Piramida

21 Korrik 2011, 22:11Blog TEMA

Nga Fatos Mahmutaj

U bënë disa kohë që qendra e vëmendjes së shqiptarëve, jo vetëm në Shqipëri, është vendosur pikërisht te problemi i Piramidës. Të prishet apo jo? E shëmton apo jo Tiranën godina që u projektua dhe ndërtua për të qenë tempull i diktatorit komunist Enver Hoxha? Diskutimi sa i ndërlikuar në dukje, bëhet më i thjeshtë në esencën e tij, fakte që nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që nuk i ka lexuar qartë në deklaratat e zjarrta të politikës në pushtet për t’i përmbysur themelet një ndërtese, tashmë të transformuar pak a shumë në gërmadhë. Le të analizojmë arsyet e paraqitura nga politika në pushtet, e cila kërkon me çdo kusht shkatërrimin e godinës me formë të çuditshme.

Ndërtimi i një Parlamenti të Ri. Gjatë viteve të fundit të punës time në media kam ndjekur shkrimet apo kronikat e kolegëve të mi, reporterë të sektorit të politikës, që kanë folur për projekte të shumta të një godine parlamenti. Ajo që binte në sy më tepër, dhe që më pas u pranua si projekti që do të realizohej ishte ndërtimi i një salle të xhamtë mbi godinën në të cilën aktualisht ndodhet Kryesia e Kuvendit. Nuk u mor vesh se si u zbeh ky projekt dhe vetëm pas pak ditësh u zhduk sikur të mos kishte ekzistuar. Menjëherë pas kësaj u hodh ideja e shkatërrimit të Piramidës dhe ndërtimit aty të një kompleksi parlamentar. Deklaratat politike, të kryeparlamentares Topalli dhe të mbështetura fuqishëm nga e djathta në pushtet pushtuan menjëherë mediat, ndërsa qytetarët dhe intelektualët u rreshtuan menjëherë kundër shkatërrimit të godinës fatkeqe. Nga të dyja anët dolën arsyet dhe kundër-arsyet e kësaj nisme, që si gjithë të tjerat e të djathtës në pushtet ishte mbi gjithçka edhe e pa mbështetur në një projekt si arkitektural, po ashtu edhe ekonomik (është e tepërt që të përmendim mbikalimin e Zogut të Zi, për të cilin Gjykata e Apelit “si kofini pas të vjelit” vendosi mosprishjen e tij, apo Rrugën e Kombit që nisi e mbaroi pa pasur kurrë një projekt për të). Gjithsesi, problemi i vërtetë nuk është projekti, pasi një i tillë përflitet se është bërë tashmë, por arsyet e shkatërrimit që para së gjithash kanë të bëjnë me përzënien e televizionit më të madh në vend, Top Channel. Në fakt prej vitesh kjo media ka qenë kritikuesja kryesore e keqqeverisjes së vendit. Ngutja për ta bërë sa më parë fakt të kryer shkatërrimin ka të bëjë edhe me diçka tjetër, ndoshta aksidentale: shkatërrimin e njërës prej kolonave mbajtëse të saj gjatë rikonstruksionit të nisur më tepër se një vit më parë. (Çmenduria për ta kthyer në teatër kushtoi nja 5 milionë euro dhe në vend që të përmirësonte diçka shkatërroi njërën nga kolonat kryesore të godinës). Të dyja këto e bëjnë një argument të fortë për të hedhur përtokë Piramidën, duke shtuar edhe tymnajën që largon vëmendjen e opinionit nga vjedhja ashiqare e mandatit të kryebashkiakut të Tiranës. Por ka edhe më tepër se kaq. Flitet se piramida shëmton dhe se i ka “zënë frymën” Tiranës. Mua nuk më është dukur e tillë. Po kështu edhe pjesës më të madhe të qytetarëve dhe intelektualëve shqiptarë. Kjo duket qartë nga sensibilizimi që po i bëhet opinionit si dhe takimet e shumta të intelektualëve deri edhe me Presidentin Topi. Në fakt, këtu ka diçka të vërtetë, jo për shëmtinë, po për  neverinë që u shkakton disa njerëzve me dëshminë që ajo sjell. Piramida është një dëshmi e gjallë e komunizmit. Me tepër se gjithçka ajo i ngjall frikë dhe neveri servilëve dhe të përkëdhelurve të dikurshëm të komunizmit, të cilët bërtasin sot me zell për shkatërrimin e saj. Janë këta njerëz që e vuajnë këtë sindromë të keqe. Është e kaluara e tyre prej sahanlëpirësish, të dikurshëm në oborrin e xhaxhi Enverit, njeriu për të cilin u ndërtua Piramida.

Flitet që Piramida nuk plotëson kushtet arkitektonike. Shumë pa kuptim duket kjo. Mbi të gjitha tregon qartë nivelin e atyre që janë rreshtuar përkrah shembjes së Piramidës. Siç duket e kanë mësuar përmendësh refrenin që duhet të thonë, dhe duke mos pasur aspak mend e përsëritin shabllon.

Kemi dëgjuar që të flitet edhe për një projekt goxha ambicioz, (sinqerisht nuk dua ta besoj): Shpërblimin me truallin e Parlamentit aktual pronarit të TV Klan dhe një gazetari po aty, për të ndërtuar pallate!!!

