A është Anders Breivik besimtar i krishterë?

30 Korrik 2011, 21:58Blog TEMA

Nga Afrim Karoshi

Ngjarja tragjike në Norvegji që rezultoi me vrasjen e dhjetëra të rinjve nga Anders Breivik bëri bujë në Shqipëri. Përveç tragjedisë që alarmoi gjithë botën Breivik u bë i njohur për publikun shqiptar edhe për deklaratat e tij rreth Shqipërisë dhe krishtërimit. Për fat të keq mediat shqiptare pasqyrojnë informacione që janë të pafiltruara mirë e kësisoj mund të krijojnë shtrembërime të realitetit. Ne do të përpiqemi të hedhim dritë mbi besimin e krishterë të supozuar të autorit të masakrës së Oslos dhe ishullit Utoya. A është besimtar i krishterë Anders Breivik? Nëse po, si ka mundësi që një i krishterë kryen masakra të kësaj natyre?

E para, përpara se të shkojmë më tej, duhet të theksojmë që reagimi i parë i natyrshëm i të krishterëve përballë kësaj tragjedie është dënimi i fortë i veprimeve të tmerrshme të këtij personi. Asnjë i krishterë i informuar saktë për besimin e tij nuk do të përkrahte një tragjedi të këtyre përmasave – në fakt nuk do të përkrahte asnjë lloj veprimi që ju merr jetën njerëzve të pafajshëm. Megjithëse në rastin në fjalë duket se Breivik po mbron “krishtërimin nga ndikimi islam”, pavarësisht se disave kjo mund t’ju duket si një arsyetim bindës për të krishterët, e vërteta është se të krishterët nuk kanë nevojë të mbrohen prej askujt, aq më tepër të mbrohen duke marrë jetë njerëzish. Në sipërfaqe duket se një i krishterë po na mbron, por po të hedhim një vështrim më të kujdesshëm do të vëmë re gjëra që s’shkojnë. Të krishterët nuk nxisin vrasjen; e të rinjve, e të pafajshmëve, e njerëzve. Kjo nuk është drejtësi për ne. Breivik, megjithëse thotë se vepron në emër të krishtërimit, në fakt vepron krejtësisht në emër të padijenisë rreth krishtërimit, dhe në fund të fundit është thjesht një kriminel ordiner. Nëse nuk është i krishterë, atëherë për çfarë lloj krishtërimi e ka fjalën Breivik?

Këtu është vendi të qartësojmë që Breivik, sipas përshkrimit që i ka bërë ai vetë krishtërimit, nuk është besimtar i krishterë sipas përkufizimit të gjerë të këtij termi. Breivik është pagëzuar në kishën shtetërore norvegjeze kur ishte 15 vjeç. Breivik është kritikues ndaj kishës katolike dhe protestante sepse mendon që këto të fundit po bashkëpunojnë me Islamin. Në dokumentin e tij prej 1500 faqesh, në seksionin 3.139 të titulluar “Dallimi mes një sistemi të krishterë kulturor dhe sistemi të krishterë fetar” Breivik përshkruan se çfarë lloj i krishteri është. Ai i ndan të krishterët në liberalë dhe konservatorë – e sipas ndarjes së tij, konservatorët janë ata që janë gati të luftojnë ndikimin e Islamit në Europë ndërsa liberalët janë ata që janë infektuar nga Islami dhe janë prekur nga marksizmi. Ndërsa për besimtarët e krishterë ai shkruan: “Nëse ke një marrëdhënie personale me Jezu Krishtin dhe Perëndinë, atëherë je një i krishterë fetar. Unë dhe shumë të tjerë nuk kemi një marrëdhënie personale me Jezu Krishtin dhe Perëndinë. Megjithatë ne besojmë te krishtërimi si një plaftformë morale, kulturore, sociale dhe identiteti. Kjo na bën ne të krishterë”. Këtu qëndron edhe çelësi që duhet analizuar qartë. Sipas përkufizimit elementar të besimit të krishterë, i krishterë është ai që ka një raport të qartë me mësimet e Jezu Krishtit dhe thirrjen e Krishtit për të ndjekur atë me zemrën, me mendjen, dhe me veprimet. I krishterë konsiderohesh kur si pasojë e një revolucioni që ndodh në botëkuptimin tënd ti e kupton rolin e Ungjillit të Jezu Krishtit në transformimin e jetës tënde dhe fillon të jetosh nën ndikimin e mësimeve reale të Jezuit. Nuk je i krishterë thjesht sepse të pëlqen të jesh i tillë. As sepse krishtërimi është në modë. As sepse je kundër Islamit. As sepse shkojn ndonjëherë në kishë. I krishterë je kur pranon ti bindesh mësimeve të Jezuit. Pikë. Të tjerat janë manipulime.

Në vorbullën e mashtrimeve dhe pakujdesisë shumë njerëz nuk dallojnë ndryshimet mes të krishterëve kulturorë siç është Breivik dhe atyre që me të vërtetë e në sinqeritet përpiqen ti binden mësimeve të Jezu Krishtit. Breivik shkruajti në deklaratën e tij se “feja është një patericë për shumë njerëz të dobët” dhe ndoshta këtu është ndryshimi tjetër themelor mes të krishterëve të vërtetë dhe atyre të llojit Breivik. Të krishterët e vërtetë nuk e zgjedhin besimin thjesht sepse kanë nevojë për patericë. E zgjedhin krishtërimin sepse e dallojnë të vërtetën dhe pas kësaj, nuk kanë zgjedhje më të mirë sesa të ndjekin Krishtin, Zotin e të vërtetës. Kuptohet që të ndjekësh krijuesin të ndihmon në jetë – jo si patericë por si busull që të orienton. Ndërsa Breivik e ka për turp që të pranojë ndihmën e Zotit. Ndaj e përçmon atë duke thëne “se është një patericë për të dobëtit”. Kështu që sipas përkuzimit, Breivik është një europian që ka një pikëpamje të gabuar për krishtërimin por nuk është i krishterë siç përkufizohet ky besim.

Të krishterët e vërtetë nuk shkatërrojnë por zgjedhin të jetojnë në harmoni me besimet e tjera, duke ndërtuar ura komunikimi me ta – pa lënë mënjanë diskutimin serioz rreth realitetit dhe besimit fetar. Ne nuk heqim dorë nga të vërtetat që ka thënë Jezu Krishti. Por në të njëjtën kohë, duke folur hapur për deklaratat dhe jetën e Jezuit, ne respektojmë të drejtën e gjithsecilit që në paqe dhe pa presion të zgjedhë vetë bindjet e tij. Këtu përfshihet edhe e drejta për të mos rënë dakord. Kuptohet që për shkak të bindjeve tona ne nuk do të përfshihemi në aktivitete që na cënojnë besimin tonë. Dhe do të përpiqemi të ndikojmë edhe të tjerë që të bëjnë si ne. Por në asnjë rast nuk e shikojmë si mundësi ndërhyrjen në zgjedhjen e të tjerëve. Kështu, i bie që Breivik, po të kishte qënë i krishterë, nuk do të kishte ndërmarrë veprimet që mori dhe sot nuk do të ishim përpara një tragjedie të këtyre përmasave.

Në përfundim, Breivik nuk është i krishterë.

 

 

 

11 komente në “A është Anders Breivik besimtar i krishterë?”

  1. tefta alikaj says:

    Asnjeri nuk ka te drejten e zotit qe ,tju marre jeten njerzve !!!!!

  2. luis says:

    I nderuar gazetar ke shkruar sakte,dhe per kete te them vertet bravo.Nuk e di cfare besimit perfaqeson por rendesi ka se thua realitetin.Une jam i krishter dhe veprimin e ketij norvegjezi nuk mund ta quaj ndryshe vec nje veprim i shtyre nga djalli.Ne asnje fjale te vetme te nxjerre nga goja e Jezusit nuk gjen fjalen dhune,urrejtje,dhe vrasje perkundrazi Ai thote ta duash te afermin tend si vetveten,mos e urrej as armikun tend,biles lutu per te dhe do gjesh mirenjohje tek Ati im qiellor.Ku ka fraze me te forte qe te thote te duash dhe armikun,qe per ne njerzit eshte paradoksale,por Ai nuk flet si njeri tokesor se nuk ishte i tille por Zot i bere njeri per te na shpetuar neve,si ndermjetes per te na mundesuar lidhjen me Te e nepermjet tij me Atin qiellor qe se bashku me Shpirtin Shejt jane nje Zot i vetem.Nuk po thellohem ne kete mister te Shenjte,jo se nuk di te pergjigjem,por per te mos u larguar nga tema veprimi i norvegjezit eshte i shtyre vetem nga urrejtja qe ka per racat e tjera dhe per kulturat e tjera qe nuk ka dashur te ndikojne ne civilizimin e jetes se vendit te tij.Por me vrasje dhe me urrejtje kurre nuk mund te arrish tu imponohesh te tjereve perkundrazi me dashuri me sejcilin dhe per kedo do arrish gjithcka ne jete sepse do keshe ndihmen e pakursyer te Jezusit qe flijoj jeten e vet per ne,pra per te na pajtuar me Zotin

  3. gjinplehu says:

    Te lumte mor djale. Ne ne shkrim te Bibles thuhet qarte se Perendia eshte dashuri dhe se Krishti u shpreh qarte kunder dhunes duke thene se duhet te duam armiqte tane dhe te lutemi per persekutoret. Bile edhe kur shkuan per ta arrestuar Krishtin, Shen Pjetri nxorri shpaten dhe i preu veshin njerit prej njerezve qe kishin shkuar per ta arrestuar, Krishti mori veshin dhe kreu nje mrekulli duke ia sheruar. Te krishteret e hershem u hodhen para luaneve, u perndoqen ne menyra nga me shtazaraket dhe kurre nuk moren armet. Me ane te dashurise ata mahniten boten e lashte saqe rreth viteve 300 pas Krishtit, rreth 70% e popullsise ne Perandorine Romake kishte rrokur Krishterimin si besimin e tyre.
    Napoleoni ka thene. “Une e mposhta boten me dhune, ndersa Krishti e mposhti boten me dashuri.”
    Jam shume dakort me konkluzionin tend, Brevik nuk eshte nje adhurues i Krishtit.

  4. katarakti says:

    Krishterimi ne teori dhe krishterimi ne praktike i ngjajne deri diku komunizmit idealist te projektuar nga Marksi dhe atij praktik te ushtruar nga Stalini, Enveri dhe kompani. Pra nese profetet e tyre kane pasur synime nga me te lavderueshmet dhe nga me njerezoret, ne praktike me keto ideologji eshte uzurpuar ne maksimum. Po ashtu si komunizmi, edhe Krishterimi ka shkaktuar luftra dhe genocide te pafalshme. Si komunizmi edhe krishterimi ka perndjekur njerezit e lire, dijetaret dhe shkencetaret e shquar qe nuk i jane bindur dogmave te tij. Kujtoni kryqezatat, inkuzicionin, Xhordano Brunon, Galileun etj. Te krishteret idealiste, ata qe kur kane dy kemisha njeren ia falin atij qe s’ka, apo ata qe kur i godet ne nje faqe te kthejne tjetren, nuk ekzistojne. Une e konsideroj terroristin norvegjez, po aq taliban dhe fondamentalist fetar, dhe po aq te ndyre dhe te rrezikshem per shoqerine njerezore, sa edhe Osama Ben Ladenin. Breivin eshte produkt i ekstremit te djathte paneuropian, ekstrem, i cili si njeren nga shtyllat e tij kryesore ka ideologjine dhe identitetin e krishter. Eshte plotesisht e vertete qe Jezu Krishti nuk eshte pergjegjes per krimet e terroristit norvegjez, siç nuk eshte pergjegjes edhe per krimet e tjera qe jane kryer ne emer te tij nga papet dhe te fuqishmit e kesaj bote. Por ideologjia e Krishtit eshte perdorur dhe keqperdorur ne shekuj. I fundit qe e ka keqperdorur eshte Breivin.

  5. Niko Maloku says:

    Shume i sakte shkrimi. Une, vete jam i krishtere dhe i denoj aktet e norvegjezit, qe bien ndesh me Krishterimin.
    Niko

  6. EMPEROR says:

    Fe + Politike=Urrejtje

  7. Ai says:

    Z.Afrim Karoshi ,më vjen keq që keni përdorur kohën tuaj, me siguri të çmuar, për të arsyetuar për një kriminel ordiner dhe sadist mbi të cilin mendoj,në mënyrë demonstrative, duhet të veprojnë ligjet e mesjetës.

  8. Nje qytetare says:

    Zoti gazetar,
    Si besimtare orthodhokse e krishtere dhe si shqiptare ju falenderoj per artikullin tuaj realist, paqeberes dhe te drejte. E denoj aktin e dhunshem te norvegjezit , akt i cili nuk ka asnje lidhje me mesimet e Jesu Krishtit.

  9. fieraku4u says:

    Un i krishter jam, dhe vetem i Krishter nuk eshte ky rrangallaja Made in Norwegia. Eshte thjesht nje i semur psiqik, dhe qe shikon iluzione.

  10. bec frani says:

    Zoti katarakti, ne shkrimin tuaj shifet qart se keni lexue shume ne kohen e diktatorit enver, do ishte shume mire per juve qe edhe sote te lexoni vazhdimisht me qellim qe te shifni dhe te njifni anen tjeter.
    nallbani

  11. MidOrient says:

    Shume i rregullt dhe i sakte shkrimi…me pelqen fakti qe e kape kete teme…..Ashtu sic nuk me pelqen fakti qe ti i nderuar Gazetar…nuk e permend edhe faktin qe Terrorist….nuk duhet ta kene emrin vetem muslimanet…Ata jane thjesht skizofrene.Nuk me ka pelqyer fakti si eshte pasqyruar nga mediat e Forta….Pse ky nuk quhet nje akt terrorist nga nje Terrorist…por vetem njerzit me besim musliman kane marr kete pseudonim….nuk me pelqen….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje