partnerët e koalicionit janë pajtuar që të bashkëpunojnë në implementimin e programit qeveritar dhe politikave të përbashkëta programore”, thuhet në fund të komunikatës. /Zëri/