100 vjetori i Pavarësisë Kombëtare po afron. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, Qeveria do t’i mundësoi Tiranës ngritjen e një stadiumi të ri kuq e zi, si dhe të një parlamenti po të ri. Këto dhurata do të bëhen në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Të jetë e vërtetë?! – pyetën disa. Ndoshta, pasi kjo qeveri vuan nga sindroma e madhështisë, ashtu si përpara viteve ‘90 kur qeveria komuniste e Enver Hoxhës ndërtonte mes embargos së vendeve perëndimore uzina e kombinate gjigante që ndotnin masivisht mjedisin.
Deklaratat e Kryeministrit ishin në kuadër të përgatitjeve për festimin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. Të gjithë u çuditën me këto deklarata dhe me të drejtë pyetën; po për Vlorën çfarë investimesh ka parashikuar qeveria, pasi dihet se Patrioti i Madh Ismail Qemali e ngriti në Vlorë Flamurin e Skënderbeut dhe Pavarësinë e Shqipërisë e shpalli po në Vlorë në 28 nëntor të vitit 1912?! E pra, deri tani asnjë lajm e asnjë letër nga ana e Qeverisë për 100 vjetorin e Pavarësisë në Vlorë. Thua se Pavarësia e Shqipërisë u shpall në Tiranë dhe këtu duhet të ngrihet një stadium kuq e zi dhe një parlament luksi për një popull të varfër, të papunë dhe në bisht të Evropës?! Por çudirat nuk kanë të sosur ku mendon se në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë nuk ekziston një bust i vetëm, një përmendore apo një shtatore e burrit më të shquar të shtetit shqiptar të kohëve moderne Ismail Qemalit?! Flitet për stadium kuq e zi, për parlament luksoz por askush nuk flet për babanë e pavarësisë kombëtare, për një shtatore të tij rrugëve apo lulishteve të Tiranës?!
Po për Vlorën zoti Kryeministër, çfarë ka planifikuar Qeveria juaj?! Vlora ka nevoja të mëdha për investime në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare. Do u ftoja të kalonit këto ditë mes-përmes qytetit të Vlorës, jo me helikopterin tuaj por me blindën benz për të parë kaosin total shkaktuar nga trafiku i rënduar i sezonit turistike, ku pushuesit e ardhur shpenzojnë fare pak duke ngrënë gjatë ditës tre vakte BDD, bukë-djath-domate, apo sanduiç dhe derivatet e tij. Vlora ka nevojë për përfundimin e rikonstruksionit të bulevardit kryesor Vlorë-Skelë dhe lidhësve të tij anësor. Vlora ka nevojë urgjente për financimin e zgjerimit dhe rikonceptimit të segmentit Skelë-Ujë i Ftohtë. Vlora ka nevojë urgjente për financimin e rikonstruksionit të unazës së vogël. Vlora ka nevojë urgjente për financimin e unazës së madhe. Vlora ka nevoja urgjente për rikonstruksionin e objekteve social-kulturore dhe monumenteve të kulturës. Vlora ka nevoja urgjente për ristrukturimin dhe lyerjen e fasadave të pallateve në rrugët kryesore. Vlora ka nevoja urgjente për vendosjen e tabelave të rejave me adresat e sakta të rrugëve, shesheve dhe objekteve. Dhe për të gjitha këto, Vlorës i duhen, të paktën 45 milion euro nga ana e Qeverisë së zotit Sali Berisha. Bashkia e Vlorës nuk ka ku t’i gjej këto para nëse Qeveria nuk e zgjidh qesen e saj një herë në 100 vjet?!. 100 vjetori i pavarësisë sonë kombëtare festohet në kohën kur Kosova ka tashmë pavarësinë e saj dhe është shteti më i ri i Evropës. 100 vjetorin e pavarësisë sonë kombëtare do ta festojmë së bashku me të gjithë shqiptarët kudo në botë dhe sipas studiueses së ndjerë Nermin Vlora Falaschi, në botë jetojnë sot rreth 15 milion shqiptar.
Të gjithë shqiptarët kudo në botë mburren dhe krenohen me Vlorën, të cilën poeti ynë i madh Lasgush Poradeci do ta quante thelbin e Shqipërisë. Shqiptarët kudo që janë krenohen me këtë qytet, të cilit poeti tjetër i madh i Vlorës Ali Asllani do ti këndonte me aq pasion dhe vlagë bëmave dhe bukurisë së këtij qyteti magjik.
Kemi parë indiferencën e Qeverisë në 95 vjetorin e pavarësisë kur në mbrëmjen e 28 nëntorin u harruan të hidheshin edhe fishekzjarrët nga forcat tona të armatosura dhe kjo datë kaloi në heshtje festive, ose u përkujtua sa për sy e faqe nga Qeveria. Dikush tha atëherë se, bateritë e fuqishme Qeveria do ti plasi në 100 vjetorin e pavarësisë?! Të jetë e vërtetë kjo?! Gjë nuk dihet, do presim sa të gdhihet!
Në 100 vjetorin e pavarësisë kombëtare Vlora duhet të jap edhe një herë mesazhin e bashkimit kombëtar, jo vetëm shpirtëror dhe pa nguruar. Padrejtësitë historike që na kanë bërë fqinjët nën hyqmin e fuqive të mëdha, nuk duhet të kalojnë në heshtje dhe të fshihen pas konceptit modern të Bashkimit Evropian. Disa politikan përpiqen t’i hedhin gjithmonë ujë zjarrin të patriotizmit shqiptar. Kërkojnë të frenojnë ndjenjat dhe krenarinë kombëtare të shqiptarëve, duke deklaruar se bashkimi i shqiptarëve do të ndodh brenda Bashkimit Evropian?! Pikërisht tendencat për shuarjen e patriotizmit shqiptar nuk bëjnë gjë tjetër veçse i shërbejnë fqinjëve tanë dhe politikave të tyre të shkombëtarizimit të shqiptarëve, të kufizimit dhe të shuarjes graduale të gjuhës shqipe, gjuhës më të vjetër dhe themelit të gjuhëve evropiane të kësaj bote.
Ja pse roli i lëvizjeve të fundit patriotike në Shqipëri ka domethënien e vet dhe i shërben zgjimit të ndërgjegjes kombëtare. Aleanca Kuq e Zi nuk është gjë tjetër veçse një frymë e re patriotike në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë sonë kombëtare, e cila duhet përkrahur masivisht dhe pa ekuivok.
Në këtë kuadër mbështetja e Vlorës me financime në favor të projekteve që ka gati Bashkia e Qytetit dhe kryetari i saj zoti Shpëtim Gjika, është një gjest patriotik në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë dhe ngritjes së flamurit të Skënderbeut. Kush e mban veten për patriot të vërtetë të këtij vendi, nuk duhet të nguroj të jap kontributin e tij financiar për realizimin e projekteve që ka Bashkia e Vlorës për 100 vjetorin e pavarësisë. Përgjegjësia kryesore dhe vendimtare bie mbi Qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha. Koha nuk pret dhe jemi shumë të vonuar në këtë drejtim. Mendoj se, menjëherë pas pushimeve në shtator Qeveria duhet të mblidhet posaçërisht për marrjen e masave për 100 vjetorin e pavarësisë. Në këtë mbledhje duhet të jenë prezent edhe autoritetet lokale, si Prefekti i Qarkut, Kryetari i Bashkisë dhe ai i Qarkut të Vlorës.
Jemi mësuar ne shqiptarët që kujtohemi vonë për çështje që kanë të bëjnë me dinjitetin e shtetit dhe pastaj nisim punën me goditje të përqendruar për arnimin e projekteve.
Opinioni në Vlorë, në të gjithë vendin dhe diaspora duan të dinë nga Qeveria se, cilat janë planet dhe projektet që do të financohen në Vlorë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë sonë kombëtare?! Kjo gjë pritet me shumë interes dhe do të jetë në funksion të përgatitjeve të mëdha që duhen bërë me këtë rast. Vlora do të jetë epiqendra e festimeve pasi është kryeqyteti i parë i Shqipërisë moderne pas 500 vjetësh robërie osmane. Edhe përsa i përket kulturës, në Vlorë duhet të ndodhin ndryshime të ndjeshme në mënyrën e konceptimit dhe menaxhimit të këtij sektori, e gjithë kjo nën frymën e ndryshimeve pozitive për 100 vjetorin e pavarësisë sonë kombëtare. 100 vjetori i pavarësisë duhet të shoqërohet me mbështetjen e projekteve kulturore nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Janë muzetë që kërkojnë mbështetje financiare, është Biblioteka Publike, galeria e arteve, Teatri, Kinemaja, shkollat me atë artistike në epiqendër. Janë disa veprimtari kulturore me karakter lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar që duhet financuar gjatë vitit të 100 vjetorit të pavarësisë kombëtare nga ana e Qeverisë Shqiptare.
Janë rrugët muze, monumentet e kulturës, lapidarët e memories sonë kombëtare, sheshet dhe vendet ku ka lindur dhe ka vepruar patrioti i madh, babai i pavarësisë sonë kombëtare Ismail Qemali. Duhet rikonstruktuar vendvarrimi i parë i Ismail Qemalit në Kaninë dhe duhet rikonceptuar varri monumental i tij në lulishten qendrore të qytetit.
Veç këtyre, ajo që theksuam qysh në fillim të këtij shkrimi është financimi i projekteve madhore të infrastrukturës rrugore të qytetit të Vlorës. Nëse këto projekte nuk do të financohen tani, me këtë rast nga Qeveria shqiptare, duhet të jemi të sigurt se ndoshta duhet të presim edhe 100 vjet të tjera, pra 200 vjetorin e pavarësisë për ti parë të realizuara këto projekte. Kryeministri duhet të tregoi me vepra qëndrimin e tij për kryeqytetin e pavarësisë sonë kombëtare, Vlorën dhe rast më të mirë për ta bërë këtë nuk ka. Shndrimi i Vlorës në një qytet modern ka vite që ka nisur. Tani mbetemi në karakterin evropian të qytetit, karakter që edhe zoti Shpëtim Gjika e kishte si sloganin e tij të fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit 2011. Por, pavarësisht nga të gjitha këto, duhet theksuar me forcë fakti se jemi shumë të vonuar për t’ia filluar punës për festimin e 100 vjetorit të pavarësisë sonë kombëtare dhe ngritjes së Flamurit kuq e zi. Vlora është e të gjithë shqiptarëve, është e flamurit kuq e zi, është e Ismail Qemalit dhe heronjve dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut. Vlora është e brezave të tanishëm dhe e atyre që do lindin mbi këtë tokë.
Ah more zoti Clirim,sa keq me vjen per ty.Akoma nuk e ke marre vesh,se Shpallja e pamvaresise,”formalisht”u be ne Vlore.Ajo ne “realitet u be ne Vucidol,ne shtepine e Ram Berishes.Dhe meqenese Berisha (Saliu),ne kete rast ka “konflikt interesi”,per te mos u pergojuar nga gojet e liga,ke vendosur qe t’a festoje jo ne Vicidol,por ne nje ambjent “neutral”,ne Tirane.Historianet,me “qellim te keq”, e kane ngateruar vendin e ngritjes se Flamurit.Me qene se deklarata e pamvaresise ishte e fshehur dhe u zbulua vone nga Xhozi dhe ishte e demtuar nga igrasia,vendit te ngritjes se Flasmurit i dallohej vetem germa e pare V-ja.Historianet “komuniste” ja “veshen” Vlores kete merite,duke ja marre Vicidolit.Prandaj,duke “rishkruar historine” do te “rivendoset” dhe nderi i neperkembur i Vicidolit Berishian.Ne te ardhmen investimet e reja do te kryhen atje,ne Vicidol.
Mendoj se nuk èshtè thjesht njè shkrim gazetari.Mè ngjan se nè kètè shkrim – thirrje gazetari i nderuar Hoxha penèn e ka ngjyer nè dèshirèn “det” qè ka gjithè qytetaria vlonjate. Madje gjithè rraca jonè shqipètare, kudo qè gjèndet, brenda e jashtè kufijve zyrtarè. Vlora èshtè e Flamurit por Flamuri èshtè i gjithè shqiptarève… Na del kryeministri e kèrkon tè na mbushè mendjen se do bèjnè namin pèr 100 vjetorin nè Tiranè, Durrès, Shkodèr e gjetkè. Aferim i qoftè nè i realizoftè ! Po pèr Vlorèn ç’ka ndermènd tè bèjè kjo qeveria – themi tè gjithè ?. Po, le ta zgjidhè edhe pèr Vlorèn njèherè qesenè pèr tè realizuar ndonjè projekt qè Bashkia e kètij qyteti ka nè sirtare pèr qytetarèt e vet e jo tè mburret me paratè qè hodhi bota nè Vlorè pèr Petrolifera e TEC.
Pèrmes kètij shkrimi vlonjatèt e hodhèn dorashkèn pèr kryeministrin e qeverinè. Ja sheshi, ja mejdani…
Madheshtia reale e ketij momenti per Shtetin Shqiptar do ishte qe ne krye te mos kishte kete qenie te lige dhe me energji qe zilepsin dhe djallin, dhe kjo do plotesonte dhe kushtin e nje Shoqerie te pjekur shqiptare. M eket ne krye nuk na nderon asnje investim, me mire ta festojme ne shtepi me librat e historise hapur dhe televizorin mbyllur!
Po,po prit investime,asnje gje s’do behet,mos ndigjoni rrenat e Sales qe thote do bej parlamentin,stadiumin etj,(edhe sikur te kishte pare,s’ka kohe fizike))me rastin e pervjetorit te pavarsise,vetem koncerte ka per te bere me Ciljeten & Co
do t’ishte mire sikur ne shqiptaret,per kete njeqind vjetor,te bashkohemi per Mos me festuar 100vjetorin me kete qeveri!Kjo do ishte vepra me e madhe qe ne do bemi per ATDHEUN.
PO,MOR PO NUK I MJAFTON VLORES NDERTIMI ME I MADH ? PALLATET E VJERIT TE LULZIM BASHES QE TASH NALTMADHNIA SALIH BERISHA , PER KET DIT DO T’I INAGUROJE.
V L O R A
Vlore deteve ngjyruar,
puthur valesh,rrahur dallgesh,
Vlor’o flamur flakeruar,
Vlore flakeruar flakesh…
Vlore mengjezeve zgjuar,
sa e ndritur aq e ditur,
Vlor ‘ o zonj’ e burreruar,
ballin lar’ me ar te situr.
Flas me vete i menduar,
(Sa here henen shof te ngren’)
Mos valle Vlora e bekuar
esht’ copza nga hena rene?!
Se dhe hena,por dhe Vlora
vendin kurr pa drite s’ e lene!
njera bardheron si bora,
sa here tjetren ret’ e zene…