Sa e tremb Berishën miti i të tjerëve

20 Korrik 2011, 09:56Blog TEMA

Nga Roel Korkuti

Nuk do shumë mend për të klasifikuar një pushtet si diktatorial e një udhëheqës si diktator. Kriteret janë shumë më të pakta se në çdo lloj sistemi tjetër. Në kohët moderne, këto të sotmet, tre janë kriteret kryesore për të të quajtur diktator.

I pari ka të bëjë me përqendrimin e pushtetit në një dorë të vetme si dhe kthimi i institucioneve të pavarura në të varura nga partia (që të na RROJE se mezi e kemi). Këtë të parin kemi ca kohë që e plotësojmë si kriter, ndoshta kemi edhe tetëdhjetë e kusur vjet që e shtrëngojmë fort e nuk e lëshojmë. Mund të na ketë mbetur trashëgimi edhe që nga kohët e Zogut. Kush e di si do jetë kjo puna jonë që e kemi “xhan” dorën e hekurt edhe kur na plaset kokës?!

I dyti ka të bëjë me shtypjen e opozitës. Diktatori ynë më i njohur, E.Hoxha, sa qe në pushtet nuk e njihte si fjalë. Por ama sa qe në luftë e njihte aq mirë sa ia doli t’i zhdukte edhe emrin. S.Berisha në “pluralizëm”, opozitën e dërgonte nëpër vende si fusha e aviacionit në Tiranë për të manifestuar. Ia kishte frikën sa më s’ka. Edhe sot po i njëjti avaz vazhdon. Opozita kërcënohet me burg, vidhet, nuk përfillet (edhe bashkë me të edhe të paktën gjysma e shqiptarëve që ka në krahë kjo e fundit).

Kriteri numër tre është kulti i personalitetit. Ky i fundit edhe pse ishte i dukshëm qëmoti, kohët e fundit u plotësua. Dhe është aq e madhe si vepër saqë s’mund të dalë njeri mbi këtë Tokë e ta mohoj. Kush është kjo vepër që na vërtetoka kultin e personalitetit? Në fakt është vepër kundrejt një vepre po aq të madhe, prishja e Piramidës.

Pse do me çdo kusht S.Berisha ta zhdukë Piramidën? Që të kuptohemi qartë, nuk është se ky personazh nuk bën kokëfortin në raste të tjera, madje e bën edhe shpeshherë, por kësaj here po e kërkon me ngulm. Faktin që po e kërkon që ç’ke me të e tregon edhe koha që zgjodhi për të prezantuar projektin e shembjes, pak muaj larg zgjedhjeve lokale. E kërkon aq shumë saqë nuk mori parasysh as rrezikun e lëkundjes së elektoratit kryeqytetas pak para zgjedhjeve, përballë një ideje për prishjen e një prej objekteve më familjare e më të dashura tiranase. E them me ndërgjegje të plotë se është një nga objektet më të dashura të Tiranës pikërisht Piramida. Duhet të jenë të shumtë ata që i mbajnë mend ende me mall shëtitjet te lulishtja me familjen apo rrëshqitjet e famshme në mermerin e ndërtesës. Nuk përfilli gati treqind artist që çuan një peticion për mos-prishjen. Nuk përfilli as UNESCO-n. Ç’e shtyn kaq shumë që të përdhosë atë ndërtesë, të cilën vetë ai e quajti “Pjetër Arbnori”?

Si çdo diktator tjetër që ka njohur historia, edhe ky i yni do që vetëm emri i tij të kumtohet. E bezdis pa masë një hije e madhe nga mbrapa. Më e madhe se ajo e E.Hoxhës nuk mund t’i qëllonte prapa krahëve. Emrin e diktatorit të vjetër ndoshta nuk e fshin dot nga memoria e njerëzve, po kujtimin e vetëm si vepër, që ka mbetur, mund ta zhdukë e ta zëvendësojë shumë kollaj me fuqinë që ka nëpër duar. Pikërisht këtë po bën. Në të vërtetë nuk po mjaftohet vetëm me shembjen, por me zëvendësimin e menjëhershëm të kujtimit që mund t’i mbetet. Do të ndërtojë një parlament aq të madh po në atë truall, tashmë të rezervuar vetëm për diktatorët tanë, saqë kujtimi i asaj Piramide të jetë hiçgjë në krahasim me atë që ka menduar të ndërtojë në nderim të vetes së tij. Po na ndërton një parlament gjigand në mes të Tiranës në emër të frikës së tij për një mit më të madh se vetja. Po na ndërton tempullin e demokracisë për të eliminuar fiksimet diktatoriale. U ushqye shumë nga figura e E.Hoxhës. Ndodh shpesh me mendjet diktatoriale që të kërkojnë zhdukjen e çdo kulti të mëparshëm për të ngritur të tyrin. Te tjerëve u është dashur më pak, kurse këtij ju deshën plot njëzet vjet. Kjo, ndoshta pasi pikërisht tani ndihet i perfeksionuar e i plotësuar në staturën e një diktatori. Edhe pse Piramida është vetëm një pjesë shumë e parëndësishme e kujtimit të mbetur nga E.Hoxha, për S.Berishën është vetëm diçka që e frikëson. Me të shembur kujtimin e vetëm të mbetur në përmasa të mëdha mbi ish-diktatorin, do vijojë me ngritjen e tempullit të tij. Wshtë plotësisht i tiji. Atje do flasë vetëm ai, njeri s’do e kundërshtojë, madje kryeparlamentarja do vazhdojë të zgërdhihet e të duartrokasë me ato që ajo i klasifikon si batuta të kryeministrit. Ndonjëherë foltoren do e prenotojë edhe I.Meta me shokë për të folur përballë deputetëve që nuk mungojnë ndonjëherë në sallë si Edi Paloka apo përballë media-ve si TVSH që s’ngurrojnë të transmetojnë live edhe diskutime të kota nga parlamenti. Opozita nuk do jetë në sallë. Edhe po t’i mbushet mëndja të kthehet, me të plasur shashka e radhës do largohet përsëri. Në parlament si zakon ftohen edhe homologë të huaj kur vijnë për vizitë, po këndej nga ne ka disa kohë që nuk e sjellin kokën e s’besoj ta kenë me kaq kërshëri të vijnë për të parë parlamentin e ri. Sa për sy e faqe mund të duket edhe ndonjëri tek-tuk, por edhe në këtë rast do të mbetet ende tempulli vetëm i S.Berishës për të na transmetuar me plot vetëkënaqësi arritjet e fundit të qeverisë së tij.

Skenarin sesi ndodhi gjithçka e përfytyroj të tillë: Ndonjë natë si gjithë të tjerat, në të dalë nga kryeministria S.Berisha do e ketë fiksuar aq shumë Piramidën sa i ka futur frikën në palcë ideja se një objekt më i madhërishëm se kryeministria e tij i rrinte po aq afër. Natën do ketë mbetur pa gjumë e të nesërmen për të hequr gjithë atë frikë na tha të gjithëve se kishte vendosur që piramida duhej prishur se qe konceptuar gjoja si varr për ish-diktatorin.

Brezhnevi i jepte vetes dekorata e medalje, Juan Peroni me të shoqen thurnin këngë e lavde për veten e tyre, Ceau?escu vendosi ditëlindjen e tij si festë kombëtare, kurse ky yni deri më tani ka arritur të ketë vetëm numrin më të madh të barcaletave që qarkullojnë për një personazh shqiptar. Rruga është e gjatë, mund të presim edhe më shumë. Hesapet me të shkuarën i mbylli, tashmë i mbetet vetëm të instalojë perversitetin e fundit që ka pothuaj çdo diktator, kultin e tij.

 

2 komente në “Sa e tremb Berishën miti i të tjerëve”

  1. katarakti says:

    Kafasha e ndyre, zbritur nga shpellat e Viçidolit, nuk le njeri pa share dhe baltosur, boll qe te ndjeje se i rrezikojne pushtetin. tamam si nje bishe e eger. Tani e ka nisur me Aleancen Kuq e Zi, se ka frike nga popullariteti i saj, kur te kthehet neser ne parti. A mund te me thote njeri nese ne regjistrimin e popullsise jane perfshire edhe laiket, agnostiket, ateistet dhe ata qe kane lindur nga martesat e perziera? Flm.

  2. b says:

    NUK ÇBEHET SISTEMI KOMUNIST DUKE RREZUAR PIRAMIDE, POR AI ÇBEHET DUKE LARGUAR BERISHEN KOMUNIST DHE GJITHE SHPUREN E TIJA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje