Kurbani dhe vdekja e demokracisë

27 Korrik 2011, 22:02Blog TEMA

Nga Miranda Rira

Jo vetëm banorët e Tiranës por edhe ata të të gjithë Shqipërisë kanë ndjekur me kërshëri dhe interes zgjedhjet e fundit lokale. Ashtu sikurse edhe zgjedhjet e tjera postmoniste, ato përbëjnë një patern të qartë të demokracisë së çale shqiptare. Nuk do të përpiqem të bej një analizë të mirëfilltë juridike të procesit sepse nuk jam juriste por një reflektim mbi ndjesinë dhe shijen që la tek ne e gjithë çorba zgjedhore. Ka disa ëndërrimtarë e sharlatanë, pseudoanalistë kopukë e sahanlëpirës, që pretendojnë se në Shqipëri nuk ka pasur zgjedhje më të mira se këto qe nga 91-shi e këtej. Për të gjitha atë pjesë tjetër të popullsisë shqiptare qe nuk i përkasin grupit të lartpërmendur, pasi shikohen si lebrozë për shkak të bindjeve të tyre politike, që nuk mund të flasin apo bëzajnë sepse humbasin vendin e punës, për të gjithë ata fshatarë e qytetarë të ndershëm e të lodhur nga metamorfozat e vrullshme e të frikshme të stratifikimeve social-ekonomike që ndodhën përgjatë dy dekadave të fundit, këto zgjedhje nuk ndryshojnë shumë nga të mëparshmet vetëm se ishin më të sofistikuara dhe njëkohësisht më lakuriqe. Përpos disa mediave vizive, që arritën të na mbanin të ngujuar para ekraneve tona duke bërë llogari matematikore, mbledhje e zbritje e pas gjithë asaj maratone të lodhshme e sfilitëse edhe për ne shqiptarët e thjeshtë, lëmshi sa vinte e ngatërrohej më keq. Megjithëse ishim dëshmitarë okularë se Edi Rama ishte fituesi legjitim i zgjedhjeve me10 vota në avancë, lufta për pushtet i kaloi të gjitha parashikimet duke lënë mashtrimin dhe uzurpimin oligarkik të prevalonte mbi ndërgjegjen kolektive të të gjithë atyre që votuan dhe atyre që nuk votuan sepse besonin pak në faktin se vota e tyre realisht do të numërohej.  Ky model dhe proces zgjedhor që i ngjante së tepërmi proceseve ilegjitime të disa vendeve Afrikane dhe të Lindjes së Mesme, arriti të manifestonte hapur se jetojmë në një autokraci dhe diktaturë moderne që kontrollon e komandon gjithçka: rendin, elitat, sistemin gjyqësor, që uzurpon çdo sferë dhe fshin e eliminon çdo handikap që i del përpara. Ky pushtet politik sillet si një Leviathan i tërbuar që nuk pyet për të vobektit, për kokëpalarët, për minatorët, për të varfrit që varfërohen gjithnjë e më tepër, por sakaq kërcëllon e deluzionon me  pseudodemokracinë liberale që ëndërojmë të gjithë. Përmbysja e rezultatit në tavolinë, loja e pisët e Ristanit dhe e “Ristanëve” të tjerë që qëndronin në prapaskenë, konstituojnë më tepër psikozën se në këtë vend nuk ka as barazi dhe as do të kete drejtësi sociale; se në këtë vend mund të besh ç’të duash, të vjedhësh, të mbytësh, të hedhësh në erë, të vrasësh e kurrfarë gjërash të tjera, nuk të hyn asgjë gjemb në këmbë, ku faji nuk e ka një fajtor dhe krimi nuk e ka nje kriminel. A është kjo demokracia që ëndërruam para 20 vitesh?! Prisnim që diçka të ndodhte përtej dyerve të ambasadorëve të huaj qe flirtonin sa andej- këtej duke dhënë mesazhe të paqarta të dy kampeve politike. Ajo që përbente kulmin e katharsisit politik dhe që legjitimoi pushtetin e ri të sapolindur kleptokratik, ishte vendimi i kolegjit zgjedhor. Si një talisman ogurmirë të gjithë prisnin me kureshtje vendimin final por fatkeqësisht ky kolegj u kthye në një mërgatë qyqesh, që përforcoi atë që te gjithë e themi nën buzë e më zë të ulët se shpresa për drejtësi ka vdekur dhe se është e kotë të shpresosh më tej. Ndërkaq, vendimi i Kolegjit ishte një mënyrë e përkryer për të manifestuar vdekjen e demokracisë dhe varësinë e pushtetit gjyqësor ndaj pushtetit aktual politik. Të gjithë shqiptarët edhe ata që nuk marrin vesh nga ligji, edhe ata që nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë shqip, e panë dhe e kuptuan qartazi puçin e vërtetë e të dhunshëm shtetëror. Përse Edi Rama e pranoi humbjen kur ai ishte fituesi? Përse atij iu mbaruan fjalët? Përse ai nuk ngriti masat popullore në protesta e demonstrata? Nëse kandidati Basha do të kishte fituar me 10 vota, a do të pranonte ai atë që pranoi Rama? Të gjithë jemi te bindur se ai nuk do të tërhiqej, cilido të kishte qenë çmimi, për këtë ne jemi të bindur nga sjellja e tij politike e Janarit te fundit. Atë që shkrimtari i njohur Ismail Kadare ia kërkoi publikisht Bashës, e bëri Rama. Për të shmangur atë që ndodhi në Gjirin e Fildishtë në qytetin Abidjan, ku të paktën 1000 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e luftës civile si pasojë e krizës një vjeçare politike ku në zgjedhjet e fundit presidenciale të dy kandidatët u (vetë)shpallën fitues. Ky vetëflijim politik i Ramës, nuk i pëlqeu disave që nxorën dhëmbët kundra tij sepse humbën ndonjë ofiq apo privilegj ministror. Ky vetëflijim i ish- kryebashkiakut shkon në analogji të përkryer me kurbanin e bërë ditën e kryetarit të ri te bashkisë se Tiranes.  Kishte diçka që nuk shkonte atë ditë. Udha për në bashki vërtet kishte qenë e gjatë dhe e lodhshme, por edhe e sikletshme, sepse ishte parë nga të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufinjve. Të gjithë shikonin mbretin dhe thonin: “Sa rroba të bukura ka mbreti”. Vetëm një fëmijë nga turma thirri: “Baba, mbreti është lakuriq”. Fatmirësisht apo fatkeqësisht, të gjithë e pamë “mbretin” lakuriq dhe të vërtetën lakuriq atë ditë. Jam kurioze të di sesi do t’i vlerësoje Brukseli zgjedhjet e 8-Majit; A do të vërë ai syze dielli për të parë më mirë këtë të vërtetë apo do të mjaftohet me eunukët e dërguar këtu që nuk shohin e nuk dëgjojnë gjë.

8 komente në “Kurbani dhe vdekja e demokracisë”

  1. tourkofagos says:

    thjesht turp,,,,,,!

  2. lilolabja says:

    Znj RIRA !Urime per shkrimin e ke qare ,faleminderit !

  3. pelivan says:

    Te lumt moj vajze e mencur,Shqiperia e vogel,prandaj ka mbijetuar,se ka patur gjithenje mendje qe pikoin ar

  4. estilen says:

    Ai kurban qe u be kete te hene nga stafi i Bashes, nuk mund te eklipsoj kurbanin e 21 janarit….
    Gjakun e njerzve te pafajshem te 21 janarit, as Basha e as Berisha nuk mund ta lajne me gjak dashi,ai gjak lahet vetem me gjakun e tyre….

  5. SERENA bAJRAKTARI says:

    JU lumte ZONJE,MENDJA dhe DORA.! Dy fjale per KURBANIN: Disa sharlatane dhe ARMIQ te fese ISLAME ja veshin si RIT fetar Islam kurbanin,Keta SHARLATANE harrojne kalane e ROZAFES .Ky rit nga MYSLIMANET perdoret vetem per kurban BAJRAMIN dhe ne themelet e SHEPIVE kur fillojne ta ndertojne e jo sa here emrohen ministra e kuadro te tjera. Keto jane TALLJe dhe inate POLITIKE qe do ta lene kete vend te harruar e te tallur nga BOTA.

  6. xhemal says:

    shfaqje e peshtire servile ndaj pushtetit do me falin por njerzit qe e kryen kete turp per shqipetaret me siguri kane qene e jane mjerane ne shpirt meshire per ta keto veprime jane atavizmat e shoqerise shqipetare ato tregojne edhe fytyren e vertet te pushtetit obskurantist qe ska asgje te perbashket me demokracine e shtetin e se drejtes por e kthen qeverine e qytetareve ne vend peligrinazhi te talebaneve Me shfaqjen e ulet eshte ofenduar edhe besimi i njerezeve ne zot eshte poshteruar mesimi apo urdheri i zotit per te moskurorezuar apo ti besh kurban idhujve tokesore ato i behen vetem te madhit zot por edhe nje here fali o zot nuk dine cfare bejne ndihoi te dalin nga erresira

  7. Marko (Kanada) says:

    Te lumte dora per kete shkrim mjaft cilesor e te goditur. Faleminderit per kontributin qe jep.
    Te pershendes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje