Kur luajmë dhe ndotim edhe të bukurën

13 Korrik 2011, 22:00Blog TEMA

Nga Fiona Kruja

Nëse ka diçka që bota shqiptare orvatet t’i ofrojë me aq sa mundet vetvetes, por edhe të tjerëve, qoftë edhe për t’i bishtnuar sadopak krizës dhe neurozës së përditshmërisë sociale, ekonomike dhe politike, ato janë kompeticionet e bukurisë, nën emrin e atdheut tonë, në të dyja variantet e emrit me të cilin e thërrasim dhe na e thërrasin. Miss Bukuria, Miss Inteligjenca, Miss Press, Miss Buzëqeshja, Miss Kinemaja e kështu pa fund, falë edhe pasurisë sonë gjuhësore për të vënë vula gjithfarëshe. Organizatorët parimisht meritojnë vlerësim, mjaft që nuk përtojnë të kultivojnë një traditë të nisur bashkë me jetën pluraliste të modernitetit tonë postkomunist.

Bukur, vërtetë bukur. Për të shijuar një ndjesi të tillë, ashtu sikundër ai udhëtari i shkretëtirës në gjurmim të ndonjë oazi etjeshues, prej vitesh kam vajtur edhe unë monopateve të kështjellave dhe kalave tona gjysëm të rrënuara. Kruja ishte fushëbeteja e radhës. Kameramanët majë kullave dukeshin si harkëtarët e lashtë. Skenderbeu ndoshta i binte të ishte mbi kalin me pult. Bukur, vërtetë bukur. Dhe vërshoi mbi skenë edhe një pjesë e bukurisë shqiptare. Bukuria dhe freskia e moshës bënte që të gjitha të dukeshin të bukura. Një bukuri që ua ka falur zoti, por që për ta vlerësuar e merr në dorë vetë robi. Kështu funksionon, jo më kot fjalën e fundit e shkruajta me të madhe, ndonëse për besimtarët kjo përbën një gabim jo të lehtë.

Shfaqja më pëlqeu. Urime promotoreve tanë të bukurisë. Missi u zgjodh. Deri këtu, gjithçka ishte bukur, sinqeriteti dhe lotët e mbanin bukurinë pezull. Kur, befas, nga pas dëgjoj ca hapa të rëndë. Thashë se po vinte një nga rojet e skenës për të larguar njerëzit, kur kthej kokën dhe ç’të shoh: një bukuroshe me trup të harlisur si në xhunglat e Afrikës, nxitonte teposhtë shkallëve buzëvarur, me një dëshpërim gati të pashpjegueshëm. Miss edhe ajo. Me lot edhe ajo. Mjaftonte mosha e njomë dhe kushdo do të prirej të mirëkuptonte çdo ndjesi të saj. Befas shpërthen: “U treguat mashtruesa!” Auu, poshtë ishin disa nga stafi organizator. “Po kjo, ça pati”, pyeta. Vetëtimthi mu sollën të gjithë skenarët e mundshëm të zhgënjimit të vogëlushes trupmadhe. “Përse ky mllef? Përse organizatorëve?”

Kush e kish mashtruar? Pse të tjerat nuk ishin ndjerë të tilla? “E mirë mirë, po është biznesi vet or mik! Edhe këto, nuk rrinë rehat dhe të kënaqen që mësuan si të ecin, por duan edhe çmimin e madh”, u rrek të më bindte i panjohuri, por qe me turbulloi edhe me shume. Po vrisja mendjen të kuptoja se ku flinte lepuri. “O po ça do ti të kuptosh? Or mik, është e drejta ime të sponsorizoj cilindo çmim. Unë ia jap asaj që më pëlqen, s’ka ç’i duhet askujt”, shfrynte i panjohuri kuturu, aq sa nuk e kuptoja nëse e kishte seriozisht apo qesëndiste ndokënd. “Po juria”, i them. “Eh, juria, vure re ti që të bëhej ndonjë votim? Jo po Kolegji Zgjedhor. Unë or unë e vendos se kush fiton. Po nuk e fitoi ajo që dua unë, “prapakthehu” dhe “ik pirdhu”, i them atij që bën si babaxhan. “Po mirë, ja fitoi ajo që don ti, po ti ça fiton?” Sakaq zotëriu i kish vënë pikë vetësqarimit. Aha, thashe me vete dhe nuk kisha pse të gërmoja më tej.  Vajza e zgjedhur Miss ishte e bukur. “U treguat mashtruesa”, kishte shpërthyer ajo tjetra. Më kishin prekur lotët e saj të pafajshme prej adoleshenteje. Ndoshta këto lotë do të ish dashur të kishin rënë si pika zifti pikërisht mbi kokën e atyre “bosave” a “boshave”, që varfëria u jep luksin që edhe një Miss ta bëjnë Pis. Atje ku luhet edhe me të

bukurën. Edhe kjo kish ngelur pa u ndotur!

Pas shfaqjes vajzat ishin të përlotura, por edhe më vetëvlerësuese. Ishin dhe ndiheshin Miss. Sapo kishin braktisur një ëndërr dhe bashkë me të edhe gjumin e fëmijërisë. Kishin parë dhëmbët e jetës t’u skërmiteshin. Kjo do t’u vlente në të ardhmen më shumë se çdo çmim. Eh, e di që ndershmëria është luks aty ku gjithçka tenton të shitet dhe blihet. Pafajësia e vajzave në skenë sfidonte çdo prapaskenë. Ishte tejet heret per ti joshur me lojera te kushtueshme. Aleluja!

5 komente në “Kur luajmë dhe ndotim edhe të bukurën”

  1. ermiri says:

    Po miss i vertete kush u shpall, Sashenka ?!

    1. Çobani says:

      Eh sa sashenka dhe tomçe prodhon ky realitet! I bie qe keta te kene qene ne juri. Vertete per te ardhur keq. Imagjino sa shpresa mund te na ngjalle ky realitet, kur behet pis vete pastertia e brezit te ri, i cili ende nuk ka dale ne jete.

  2. Miss-Pisi says:

    Sa me siper eshte nje plage e vogel brenda plages se madhe qe vuan shoqeria jone. Kjo nuk do te thote se eshte me pak e rendesishme. Ia vlen te merremi edhe me kete, pavaresisht se kemi te bejme me fushen e bukur te artit. Kur degjeneron edhe fusha e bukurise, vaj halli per fushat e tjera. Ja qe varferia i ben edhe artistet te jene biznesmene. Nuk thone kot “fukarallek, maskarallek”. Te gjitha vajzave te pafajshme i uroj suksese dhe te kene kujdes nga sekseret e artit.

  3. Gushekuqi says:

    E shte shkruar shume bukur,si nje krijim letrar,nje tregim,pavarsisht se eshte nje lajm.Nje lajm ogurzi qe tregon se deri ku ka vajtur niveli i korrupsionit ne shoqerine e sotme….koka e “bosave” dhe “boshave” ju jep luksin qe edhe nje Miss t`a bejne Pis. Fatkeqesi kombetare,por le te shpresojme se nje mentalitet dhe kulture tjeter,do te zere vend ne ndergjegjen tone.Urime Fiona per shkrimin.

  4. Sashenka says:

    Une ne Kolegj Zgjedhor, Arrbeni ne Komision Zgjedhor, Eni Çobani ne Komision Zbukurimor (balene e bukur qe ha shume peshk kur ka provime studentesh), sot na paska dale edhe dikush andej nga Komisioni Sportiv. E shikoni qe jemi shume? Nuk po flas per Pjetrat me kuç e me maç, apo per ate Xhemil katundarin e thinjur qe i thonin “princ perlash”, vetem e vetem se na kish qene hamshor i mire andej nga Greqia dhe Gjermania.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje