Edison Mazreku, 12-vjeçar nga Malisheva, është një shqiptar tjetër nga Kosova, që tashmë gjendet në majat e futbollit të Evropës, pasi ai në fanellën e Werder Bremenit udhëheq sulmin e këtij ekipi në Bundes Ligën e futbollit gjerman për fëmijë.
Në faqen zyrtare të këtij klubi të famshëm gjerman, krahas emrave tjerë renditet edhe emri i Edisonit sikurse edhe fotografia e tij, përderisa babai i tij, Hasim Mazreku, ish-futbollist i ligës elite të Kosovës gjatë viteve të 90-ta shprehet i kënaqur me rezultatet e deritashme të djalit të tij duke treguar për trajtim të veçantë që i bën atij Werder Bremeni.
“Në ligën e juniorëve të Bundes Ligës, Edisoni mban numrin 10 dhe është qendërsulmues për Werder Bremenin dhe nga trajneri i tij Norbert Hubner cilësohet si Mesut Ozil për shkak të lojës së ngjashme me asin gjerman meprejardhje turke”, shprehet Hasim Mazreku, përderisa bën të ditur se Edisoni klubin e tij e përfaqëson edhe në turne të shumta në Evropë dhe kudo në botë.
“Edisoni tashmë që para tre muajve ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me klubin e Werder Bremenit, dhe është shqiptari i vetëm në këtë klub të Bundes Ligës”, vazhdon Hasimi, duke bërë të ditur se Edisoni futboll në këtë klub ka filluar të luajë qysh në moshën 4-vjeçare dhe tash së fundi 3 vjet kanë përcjellë disa “scouts trenera” e para tre muajve ka nënshkruar kontratën e parë 3-vjeçare.
Babai i tij, Hasimi, përkundër mundësive tjera të mëdha të Edisonit, do që ai të përfaqësojë reprezentacionin e Kosovës në garat eventuale.
“Ne edhe këtu kemi pasaportën e Kosovës dhe dua që Edisoni ta përfaqësojë shtetin e tij dhe ai këtë do ta bëjë me qejf dhe në mënyrën më të dinjitetshme pasi është edukuar në këtë frymë”, thotë Hasimi, duke treguar se javën tjetër, Werder Bremeni ka një takim me Real Madridin në Spanjë dhe klubi, Edisonit duhet t’i rregullojë pasaportë vetëm për këtë lojë pasi ai sikur edhe prindërit e tij ka shtetësinë e Kosovës dhe Spanja nuk njeh dokumentet e vendit tonë.
“Trajneri Norbert Hubner së bashku edhe me dy ndihmës të tij, para një viti ka qenë në Kosovë dhe ka përcjellë klubet e Kosovës për të hulumtuar talente dhe tash po mendoj të siguroj një leje që të jem menaxher për Kosovë që t’u ndihmoj të rinjve”, përfundon Hasim Mazreku, babai i Edisonit, talentit nga Kosova, i cili i prin sulmit të Werder Bremenit të Bundes Ligës gjermane.(Zëri)