Të papunë tek Partizani i Panjohur
“Votuesi” dhe “Ekonomisti”
Titulli i këtij shkrimi na erdhi në mëndje pasi ndoqëm një film të vjetër amerikan, “Zoti Smith shkon në Uashington!” ( Mr. Smith goes to Washington!”) Në këtë film paraqitet një deputet i thjeshtë, por me përkushtim për njerëzit që e kanë prurë në Washington. Ai lufton deri në energjinë e fundit për të mos lejuar aprovimin e një ligji që mbronte interesat e një grupi manjatësh të korruptuar duke përdorur metodën filibustër.
Deputetët zgjidhen që të përfaqësojnë interesat e atyre që i zgjedhin. Në të tërë botën e qytetëruar kur aprovohen buxhetet dhe përdorimi i parave që zotëron një shtet, aprovimi bëhet në një mënyrë të tillë nga parlamentet që t’i jepet përparësi zhvillimit ekonomik të vëndit. Sa më i zhvilluar të jetë një vënd ekonomikisht, aq më pak probleme politike ka. Dhe sa më pak i zhvilluar të jetë një vënd aq më shumë probleme sociale dhe politike ka.
Praktikisht ekonomia shqiptare është në një nivel zero. Ne s’kemi uzina e fabrika ku të bëhet punësimi i masës së gjerë të njerëzve. Bujqësia jonë është në një gjendje të mjerueshme. Forca më vitale e krahut shqiptar të punës punon për të forcuar ekonominë e shteteve fqinjë.
Çuditërisht, në këtë situatë, kryeministri ynë mendjendritur ka bërë deklarata të njëpasnjëshme në të cilat me entuziazmin e një skizofreni e vë ekonominë shqiptare në një status që të bën të mendosh ai është Ali baba, që sa të thotë fjalën “HAPU SAZAM!” dera e magjishme e thesarit të fshehur do hapet dhe florinjtë do burojnë si rrëke në arkën e shtetit shqiptar, ku Fullani ynë i nderuar, në mënyrë të magjishme i bën të zhduken në disa drejtime misterioze shumë më shpejt se erdhën. Por Berisha këmbëngulës si berishë që është, thërret përsëri “HAPU SAZAM!”
Le të analizojmë deklaratën e tij, “kriza ekonomike greke do jetë në avantazhin tonë sepse do t’i detyrojë shqiptarët që punojnë atje të kthehen mbrapsht në vendin e tyre.”
Ku e bazon kryeministri ynë këtë thënie? A ka plane për të hapur fronte pune për fuqinë punëtorë që ai parashikon se do të lërë Greqinë për shkak të humbjes të punëve atje që ne votuesit s’i dimë? Mbase ka plane afatgjata që të mbajë këtë forcë krahësh përgjithmonë në Shqipëri duke ndërtuara fabrika e uzina ku ata të punësohen përfundimisht e t’u japë një rrogë që të mos i bëjë të lënë Shqipërinë akoma pa ardhur apo thjesht shpreson që ti përdorë si argatë sezonalë për ndërtimin madhështor të parlamentit të ri dhe të rrugëve të shumta që ka filluar ë s’po mbarojnë dot?
Por a janë këto rrugë mundësitë për një punë të përhershme që shoqërohet me mbulim shëndetësor dhe parashikojnë pension për të punësuarit? A i jep siguri afatgjatë shqiptarëve që supozohet të vinë nga Greqia dhe ti bëjë të rrinë këtu, e më në fund t’i thonë krenarisht emigrimit : “Shëndet ! Ku të kam parë ! Tani mund të punësohem në atdheun tim !”
Derisa bën një deklaratë të tillë më siguri do t’i ketë ato plane në mëndje, por a ja ka paraqitur parlamentit? Se t’i bësh këta emigrantë të lënë Greqinë edhe nqs humbin punën atje, duhet t’i krijosh një alternativë të fortë joshëse për të lënë gjithçka që kanë krijuar atje për të ardhur këtej kufirit, përndryshe këta emigrantë do të pranojnë të hanë “gurë” në Greqi para se të vinë mbrapsht e të “hanë bar“ këtu, ku puna s’është e siguruar në asnjë nivel. Dëgjojmë që shqiptarët në Greqi, përkundrazi janë të shqetësuar se me keqësimin ekonomik në Greqi situata e tyre do jetë e dëshpëruar, kjo për faktin se ata as që e mendojnë kthimin këtej për vetë faktin se këtu s’ka fronte pune për ata që banojnë këtu jo më për ata që janë larguar prej kohësh.
Çfarë e bën kryeministrin tonë kaq entuziast sa të japë një deklaratë të tillë? Mbase SAZAM-i i tij është i pashtershëm dhe ne, votuesit e thjeshtë nuk e dimë?
Le të shohim disa shifra dhe ti dalim në fund llogarisë së arkës së shtetit shqiptar.
1.Kemi një ndërtesë parlamenti dinjitoze për madhësinë që kemi si vend dhe në situatën e vështirë financiare që jemi parlamentarët tanë duan të ndërtojnë një ndërtesë parlamentare të re që kushton qimet e kokës. Dhe për këtë është vendosur të shkatërrohet piramida, kjo qendër kulturore kaq aktive, që shumëkush do të binte dakort se për kushtet financiare që jemi si komb, është një ndërtesë e bukur me një arkitekturë pak a shumë dinjitoze që e kënaq syrin e tiranasve dhe është një nga pikat më tërheqëse në Tiranë për shumë tiranas që nuk ia ka xhepi të shkojnë nëpër lokale për të kaluar një mbasdite të nxehtë vere jashtë shtëpisë. QKN është aktualisht një ndërtesë ku shumë institucione kanë gjetur strehë dhe ku janë shpenzuar ndërkohë nja 6 milionë euro për rikonstruksionin e saj për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar dhe të Galerisë së Arteve në mjediset e godinës, për ta kthyer këtë godinë me të vërtetë në një Qendër Ndërkombëtare të Kulturës. ( Është kuriozitet të dihet se ku ka përfunduar mermeri që mbulonte piramidën? Është mermer i një cilësie të lartë dhe shumë dekorativ. Ndoshta dikush është kaq nostalgjik sa po e përdor për të ndërtuar ndonjë vilë personale diku në breg të detit?)
E gjithë kjo bëhet për të ndërtuar një parlament “grandioz” për të cilin nuk kemi asnjë nevojë të domosdoshmë jetike si shtet. Përkundrazi, nevojat imediate të vendit janë të luftojmë varfërinë që ka kapur të gjitha skajet e vendit, të forcojmë ekonominë duke ngritur uzina dhe fabrika që të prodhojnë produkte që i nevojiten njerëzve në jetën e përditshme, që nga dajpërs për fëmijë, në ushqime të gatshme, apo rroba të përditshme, dhe të ndihmojmë bujkun tonë të rrisi produktivitetin e fushave të tij që të mos importojmë më patate, qepë, e domate por t’ia blejmë ato fshatarit tonë dhe jo të huajve (janë para që mund të kursehen pikërisht në këtë fushë të ekonomisë duke i dhënë njëkohësisht përparësi moszbrazjes së fshatit shqiptar).
Sa do t’i kushtojë projekti i kësaj ndërtesë të re buxhetit të shtetit shqiptar? Deri tashti s’ka patur transparencë nga qeveria për koston e projektit. Kjo tregon se çmimi është kaq i lartë sa kryeministria nuk ka guximin ta japë çmimin që do i jepet firmës kontraktuese. Po ku do gjenden paratë për financimin e këtij projekti kur arka e shtetit është bosh dhe ne jemi të mbytur në borxhe?
Kryeministri Berisha i garantoi shqiptarët më 2010 se, qeveria nuk do të shpenzojë asnjë qindarkë më tepër sesa do të shpenzonte për rikonstruksionin e godinës aktuale të saj.
Por shifrat flasin ndryshe. Buxheti i qeverisë është boshatisur në një pikë që kryeministri Berisha vuri në ankand hidrocentralet që të vërë ca para në buxhet sa të mos duket se jemi thatë, ndërsa në anën tjetër planifikon ndërtimin e një parlamenti tejet luksoz që do ti shërbejë 140 deputetëve të zgjedhur dhe administratës përkatëse sepse dikush nuk “funksionon dot” në parlamentin ekzistues( paradoks i çmendur shqiptar). Këto ndërtime luksoze ndodhin vetëm në shtete diktaktoriale të sotme, ose në kohë të shkuara në monarkitë mbretërore kur mbretërit i konsideronin njerëzit e mbretërisë së tyre qenie pa vlera dhe ndërtonin pallate lluksoze për të kënaqur tekat e tyre.
Kryeministri ynë bën premtime që s’i mban dot vetëm që të justifikojë shpenzimet e pajustifikuara, ndërsa parlamentarët tanë, që gjithashtu ju bëjnë premtime zgjedhësve të tyre gjatë fushatave elektorale, janë kthyer në sehirxhinj që shtypin butonin “PO!” ose “JO!” në vend që të luftojnë për të drejtat e votuesve, për të drejtat e atyre që i prunë në Tiranë, apo brenda ndërtesës së kuvendit për ata që janë të ngulur tashmë në Tiranë.
Si duket është më e lehtë të shtypësh butonin “PO!” ose “JO!” për ndërtimin e një parlamenti që kushton qimet e kokës, apo ndërtimin e linjavë të tramvajit që kushtojnë 100 milionë euro se sa të përkujdesesh e të luftosh për interesat e votuesve pa punë, apo për ata që nuk janë të zotët të funksionojnë normalisht si tetraplegjikët që varen totalisht nga shteti për kushte normale jetese.
Arbër Zaimi në një artikull për greven e tetraplegjikëve shprehet: “Aq sa kushton parlamenti i ri do të mjaftonin për ta zgjidhur për njëmbëdhjetë vjet hallin e tetraplegjikëve. Aq sa kushton linja e tramvajit kushton fatura e tetraplegjikëve për 18 vjet. Aq sa përflitet se ka qenë përvetësimi korruptiv (ryshfeti) i rrugës Durrës-Kukës, aq kushton zgjidhja për 50 vjet e problemit të tetraplegjikëve. Mirëpo shteti nuk ka ndërmend të sakrifikojë fasadën e vet të shndritshme. Jo për qytetarët e vet. Aq më pak për ata që nuk inkuadrohen dot në skenën e shndritshme të politikës së sotme…”
“Ekonomia po rritet sepse ne kemi krijuar lehtësirat më të mëdha fiskale, lehtësirat më të mëdha burokratike. Faktikisht investimet e huaja kanë njohur rritje shumë të madhe, ndoshta rreth tetë herë në krahasim me periudhën para vitit 2005. Rritje të madhe ka pësuar turizmi, mbi 10 herë, vendi sot ka një infrastrukturë tjetër,” vazhdon të deklarojë Berisha këmbëngulës në tiradën e tij megafobike.
Kur bëhet e qartë se borxhi ka arritur shifra kolosale, dhe FMN vjen të japi ndihmë konkrete, në lidhje me këtë, dhe ikën pa vënë ende këmbë në tokë, Berisha thotë se “Ne nuk kemi deklaruar se do ulim borxhin, por se nuk do e rrisim borxhin. Por rrogat do rriten, rrugët do ndërtohen. Ne kemi një projekt: Shqipëria është vend i zhvilluar. Në jemi i vetmi vend ku po ulet papunësia dhe kjo është e vërtetë.”
Topalli, në vazhdim të deklaratave stratosferike berishiane, jep një deklaratë akoma më pompoze, “Ndërsa në vendet që na rrethojnë, por dhe gjithë Europës, flitet për krizë, për ulje rrogash e pensionesh, në Shqipëri ndodh e kundërta. Këtu flitet për rritje ekonomike, rritje pagash, rritje pensionesh dhe zbatime projektesh”.
Ndërkohë, sondazhi BERZH për Shqipërinë në fund të qershorit 2011, deklaron, ““Kriza ekonomike ka prekur shumicën e familjeve. Rreth 60 përqind e të pyeturve thonë se buxheti i tyre familjar është prekur ndjeshëm, krahasuar me mesataren e rajonit që është 50 përqind. Kjo vjen pavarësisht faktit se Shqipëria ishte një nga të paktat vende që ruajtën rritje pozitive gjatë krizës. Ka pak variacion sa i përket moshave të prekura, por kategoria me të ardhura të larta është prekur më pak se ajo me të ardhura më të ulëta”.
Dhe Berisha vazhdon me të njëjtën iso në deklaratën e djeshme, “Shqipëria ka shënuar një arritje të madhe, duke filluar që nga varfëria. Nga 25% që ka qenë 7-8 vite më parë, ajo tani ka shkuar në 12%.”
Të gjitha këto deklarata bëhen kur:
1. Fatura e rrugës Durrës-Kukës, investimit publik më të madh të të gjitha kohërave, nuk ka të ndalur.
2. Sipas Top Channel, në 5 muajt e parë të vitit, qeveria i ka paguar konsorciumit Bechel Enka për rrugën Durrës-Kukës edhe 100 milionë dollarë të tjera shtesë, si kosto për punimet në tunel. Sipas të dhënave zyrtarë, në 5 muajt ë parë të vitit, qeveria ka investuar rreth 22 miliardë lekë më burimë të brëndshmë në ekonomi. ( Sa për informacion, Bechel Enka është e njëjta kompani që i është dhënë tenderi për ndërtimin e rrugës Vërmic-Merdar në Kosovë, PROJEKT QE ESTIMOHET AFËRSISHT 1 MILIARD EURO, për të cilin projekt Qeveria e Kosovës do t’i paguajë miliona euro të tjera kësaj kompanie amerikano-turke për punimet shtesë që do të kryhen në ndërtimin e autostradës Vërmic-Merdar.)
3. Sipas të dhënave zyrtare, rruga Durrës-Kukës e ka kaluar shifrën 100 miliardë lekë ose 1 miliardë dollarë duke tentuar të kapërcejë nivelin 10 për qind të produktit të brëndshëm bruto.
4. Në media u dha lajmi se qeveria ka vendosur të blejë një helikopter luksoz nga kompania Eurocopter. Qeveria nuk ka bërë të ditur së cili është çmimi i blerjes i këtij helikopteri luksoz. Në disa faqe të internetit sugjerohen çmime që kapin shumën 5.6 milion euro.
5. Në media është dhënë para pak kohësh lajmi se janë blerë dy makina të blinduara shi-hedhëse që do përdoren në raste demonstratash, dhe se këto makina kanë kushtuar 1 milion euro të dyja dhe janë destinuar për forcat speciale. ( Që vetëm dy makina të kenë kushtuar një milion euro, të bën të mendosh se duhet të jenë makina tepër të fuqishme, që besoj se mund hedhin një njeri në ajër nqs presion i ujit do të bjerë në turmë. Kjo është më keq se të qëllohesh me plumb, se plumbi të krijon vëtem një brimë, kurse, nje presion i lartë uji mund të të shkatërrojë të tëra organet e brëndshme).
6. Gjithashtu në media është publikuar blerja prej 700 million lekësh e një makinë të blinduar për Berishën. ( se nga kush frikësohet Berisha një dreq e di se deri tani s’i duken bathët nuk ka njeri guxim të mjaftueshëm t’i bëj gjë Berishës!)
7. Ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka pranuar në Kuvend së fundi se do të blihen 5 helikopterë ushtarakë për shumën 50 milionë euro dhe do të përdoret një fond tjetër për stërvitje të pilotëve.( Cilët pilotë? Pilotët me eksperience janë nxjerrë e gjithë në pension.)
8. 50,000 Euro të shqiptarëve u shpenzuan për spote televizive për tenderin e ndërtimit të parlamentit, ndërkohë që fituesi për projektin e parlamentit të ri ishte paracaktuar tashmë.
9. Qeveria hodhi në erë mbi 5 milionë euro të shpenzuara per rikonstruksionin e QNK-së kur planet ishin tashmë në tryezën e Berishës për t’a shkatërruar piramidën.
10. Vlera e projektit të parlamentit të ri po mbahet e padeklaruar dhe kjo për shqiptarët përkthehet në qindra miliona euro. (Pse mbahet fshehur vlera e këtij projekti? Kush janë sekserët që kanë ndërmjetsuar për realizimin e këtij projekti ?)
Këto janë fakte që i njohin të tërë, por sa kontrata te tjera ju janë dhënë privatëve që janë pothuaj anonimë e që kanë lidhje më familjen Berisha apo më shumë njerëz në pushtet apo në parlament që i shërbejnë Berishës? Sa kontrata ju janë dhënë e u jepen kompanive të brendshme apo të huaja që ofrojnë projekte tepër të kushtueshme në vend që t’ju jepen kompanive që ofrojnë një kosto më të ulët dhe më të përballueshme nga buxheti ynë.
Sikur të gjitha këto para që shkojnë në xhepa misterioze, të përdoreshin për investime reale, për të cilat vendi ka shumë nevojë, nuk do ishte e nevojshme që në shtator Berisha të bënte pushime nga puna në frontin publik dhe të gjitha deklaratat e Berishës do të ishin të vërteta. Klodian Lula shkruan kështu para pak ditësh, “Sipas planit “Fshesa SALI”, në datën 1 shtator do të hiqen nga puna 34 mijë e 700 punonjës në gjithë sektorët e shërbimeve publike. Me një buxhet të zhytur në borxhe, pushteti “SALI”, nuk ka më asnjë kacidhe buxhet gjendje dhe as burime të jashtme financimi.” ( mund të parashikohet se kush do jetë në listën e të pushuarve. Njerëzit duhet të parapregatiten shpirtërisht për marrjen ë lajmit “Shko! S’kemi më nevojë për ty!” )
Dhe, çfarë po bëjnë deputetët shqiptarë kur shohin se gjëndja ekonomike në Shqipëri është katastrofike? Apo janë reduktuar në marioneta të kryeministrisë në vënd që të luajnë rolin për të cilin janë zgjedhur? Cfarë fshihet mbrapa “PO!”-së apo “JO”- së së tyre?
Kur z. Llala, Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ngre problemin e kontrollit të të ardhuravë të deputetëve dhe ministrave për të shikur se si zyrtarët tanë dhe deputetët i vënë paratë e tyrë, cdo gjë shkon në heshtje. Dhe nga deklarimet e fundit zyrtare nuk del një balancë e arësyeshmë midis pronave dhe aseteve që ata zotërojnë me rrogën zyrtare që ata marrin si pushtetarë apo parlamentarë. Dhe Zoti Lalla dy ditë me parë i vuri në dyshim edhe këto deklarime.
Po përse po flitet këtu për deputetët tanë? Cfarë janë detyrat e tyre?
Rikujtesë:
1. Cilat janë detyrat e parlamentit?
Parlamenti nxjerr ligje, vendos mbi tatimet dhe mbi shpenzimet shtetërore. Parlamenti mbikëqyr qeverinë dhe autoritetet e tjera shtetërore dhe merr qëndrim në çështje të politikës së jashtme. Propozimet e qeverisë, në rastet më të shpeshta, shërbejnë si bazë për vendimet e parlamentit.
KËTO JANË DETYRAT e KUVËNDIT SHQIPTAR DHE TË DEPUTETËVE TË zgjedhur nga ELKTORATI SHQIPTAR
Rrjedhimisht, votuesit presin që deputetët që ata kanë zgjedhur të:
1. Të vënë nën kontroll shpenzimet që bëhen nga qeveria, të luftojnë për një balancim të shpenzimeve, dhe kostove të projekteve më paratë që aktualisht ky komb zotëron( nqs zotëron ndonjë gjë).
2. Të luftojnë t’i vihet fre korrupsionit të thellë që ka hyrë në të gjitha strukturat e pushtetit shqiptar e që po bëhet një rutinë kaq e zakonshme sa po bëhet një mentalitet kaq i pranueshme sa nuk mendohet që marrëveshjet në biznes të bëhen ndryshe.
