Juristja amerikane: Raporti konfirmon se vendimet e Kolegjit ishin kontradiktore dhe jo konsistente

25 Gusht 2011, 10:33Politika TEMA

Nga: Ben Andoni

Juristja e njohur amerikane, Kathleen Imholz gjendej në New York, kur MAPO i kërkoi ditët e fundit një opinion në lidhje me Raportin final të OSBE-ODIHR dhe mënyrën e shikimit profesional të tij…Në këtë përgjigje të saj, ajo shprehet profesionalisht, për shikimin e raportit dhe vërejtjet e tij, por edhe sesi shqiptarët duhet realisht ta shikojnë një dokument të tillë…
Ju kërkuat mendimin tim mbi raportin final të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të majit 2011, raport i cili po pritej me padurim në Tiranë dhe doli përfundimisht para disa ditësh.
Siç e shpjegova në intervistën që ju me bëtë në maj, unë kam marrë pjesë në hartimin e Kodit Zgjedhor të vitit 2000 ndërkohë që punoja për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe që nga ajo kohë unë i kam ndjekur me vemendje zhvillimet zgjedhore. Në rastin e zgjedhjeve të fundit, unë isha e akredituar si vëzhguese lokale dhe veçanërisht vëzhgova nga afër zhvillimet në Tiranë.
Fatkeqësisht, unë jam në New York për muajin gusht dhe, megjithëse e kam lexuar raportin e ODIHR me interes të madh, jam e ndërgjegjshme se të komentosh nga larg mbi ngjarjet në Shqipëri ose edhe mbi raportet për ngjarjet në Shqipëri është e rrezikshme. Unë nuk kam me vete as një kopje të Kodit Zgjedhor dhe as të vendimeve të Kolegjit Zgjedhor. Megjithatë, po shkruaj më poshtë disa komente dhe përshtypje të përgjithshme mbi raportin e ODIHR-it:
Para se gjithash, me lejoni tju them se ai është një raport shume i fortë nga ana teknike. Zgjedhjet ngritën shumë çështje jo të thjeshta dhe raporti i trajton ato me profesionalitet të lartë.
Vitet e jetuara në Shqipëri më kanë mësuar se shumë shqiptarë presin nga të huajt dhe nga organizatat e huaja, dhe për çështjet zgjedhore veçanërisht nga ODIHR-i, deklarata të prera dhe pa ekuivoke për aprovimin ose jo të asaj që ka ndodhur në Shqipëri. Disa prej miqve të mi shqiptarë më kanë shprehur tashmë me e-mail mospëlqimin ose zhgënjimin se ky raport nuk i shpreh me një gjuhë tepër të qartë përfundimet mbi faktin nëse zgjedhjet ishin apo jo të pranueshme.
Unë mund t’i kuptoj shumë prej arsyeve pse shqiptarët shpesh duan të mbështeten tek të huajt, por në fund të fundit kjo është më e dëmshme se sa e dobishme për zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Gjithashtu, me sa di unë, ODIHR, si një organizatë që vlerëson zgjedhjet nëpër gjithë rajonin, ngandonjëherë në vende shume të brishta, përpiqet të shmangë retorika të cilat mund të çojnë në destabilitet. Kjo është e kuptueshme dhe nuk ka të bëjë me qëndrimet e diplomateve të caktuar në Shqipëri (pavarësisht disa prej deklaratave të bëra para zgjedhjeve të 8 majit).
Për këtë arsye, qëndrimi i hapur dhe i sinqertë i raportit të ODIHR-it është për t’u vlerësuar edhe më shumë. Se baza ligjore për të ndryshuar rezultatin e Tiranës në mënyrën se si u ndryshua nuk u bë kurrë e qartë, dhe se vendimet e Kolegjit Zgjedhor për rezultatet e Tiranës ishin kontradiktore dhe jo konsistente, janë deklarata të forta nga ana e ODIHR-it.
Situata e bllokuar politike para zgjedhjeve të majit ishte një nga arsyet e shumta pse asnjë prej rekomandimeve të ODIHR-it nga zgjedhjet e 2009 nuk u adresuan dhe kjo është për të ardhur keq. Rekomandimet e këtij raporti (duke përfshirë ato që përsëriten nga 2009) janë të arsyeshme dhe meritojnë të diskutohen me seriozitet edhe pse, sigurisht, ato nuk duhet të miratohen pa u diskutuar dhe analizuar gjatë, pasi ato mund të sjellin pasoja të ndryshme në Shqipëri nga ato që ekspertet nga vende të tjera mund të synojnë.
Një rekomandim është qartësimi i çështjes së votave të hedhura në kutitë e gabuara, e cila mori rëndësi të madhe në garën për Bashkinë e Tiranës. Siç e kam thënë në intervistën e kaluar në MAPO, ky problem nuk u shkaktua nga mënyra se si ishte hartuar Kodi. Nga ana administrative, trajtimi i këtyre fletëve është i vështirë dhe t’i trajtosh ato si të pavlefshme nuk është e paarsyeshme, veçanërisht kur kjo praktikë ndiqej prej kohësh. Nga ana tjetër, trajtimi i tyre si të vlefshme, por duke i vendosur në kutinë e duhur, nuk do të ishte gjithashtu e paarsyeshme, nëse KQZ do të kishte vendosur paraprakisht procedura të qarta për rishpërndarjen e këtyre votave në kutitë e duhura. Ajo që ishte gabim ishte vendosja e këtyre procedurave pas ndodhjes së faktit dhe në mënyrë ad hoc. Për më tepër, nuk mund të anashkalohet shqetësimi mbi mospërputhshmërinë pas rishpërndarjes ad hoc të votave, midis numrit të votave të gjetura nëpër kuti dhe numrit të votuesve – një shqetësim që e ngre edhe vete raporti i ODIHR-it.
Një nga rekomandimet më të rëndësishme është përmirësimi i procesit të ankimimit dhe i strukturave gjyqësore që kanë fjalën e fundit mbi ankimet. Siç dihet, ishin ndryshimet e 2003 ato që ngushtuan shqyrtimin gjyqësor në një “Kolegj Zgjedhor”, për shkak të shqetësimeve të ODIHR-it mbi procesin gjyqësor të zgjedhjeve të vitit 2001, përfshirë edhe rolin e Gjykatës Kushtetuese.

Por krijimi i një gjykate të vetme, vendimet e të cilës nuk mund të ankimohen, duket jo në pajtim me Kushtetutën (shih nenin 43 të Kushtetutës: “Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveçse kur në Kushtetute parashikohet ndryshe”). Asnjë subjekt zgjedhor nuk e ka kundërshtuar këtë zgjidhje para Gjykatës Kushtetuese, por përveç kushtetutshmërisë se saj të dyshimte, ajo ka shkaktuar më shume probleme se sa ka zgjidhur, dhe duhet të rimerret në diskutim.
Secili prej rekomandimeve të ODIHR-it, si edhe probleme të tjera që shqiptarët kanë hasur gjatë zgjedhjeve, meriton në të njëtën mënyrë shqyrtim dhe analizë të kujdesshme. Por duhet theksuar se raporti i ODIHR-it, në mënyrë të drejte sipas mendimit tim, parashtron si “rekomandim me prioritet të parë” të tij, që palët të tregojnë vullnetin për të zhvilluar zgjedhje demokratike, dhe se komisioneret zgjedhorë dhe funksionarët e të gjitha niveleve “duhet të ushtrojnë detyrat e tyre zgjedhore në një mënyrë të përgjegjshme për interesin e përgjithshëm të Shqipërisë” dhe “të mos kryejnë veprimet ose marrin vendimet që kanë lidhje me zgjedhjet mbi bazën e konsideratave politike”. Kjo sjellje nuk mund të detyrohet nga ligji. Edhe nëse ligji e urdhëron atë, zbatimi i saj është i pamundshëm. Por për sa kohë që ky ndryshim i sjelljes nuk ndodh, ose nuk fillon të ndodhë, edhe Kodi me i mirë Zgjedhor do të ketë pak vlerë.

Revista Mapo

7 komente në “Juristja amerikane: Raporti konfirmon se vendimet e Kolegjit ishin kontradiktore dhe jo konsistente”

  1. iliri says:

    ke shum te drejte kur thua qe ne shqiptaret çdo gje e presim nga te huajt,kjo ndodh per arsye se per shqiptaret çfar osht e huj osht tamam.Jemi i vetmi popull ne planet ,qe shajm dhe beshtym veten qofte edhe me te padrejt dhe lavderojm te huajt.Kete gje e kan shum te zhvilluar shum intelektual dhe gazetar, qe kur i degjon nepr emisione televizive te vjen me vjell.Ne diksionerin Francez thuhet keshtu per SHqiprin,shpiegon numrin e popullsis dhe gjendien gjeografike ,pastaj thot-Popull qe gjithmon ka luftuar per te tjeret dhe asnje her per vete.Prandaj ne nuk bojm hajer se nuk duam as veten ton.

    1. BirrePerTeGjithe says:

      Nuk jan te huj mor cun.Ne i quajme “miqte tane nderkombetare”. I kemi miq te mire.Na hedhin doren ne qafe e na fusin gishtin ne bythe.

    2. anticensurë says:

      LIRO edi ndryshimin ndërmjet ne dhe italianëve,për shëmbull?
      ata janë mafjozë gënjeshtarë tradhëtarë por thonë tërë kohën se ne jemi më të mirët!
      shqipot thonë me mburrje se janë mafjozë,sikur të ishte gjëja më e bukur që egziston në planet!
      analistët tanë xhaket lubonja syze plasari gjerman klosi dhe sidomos ajo tarallakja bythgjemanoputhësja qatipi,nuk lënë gjë pa bërë për të mbështetur këtë krenari budallqe të shqipove!

  2. Kiço Mile says:

    Ke shumë të drejtë kur thoni që shqiptarët presin nga Europa dhe Amerika.Ky link tregon dhe qartëson dhe tregon dashurin e madhe që ka dhe ka pas Amerika dhe Europa për Shqipërin.
    http://www.proletari.com/?p=6016

  3. Vorra bomsi says:

    Hej po na mbytet me ate artikullin e Hamitit, tek linku qe jepni.Duhet me fol per artikullin dhe jo per kete njeriun me te zgjuar dhe persekutuar ne planet.

  4. Brazili says:

    Po,po, dyll,dyll.Ky muhabet mbaroi,pse nuk del edhe Sala tani te thote ishte gabim.Mbas pilafit po flasin.

  5. TEFTA ALIKAJ says:

    E KUJT I VLEN TANI MENDIMI YT

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje