Mbas farsës së rradhës në Tiranë, opozitës shqiptare duket se alternativat për veprim sa vijnë e po i ngushtohen. Një alternativë është ajo e protestës dhe mosbindjes civile. Kjo alternativë, garanton drejtësi dhe emancipim. Alternativë e dytë është “Duroni!”. Thonë se durimi është virtyt, por për shqiptaret fjala “Duroni” dita-ditës po merr kuptimin e fjalës “Kurrë”. Alternativa “Duroni” garanton padrejtësi dhe zhdukje të opozitës. Me zhdukje duhet kuptuar një metamorfozë që finalizohet me shfuqizim politik. Një opozitë e pafuqishme politikisht është një opozitë vetëm në emër. Një vend me opozitë vetëm sa për emër, mund të jetë po aq demokratik sa ishte Republika Demokratike e Afganistanit, Republika Demokratike e Etiopisë, Republika Demokratike e Gjermanisë, Republika Demokratike e Somalisë, Republika Demokratike e Vietnamit dhe Republika Demokratike e Jemenit. Nëse opozitarët shqiptarë zgjedhin opsionin e parë, para se të përballen me dhunën shtetërore do të përballen me dilemën morale se: nëse drejtësia shpëtohet vetëm duke shkelur ligjin, a duhet shkelur ligji?
Gjithnjë e më tepër në shoqërinë shqiptare po spekullohet se e drejta përfaqësohet në mënyrë absolute nga vendimet e gjykatave dhe ligjeve të cilave u referohen. Gjithnjë e më tepër po spekullohet se nënshtrimi ndaj vendimeve të gjykatave është i domosdoshem në sigurimin e një shoqërie demokratike. Por, a është e vërtetë kjo? Zhvillimet historike në vende me demokraci të konsoliduar e hedhin poshtë këtë spekullim, i cili duket se nuk perfaqëson gjë tjetër veçse justifikim për padrejtësi dhe përmbysjen e demokracisë.
Spekullimi i mësipërm shërbeu si themel mbajtës për retoriken kundra transparencës së zgjedhjeve të 2009-s. Spekulluesit duke përdorur retoriken e “ligji dhe vetëm ligji”-t shembën transparencën e cila është një nga shtyllat mbajtëse të ligjshmërisë së pushtetit demokratik. Sot po përballemi me të njëjtët spekullues që përdorin të njëjtën retorikë përsëritëse, se opozita dhe shoqëria shqiptare jo vetëm që duhet t’u bindet vendimeve dhe ligjeve por, as nuk duhet ta cojë nëpër mend se vendimet dhe ligjet mund të gjykohen moralisht. Për pushtetin në fuqi, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave vetëm duhet t’u nënshtrohesh dhe kush bën të kundërtën kryen blasfemi dhe nuk ka se si të mos jetë komunist, tradhëtar, antishqiptar, antiamerikan, etj.
Kushdo që ndjek debatet në mediat shqiptare rreth vendimeve të Kolegjit Zgjedhor, nuk mund të mos vërejë faktin se ato kryen brenda disa këndvështrimeve të përcaktuara analitike. Këndvështrimet që spikatin në debate dhe analiza janë ato me karakter ligjor, politik dhe procedurial. Për veprimet e marra nga Kolegji, gjithnjë e më tepër mënjanohet këndvështrimi analitik me karakter moral. Duket sikur shqiptarët gjithnjë e më shumë po bien pre e spekullimit se vendimet e gjykatave qëndrojnë përmbi gjykimin moral. Por a është e vërtetë kjo?
Historia na tregon se moralet kurrsesi nuk e humbasin forcën gjykuese dhe karakterin absolutist në lidhje me përcaktimin e së drejtës. Antropologjia na mëson se të vetmet veprime që u shmangen gjykimeve morale njerëzore janë veprimet e atij që shumë prej nesh e konsiderojnë si krijuesin e vetë moraleve: Zotit.
Ishte Zoti që krijoi njeriun apo njeriu Zotin? Duket se arsyeja përse Zoti vazhdon të ruajë imunitetin e tij kundrejt gjykimeve morale njerëzore qëndron në pamundësinë tonë për t’i dhënë përgjigje kësaj. Por a ka llogjikë në atë që edhe gjykata të gëzojë këtë imunitet kundrejt gjykimit moral? Praktika njerëzore tregon se nuk ka mundësi, sepse të gjithë e dimë se kush e krijoi gjykatën. Atëherë si shpjegohet orvatja dhe deri diku suksesi i qeverisë për t’i vendosur vendimet e gjykatave përmbi gjykimin moral të shoqërisë shqiptare?
Përgjigja e kësaj pyetjeje gjendet në orvatjen e pushtetit për t’i imponuar në mënyrë jo të drejtpërdrejtë shoqërisë shqiptare një perceptim djallëzor për gjykatat – i cili është sa i shthurur në llogjikë po aq tiranik në karakter. Kur dëgjon retorikën e pushtetit dhe besnikëve të tij mediatikë, të krijohet përshtypja se në Shqipëri, në vend që gjykatat të ishin krijuar në funksion të popullit, është populli ai që është krijuar në funksion të gjykatave. Gjithashtu pushteti mundohet t’u mbushë mendjen shqiptarëve që të mendojnë se pikërisht nënshtrimi ndaj gjykatave është themeli i qytetërimit perëndimor. Në të vërtetë themelet e qytetërimit perëndimor gjenden në respektimin e gjykatës dhe ligjit të së drejtës. Por në Shqipëri, gjykatat vendimet i marrin në bazë të “ligjit” dhe jo “ligjit të së drejtës”. Distanca morale midis ligjit dhe ligjit të së drejtës është e gjerë sa oqeani Atlantik. Gjithashtu duhet patur parasysh se në botëkuptimin perëndimor respekti dhe nënshtrimi qëndrojnë shumë larg njeri-tjetrit. I pari konsiderohet si vlerë që duhet përqafuar, kurse i dyti si ves që duhet mënjanuar.
Nga një pikëpamje historike qytetërimit perëndimor nuk është asgjë tjetër përveçse një seri kronologjike kryengritjesh dhe tensionesh të vazhdueshme kundër ligjesh në fuqi. Mund të themi se vetë rrënjët e qytetërimit perëndimor gjenden tek e jashtëligjshmja: Kisha Katolike me të cilën për një kohe shumë të gjate do të përfaqesohej vetë perëndimi, për 313 vjet ish vetë e jashtëligjshme. Në vitin 1215 Mbreti Xhon i Anglisë, pasi humbi betejat me Baronët feudalë pranoi të firmosë Magna Kartën. Firma e tij anulloi traditën ligjore mijravjeçare të monarkisë absolute. Në vitin 1521 Martin Luteri, pasi refuzoi të zbatonte ligjet e Kishës Katolike u shpall i jashtëligjshëm prej saj. Si pasojë e shkeljes së ligjeve që ai i konsideronte të padrejta, sot në bote ka 650,000,000 besimtarë protestantë. Në 1775 kolonët anglezë në Amerikën Veriore shkelën ligjin e Kurorës Mbretërore dhe krijuan Shtetet e Bashkuara. Në 1789 francezët shkelën ligjet e Monarkisë Burbone dhe krijuan Europën moderne. Dyqind vjet më vonë gjermanët shkelën ligjet e komunizmit dhe krijuan Europën demokratike.
Për një njeri të cilit i mungon në botëkuptim koncepti i “ligjit të së drejtës”, historia europiane nuk është gjë tjetër vecse një libër horrori. Për të Europa është e mbushur me popuj barbarë që prodhojnë ligje për t’i shkatërruar më vonë. Europa për të është një vend i frikshëm ku nuk duhet shkelur kurrë. Një njeri i tillë, ligjit i jep atributet e pronarit kurse vetes i jep atributet e skllavit. Europa për skllavin është një vend i pasigurtë. Në retorikën e tij do të gjeni fjalët “ligji dhe vetëm ligji; respektimi dhe zbatimi i ligjit; gjykata; vendimi i gjykatës; hetim; kodi ligjor; prokuroria; kodi elektoral; afati kohor”. Do të gjeni dhe plot e plot të tjera si kombinim midis fjalëvë të lartpërmendura.
Të vetmen fjalë që do ta dëgjoni shumë rrallë nga goja e një njeriu të tillë është fjala “drejtësi”. Nuk do ta dëgjoni shpesh sepse truri i tij është i paaftë ta perceptojë drejt këtë ide. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se drejtësia rrënjët i ka te morali. Por për të, morali është concept bosh. Platoni thotë se gënjeshtra është arti i skllavit. A mund ta kuptojë dhe si rrjedhojë ta vlersojë drejtësinë një njeri që gënjeshtrën e ka kthyer në art dhe moralin në hiç? Sipas Platonit, jo. Duke marrë parasysh se në Athinën e Platonit kish shumë skllevër ai detyrimisht duhet t’i ketë njohur mirë. Kështu që opinionin e Platonit për këtë çështje unë e marr si të mirëqenë. Por, nëse një njeri i tillë është i paaftë ta percpetojë drejtësinë, atëherë si shpjegohet që ajo është aktive në retorikën e tij? Duhet shpjeguar se drejtësinë ai e kupton të shtrembëruar. E kupton të shtrembëruar sepse e shikon si të pavarur nga morali. Për të drejtësia është produkt. Produkt të cilin e prodhon gjykata.
Në fakt gjykata nuk prodhon drejtësi, ajo jep drejtësi. Por, që një gjykatë të jetë e aftë të japë drejtësi, gjykatësit duhet domosdoshmërisht të disponojnë aftësinë e të menduarit në plan afatgjatë. E them këtë, sepse vendimet ligjore kanë aftësinë të ndikojnë të ardhmen e një populli më shumë se vendimet politike apo ato ekonomike.(Kanuni i Shqiptarëve është shembulli i përsosur. Si pasojë e disa normave dhe ligjeve të kodifikuara në shekullin e XIV, rreth dymijë familje e gjejnë veten të ngujuar në vitin 2011). Përderisa vendimet e gjykatave kanë ndikim kaq të madhe për të ardhmen e një populli, ai në mënyrë konstante duhet të krijojë mekanizma shoqërorë që të vlersojnë drejt punën e tyre.
Vendimi i Kolegjit sipas shpjegimit të trupës gjykuese ishte tërësisht i drejtë. Sipas Kolegjit llogjika ligjore e vendimit mbështetej në përputhshmëri të plotë me afatet e përcaktuara kohore të Kodit Zgjedhor. Partia Socialiste e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe neglizhent për të ardhmen e Shqipërisë. Partia Demokratike e cilësoi si triumf të demokracisë shqiptare. Duket qartë se lidhjet politike, personale dhe emocionale na e bëjnë të pamundur të formojmë një gjykim objektiv për vendimin e Kolegjit. Megjithatë shpresa nuk duhet humbur. Gjykatësi amerikan Learned Hand na vjen në ndihmë për të formuar një gjykim sa më të saktë dhe objektiv për vendimin e Kolegjit.
Në vitin 1947 gjykatësi Hand për herë të parë përdori në sallën e gjyqit formulën e neglizhencës. Formula në fjalë përcakton nëse një dëm i shkaktuar vjen për shkak të neglizhencës apo jo. Hand përcakton tre faktorë kryesorë: Madhësia e dëmit (L); Probabiliteti për të shkaktuar dëmin (P); Çmimi për parandalimin e dëmit (C). Sipas Hand, dikush duhet të konsiderohet neglizhent nëse dëmi, shumëzuar me probabilitetin është më i madh se çmimi për parandalimin e dëmit. E shprehur në formë algjebrike; nëse L x P > C, shkaktari i dëmit është neglizhent.
Madhësia e dëmit L:
Përfundimisht në psiqikën e shqiptarëve zuri rrënjë ideja më e rrezikshme për një shtet: ajo e mosbesimit se Gjykata jep drejtësi. Eshtë e vërtetë se niveli i skepticizmit kundrejt gjykatave ka qenë gjithmonë i lartë në shoqërinë shqiptare por Kolegji pati një rast të artë për ta rifituar besimin e humbur. Kolegjit iu dha shansi t’u tregonte shqiptarëve se nuk kanë më nevojë të bëjnë vetëgjyqësi, se drejtësia në Shqipëri më në fund i lidhi të dy sytë. Kolegjit iu dha çelësi magjik që hap dyert e qindra shtëpive të familjeve të ngujuara. Zhdukja e opozitës ose radikalizimi i saj, gjithashtu do të jenë pasoja të mundshme të vendimit të Kolegjit. Se kush do t’i sjellë më shumë dëme Shqipërisë, zhdukja e opozitës apo radikalizimi i saj, unë nuk jam në gjendje të parashikoj. Gjithashtu frenimi deri në stopim total i procesit të integrimit europian erdhi si pasojë e vendimit të Kolegjit. Siç shihet dëmi që mund t’i sjellë (solli) shoqerisë shqiptare ky vendim është shumë i madh.
Probabiliteti për të shkaktuar dëmin P:
Probabiliteti për të shkaktuar dëmin është 50% ose ½. Kolegji ose do të merrte vendimin që mori ose do ta çonte Tiranën në ripërsëritje të zgjedhjeve.
Çmimi për parandalimin e dëmit C:
Çmimi për parandalimin e dëmit të lartpërmendur ishte ripërsëritja e zgjedhjve në Tiranë. E vetmja arsye llogjike (joligjore) për mospërsëritjen e zgjedhjeve në Tiranë është ajo e kostos financiare për përsëritjen e zgjedhjeve. Por, kur shikon se qeveria ka ndarë nga buxheti 110 milionë euro për ndërtimin e godinës së parlamentit të ri, edhe arësyetimi me bazë financiare bie poshtë.
Duke përdorur formulën e mësipërme del e qartë se epiteti neglizhent është mëse i merituar për Kolegjin. Në bazë të këtij vendimi zoti Basha pretendon të legjitimojë pushtetin e tij si Kryebashkiak i Tiranës. Jam i sigurtë, se kushdo që do të sfidojë zotin Basha publikisht për amoralitetin (kriminalitetin) e procesit të numërimit dhe padrejtësinë vendimit të Kolegjit, do të përballet me togfjalëshat: Vendimi i Kolegjit; respektimi i gjykatës; zbatimi i ligjit… Kushdo qoftë ai që do të përballet me këto togfjalësha duhet të ketë parasysh se çdo gjë që Adolf Hitleri në Gjermani, Sllobodan Millosheviçi në Kosovë dhe Enver Hoxha në Shqipëri e bënë me “ligj”. (Shembujt e mësipërm nuk duhet të lexohen si orvatje për të krahasuar zotin Basha me njerëzit e lartpërmendur).
Për të vazhduar vlerësimin e Kolegjit, duhet pikësëpari të bëjmë dallimin midis një vendimi të drejtë dhe një vendimi të saktë. Në pamje të parë, një vendim drejtë duket se është i njëjtë me një vendim të saktë. E vërteta në fakt është krejt ndryshe. Për të marrë një vendim të drejtë vendimmarrësi domosdoshmërisht duhet të ketë aftësinë e reflektimit për pasojat afatgjata të vendimit. Nëse pasojat janë negative për shoqërinë atëherë vendimi është i padrejtë. Nga ana tjetër, një vendim të saktë mund të marrë edhe një mi laboratori (P.sh. shtyp vazhdimisht butonin e kuq i cili i jep ushqim në vend të butonit të bardhë që s’i jep gjë). Vendimi i miut i ka të gjitha karakteristikat e një vendimi të saktë por ai kurrsesi nuk mund të jetë një veprim i drejtë. Nuk mund të jetë i drejtë pasi miut i mungon aftësia për reflektim në plan afatgjatë. Një gjykatës i cili merr një vendim të saktë por që është neglizhent për pasojat e vendimit është i aftë të japë drejtesi aq sa mund të japë një mi laboratori.
Roli kryesor i gjykatës është të mbrojë të vjedhurin nga hajduti. Nëse nuk e bën një gjë të tillë atëherë ajo dëmton normat morale dhe personalitetin njerëzor. Çdo ligj apo vendim që dëmton moralin dhe personalitetin e njeriut është i padrejtë. Një vendim i padrejtë i jep hajdutit një ndjenjë superioriteti dhe të vjedhurit një ndjenjë inferioriteti. Një shoqëri që e gjen veten në një situate të tillë duhet me çdo kusht ta përmbysë këtë situate. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, pasojat për të do të jenë fatale dhe e ardhmja e errët. Kur gjykata nuk e mbron më të vjedhurin atëherë shoqëria duhet të gjejë kurajon civile të ngrihet mbi gjykatën dhe ta marrë vetë në mbrojte të dhunuarin. Për shumëkënd ngritja e shoqërisë mbi ligjin është mosbindje civile dhe mosbindja civile krijon tensione.
Tensioni në shoqëri nuk duhet të trembë askënd për sa kohë që lind si pasojë e protestave paqësore. Sokrati mendonte se për çlirimin e mendjes njerëzore nga skllavëria e miteve dhe e gënjeshtrave, tensioni mendor është një domosdoshmeri. Gjithashtu, tensionin mendor Sokrati e konsideronte si shtytësin fillestar të njerëzimit drejt universit të llogjikës dhe lumturisë. Çdo pushtet me karakter jo-demokratik ka tendcen që tensionin social në shoqëri ta karakterizojë si diçka negative që dëmton paqen, ekonominë dhe rendin publik. Për këtë të fundit, shumica e shqiptarëve janë të vëtëdijshëm se sa shumë e vlerëson një sistem jo-demokratik rendin dhe rregullin, ose thënë ndryshe: vendosjen e shoqërisë në rresht.
Shoqëria shqiptare nuk ka pse t’i trembet tensionit social. Të gjithë duhet ta kuptojmë nevojën për protesta paqësore, sepse ato krijojnë tension pozitiv, pa të cilin rruga drejt errësirës është e sigurtë. E gjithë shoqëria shqiptare duhet të mbështesë nismën e opozitës për protesta. Kushdo që thyen një ligj të padrejtë, duhet ta bëjë në mënyrë të hapur dhe me gadishmeri të plotë personale për të pranuar ndëshkimin. Çdo qytetar që shkel ligjin, pasi ndergjegja e tij i thotë se është i padrejtë, dhe me gadishmëri të plotë pranon ndëshkimin, duke parë se kjo është e vetmja mënyrë që mund t’i zgjojë ndërgjegjen shoqërisë, ai në të vërtetë tregon se është mbrojtesi më i madh i ligjit.
Ne se gjysma e popullit ngrihet kunder vendimit te nje gjykate,atehere eshte POPULLI AI QE KA TE DREJTE E JO GJYKATA!!!Cfare fuqije ka nje gjykate me 3 apo 5 vete,mbi nje popull prej 1 MILION apo me teper???LIGJI DHE VETEM LIGJI-ulurin BISHA BERISHA!!!Eshte vete ky i pari BANDIT,qe shkel ligjet dhe KUSHTETUTEN!!!Ai vrau 26 vete ne Gerdec dhe 4 protestues ne BULEVARD DHE NUK DENOHET!!!Ai ka vene nje KUKULL ne PROKURORI,qe mbyll te gjitha PROCESET KRIMINALE ME PROCEDURA!!!CFARE JANE KETO PROCEDURA KRIMINALE,kur edhe NAZISTET GJERMANE PAS 70 VJETESH PO GJENDEN E DENOHEN NGA GJYKATAT!!!Shajne KOMUNIZMIN PER DIKTATURE!!!A KA ME DIKTATURE FASHISTE SE KJO E SOTMJA???KY ESHTE FASHIZMI I RI I FSHEHUR PAS DEMOKRACISE FALLCO!!!E KISHTE MIRE ENVER HOXHA:NE KAPITALIZEM HA NJERIU NJERIUN!!!