Modeli gjerman do të ishte më i miri për krahasimin e trashëgimisë komuniste. Kam pasur fatin të isha pjesë e një delegacioni shqiptar me përfaqësues të shoqërisë civile dhe OJQ-ve të të Drejtave të Njeriut, për të vizituar ambientet e STAS, ish-shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore. Me krenari, gjermanët na treguan se komunistët në grahmat e fundit të shtetit të tyre kishin nisur jo vetëm shkatërrimin e dosjeve, por edhe të të gjithë kompleksit, por populli që ndodhej jashtë nëpër protesta hyri me forcë dhe shpëtoi gjithçka. Tashmë godinat dhe gjithë përmbajtja e tyre janë ruajtur me fanatizëm deri në detaje, madje edhe janë rikonstruktuar kur është dashur. Momentalisht gjithçka është vënë në dispozicion të qytetarëve dhe studiuesve. Fundja nuk do kishte asgjë të keqe që piramida e Tiranës të shërbente si e tillë.

Mu duk me vend të merrja si shembull Brukselin, kryeqytetin e Europës, vendin ku jetoj aktualisht. Në këtë vend ndërtohet shumë. E para gjë që më thanë kur mbërrita këtu ishte shprehja: “Belgët ndërtojnë shumë pasi kanë lindur të gjithë me nga një tullë në bark”. Por në pamje të parë, jo vetëm në Bruksel, por në gjithë Belgjikën, asgjë nuk duket si e tillë. Të gjitha ndërtesat janë të ulëta; tre-katër, e shumta pesë kate dhe që datojnë prej dhjetëra e qindra vitesh. Nga brenda janë moderne dhe kontemporane. Duket qartë që në to është ndërhyrë. Por me kriter duke ruajtur me fanatizëm fasadën dhe gjithçka tjetër të rëndësishme. Për ilustrim po sjell foto të shkrepura në një godinë që po ndërtohet jo më larg se 6-7 metër nga selia e Bashkimit Europian dhe fiks përballë selisë së Komisionit Europian. Është e tepërt të bëjmë komente pasi vetë fotoja tregon gjithçka rreth mënyrës sesi konsiderohen ndërtimet në këtë vend.

Pra nuk do ishte më mirë që piramida të përshtatej!?

Së fundmi, për ta mbyllur, po sjell të plotë mesazhin elektronik të një mikes time, shtetase e huaj që prej dekadash punon në Tiranë. “Çështja e piramidës kërkon shumë diskutime, dhe siç e di, asgjë në këtë “dreq vend”, nuk merr diskutimet e duhura. (Ligji për median elektronike është një shembull i fundit: 150 nene, shumë çështje të ndërlikuara, dhe ideja ishte të kalojë brenda javës…, por sapo mësova që Qeveria është tërhequr dhe nuk do të kalohet sot, ditën a fundit të Kuvendit).

Ndryshe nga Ambasadori danez, nuk guxoj të them asgjë “pro” ose “kundër” ndërtesës si një monument, i cili simbolizon Tiranën. Sigurisht, Tiranës i mungojnë ndërtesat historike dhe/ose madhështore, por këtu prekim historinë e komunizmit, dhe unë mendoj, që është për shqiptarët që të vendosin, a vlen piramida si vepër arti, ose simbol i Tiranës, ose si kujtesë, apo nuk vlen.

Siç e di, asnjëherë shqiptarët nuk kanë diskutuar për gjërat e së kaluarës, dhe “gjestet” siç do të ishte shkatërrimi i Piramidës, nuk do zëvendësojnë atë diskutim.

Gjithashtu, ka probleme të buxhetit: Shumë kollaj mund të parashikohet, që do të shkatërrohet Piramida, dhe do të mbeten, për një kohë të pacaktuar, vetëm gërmadhat (ose një gropë, si ajo e Hajdin Sejdisë). Nuk flas për mungesën e një projekt-buxheti për ndërtesën e re, por ky ishte një problem, që pamë në rastin e rrugës Durrës-Kukës, dhe nuk duhet përsëritur.

Kam dëgjuar edhe për problemet në votimin (në Parlament) por nuk di shumë për të.

Por problemi më i madh mbetet fakti, që “vendimi” për prishjen e saj, dhe ndërtimin e Parlamentit të Ri, është marrë pa diskutim, pa konsultim, pa gjë!”.

 

*Bruksel, 20 korrik 2011

3 komente në “Piramida”

  1. durrsaku gjerman says:

    Dikush kishte komentuar ne faqen “Dosjet e komunizmit” ne Facebook kete shprehje, qe me pelqeu – “Komunistet shkaterrojne, kapitalistet ndertojne”, c’ka verteton me se miri aktualitetin e komunizmit modern ne Shqiperi.

    1. skela says:

      Dhe aktualitetin se Sala me shkaterrimin , verteton sesa komuniste eshte akoma .
      Lepuri fle gjetke keta e kane :
      1-me TOP – CHANNEL-in
      2- tjetra jane fitimet e pa kontrollueshme si te rruga Durres-Kukes .
      Me VKM-ra ja kane marre doren tani

  2. tefta alikaj says:

    kapitalistet ndertojne shtetet e tyre dhe shkaterrojne shtetet e te tjereve

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje