Agim Zogaj, i njohur si Dëshmitari X, ka vdekur mëngjesin e së martës në rrethana misterioze në një park në Gjermani. Ai ishte njeriu kryesor në procesin kundër Fatmir Limajt dhe nëntë ish-ushtarëve të UÇK’së që akuzohen për krime lufte. Familjarët e tij rrëfejnë për Express momentet dhe telefonatat e fundit me Agimin. Ata akuzojnë EULEX’in se ua rrëmbeu djalin.
Nga Nexhmije Ahmeti & Nebih Maxhuni
Express
Herën e fundit që kanë biseduar me të, ishte dita e festës së Bajramit të Madh, gati një muaj më parë.
Nga ajo ditë, nuk di asgjë më për të.
Kështu së paku thotë Idriz Zogaj, babai i Agim Zogajt, personit që ndryshe njihet si “Dëshmitari X” në procesin gjyqësor “Kleçka”, ku një prej të akuzuarve është Fatmir Limaj.
Tash Idrizi, i shtyrë në moshë, vetëm kujton zërin e të birit.
Të mërkurën, Misioni i EULEX’it në Kosovë konfirmoi se “Dëshmitari X” është gjetur i vdekur në një park diku në Gjermani.
Idrizi tregon për Express në shtëpinë e tij në Prizren se, pavarësisht telefonatave, kurrë nuk e ka ditur se në cilin vend ndodhet djali i tij. Në këtë situatë ata ndodhen që nga muaji mars i këtij viti.
Kështu, babai i Agim Zogajt apo “Dëshmitarit X”, për të cilin ende nuk dihet saktë nëse është vrarë, vetëvrarë apo si ka vdekur, pasi autoritetet gjermane janë duke kryer hetimet përkatëse, ka treguar në detaje se si EULEX’i ia kishte marrë me zor të birin për ta strehuar diku. Arsyetimi i Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në vend, sipas Idrizit, është në rrezik jeta e tij.
Por ky mision, edhe pse e ka konfirmuar për publikun vdekjen e “Dëshmitarit X”, babait të tij, Idrizit, zyrtarisht nuk i ka treguar ende asgjë. Së paku jo deri në orët e mbrëmjes të së mërkurës. Krejt çfarë di, ai thotë se e ka kuptuar nga mediat. Madje as familja e ngushtë e “Dëshmitarit X” nuk është njoftuar, gruaja e tij dhe fëmijët.
“Unë për vdekjen e djalit tim kam kuptuar nga njerëzit e tjerë që kanë ardhur te unë në shtëpinë time në Lipjan”, thotë Idrizi, i cili sapo ka kuptuar se çfarë ka ndodhur është nisur drejt Prizrenit, për t’iu gjetur pranë gruas së të birit dhe fëmijëve të tij.
Ai rrëfen në detaje se si në mars të këtij viti, policia e EULEX’it ia mori të birin.
Madje këtë e quan rrëmbim.
“As nuk më treguan se ku po e çonin”, kujton ai.
“Kanë ardhur disa të EULEX`it, më kanë thënë se duhet t’i them Agimit dhe fëmijëve të tij që të mos rezistojë dhe se ai duhet të shkojë me ta”, rrëfen Idrizi.
“Ai është rrëmbyer nga EULEX’i, ata e kanë marrë me zor, e kanë ngre zhagë sepse ai nuk ka dashur të shkojë me ta”, tregon babai i tij.
Por bindjen se “Dëshmitari X” është rrëmbyer nga EULEX’i nuk e ka vetëm Idrizi, një plak i shtyrë në moshë.
Njësoj sikurse ai mendon edhe i biri i Agim Zogajt.
Sahiti thotë për Express se babai i tij, tashmë i ndjerë, është rrëmbyer nga EULEX’i.
“Më kujtohet shumë mirë kur babait ia kam shqyer pallton duke tentuar që mos ta marrin me zor pjesëtarët e EULEX’it”, thotë Sahiti, djali i “Dëshmitarit X”.
Që nga ajo kohë fëmijët, e as gruaja apo prindërit e Agim Zogajt, nuk kanë pasur asnjë informacion se ku mund të ndodhet familjari i tyre.
“Nuk kemi ditë se a është shëndosh e mirë, e as ku mund të jetë. Të fundit herë kam fol me të në telefon dhe më ka uruar festën e Bajramit dhe nuk më ka treguar se ku ndodhet”, thonë djali Sahiti.
Babai dhe nëna e “Dëshmitarit X”, jetojnë në lagjen e re në Lipjan, përderisa familja e tij, ka kohë që jeton në Prizren.
Idriz Zogaj tregon edhe një element të cilin e quan “interesant” e që ndërlidhet direkt me djalin e tij.
“Para një muaj e gjysmë, në shtëpinë time në Lipjan kanë ardhur disa njerëz të EULEX’it e më kanë pyetur se a po të lajmërohet djali dhe si është. Unë ju thash se nuk di asgjë se ku mund të jetë ai. Ata më thanë se është shëndosh e mirë dhe se i ka punët më mirë se unë”, rrëfen ai, duke mos ditur se kush ishin ata persona, vetëm se i ka identifikuar si pjesëtarë të këtij misioni.
Tash, familja e “Dëshmitarit X”, pas vrasjes, vetëvrasjes apo vdekjes së tij në Gjermani, të martën në mbrëmje ka kërkuar nga EULEX’i sqarime dhe përgjegjësi për humbjen e të afërmit të vet.
“Kërkojmë përgjegjësi për humbjen e djalit tonë meqë ata e kanë marrë në mbrojtje”, thonë ata.
Sipas tyre, Agim Zogaj kurrë nuk ka mundur të jetë dëshmitar në Procesin Limaj duke besuar se një dëshmi për të cilën ai e ka dhënë, ka qenë e montuar dhe nën presion.
“E kanë shti me zor me dëshmu se kurrë Agimi s’e besojmë se e ka bë një gjë të tillë”, thonë ata.
Familja Zogaj nuk ka asnjë informacion se kur ose kush do ta sjellë nga Gjermania trupin e pajetë të Agimit. Gjithashtu ata nuk dinë se kur ai mund të varroset edhe pse në Prizren ata kanë hapur derën për kryeshnosh.
Agim Zogaj ka qenë 54 vjeçar, ka pasur gruan, katër fëmijët – dy vajza dhe dy djem si dhe prindërit. Të gjitha vëllezërit e tij jetojnë në shtetet perëndimore tash e disa vjet.
Babai dhe nëna e Agim Zogajt jetojnë në një shtëpi në Lipjan.
Fqinjët e Idriz Zogajt në këtë qytezë, kanë thënë se kanë raporte të mira me të.
“Ai jeton këtu me gruan. Çdo ditë e takojmë. Sot (e mërkurë) rreth mëngjesit në shtëpinë e tij këtu kanë hyrë e dal shumë njerëz. Nuk e dimë çfarë ka ndodhur”, thotë njëri nga fqinjët e Idriz Zogajt në Lipjan.
Sipas tyre, Idrizin, babanë e “Dëshmitarit X”, e viziton shpesh një vajzë e tij përderisa tregojnë se djemtë e kësaj familje nuk ndodhen në Kosovë.
Ndërkohë, në fshatin Divjakë të Malishevës – nga e ka prejardhjen familja Zogaj – të afërmit e tyre shprehen keqardhjen për atë që ka ndodhur. Por kushërinjtë e tyre, nuk pranonin të flisnin shumë për ta, me arsyetimin se kanë dhjetë vjet që nuk jetojnë më në këtë fshat, por janë transferuar në Prizren. Pavarësisht kësaj, ata presin që Agim Zogaj, apo “Dëshmitari X” të varroset në fshatin Divjakë, vendlindjen e tij.
Vdekjen e dëshmitarit Agim Zogaj e ka konfirmuar edhe Misioni Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
EULEX ka konfirmuar se personi njohur si “Dëshmitari X” në rastin “Kleçka”, është gjetur i vdekur në një park në Gjermani.
Një nga zëdhënësit e këtij misioni, Blerim Krasniqi, tha se ende është herët të dihen rrethanat apo mënyra e vdekjes së këtij personi pasi janë në pritje të sqarimeve nga autoritetet gjermane.
Prokuroria Speciale me datën 25 korrik, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, paraqiti aktakuzë lidhur me rastin “Kleçka”. Gjykatësi i procedurës paraprake të EULEX’it me datat 24 dhe 25 gusht mbajti seancat për konfirmimin e aktakuzës. Të pandehurit akuzoheshin për Krime të luftës kundër Popullatës Civile dhe Robërve të Luftës, ku me veprimet e tyre kishin shkelur ish-Kodin Penal të Jugosllavisë, ish-Ligjin Penal të Kosovës si dhe Konventat e Gjenevës dhe Protokollet e saj.
Aktakuza përfshin periudha të ndryshme të vitit 1999, përkatësit koha e luftës në Kosovë, më saktësisht të pandehurit akuzohen se në zonën e “Kleçkës”, në cilësinë e anëtarëve të UÇK’së, kanë vrarë dhe kanë marr pjesë në vrasje si dhe kanë paraburgosur ushtarak serbë, civil serbë dhe civilë shqiptarë të cilët pastaj nuk i kanë trajtuar sipas konventave dhe ligjeve të luftës.
Aktakuza është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake me datën 26 gusht. Më datën 22 shtator, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me sqarimin e neneve të Kushtetutës lidhur me imunitetin e deputetëve, para gjykatësit të procedurës paraprake të EULEX’it u paraqit edhe Fatmir Limaj dhe prokurori special i EULEX’it Maurizio Salustro, ku ky i fundit kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për Fatmir Limajn. Gjykatësi i procedurës paraprake në të njëjtën ditë morri aktvendim dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, caktoi masën e arrestit shtëpiak dhe ia konfiskoi dokumentet e udhëtimit.
Televizioni Klan Kosova ka arritur ta sigurojë dëshminë e Agim Zogajt dhënë për hetuesit e EULEX’it. Dëgjojeni një pjesë të dëshmisë së tij.
http://youtu.be/k_LfEcYqXX8