Interesi kombëtar mbi interesat e partive politike

13 Korrik 2011, 21:58Blog TEMA

Nga Nasho Bakalli

Fjala “interesi” dhe fjala “kombëtar” janë dy koncepte sa të thjeshta aq edhe të ndryshme nga njëri-tjetri. Megjithatë, kur, këto dy fjalë rrinë pranë njëra- tjetrës shprehja që krijohet merr një vlerë të jashtëzakonshme. Po ashtu edhe togfjalëshi “interesat e partive politike” ka një vlerë fondamentale. Për ç’arsye e theksuam sa mësipër. Sepse në ditët e ardhshme do të dëgjojmë, nga përfaqësuesit zëplotë të BE, OSBE, SHBA, jo më nga zëdhënësit e tyre në Tiranë, Bruksel, Uashington, deklarime zyrtare dhe përfundimtare të BE, OSBE, SHBA, mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor për shpalljen e kandidatit fitues për Bashkinë e Tiranës. Sepse, paraprakisht, si produkt i ndërkombëtarëve me seli në Tiranë, po qarkullon, në rrugë mediatike, shprehja: interesi kombëtar mbi interesat e partive politike. Shumë vjet më parë, në Shqipërinë komuniste, përdorej rëndom po ky mesazh por i montuar me fjalët:  interesi i përgjithshëm mbi interesin personal. Nuk kemi asgjë koment mbi përmbajtjet e të dyja mesazheve. Sepse ato janë mesazhe parimore, paqësore, mobilizuese, dinamike. Por, parë, secili, në kohën dhe vendin e deklarimit na lind e drejta që mesazhit – interesi kombëtar mbi interesat e partive politike – t’i bëjmë një shkoqitje. E nevojshme kjo, sepse, ky mesazh sa shumë lëndë fsheh në gjirin e vet, po edhe aq shumë performon idera madhore. Për pasojë, kur e lexon deklaratën shpejt e shpejt, ai të sugjestionon dhe ti e pohon. Por, po ta lexosh me kujdes… . Dhe pikërisht tek koncepti “mbi” ne duam e të qëndrojmë, me sa vijon. Kështu. Po ti futesh togfjalëve – interes kombëtar; parti politike – fillon të kuptosh se të dyja togjet janë të lidhura pazgjidhmërisht mes tyre.  Përse pazgjidhmërisht? Sepse: interesi kombëtar  nënkupton interesin e një kombi, e një shteti, e një territori, e një populli, e një qytetërimi etj., dhe çka është më e rëndësishmja në kontekstin e bisedës sonë interesi kombëtar nënkupton edhe ekzistencën e një sistemi të caktuar ideologjik, ekonomik, shoqëror të një vendi, konkretisht atë të Shqipërisë. Sepse asnjë shtet në shpinë të tokës nuk mund të quhet shtet – sado që ai të ketë popull, kufij, gjuhë etj., – në rastin kur atij i mungon i konsakruar me kushtetutë sistemi politik, ekonomik, shoqëror në vend. Pra, konkretisht, Shqipëria, është një shtet sepse ajo i plotëson të gjitha kërkesat teorike dhe praktike për tu radhitur si shtet mes shteteve të tjera në OKB e kudo gjetkë në botë. Sepse Shqipëria ka edhe një sistem të caktuar politik, ekonomik, shoqëror.  Që, nënkupton funksionimin e tregut të lirë ekonomik; lirinë e fjalës, mediave; qarkullimin e lirë të shqiptarëve pa viza në Europë; anëtarësinë në NATO; kandidimin për anëtar në Bashkimit Europian, etj. Pra, sistemi politik, ekonomik, shoqëror shqiptar sot është ai i një republike parlamentare. Po, ku i ka rrënjët e veta republika parlamentare? Parë, kryesisht, në aspektin ideologjik, rrënjët gjenden në qenien dhe veprimin aktiv, të pandërprerë dhe efektiv, të disa partive politike në vendin tonë. Parlamentarizmi mbështet fuqimisht jo vetëm ekzistencën e disa partive politike në Shqipëri, jo vetëm gjallërimin e jetës së tyre ideologjike dhe organizative porse ajo shikon dhe vlerëson tek partitë politike – çfarë? Rolin e tyre udhëheqës. Pse? Sepse partitë politike janë – grupime vullnetare njerëzish … etj., etj., të cilat nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme prodhojnë parlamentin shqiptar. Rrugë tjetër nuk ka. Ose, rruga tjetër do të ishte një parlament i përbërë vetëm nga një aleancë partish në pozitë që dredhin sytë në parlament. Hap pas hapi. Parlamenti prodhon qeverinë, vendos mbi dekretet e presidentit për organet më të larta të drejtësisë, dhe miraton marrëveshje e të tjera institucione që lipsen për të vënë në lëvizje makinën gjigande shtetërore, nga e cila, pritet që të çlirojë energji sa më të mëdha, pozitive dhe të pashtershme për mirëqenien e popullit dhe përparimin e pandalshëm të shtetit. Teoritë mbi shtetin dhe sistemet politike-ekonomike-shoqërore janë sa të shumta aq edhe të ndryshme; sa liberale aq edhe konservatore; sa të vjetra aq edhe të reja. Për ato të rejat, bashkëkohoret, studiuesit na mësojnë se: ekzistenca e partive politike përcakton ekzistencën e një sistemi të caktuar politik, ekonomik, shoqëror, dhe për rrjedhim janë partitë politike shqiptare ato që na pohojnë edhe ekzistencën e parlamentarizmit shqiptar. Një sistem quhet diktatorial pasi ai ka vetëm një parti politike, partinë shtet; një sistem quhet demokraci parlamentare dhe monarki kushtetuese pasi ka një kushtetutë, një mbret, dhe disa parti politike të cilat prodhojnë parlamentin, kryeministrin dhe të tjera institucione; një sistem tjetër quhet republikë parlmentare apo presidenciale sepse parlamenti, senati, presidenti burojnë nga partitë politike, ka edhe raste që presidenti zgjidhet drejtpërdrejt. nga populli, por në analizë të fundit kandidaturat dalin nga politika, etj. Rruga në cilën Shqipëria po tenton të afrohet është rruga e kapjes së standardeve të B.Europian. U përpoqëm që ta çkoklavitim sado pak, këtë çështjen e interesit kombëtar dhe raportin e pazgjidhshëm e të barazvlefshëm që ai ka me interesat e partive politike shqiptare, me qëllimin për ta normalizuar dozën e fetishizimit për shkaqe diplomatike  që i bëhet shprehjes: interesi kombëtar mbi interesat e partive politike. Koncepti “mbi” është i tepërt. Gjithashtu. Zotëri. Dimë, të gjithë, se kombet kanë ekzistuar e do të ekzistojë. Por çështja është se si ato të munden që të jetojnë në demokraci? Dhe, demokracia, absolutisht, nuk mund të gjallojë pa partitë politike. Në këtë kontekst, nuk do shumë zgjuarsi që të kuptohet se mesazhi – interesi kombëtar mbi interesat e partive politike – i ndërkombëtarëve në Tiranë, i përcillet në radhë të parë partisë socialiste. Kur? Menjëherë mbasi drejtësia goditi vetveten, njërën nga tre shtyllat e pushtetit, goditi politikën, goditi partinë socialiste.  Po, si u dha kjo goditje? Nëpërmjet shtrembërimit të parimit demokratik: një votues një votë. Parim, ky, i cili, u bë realitet vetëm atë ditë kur në tregun e politikës shqiptare dolën disa parti politike. Kur dolën ato forca të cilat i dhanë, për herë të parë, përmbajtje dhe formë të vërtetë demokratike votës së qytetarit shqiptar. Sepse, më parë, në kohërat kur nuk kishte parti politike por skllavopronarë, feudalë, diktatorë parimi një votë një votues mbase quhej: një skllav një votues! Mbase, një bujkrob një votues! Ose, siç ka ndodhur, ti voto unë vendos se kush fiton. Në përfundim të këtij trajtimi të thjeshtë që i bëmë lidhjes organike që ekziston midis interesit kombëtar dhe interesit të partive politike do të dëshironim të shprehnim besimin tonë për ndihmesën, sadoqoftë ajo, por vitale, që partitë politike japin për demokratizimin e republikës sonë parlamentare. Për dialogun e arritur dhe atë të munguar. Për faktin se: do të jenë partitë politike shqiptare, pa dallim, ato detashmente luftarake të cilat do ta mbrojnë me çdo çmim interesin kombëtar të shqiptarëve në vend,  përreth, e kudo në botë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje