Pas klasifikimit të 10 blerjeve më të suksesshme këtë sezon, Eurosport.it ka përzgjedhur edhe 10 blerjet më të dështuara nga ana e ekipeve italiane. Blerjet e gabuara janë të shumta, por 10 të mëposhtmet janë më të dështuara. Secili mund të japë vlerësimet e veta ndërsa shikon këtë klasifikim.
10. Davide Santon (Nga Interi tek Çezena, borxh)
Nëse Nagatomo ishte në afrim i suksesshëm për Interin dhe që me shumë mundësi nuk do të privohet nga ish-mbrojtësi i majtë i Çezenës, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Davide Santon. Ky i fundit luajti vetëm 7 ndeshje me Çezenën, pas shkëmbimit me Nagatomon dhe më pas përfundoi në stol. Mundësitë që ai të rikthehet tek Interi janë shumë të pakta. Të mendosh që deri dy vjet më parë Santon konsiderohej si një nga talentet më të mëdha të futbollit italian dhe arriti të luante deri me kombëtaren e të mëdhenjve, ndërsa tashmë ngroh stolin tek Çezena.
9. Marko Mota (Nga Udineze tek Juventusi)
“Është një lojtar për Juventusin” shprehej Luixhi Del Neri pas marrjes së mbrojtësit të djathtë për 5 milionë euro. Tashmë as Del Neri vetë nuk i beson më këto fjalë. Mota ka qenë një zhgënjim i madh dhe ka treguar shumë pak se mund të jetë i denjë që të luajë për një ekip të madh si Juventusi. Në mos do të shitet gjatë merkatos, e sigurtë është që ai nuk do ta shikojë më veten në formacion gjatë sezonit të ardhshëm.
8. Sokratis Papastalopudhos (Nga Xhenoa tek Milani)
Të gjithë mund ta kujtojnë ndeshjen e parë të mbrojtësit grek me Milanin. Dhe kjo, jo sepse shkëlqeu, por sepse u poshtërua nga ana e sulmuesit të kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, i cili shënoi dhe dha asist, duke i dhënë një fitore befasuese Çezenës ndaj Milanit në ndeshjen e parë të kampionatit. Që nga ajo ndeshje, greku e ka parë shumë pak fushën e lojës dhe tashmë Milani është duke menduar që të shesë apo japë borxh.
7. Filip Kutinjo (Nga Vasko de Gama tek Interi)
Drejtuesit e Interit dhe ish-trajneri Rafa Benitez, menduan që të riniseshin pikërisht nga talenti brazilian, pas sukseseve të Murinjos. Por, të kërkosh një gjë të tillë nga një lojtar 18-vjeçar, është e ekzagjeruar. Kutinjo nuk mundi ta përballonte dot presionin dhe tashmë pritet që të jepet borxh, në mënyrë që të luajë me vazhdimësi. Do të ishte për të ardhur keq që një talent i tillë të digjej. Interi në fakt e ka provuar disa herë këtë gjë.
6. Eduardo Karvajo ( Nga Braga tek Xhenoa)
Xhenoa pagoi 4 milionë për ta marrë portierin nga Braga. Blerja e tij u konsiderua si një nga më të suksesshmet, duke parë që në Portugali kishte pësuar vetëm një gol me kombëtaren e Portugalisë. Por, faktet treguan krejt të kundërtën dhe gafat e portierit portugez me Xhenoan kanë qenë të panumërta.
5. Kristiano Lukaleri (Nga Livorno tek Napoli)
Valter Maxari e kërkoi me ngulm sulmuesin, duke parë eksperiencën e tij të madhe në kampionatin italian. Por, një dëmtim që e la katër muaj jashtë fushave, bëri që Lukareli pothuajse të mos luante fare për Napolin. Sepse edhe në ato raste kur u aktivizua, shënoi vetëm një gol, në nëntë ndeshje.
4. Masimo Makarone (Nga Siena tek Palermo, nga Palermo tek Sampdoria)
Palermo Pagoi 4.5 milionë euro tek Siena, ndërsa u detyrua që ta shiste për 3 milionë gjatë merkatos së janarit. Tek Palermo u aktivizua shumë pak, ndërsa tek Sampdoria luajti pothuajse në të gjitha ndeshjet e fazës së dytë, por pa sukses, pasi ekipi u rrëzua në Serinë B. Gjatë merkatos së janarit kishte refuzuar një ofertë nga Çezena, “sepse lufton për të mos rënë nga kategoria dhe mua nuk më intereson një ekip i tillë”. Për fatin e tij të keq, ekipi që u rrëzua në Serinë B ishte Sampdoria dhe jo Çezena.
3. Federiko Makeda (Nga Mançester Junaited tek Sampdoria)
Një tjetër afrim i dështuar i Sampdoria. Në 16 ndeshje të luajtura, Makeda realizoi vetëm një gol në Kupën e Italisë. Makeda është konsideruar si një prej talenteve të futbollit italian, por, nëse talented në Itali janë të gjithë si ai, atëherë nuk ka shumë shpresë për futbollin italian.
2. Didak Vila Roselo (Nga Espanjoli tek Milani)
Milani pagoi 3 milionë euro në merkaton e janarit për mbrojtësin 21-vjeçar, pas këshillave të agjentit Mino Raiola. Sipas këtij të fundit, Roselo premton të bëhet një prej mbrojtësve më të fortë të krahut. Por, gjithë fazën e dytë, 21-vjeçari e kaloi në stol.
1. Horge Martinez (Nga Katania tek Juventusi)
Bardhezinjtë paguan 12 milionë euro për të, të cilat tashmë mund të cilësohen pa asnjë frikë si të flakura. Martinez ishte blerja më e dështuar e Juventusit në këtë sezon me plot blerje të gabuara. Gjatë gjithë sezonit, Martinez është aktivizuar shumë pak dhe ka qenë lojtari më i kontestuar nga ana e tifozerisë. Shkak për këtë u bënë edhe dëmtimet e tij të shumta.