Zyrtare, qeveria e Kosovës arrin marrëveshje me KFOR

5 Gusht 2011, 18:38Rajoni TEMA

Qeveria e Kosovës është mbledhur për të katërtën herë gjatë kësaj jave në mbledhje urgjente. Por kësaj radhe, përveç konfirmimit për vazhdimin e veprimeve në veri, pati edhe konfirmim për marrëveshje për veriun.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se është arritur pajtueshmëri për pikat e parashtruara nga Qeveria, të cilat i janë prezantuar mbrëmë dhe sot komandantit të KFOR-it, gjeneralit Erhard Buhler. Ai këtë veprim e ka quajtur si suksesin më të madh të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

“Ky mirëkuptim parasheh zhbllokimin e të gjitha rrugëve për në pikën 1 dhe 31, largimin e të gjitha barrikadave, mbajtjen e gjendjes së tanishme në pikën 1 dhe 31. Në pikën 1 janë vendosur KFOR-i amerikan, ndërsa në pikën 31 janë prezente trupat e NATO-s, policia dhe doganierët e Kosovës. Gjithashtu pika 3 e marrëveshjes parasheh qartë propozimini tonë që KFOR-i të jetë përgjegjës për aspektet e sigurisë në pikat 1 dhe 31 në bazë të autoritetit të NATO-s në Kosovë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se këto dy pika kufitare “në parim mbesin të mbyllura për shkaqe sigurie dhe cilësohen si zona të kufizuara ushtarake në një hapësirë që do të përcaktohet në bazë të rrethanave aktuale, por edhe në të ardhmen.

Pika 5, në bazë të propozimeve të Qeverisë së Kosovës, parasheh që ndihmat humanitare të lejohen, por vetëm kur një organizatë e pavarur ndërkombëtare të verifikojë se ka nevojë për ndihma humanitare.

Po ashtu me këtë marrëveshje parashihet kontroll rigoroz i kufirit, të personave dhe automjeteve që kalojnë në kufij, në mënyrë që askush të mos kalojë pa u identifikuar për dokument të identifikimit dhe për posedim të armëve.

Thaçi ka thënë se edhe treni që qarkullon në relacionin Mitrovicë-Beograd dhe anasjelltas, për herë të parë do të kontrollohet nga Policia e Kosovës, e mbështetur edhe nga EULEX-i dhe KFOR-i. Përderisa ndihmat për kishën ortodokse serbe do të lejohen normalisht.

Thaçi ka thënë se ky është një sukses i madh për Kosovën, por kjo nuk nënkupton se Qeveria do të ndalet me kaq, duke paralajmëruar se në veri do të vihet rendi dhe ligji në çdo cep.

“Padyshim që suksesi që shënuam në këto dhjetë ditë me vendosjen e rregullit në kufij, me ndaljen e krimit dhe kontrabandës në kufij, nuk nënkupton që gjithçka ka përfunduar. Ne ende kemi edhe shumë për të bërë, por jemi të vendosur që të lëvizim vetëm përpara. Do të vazhdojmë me funksionalizimin e gjykatave, me shpërbërjen e strukturave kriminale dhe me luftimin e dukurive tjera negative në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. E ritheksoj, për strukturat ilagele nuk do të ketë amnisti, por ballafaqim me ligjin dhe drejtësi”, thënë Thaçi.

Ai ka falënderuar gjithë spektrin politik për zërin unik në vendimet e Qeverisë, përderisa ka shprehur admirimin për Policinë e Kosovës, e cila me sakrificë i ka zbatuar vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Marrëveshja, të cilën e publikoi Gazeta “Zëri” në numrin e sotëm, përmban këto pika:

1. Parakushti: Hapja e bllokadave të rrugëve

2. Në parim mirëmbajtja e gjendjes së tashme në porta

3. KFOR-i është përgjegjës për portat

4. Në parim portat janë të mbyllura për arsye të sigurisë dhe janë zona të kufizuara ushtarake

5. Ndihma humanitare do të lejohet që të hyjë në Kosovë në makina deri në 3.5 tonë, në pika të caktuara kufitare pas një vlerësimi nga një organ i caktuar i pavarur ndërkombëtar që ekziston nevoja për ndihma humanitare

6. Mallrat për kishën ortodokse serbe lejohet të kalojnë

7. Çdo person dhe makinë do të kontrollohet për armatim

8. Çdo person do të kontrollohet për ID

9. Treni Beograd-Mitrovicë: kontrollohet nga EULEX dhe Policia e Kosovës, si dhe ndihmohet nga KFOR-i

10. KFOR-i do të kryej operacionet e kontrollit në vendkalimet e paautorizuara kufitare për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt. /zëri/

2 komente në “Zyrtare, qeveria e Kosovës arrin marrëveshje me KFOR”

  1. Viking says:

    Ashtu qoft..

  2. EDI DETROIT says:

    Bravo, edhe nje sulm te vogel pas 1 muaji, me mbeshtetjen e Amerikes dhecdo gje do jete ne duart e kosovareve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje