Shkelma dëshpërimi në vend të argumenteve – ose si po përpiqen eksponentë të qeverisë ta largojnë vëmendjen nga dështimet, duke e zbritur debatin në nivel personal me kritikët e pushtetit?
1. Gara për të vërtetën
Që në shekullin e XVI, filozofi britanik, Francis Baconi, e kishte të qartë: “Edhe dija është pushtet”. S’ka përshkrim më të mirë, as sot, për rolin e gazetarëve. Duke pasur në dispozicion informata, duke i publikuar ato, duke i shpalosur faktet ashtu siç janë, gazetarët, vetvetiu, gjenden në një pozitë pushteti si përçues të zërit të publikut. Nga kjo pozitë, ata, mund ta dëmtojnë pushtetin në emër të mbrojtjes së shtetit. Këtu edhe lind gara për të vërtetën me çdo pushtet. Nuk është e thënë që gazetarët përherë ta kenë përvetësuar të vërtetën. Në natyrën e çdo pushteti është që t’i publikojë vetëm ato informata që i ndihmojnë ose, së paku, nuk ia prishin terezinë. Fundja, vetëm një i marrë do ta priste degën ku qëndron i ulur vetë. Pikërisht për shkak se e vërteta e prezantuar nga pushteti kurrë nuk është e plotë dhe rrallë është në shërbim të informimit të saktë të publikut, është e domosdoshme që kundërpesha të krijohet nga gazetarët. Ballafaqimi i dy të vërtetave e krijon bashkëveprimin e nevojshëm, i cili është i domosdoshëm për frymëmarrjen e demokracisë. Një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë pa opinion publik kritik.
Për dallim nga koha e filozofit të iluminizmit, Immanuel Kanti, kur vetëm një pakicë dinte të shkruante dhe të lexonte, sot situata paraqitet ndryshe: gati të gjithë dinë shkrim-lexim, gjë që, vetvetiu, paraqet një përparim të madh. Rrjedhimisht, gazetari nuk është këtu për t’i përfaqësuar interesat e pushtetit, por të publikut, të lexuesve, të shikuesve. Nëse dikush në Kosovë mendon të kundërtën, atëherë nuk merr vesh gjë nga gazetaria. Të mos marrësh vesh është e drejtë e secilit, por është e dëmshme që padija për gazetarinë të shërbejë si bazë për paraqitje publike bajate, ku gazetarët këshillohen çfarë të shkruajnë, si të shkruajnë, cilat tema t’i trajtojnë dhe cilat t’i injorojnë. Këtë shpesh e bëjnë eksponentë të Qeverisë së Kosovës. E kanë bërë edhe të tjerët para tyre, por jo me agresivitet publik të këtillë.
2. Mbllaçitës dhe ulëritës
Një qeveri, që përmes mbllaçitësve pa kredibilitet publik, përpiqet t’i kapë për hunde gazetarët, vërtet, duhet të ketë probleme të mëdha me perceptimin e realitetit dhe me demokracinë. Në këtë mes, mbllaçitësit thonë se në Kosovë nuk është e rrezikuar fjala e lirë publike, sepse viteve të fundit nuk është vrarë asnjë gazetar! Kjo nuk ka ndodhur vetëm për shkak se te disa parti (shyqyr Zotit!) u krijua bindja se vrasja dhe rrahja e gazetarëve mund të jetë kundërproduktive dhe se njerëzit (votuesit!), për dallim prej vitit 1999, 2000, 2001 ose 2002, kur heshtnin për luftën, pothuaj civile, në Kosovë, sot nuk ngurrojnë të shprehin së paku mospajtimin e tyre. Fakti që nuk janë vrarë gazetarë viteve të fundit nuk është kurrfarë përparimi sa i përket lirisë së fjalës. Problemi kryesor në mesin e gazetarëve në Kosovë mbetet autocensura, sepse – me të drejtë – frikësohen nga pasojat, mbase jo fizike, por të tjera. Ta zëmë, damkosja publike, njollosja me baltë të prodhuar nga gazetat proqeveritare, të cilat financohen përmes tenderëve qeveritarë. E kemi parë një situatë të tillë para disa muajsh kur një bandë ulëritëse mediale u përpoq (dhe nuk ia doli) t’i shpallë si puçistë disa gazetarë, të cilët s’i kanë hak askujt. Më herët, eksponentë të qeverisë, kanë shkuar aq larg saqë gazetarët kritikë i krahasonin me kafshë. S’kishin argumente, prandaj hidhnin shkelma dëshpërimi. Eksponentë të kësaj qeverie, njerëz që së paku do duhej të merrnin pak erë nga gazetaria, s’ngurrojnë që rivalët politikë (sado të papërshtatshëm, të pazakonshëm dhe agresivë qofshin ata, siç mund të jenë apo të perceptohen, ta zëmë, aktivistët e “Vetëvendosjes”) t’i krahasojnë me minj. Është skajshmërisht keq kur nga akuzat politike kalohet në akuza ekstra-personale që prekin qenien e njeriut. Ta quash dikë mi është fyerje personale, ta akuzosh dikë për vjedhje të buxhetit është akuzë politike. Këtu është dallimi. Akuza e ashpër politike nuk është e ndaluar as në gazetari, as në debatin publik, madje është e domosdoshme.
Një problem tjetër i madh është vërshimi i sektorit të gazetarisë nga personat që këtë profesion e shohin vetëm si trampolinë për karrierë të mëvonshme politike. Thuhet se një pikë shurrë prish një mijë kilogramë mjaltë. Një gazetar i korruptuar i njollos edhe kolegët e tjerë, të cilët, me sakrificë, përpiqen të ruajnë nderin dhe dinjitetin profesional, duke respektuar standardet etike të gazetarisë. Një problem tjetër është gatishmëria për të jetuar me gënjeshtra, madje, duke u përpjekur që ato të paraqiten si të vërteta sublime.
3. Shtet apo zadrugë?
Për shembull, është keq kur eksponentë të qeverisë e kalojnë në heshtje secilën rrenë, ta zëmë, të një tyxhari politik, i cili thotë se po lobon për njohjen e Kosovës në Afrikë. Faktet se zëvendëskryeministri i parë u zu, siç thuhet, me pelë përdore, u publikuan. Ai kishte manipuluar me emra dhe funksione të personave që i ka takuar, duke e bërë një gazetar, përfaqësues diplomatik të Sudanit; duke e bërë një sekretar shteti, ministër të Jashtëm të një vendi afrikan; duke thënë se paskësh takuar një president shteti pa sjellë asnjë dëshmi për këtë. Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimit, ia merr mendja se Behgjet Pacolli po bën punë të mirë dhe po krijon kontakte dhe për këtë, madje, po investon para të tij. Ky perceptim i shtetit nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë, por me trajtimin e shtetit si një zadrugë private në stilin: “Tash, o zhelanë të mjerë, vjen baci me badifokë dhe ju nxjerr në selamet”. Në fakt, Selimi, tash vetëm sa ia ka dhënë një Schlagwort Pacollit, i cili mund të thotë vetë më vete: “Po gënjej për takimet me politikanë afrikanë, por këtë po e bëj me para të mia”. Edhe ky është lloj lobimi për Kosovën, i cili mund të jetë gjithçka tjetër, por jo lobim pozitiv.
4. Një lumë me fakte
Fakte të tjera dalin në dritë çdo ditë, në raporte e kronika, por edhe në mendime opinionistësh. Faktet janë këtu, por askush nga drejtësia vendore nuk guxon të merret me to. A nuk është fakt i keqqeverisjes krejt skandali në relacionin PTK-Dardafon? A nuk është fakt plaçkitja e të gjithë shoferëve që hyjnë në Kosovë përmes të ashtuquajturave sigurime të veturave? A nuk është fakt i keqqeverisjes kur paratë e buxhetit të Kosovës shpërndahen në ato komuna prej nga vijnë pushtetarët dhe injorohen ato komuna që qeverisen nga opozita ose që drejtohen nga bashkëpartiakë, të cilët nuk kanë muskuj? A nuk është fakt se në ndarjen e tenderëve favorizohen sidomos ato firma të afërta me pushtetin? A nuk është fakt i keqpërdorimit të parave publike ndarja e gati 6 milionë eurove firmës “Saatchi & Saatchi” gjoja për përmirësim të imazhit të Kosovës? Pse qeveria nuk e bën një bilanc të punës së kësaj firme, që para publikut t’i arsyetojë mjetet e harxhuara? Publiku madje nuk e di çfarë është duke bërë tani “Saatchi & Saatchi” sa i përket përmirësimit të imazhit të Kosovës. E ka përfunduar punën? A nuk është fakt i pasurimit jolegal kur pushtetarët brenda pak vitesh e shumëfishojnë numrin e patundshmërive të tyre në Prishtinë? A bën publiku, së paku, të shtrojë pyetje për këtë çështje?
Faktet në Kosovë janë me brirë, por ato mbulohen me zhurmë nga mbllaçitësit e veshur me pushtet.
5. Ilaçi i helmuar
Për të gjitha fëlliqësitë që u numëruan në shkrimin e djeshëm – dhe për shumë të tjera – shkruhet në mediat e Kosovës prej vitesh. Mediat po e kryejnë punën e tyre në kushte të vështira. Mediat nuk janë gjyqe. Mediat po i sjellin faktet, dyshimet, informatat për keqpërdorime. Është detyrë e drejtësisë të merret me to – si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel komunal. Ilaçi, për të atakuar mediat, është gjetur. Kritikët quhen të frustruar, të dëshpëruar, të hidhëruar, dashakeqës etj. Kritikët nga qarku i gazetarisë, në fakt, perceptohen si konkurrentë të ardhshëm në garën politike edhe kur dihet se nuk kanë asnjë ambicie politike. Kritikët që dikur nga eksponentët e pushtetit të sotëm janë lavdëruar deri në qiell, sepse qortonin qeveritë e mëhershme, sot shpallen mendërisht të errët, armiq të shtetit – sipas logjikës së mbrapshtë: “Ti ke qenë gazetar shumë i mirë kur kritikoje rivalët tanë politikë, tash je gazetar i keq, sepse po na kritikon ne”. Përpjekja për t’iu veshur gazetarëve kritikë motive personale, është kulmi i mjerimit. Si çdo garniturë politike, edhe kjo e tanishmja, duhet ta ketë të qartë se asgjë nuk është e përjetshme, e, më së paku, qëndrimi në pushtet. Atëherë, kur të dalin në opozitë, ndoshta të njëjtit që po fyejnë nëpër çarshi mund të kërkojnë aleanca me shtypin e pavarur në emër të angazhimit për të mirën e përbashkët. Me çfarë morali do ta bëjnë këtë?
6. Fakte që dihen
Një metodë tjetër e pandershme është përpjekja mjerane për të degraduar gazetarët, duke thënë se vetëm po kritikojnë dhe nuk po japin këshilla. Pikësëpari këtu ekziston një keqkuptim thelbësor që duhet sqaruar një herë e përgjithmonë: nuk është detyrë e gazetarëve të këshillojnë qeverinë! Detyrë e tyre parësore është të denoncojnë të gjitha efektet e këqija që i prodhon pushteti. Paralajmërimet nga rreziqet, kritika për keqqeverisje, denoncimet e vendimeve të gabuara ose potencialisht të gabuara, megjithatë, janë – KËSHILLA. Këshillë është kur gazeta shkruan se nuk është mirë që në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të vendoset pllaka me emrin e kryeministrit Hashim Thaçi, shoqëruar me një mesazh që u shkon demokracive kaukaziane, por jo demokracisë së brishtë kosovare. Këshillë është kur gazeta shkruan se, në vend të shkumëzimeve kauzipatriotike kundër raportit problematik të Dick Martyt, është më mirë të kërkohet një prokuror special për hetimin e çështjes tashmë epike të “tregtisë me organe”. Kështu edhe u vendos këto ditë, por jo me kërkesë të qeverisë. Këshillë është kur në gazetë shtrohet pyetja: a mos do të ishte më mirë sikur Aeroporti i Prishtinës të mbante emrin Ibrahim Rugova dhe autostrada të quhej Adem Jashari? Ose: a bën edhe pa emra hiç? Këshillë është kur sillen shembuj se si e kanë trajtuar shtetet tjera në rajon çështjen e dhënies së tenderëve të rrugëve për kompani të mëdha multinacionale. Këshillë është kur pushteti kritikohet për rritje rrogash pa mbulesë dhe kur rrezikon dhe prish marrëveshjet me institucionet financiare ndërkombëtare. Këshillë është edhe kritika ndaj atyre që keqpërdorin ndjenjat kombëtare dhe bëhen aleatë të kryetarit të Serbisë, Boris Tadiqit, duke folur për bashkim me Shqipërinë, kur ende nuk dihet e ardhmja e tërësisë territoriale të Kosovës. Këshillë është edhe qortimi i mënyrës se si kujtohet dhe manipulohet e kaluara e Kosovës, përfshirë edhe luftën e fundit. Paralajmërim dashamirës është edhe shpalosja e fakteve krahasuese mes shtetësisë së zbehtë kosovare dhe kompetencave të republikës së serbëve të Bosnjës. Këshillë është edhe kritika kundër paradave të neveritshme parlamentare, të cilat kulmojnë me zgjedhje të njerëzve të diskredituar në poste të rëndësishme publike. Këshillë është edhe kritika që është bërë kundër futjes nën kontroll të hekurt të Radiotelevizionit të Kosovës, një pronë publike e shndërruar tashmë në zëdhënëse të përhershme të Qeverisë. Këshillë është edhe kritika kundër përbërjes së Bordit të RTK-së, ku profesionistët janë pakicë dhe ku militantët partiakë shpërblehen në emër të të ashtuquajturave “vlera të luftës”. Në fakt me këtë veprim pështyhet mbi çdo vlerë. Faktet, siç po shihet, janë këtu. Ato nuk zhbëhen duke i goditur lajmësit nën brez.
7. Mizoria e radhës
Kur nuk bëjnë punë fyerjet, mbllaçitësit akuzojnë kritikët se nuk po u gëzohen të arriturave të mëdha të shtetit të Kosovës. Me këso lloj sulmesh, mbllaçitësit fillojnë të merren me ndjenjat personale të gazetarëve – një akt i paparë në historinë moderne të fjalës së shkruar publike. Me këso shpifjesh ata përpiqen që debatin ta zbresin në nivel personal. Në këtë garë gazetarët nuk duhet të hyjnë në asnjë mënyrë. Gazetarët nuk kanë asnjë arsye të krekosen para pushtetit me rikujtim faktesh se puna e tyre ka qenë dhe është në të mirë të opinionit publik, të shoqërisë në përgjithësi. Është opinioni që secilit ia tregon vendin e duhur: si gazetarit të ndershëm, ashtu edhe atij të korruptuar; si politikanit plaçkitës, ashtu edhe atij që synon të vijë në pushtet dhe t’i zëvendësojë plaçkitësit e mëparshëm. Nganjëherë zërat e atyre që ulërijnë dëgjohen më mirë, por harrohen shpejt. Në periudha afatgjata mbahen mend vetëm zërat e atyre që duke i siguruar faktet, duke i paraqitur ato, duke i vlerësuar dhe peshuar shfaqen në opinion. Edhe nëse sot me faktet nuk merret drejtësia, nesër me to mund të merret historia. “Historia magistra vitae est”, nënvizonte Cicero në fletoren e tij “Mbi oratorin”. Historia është mësuese e jetës, atë mund ta përdhosin të pushtetshmit, por s’mund ta shpërfytyrojnë plotësisht. Copëzat e saj një ditë bashkohen dhe krijojnë imazhin. Atë imazh të keq që sot e shohim, e denoncojmë dhe përpiqemi ta ndryshojmë.
8. Për fund: dy zëra
Nëse duam të jemi pjesë e Evropës Perëndimore, atëherë nuk kemi ku të mësojmë tjetërkund përveçse në arkën e saj të dijes dhe përvojës. Janë shumë zëra që jehojnë në këtë arkë dhe duhet të dëgjohen në përditshmërinë tonë. Dy prej tyre dua t’i veçoj këtu: Hugh Carleton Greenei dhe Rudolf Augsteini.
I pari, dikur drejtor i BBC-së, promotor i medieve të lira në Gjermaninë e pasluftës, kishte thënë: “Më tregoni një vend ku gazetarët dhe politikanët shkojnë mirë me njëri-tjetrin dhe unë do t’ju them se aty nuk ka demokraci”.
I dyti, themelues i revistës “Der Spiegel”, kështu e përshkruante punën e gazetarit: “Një gazetar i pasionuar nuk mund të shkruajë pothuaj asnjë artikull pa dashur që në nënvetëdije të ndryshojë realitetin”. Kombet tjera kanë kaluar tmerre më të mëdha. Kombi i lirë kosovar (me shumicë shqiptare dhe me pakica të barabarta para ligjit) ka shumë arsye të jetë i pakënaqur, por duhet ta shohë demokracinë si mundësi, të cilën e kanë pritur aq shumë gjenerata para nesh. Nëse këtë e kuptojnë më shpejt edhe politikanët (në pozitë dhe opozitë), atëherë do të jetë më mirë për të gjithë: për shoqërinë, për politikanët – dhe për gazetarët.
Z ENVER!
Faleminderit shume per analizen qe i beni ketij problemi kaq te mprehte dhe madhor per demokracine .Po duam te funksionoje demokracia ,gazetaria nuk duhet ne asnje rrethane te çensurohet po u arrit kjo nga pushteti, ne kemi rene ne diktature te pa shpallur . Kjo loje e felliqur me gazetaret luhet sot nga te dy anet e kufirit .Nga ana ime mendoj se kemi probleme te thelle me menyren si e perceptojme ne, demokracine Ju keni nje mision qe te sillni lajmin e paster ashtu siç eshte para popullit dhe institucionet perkatse te ndjekin ligjin .Denigrimet dhe baltosja e gazetareve duhet te marrin fund nqs duam te funksionoje demokracia ,ne te kundert shtroni dhe ju kurizin thurini lavde pushtetit dhe keto diktatura duhen dhe 50 vjet te tjera ti shkulesh .Ne populli i thjeshte jemi ne krahun tuaj pa frike mund te them qe ju z.ENVER ,MERO,KLEDIANI dhe shume gazetare te tjere( qe per arsye memorie nuk mbaj med emrat e tyre) sot jeni elita e gazetarise shqiptare dhe populli ju ka si pak uje ne dore ,sepse jeni ju ata qe per asnje moment nuk na fshihni te verteten dhe kryeni me ndershmeri misionin e gazetari.Gazetaria nuk eshte nje “menu “restoranti nga ku do zgjedhi populli te haje ate qe i serviret nga pushteti .Gazetari do te thote te nxjerresh fakte koke forta me abuzimet qe bene pushteti .GAZETARIA ESHTE OPOZITE TE PERJETSHME ME PUSHTETIN.Po nuk pranojme kete ,ateher ne nuk dime çdo te thote DEMOKRACI.
Duhet tè veçoj dy zèrat nè fund qè janè vèrtetè njè pèrvojè e mrekullueshme pèr tu ndjekur.
Pèrgjithèsisht èshtè i pèlqyeshèm ky shkrim, mbron dinjitetin e gazetarit e profesionit mè tè vèshtirè, qè pak kush arrin ta bèjè siç duhet deri nè fund.. Ju zoti Enver jeni njè nga ato tè paktè profesionistè nè ndihmè tè vèrtetès e cila sot èshtè mjaftè e vèshtirè ta ‘shohèsh’, pa lere pastaj ti japèsh ‘dorèn’.
Por duke patur parasyshè rastin unikal nè botè tè Koaovè, dua tè ushqej mendimin se gazetarèt ndoshta tè bèjnè dhe njè gjè unikale me profesionin e tyre. Ose mè mirè siç thotè i urti popull: – Kafshatèn e madhe haje, por fjalèn e madhe mbaje!! Kètu dua tè ngas fjalèn se Kosova duke qènè nè njè ekuilibèr delikat, nuk do tè ishte mè e kèshillueshme qè tè peshohej mè shumè atje ku nuk dèmtohet ekuilibri. Kjo nuk duhet tè quhet si njè oportunizèm, por duhet tè konsiderohet si njè rikonçilacion midis palève, gjè qè mund tè bèhet vetèm pèr atdheun. Pèrshèndetje.
Nje hymn per gazetarine e kulluar shqiptare, ashtu sic duhet te jete! Mero, nderroji emrat dhe faktet se vlen dhe per ne Shqiperi ky shkrim, edhe pse Enveri s’ka dashur ta zgjase me shume duke i perfshire te dyja bashke.