Ne anën tjetër:
2. Cilat janë detyrat e qeverisë?
Qeveria i prin dhe e udhëheq shtetin. Këtë ajo e bën duke lënë propozime në parlament dhe zbaton vendimet që bie parlamenti. Në këtë punë qeveria ka mbështetjen e departamenteve të ndryshme dhe organeve të tjera shtetërore.
Por cfarë ndodh tek ne? Kush është primari në Shqipëri, Paralamenti apo qeveria? Është Ekzekutivi ai që bën ligjin dhe maliqin, duke ë lënë legjislativin si një trup në gjendje kome? Cfarë bëjnë deputetët tanë që janë kthyer në trungje pa degë e pa gjethe?
Në momentin që fitojnë zgjedhjet me sa duket harrojnë se cfarë premtuan, sic harroi Basha premtimin për të mos prishur Piramidën. Dhe në vënd që t’i shërbejnë njerëzve që i zgjodhën dhe të bëhen forca që jo vetëm aprovon ligje që favorizojnë njerëzit që i zgjodhën por edhe të kontrollojnë e të mbikqyrin se si qeveria i zbaton ato ligje, ata shikojnë rreth e qark se si të zhvatin ndonjë copë diku në korrupsionin stratosferik shqiptar. ( Interesante jane shprehjet e fytyrave të deputetëve të PD kur Berisha fillon të flasë përcart në kuvend).
Deputetët shqiptarë të mos flasin nëpër intervista apo në rrjetet sociale te internetit, apo të japin deklarata boshe nëpër shtyp, por të udhëheqin kombin në parlament. Të justifikojnë votën që ju është dhënë dhe rrogën që marrin. Të luftojnë duke përdorur platformën e kuvendit me të tërë fuqinë që i jepet një deputeti. Të përdorin të tërë klauzolat që i jep të qënurit deputet si përfaqsues të popullit dhe të bëjnë gjithçka për të shpëtuar këtë vënd. Ta studiojnë mirë statusin e deputetit, dhe të drejtat që kanë t’i përdorin në parlament me të gjitha mënyrat e mundëshme që të mbrojnë këtë vënd që po vidhet hapur pa asnjë vrarje ndërgjegje. Secili nga deputetët tanë ka një forcë të madhe në duart e tij.
Thuhet që me një dallëndyshe nuk vjen pranvera, por historia ka treguar se individë të veçantë kanë bërë të mundur ndryshime në jetën e një kombi, Gjergj Kastrioti, Zhan D’ark, Alice Paul (pionere e lëvizjes për të drejtën e grave për të votuar në SHBA), Avni Rustemi, Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, Nelson Mandela, Martin L. King, Mothër Tereza, Indira Gandi, Roza Parks, Dalai Lama, Xhon Lenon, e shumë e shumë të tjerë. Deputetët tanë duhet të gjejnë fuqinë në vetvetë dhe në ligj për të ngritur zërin në parlament dhe jo “rrugave” nëpërmjet deklaratash boshe. Shqiptarët janë mbushur me deklarata boshe. Ata duan të shohin deputetët që ata i zgjodhën dhe ju dhanë mandatin e të plotfuqishmit, ta përdorin atë mandat dhe të mos rrinë në karrike e të shtypin një button dhe pastaj të shohin në boshllëk se ju vjen “marre” për atë shtypje. N.q.s. është e nevojëshme të përdorin edhe metodën të ashtuquajtur filibustër.
Fuqia për ta cuar Shqipërinë në drejtimin e duhur është në duart e deputetëve tanë qofshin këta demokratë apo socialistë. Janë ata që e kanë në dorë të luftojnë këtë korrupsion që po e gërryen Shqipërinë nga themelet.
Dhe janë ata gjithashtu që bëhen partnerë në krime nqs nuk e ndalojnë këtë shkatërrim nga themelet që po i bëhet Shqipërisë.
“Nisuni drejt Tiranës” zotërinj Deputetë!
*Filibustër është një procedurë parlamentare që i jep të drejtën një deputeti të marri fjalën në parlament dhe të flasë pafundësisht për aq kohë sa është në gjendje të mos ndërpresë fjalën, duke i dhënë të drejtën një deputeti të vetëm të shtyjë apo të ndalojë krejtësisht një votim apo një propozim të bërë për tu aprovuar.
Cili eshte autori i ketij shkrimi ?
faleminderit
Artikull i MREKULLUESHEM.Analze perfekte.
Sa qenka lodhur i varferi “anonim”!
E nderuara redaksi e gazetes me te mire ne vend Tema…….
Kam vlersime te larta per kete opinion dhe shkruese e ka bere shkrimin si strategji udherrefyese per te bere ate qe vendi po pret…..
Lutemi ti dergohet ky shkrim per ta lexuar….sepse ndofta jane me pushime …te gjithe deputetet e parlamentit shqiptare…..dhe bile te falenderojne shkruesen…se asnje deputet i PS apo i PD…NUK NA KA ARDHUR,asnjehere ne baze…per te folur,qare hallet.apo per te marre mendimet e sygjerimet e popullit qe i ka votuar…..qe kjo eshte nje detyre primare…por citoj shkruesi ka te drejte kur e ngreh kete detyre emidiate ,teper kryesore per nje deputet te mandatuar ne kuvendin Shqiperise.
Lutemi redaksi,,,edhe nje here perseris kerkesen dergojeni…apo botojeni edhe nje here kete artikull….se pak kush e ka lexuar…e jo ma 140 deputete te kuvendit qe minimumi duhet te kishin bere 140 komente…duke u bere pjese e te dalurit hapur me shkrim te pakten se fizikisht nuk dinjojne ta bejne …..para popullit qe i ka zgjedh…..Shikoni komentet vetem 3 e pa analize…
Duke pare kete situate athua se qenkemi vertete”MIRE” sic pretendon e deklaron Berisha….ahere sja vlejne te shkruejne as M.Baze .K.Lula…A.Zaimi..etj etj ku kemi dhene dhe orientime…..
Redaksi kerkoje qe te ribotohet ky shkrim…dhe mendoj tja dergojme edhe Kryesise kuvendit dhe dy kryetarve te grupeve parlamentare…dhe te analizoje cdo deputet se ku eshte dhe cfare ka bere …dhe se fundi cfare do te beje….
Me opoziten qe kerkoje te vihet ne rolin e duhur …duhet te analizoje punen e bere dhe ndertoje strategji per nxjerrjen e vendit nga humnera….Meligj te behen hetime parlamentare per cdo objekt…jo te heshtet edhe kur kerkohet nga grupi parlamentare hetim …per shpenzimet e kryera nga kryetarja e kuvendit…dhe ajo te kthehet ne Zeusss e tju mbuloje ju o deputet me heshtje…Pse valle kac te pa fuqishem qenkeni….apo keni vertete frike se mos jeni dhe ju pjestares…ne korrupsionin…apo keni frike se sali vrasesi ju vret sic vrau deputetin Xhindi????Keni kurajon thojani popullit…sepse populli nuk di te vertetat e vendit,shtetit qeverise e vete kuvendit…..apo cfare pritet…mos beni pushime deputet te gjithe sic shprehet ne shkrim “Nisuni drejte Tiranes”..
Te lutem redaksi sensibilizo me shume opinjonin se vlerat jane shume te larta ne kete analize teper domethenese per vendin e popullin shqiptare……mjere ne ku rime e cfare pret te na gjeje…ne se lejojme kete situate te zhvillohet…..????
Falenderoj shume shkrimtarin ne analizen e larte,korrekte e inteligjencen qe ka perdorur dhe faktete qe kane ilustruar shkrimin…….
Botojeni edhe nje here kete shkrim…o redaksi e drejt e sinqerte se deputetet jane ne gjumin veror…..
te zgjohen se atdheu i therret,populli qe i ka votuar…pret…..
BOTOJENI ..JU LUTEM SE KA SHUME PER TE FOLE E DHENE LLOGARI……