Ne, jetimët e rrugës së tretë

30 Shtator 2011, 20:35Blog TEMA

Nga Edvin Kukunja

 

Është e enjte mbrëma dhe unë, si shumë nga bashkëqytetarët e mi, jam ulur përpara televizorit duke dëgjuar me ëndje intervistën e shumëpritur të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Një gjë duhet sqaruar; unë jam shtetas shqiptar i kthyer në atdhe pas pesëmbëdhjetë vjetësh dhe përmbushja e dimensionit civil të qënies time është më shumë se nevojë, është dëshirë e plotësuar më në fund. Debati politik më intereson dhe zët kam apatinë dhe cinizmin shterpë.

Pra, siç thashë dhe më sipër, jam ulur në kolltuk dhe po ndjek fjalë për fjalë këtë intervistë. Më pëlqen stili i qetë i Zotërisë dhe fakti që diskursi i tij ka përmbajtje dhe formë e cila përputhet mirë me pozicionin e tij institucional. Zë të shtruar dhe që rrezaton besim në vetvehte. Karakteristika këto që shumë mirë mund të gjendeshin në përshkrimin e figurës të një prindi në moshë dhe me eksperiencë.

Gjithshka mirë deri këtu. Befas gazetari shqipton dy fjalë, të cilat hapin përpara meje një hapësirë të pafundshme dhe plot interes. Jam jurist dhe mund të them me plot gojën që kam një ndjeshmëri të veçantë për temat dhe çështjet kushtetuese. Ndaj dhe në këtë pikë ndalet vëmendja ime.

“Legal apo konsensual?” Flitet për Presidentin e ardhshëm, i cili do të duhet të zgjidhet vitin që vjen, vit në të cilin skadon dhe mandati i Presidentit aktual. Pra si do të zgjidhet ai, cila do të ish mënyra më e drejtë sipas Z. President? Më mirë një President, i cili të ketë konsensusin e palëve politike apo, siç dhe ka filluar të afirmohet dhe nga eksponentë të maxhorancës aktuale, një President i zgjedhur nëpërmjet zbatimit të përpiktë të procedurës të parashikuar në nenin 87 të Kushtetutës së Shqipërisë?

“Legal…??”, mendimi pezull qëndron mbi hapësirat e kumtesës dhe në çast ndizet një dritë. Nuk dua dhe nuk mundem kurrsesi ta përkthej termin legal në diçka të atillë si e ligjshme apo ta përshtjelloj atë në përmbajtje deri në pikën ku do të fillonim e të flisnim për koncepte si ligjshmëri etj. Etj. Këtu bëhet fjalë për diçka që është një shkallë më lartë se ligji dhe duhet qartësuar mirë që, nëse përdorim një term të tillë, jemi gjithsesi (në një pikëpamje le të themi krejtësisht akademike) duke mbjellur pakëz tollovi. Gjithsesi, e mjaftueshme është të nënvizojmë faktin që jemi duke diskutuar për një çështje, e cila prek thelbin e shtetit të së drejtës; Kushtetutën dhe rrethinat përreth saj . Por gjithsesi, për momentin kjo gjë ka pak rëndësi. Rëndësi kanë emrat dhe ngjarjet që ky term sjell ndërmend.

Për Carl Schmitt-in Legaliteti është arma e helmuar me të cilën goditet pas shpine kundërshtari politik. Po aq domethënëse është periudha historike në të cilën lindi dhe u zhvillua çdo kritikë ndaj këtij koncepti (ata që duan të informohen mund ta bëjnë këtë gjë lirisht). Bertold Brecht, në një prej veprave të tij, këtë fjalë e vë në buzë gangsterësh dhe përmbajtja çuditërisht mbetet po ajo.

Ky koncept pra përfaqëson në imagjinatën e traditës juridike të mirëfilltë perëndimore, diçka tmerrësisht formale, pjesën e së drejtës e cila, e braktisur nga ana substanciale, shndërrohet në një instrument vdekjeprurës për vetë demokracinë. Me afirmimin e anës formale të së drejtës kërkohet shpesh të fshihen qëllime të errëta dhe fakti që e drejta po kthehet në dorashkë, e cila vesh dorën e dhunshme dhe të pakontrollueshme të pushtetit. Të afirmosh me forcë dhe në mënyrë të shurdhët se diçka  është legale dhe vlen në mënyrë të patjetërsueshme pikërisht sepse është legale, është të dhunosh në thelb sistemin e shtetit të së drejtës. Ky thelb ndërtohet pikërisht mbi rruvijën që bashkon anën formale me anën materiale të së drejtës; pranimi i saj përçon në një moralizim të së drejtës dhe në një përmbajtje etike të veprimit ndër-institucional.

Nëse vazhdojmë të arsyetojmë në këtë mënyrë e gjejmë vetveten në brendi të një devijimi të rendit demokratik, siç dhe është demokracia e më të fortit. Grotesku i kësaj status-quo-je mund të shprehet shumë mirë me episodin historik të përshkruar po nga Brecht-i në një nga poezitë e tij të titulluar Legalitat.

Por unë kam nevojë të vazhdoj më tej. Të gjithë duhet të kemi kuptuar tashmë që forca e vërtetë e demokracisë qëndron në mundësimin e dialogut no-matter-what. Pra instrumenti më demokratik në këtë këndvështrim duket të jetë kompromisi. Palët promovojnë secila alternativat-produkt i vizionit të tyre politik për t’u takuar më pas dialektikisht në mes. Dikush lëshon pe dhe tjetri e ndjek përgjatë kësaj rruge. Sa e mundur është kjo gjë në hapësirën e debatit politik shqiptar? Nuk e di! Sa e këshillueshme/ e pranueshme/ e dobishme është kjo gjë për të mirën e demokracisë shqiptare? Kam rezervat e mia dhe druaj se nuk është kështu veç për mua.

Duke iu kthyer intervistës në fjalë, Z. President mbështeti atë që mund ta quajmë rruga e tretë. Presidenti të zgjidhet me votim të drejtpërdrejt nga populli. Bukur! Le të zgjedhë sovrani pra. Në momentin që demokracia gjendet përballë një ngërçi politik ajo çka këshillohet është një rikthim në pikën zero (në një farë mënyre). Sovrani të shprehet i lirë dhe sia fatta la sua volonta’. Por unë kam një akoma një pyetje e cila ka nevojë urgjente për përgjigje, sepse unë dyshoj, unë vazhdoj të dyshoj. Unë dyshoj sepse besoj tek e vërteta dhe pikërisht ky gjest është një homazh i dlirë kundrejt saj.

Nëse kemi parasysh ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat shkatërruan çdo mundësi për vendosjen e qëndrueshme të ekuilibrave ndër-institucionalë dhe zbrazjen e institucionit të Presidentit nga shumë prej kompetencave dhe funksioneve të tij të mëparshme, cila do ish dobia e rikthimit në pikën zero? Pra, a nuk rrezikojmë që edhe në këtë rast vullneti i sovranit dhe vota e lirë të jenë pre e po atij mentaliteti të dhunshëm dhe totalitar që kërkon të fshihet pas petkut të asaj çka është Legale.

Ne, jetimët e demokracisë jemi dhe jetimët e rrugës së tretë. Nuk na mbetet veç të shpresojmë në diçka tjetër. Në një zgjidhje, të cilën duk do të jemi në gjendje ta prodhojmë vetë sepse vazhdojmë të jemi peng të së kaluarës. E kaluara jonë ka veshur petkun e së tashmes dhe pëllet shesheve gënjeshtra si të ishin të fundmit homazhe mbi qivurin e një të ardhmeje të sigurt (?!).

2 komente në “Ne, jetimët e rrugës së tretë”

  1. enea says:

    me pelqen shume shkrimi, evokon Brechtin sepse Shqiperia sot ngjason shume me kohen qe shkruante ai. Por ne nuk jemi jetime te demokracise dhe “rruga e trete” eshte ilaci per kohen e semure ne te cilen jetojme. urime Edvin (Kukunja) do mirepres shkrimet e tua te radhes.

  2. EK says:

    Faleminderit Enea. Rruga e trete e permendur ketu nuk eshte “The Third Way”, por eshte thjesht pamundesia e sovranit (popullit) per te patur nje ze ne hapesiren nder-institucionale. Ne demokracite funksionale populli eshte Institucioni me i larte dhe dialektika politike e shendoshe e perfshin ate masivisht si pjese e atij procesi qe quhet demokratizim i jetes se nje vendi. Por nje politike e cila vazhdon e te perdore terma si “legale” apo togfjalesha “eshte ne perputhje me ligjin” eshte nje politike e cila ka si synim te vetem mbajtjen e pushtetit nepermjet asgjesimit te alternativave, asgjesimin e kundershtarit opozitar dhe plogeshtimin e pjesemarrjes te qytetareve ne jeten politike te vendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje