PUTHJA vulos martesën mbretërore (FOTO)

29 Prill 2011, 13:02Politika TEMA
PUTHJA vulos martesën mbretërore (FOTO)

UPDATE- Një ceremoni madhështore, një dasëm ëndrrash. Pas muajsh pritje, Kejt Midëllton dhe Princi Uilliam kurorëzuan martesën e tyre në Uestminster Abi. Ajo kishte veshur një fustan të Sara Burton dhe mbante në duar një tufë me lule të bardha. Tre minuta zgjati ecja e saj drejt altarit. “Je bërë shumë bukur, të dua” kështu i pëshpëriti në vesh Princi Uilliam asaj sapo mbërriti në altar. Më pas ai pati pak probleme kur i vuri unazën, por gjithçka shkoi mrekullisht. Me një karrocë të hapur ata kanë shëtitur para mijëra fansash. Më pas ka ardhur edhe puthja në ballkon, edhe pse kjo e fundit ka qenë e shkurtër dhe pak e ndrojtur.

Muzikë e brohoritje ishte atmosfera mëngjesin e sotëm në rrugët e Londrës, ku 600 mijë njerëz u mblodhën për të qenë pjesë e asaj që është quajtur Dasma e Shekullit – martesa e Princit Uilliam me Kejt Midëllton.

Besohet se rreth 2 miliardë njerëz në të gjithë botën ndoqën dasmën mbretërore përmes televizionit.

Ceremonia u zhvillua në Uestminister Abei, në prani të mbi 1900 të ftuarve, në mesin e të cilëve janë pjesëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë bota, si dhe figura të njohura të politikës, artit e sportit.

Të ftuarit filluan të vinin në katedrale disa orë përpara fillimit të ceremonisë që nisi zyrtarisht në mesditë.

Më në fund u zbulua dhe fustani i Kejt Midëlltonit, që kishte shkaktuar spekulimet më të mëdha në prag të dasmës, pasi mbretëresha e ardhme kishte mbajtur gjithçka sekret.

Princi Uilliam është i dyti në radhë për të marrë fronin mbretëror britanik.

Pas ceremonisë, të sapomartuarit nisen drejt pallatit mbretëror me një karrocë të hapur. Ceremonia po transmetohet drejtpërdrejt në ekrane gjigante në pikat kyçe të Londrës. Në të gjithë Londrën u dëgjuan betimet e bëra nga çifti i të sapomartuarve.

Entuziazmi në rrugët e kryeqytetit britanik është përshëndetur nga kryeministri Kamerun, i cili u takua me disa prej tyre.

“Është e mrekullueshme që kemi njerëz nga Zelanda e Re, Australia, Kanadaja dhe të gjithë po kalojnë kaq mirë”,
tha Kamerun.

Në mesin e shumë të huajve ishte dhe Nina.

“Sapo u ul aeroplani mora autobusin dhe erdha drejt e këtu”, tha Nina, studente, e cila ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara.

Joana Shin, një mbështetëse e monarkisë, veçoi atmosferën festive në kryeqytetin britanik.

“Njerëzit flasin me njëri-tjetrin. Shoferët e kamionëve dhe taksive të përshëndesin. Është shumë bukur dhe ka shumë dashuri përreth. Është pikërisht kjo ajo që na duhet”, u shpreh Shin.

Sot priten rreth 5000 festa në rrugët e Britanisë. Kejt Midëllton, 29 vjeçe, është e para nuse në familjen mbretërore që nuk vjen nga një familje aristokrate dhe që është e diplomuar. Vetëm dy-tre gjenerata më herët paraardhësit e saj ishin minatorë.

E thjeshta Kejt Midëllton pas përfundimit të ceremonisë del nga Uestministër Abei si Dukesha e Kembrixhit, titull që ia dha Mbretëresha Elizabetë.

 

 

1 komente në “PUTHJA vulos martesën mbretërore (FOTO)”

  1. MEMEDHETARI says:

    TE TRASHEGOHEN DHE KALOFSHIN JETE TE LUMTUR !!!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje