Për Juventusin, “titulli i ngushëllimit”

24 Maj 2011, 14:32Sport TEMA

Ndoshta Xhixhi Del Neri, trajneri që praktikisht është shkarkuar nga Juventusi, ka një motiv për të buzëqeshur. Ekipi katastrofik i tij, që u rendit në vendin e shtatë dhe që pas 20 vjetësh nuk do të ketë mundësinë të marrë pjesë në kompeticionet europiane, ka fituar megjithatë “mini-kampionatin” mes ekipeve të mëdha. Një “çmim ngushëllimi” me vlerë vetëm statistikore, që merr për bazë përballjet direkte mes shtatë ekipeve të para të kampionatit italian. Bardhezinjtë ndodhen para të gjithëve, pasi kanë mundur që të grumbullojnë 21 pikë në 12 ndeshje të zhvilluara, ndërsa pas tyre renditen Milani dhe Roma me 20 pikë dhe më pas Udineze, Inter, Napoli dhe Lacio.

Juventus- 21 pikë

Më e keqja e “shtatë motrave” renditet e para dhe është ajo që ka qenë më e saktë në “big-match”. Vetëm Napoli, që gjatë këtyre viteve të fundit është kthyer në një mace të zezë, nuk ka humbur as në ndeshjen e parë dhe as në atë të kthimit ndaj Juventusit. Ndërkohë, Milani dhe Interi kanë pësuar nga një humbje nga Juventusi. Ndaj Lacios, ekipi i drejtuar nga Del Neri ka mundur që të marrë pikë të plota, duke fituar në të dyja ndeshjet në minutat e fundit të ndeshjes. Humbje, përveç asaj të “San Paolos” ndaj Napolit, Juventusi pësoi edhe ndaj Milanit dhe Udinezes, të dyja në fushën e vet. Juventusi ka humbur pikë kur nuk duhej, ose më saktë, me ekipet që në letër dukeshin më të dobëta dhe më të thjeshta. Humbjet me Barin dhe Leçen, zero pikët e marra në përballjet me Parmën dhe Palermon, barazimet me Kievon dhe Katanian, edhe pse me dy gola avantazh, janë ato që ndikuan negativisht në sezonin e Juventusit, i cili ishte më i dobëti gjatë këtyre 20 viteve të fundit.

Milan- 20 pikë

Kuqezinjtë kanë qenë më të fortët, si në ndeshjet me ekipet e mëdha, ashtu edhe në ndeshjet me të voglat. Në veçanti kanë qenë vrastarë në ndeshjet përballë ekipeve që kanë qenë rivalët e saj direkt për titullin: ndaj Interit dhe Napolit, që kërcënonim kryesimin e saj, Milani mundi që të marrë pikë të plota. Fitoret ndaj tyre bënë që të shuheshin çdo shpresë për fitimin e titullit nga Interi dhe Napoli. Me Lacion dhe Udinezen Milani mori dy barazime, me Juventusin i ndau fitoret, duke humbur në Milano dhe duke fituar në Torino. Vetëm me Romën llogaritë nuk i dalin siç duhet, pasi humbi në Milano dhe barazoi në Romë.

Roma- 20 pikë

Për verdhekuqtë mund të thuhet se diskutimi është i njëjtë me atë të Juventusit. Shumë pikë me ekipet e konsideruara sit ë mëdha dhe shumë pak pikë me ekipet më modeste. Për Romë ishin të panevojshme(duke mos përfshirë krenarinë), dy fitoret në derbi, dopieta kundër Udinezes dhe pamposhtmëria me Milanin. Ndërkohë, me Juventusin dhe Napolin gjërat i shkuan keq, pasi në takimet me to arriti që të merrte vetëm një barazim në total.

Udineze- 17 pikë

Udineze pagoi fillimin shkatërrues të sezonit duke pësuar katër humbje në përballjet direkte me ekipet e mëdha (Inter, Juventus, Roma, Lacio), ndërsa barazoi me Milanin dhe fitoi ndaj Napolit. Pastaj, në fazën e dytë të kampionatit pësoi vetëm një humbje me Romën, një barazim me Milanin dhe katër fitore ndaj Interit, Juventusit, Lacios dhe Napolit, të cilat bënë të mundur që Udineze të arrijë një sukses të madh, duke qenë se sezonin e ardhshëm do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve.

Inter- 14 pikë

Thuhet se nëse Interi nuk do të kishte pësuar ato dy humbjet në derbi, do të ishte në garë për të fituar titullin kampion. Megjithatë, në ktë nuk ndikuan vetëm humbjet me Milanit, pasi ekipi i drejtuar nga Benitez/Leonardo ka një bilanc pozitiv vetëm me Napolin(një fitore dhe një barzim), ndërsa në përballjet me Lacion, Romën, Juventusin dhe Udinezen, pësoi të paktën nga një humbje. Shumë, për një ekip që pretendonte të fitonte titullin.

Napoli- 14 pikë

Vendi i tretë i Napolit mund të thuhet se është i drejtë, duke qenë se në përballjet me dy ekipet e para, arriti që të merrte vetëm një barazim( 1-1 ndaj Interit) dhe tre humbje. Është e vështirë që të mos fitosh me ata që ke përpara dhe t’i kalosh në renditje. Arriti fitore në të dyja ndeshjet me Romën, një fitore dhe një barazim me Juventusin, ndërsa me Lacion i ndanë fitoret. Udineze ishte macja e zezë për Napolin, pasi e mundi në të dyja ndeshjet. Madje, ishte humbja në fushën e vet kundër Udinezes, ajo që e nxorri përfundimisht jashtë loje për titullin kampion Napolin.

Lacio- 11 pikë

Është ekipi më I dobët në përballjet direkte dhe për këtë arsye pjesmarrja në Ligën e Kampioneve i dukej një mrekulli. Lacialëve u munguan pikërisht pikët në përballjet direkte, për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.Jo vetëm dy humbjet me Romën, por sidomos ato me Juventusin, i goditën rëndë shanset e Lacios për të marrë pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm europian. I vetmi ngushëllim që mund të ketë Lacio, është fakti që bllokoi dy herë me barazime kampionët e Italisë, Milanin.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje