Lugina kërcënon Serbinë

19 Maj 2011, 11:20Rajoni TEMA

Janë të injoruar në çdo aspekt nga Beogradi, kanë gjendje të rëndë ekonomike, papunësi të madhe, prandaj, prej pasluftës, ikja e tyre nga Serbia ka ndodhur në vazhdimësi. Por, veçmas pas liberalizimit të vizave për Serbinë, shqiptarët nga Lugina e Preshevës: Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, kanë lëshuar me të madhe shtëpitë e tyre për të kërkuar azil në vende të ndryshme të Evropës.

Serbia asnjëherë nuk është marrë me këtë çështje seriozisht, ndërsa sot ajo është e shqetësuar pasi që ditët e fundit ka marrë vërejtje të mëdha nga Bashkimi Evropian se mund të humbë liberalizimin e vizave për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve, thotë për “Zërin”, Riza Halimi, deputeti i vetëm shqiptar i Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.

“Me vite të tëra shqiptarët kanë ikur prej këtyre vendeve dhe asnjëherë në Parlamentin serb nuk është diskutuar për këtë punë. Tani, pse po iu rrezikohet liberalizimi i vizave, kanë ? lluar të shqetësohen”, u shpreh Halimi për gazetën.

Ai tregon se arsyet e ikjes së shqiptarëve prej Luginës kanë të bëjnë me papunësinë, ku 70 për qind e tyre janë të papunë.

“Medvegja është para spastrimit etnik”, shprehet ai, duke treguar se dikur ky vend numëronte mbi 5.500 shqiptarë, e pastaj me regjistrimin e fundit të popullsisë në Serbi numri i tyre ka qenë rreth 2.700, por realisht ky numër sot ka zbritur në 500.

Në ikje, si shqiptarët e Medvegjës, janë edhe shqiptarët nga Presheva e Bujanovci, ku në fshatrat përreth këtyre dy komunave gati nuk ka mbetur asnjë shqiptar, thotë Halimi.

“Këto komuna, në vitet ‘80, kanë shënuar rreth 76 mijë shqiptarë, numër që ka qenë në rritje, por me luftë dhe pas luftës numri i tyre ka rënë drastikisht”, tha Halimi.

Për këtë shpërngulje të madhe, sidomos pas liberalizimit të vizave për Serbinë, ditët e fundit Beogradi ka marrë vërejtje të mëdha nga Bashkimi Evropian, bëjnë të ditur burimet e “Zërit” në Qeverinë serbe.

“Serbisë po i kanoset rreziku i humbjes së liberalizimit të vizave, shkaku i azilkërkuesve të shumtë, të cilët kanë shfrytëzuar udhëtimin pa viza për të emigruar diku në Evropë. Azilkërkuesit më të mëdhenj janë shqiptarët që jetojnë në Serbi, sidomos ata nga Presheva, Bujanovci dhe Medvegja. Për këtë, Serbia ka marrë vërejtje serioze prej Bashkimit Evropian dhe pikërisht për këtë, vetëm para disa ditësh, ministra serbë kanë zhvilluar takime në Bruksel”, thotë burimi zyrtar në Qeverinë serbe.

Por, se shqiptarët janë ata që po rrezikojnë liberalizimin e vizave për Serbinë, nuk pajtohet Riza Halimi, sipas të cilit azilkërkues ka edhe serbë, por Qeveria serbe po bën deklarata të pamatura dhe diskriminuese.

Ai thotë se nga Serbia, vitin e kaluar, gjatë muajve mars e shkurt ka pasur dalje për azilkërkues nga 270 banorë të Serbisë në muaj. E, kjo shifër ka përfshirë të gjithë, jo vetëm shqiptarët e Luginës së Preshevës, thotë ai.

Se a vërtet po rrezikojnë shqiptarët liberalizimin e vizave për Serbinë, “Zëri” e ka pyetur edhe Ivica Daçiqin, ministër i Punëve të Brendshme në Serbi, i cili gjatë një interviste për gazetën tonë pati thënë se shqiptarët janë të dytët, pas romëve, azilkërkuesit më të mëdhenj nga Serbia. Sipas tij, rrezikimi i vizave do të varet se sa do të vazhdojë kjo dukuri, për çka Serbia është duke punuar që ta ndalojë.

Oliver Ivanoviq, sekretar në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thotë se shqiptarët nga Lugina e Preshevës po ikin ashtu siç po ikin edhe prej Kosovës, Shqipërisë e vendeve të tjera, pasi gjithkund ka krizë ekonomike. Ai merr guximin të thotë se “këtë nuk mund ta lidhim me çështje politike”.

1 komente në “Lugina kërcënon Serbinë”

  1. bazarhesap says:

    Po shume mire na ebejne ne kto se ministri i jashtem shqipetar plera ilir meta shkon ne presheve me qeveritaret serb dhe se hap gojen per asgje vec thote qe serbet te rijne ne kosove .Si nuk u cua nje qeveri shqiptare dhe te ankohet per shqiptare jashte shqiperise po vetem dine te vene tabela greqishte ne himare dhe tabela maqedoniste(gjuha bullgarish njerzit serb ,bullgar dhe arixhinj) ne fshata e zonen kufitare .MACEDONIA FAKE STATE

Comments are closed.

Lini një Përgjigje