(VIJON NGA NUMRI I SE MARTES)
Mes dy dhjetorëve
-(Paraprakisht sqarojmë këtu se qëllimisht kemi ndërfutur termin ekspo-dhjetoristët ’90, për ta bërë të qartë dallimin mes atyre që kanë qenë heronjtë e vërtetë dhe fisnikë të atij dhjetori të lavdishëm, të cilët i nderojmë thellësisht e u ndihemi pafundësisht mirënjohës, dhe atyre që e përdorin dhjetorin me leje e sipas nevojave të partisë apo për një copë bukë të ngjyer me pak karrierë zvarraniku)-
Gjatë vjeshtës së vitit 1998, e majta në pushtet e asaj kohe tallej me çdo lëvizje politike të prejardhur nga Oborri i PD. Në atë kohë ishte shndërruar në demode, dhe anti-trendy që një i ri të shprehej se ishte me PD. Heroi i dhjetoristëve ‘90, legjendari Azem Hajdari ishte vrarë. Shumë miq të tij, përsa ai ishte gjallë e mohuan, përbaltën, shitën, rrëzuan dhe kurrë s’kishin arritur t’a mbronin sa ishte në jetë, sepse e kishin pasur të ndaluar apo nuk dinin, apo thjeshtë nuk e kuptuan. Por tani pas vdekjes rendën ekraneve, gazetave, tribunave, proçesioneve, të thonë se ai ishte gjallë, se ai ishte Lideri i tyre, Heroi i tyre i nga Pasvdekja etj, etj. Sërisht u shfaqën plot vrull e përgjërime ekspo-dhjetoristët ‘90, të cilët gjetën strehën e tyre politike poshtë arkivolit të të ndjerit Azem Hajdari. Histori njerëzore, por me keqardhje dhe vërtetësi duhet thënë se është një histori njerëzorësh ziliqarë, të vegjël nga ana morale, të pazotë politikisht për të marrë përgjegjësi e për tu shndërruar në lidera të natyrshëm, burimorë. Histori njerëzish që të bëjnë hero dhe të pranojnë si lider vetëm pasi vdes. Dhe pse? Sepse tani i vdekur iu duhesh më shumë. Ndërkaq, ndërsa në atë shtator-dhjetor ’98, ndodhte kjo histori tragjikomike ekspo-dhjetoristësh ‘90, disa djem e vajza, ndër më guximtarët dhe më idealistët e brezit të tyre, morën përsipër të bënin një lëvizje të re politike nën modelin e pararendësve të tyre që kishin ende aureolën e heronjve të viteve ‘90. Si dëshmitarë ne themi se asokohe, ndonëse të përfshirë në aksionin për ngritjen në këmbë të lëvizjes studentore të dhjetorit ‘98, ne besonim se ajo histori e jashtëzakonshme e dhjetorit ’90, nuk mund të përsëritej dot më kurrësesi, madje aq më pak nga ne. Edhe në ditët e sotme besojmë se nuk mund të përsëriten përmasat e asaj lëvizje duke patur këtu parasysh mbështetjen popullore, emocionalitetin, idealizmin dhe bindjet e larta, kontekstin politik, kontekstin ndërkombëtar, peshën historike të momentit etj. Por tani themi se e kemi një ndryshim në atë që mendojmë. Nëse atëherë besonim se djemtë e vajzat e Dhjetori të Parë, atij ‘90, ishin shumë “gjigantë”, të pakapshëm në atë çfarë ata bënë, sepse ishin të tillë dhe historia ua rezervoi këtë fat, sot rezervojmë të drejtat e plota të mendojmë ndryshe. Dhjetori i Parë, si komunitet dhjetoristësh, në këto 21 vite, ka arritur të prodhojë vetëm një Hero, një Lider. Dhe ky Hero ka ndërruar jetë fizikisht. Dhe ky Hero, ky Lider u pranua si i tillë vetëm pak ditë gjatë ditëve të stuhishme të dhjetorit ‘90, por që më vonë u mohua, u linçua dhe u godit pafundësisht passhpine. E më pas u ripranua si Hero dhe Lider vetëm pas vdekjes. Të tjerë heronj dhe lidera të vërtetë të atij dhjetori ‘90, u detyruan të largohen nga Shqipëria, ndonjërin e thyen moralisht e shpirtërisht me pabesi e rrethime helmi dhe negativiteti, dhe e katandisën të vuajë burgjeve të Shqipërisë, ndërsa të tjerëve u është qepur goja apo hequr mundësia. Ata që flasin e duken kudo janë vetëm ekspo-dhjetoristët ’90, që dalin në skenë vetëm në disa data kalendarike kur Pushtetet dhe Politika ka nevojë për shërbimin e rithirrjes së ‘legjitimitetit historik’ nga të ashtuquajturit burimorët e dhjetorit ‘90. Expo-dhjetoristët e parë e kanë vetëdënuar me vdekje shpirtin e tyre, politikisht përsa i takon lidhjes që ata kanë me parimet e dhjetorit ’90, të cilat shumica e shqiptarëve i besoi, beson e ndjek me sinqeritetin më të madh. Ata kanë keqpërdorur këdo, të gjallë dhe të vdekur, me të vetmin qëllim atë të një suksesi mjeran politik. Ata as janë bërë dhe as nuk kanë për t’u bërë ndonjëherë të parë. Ata thjeshtë janë dhe ngelen në funksion dhe vegla qorre të legjitimitetit të munguar të elitës së vjetër dhe elitave të reja bllokuese postkomuniste. Ata rrinë në pritje që dikush mos t’ju hyjë në pjesën e dhjetorit të tyre. Ata kanë dalë në shitje të gjithë. Shesin fotografinë historike të dhjetorit ‘90, tek blerësi i rradhës ndër Liderat dhe Pushtetarët Politikë. Por njerëzit jashtë, qytetarët e thjeshtë, njerëzit që mendojnë e reflektojnë si qytetarë të përgjegjshëm, e kanë kuptuar që ai dhjetor nuk ka ndodhur krejt ashtu si thuhet nga ekspo-dhjetoristët ’90, të cilët janë shndërruar në shpirtra të vdekur të marë me qera nga Ciçikovët e Udhëheqësive politike shqiptare, gjatë datave kalendarikisht të njohura tashmë. Ndërsa edhe pse mund të rrezikojmë të konsiderohemi të njëanshëm, ne gjithësesi besojmë fort se dhjetoristët e dytë, dhjetoristët e ‘98 ishin më të sinqertë, më të drejtpërdrejtë, më të vetëdijshëm, më politikë. Ata përkrahën liderin politik të asaj kohe Sali Berishën kur të gjithë e kishin harruar. Dikush mund të thotë se ai ua hodhi sepse vetëm ai përfitoi. Kjo është pjesa që i takon drejtpërdrejt vetë Sali Berishës dhe ndërgjegjes së tij, që të vendosë e përcaktojë se si është sjellë e se si do të vazhdojë të sillet me ata që i qëndruan pranë kur të gjithë e lanë, apo me ata që e ndihmuan në ditë të vështira për të mbijetuar e për tu ringritur. Por më siguri mund të themi se dhjetoristët e dytë ishin më të pjekur politikisht dhe më të sinqertë. Qëllimin e kishin të qartë dhe qëndruan për të. Dhjetoristët e vërtetë ’90, bënë histori të madhe, të jashtëzakonshme që transformoi Shqipërinë. Por Expo-dhjetoristët e ‘90 rendin t’ua imponojnë shqiptarëve idenë e madhe të tyre sipas porosive, ndërkohë që dhjetoristët ‘98 bënë histori edhe pse përkohësisht ndokush mendoi se ua vodhi, mohoi apo zhyti në harresë. Dhjetoristët e ’98, po rriten dalëngadalë në politikë por të sigurtë. Pa barrë të madhe në ndërgjegjien e tyre sepse kurrë nuk morën atë që ndoshta u takonte. Kështu që nuk mund tu kërkojë llogari askush për ndonjë pjesë të supozuar si të marë. Ka dhe shumë arsye të tjera për të menduar se Dhjetoristët e ’98, ishin më politikë. Së paku kishin mundësi për të zgjedhur më shumë, por ata zgjodhën sakrificën për atë që besonin. Si grup të rinjsh studentë nga Fakultete të ndryshme në vitin 1998 pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari filluan një Lëvizje Studentore pothuajse në të gjitha Universitetet e Shqipërisë, por kryesisht të përqendruar në Universitetet e Shkodrës dhe Tiranës. Kjo Lëvizje Studentore e Dhjetorit ’98, vinte me një frymë të re dhe ambicie të qartë që synonte përmbylljen e një proçesi të papërfunduar të rendjes së Shqipërisë drejt lirisë, demokratizimit, zhvillimit të ekonomisë dhe integrimit Europian, proçes ky i cënuar dhe gjymtuar rëndë nga viti i vështirë 1997, si dhe nga vrasja e liderit të studentëve dhe të pluripartitizmit shqiptar z.Azem Hajdari. Misioni i studentëve shqiptarë në dhjetorin ‘98, ishte pikërisht mbrojtja e fitoreve të arritura deri atëherë nga fryma dhe shpirti demokratik e liridashës i shqiptarëve. Lëvizja studentore e dhjetorit ’98, ishte një lëvizje maturie të madhe qytetare e cila synonte të ngrinte brezin e dijes nga auditoret e tronditura prej ngjarjeve të rënda dhe vështirësive me të cilat po përballej vendi ynë, e ta vendoste në udhën e lirisë dhe të paqes për të rikuperuar e rivendosur stabilitetin politik ku të mbizotëronte mirëkuptimi, mirëbesimi dhe bashkëpunimi mes paleve politike në Shqipëri. Lëvizja studentore e dhjetorit ’98, ishte nje akt politik dhe qytetar i studentëve shqiptarë me synim prodhimin e një ambienti dhe ligjërimi politik ku nuk kishte më vend për dhunën, zemëratën dhe veprat e këqija, porse ngritjen lart të shpirtit të paqes dhe pajtimit i cili do tu jepte shanse forcave të së mirës të lartësonin dinjitetin dhe mirësinë e shqiptarëve. Lëvizja studentore e dhjetorit ’98, ishte një lëvizje e strukturuar dhe artikuluar drejt në rrafshin politik, social, intelektual dhe ideor ngase në asnjë moment nuk rreshti së synuari kthjelltësisht qytetarinë e paqes dhe atdhedashurisë ndër gjithë faktorët veprimorë dhe vendimorë politikë, kulturorë dhe social në Shqipëri. Kjo Lëvizje studentore e dhjetorit ’98, kaloi nëpër disa etapa deri në vendimin e madh të mbi 120 studentëve për tu vetësublimuar për besimin dhe idetë e tyre duke u futur në një grevë urie 13 ditore e cila u përmbyll me një shërbim të madh ndaj vendit tonë, uljen në tryezë të Kryeministrit Shqiptar të asaj kohe z.Pandeli Majko dhe Liderit të Opozitës z.Sali Berish, vendosjen e paqes dhe fitoren e madhe të forcave të së mirës dhe bashkëpunimit përkundrejt operatorëve të së keqes dhe dhunës. Vendosja e Paqes dhe rifillimi i një kohe të re politike në Shqipëri ishte pararendja e një sërë aktesh të mëvonshme politike të cilat sollën konsensus të madh ndërpolitik por edhe reforma e zhvillime shumë pozitive në Shqipëri. Tryeza e Paqes që erdhi si rezultat i Lëvizjes studentore të dhjetorit ’98, ishte pika e kthesës në Shqipëri, prej nga ku u shestua bashkëpunimi i faktorit politik shqiptar për çështjen e Kosovës, por edhe për çështje të mëdha të zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë, për tu bërë një vend i denjë për anëtarësim në NATO dhe BE. Tryeza e Paqes që erdhi si rezultat i Lëvizjes studentore të dhjetorit ’98, ishte pika e kthesës prej nga ku vendi ynë rikonfirmoi orientimin e tij demokratik dhe euro-atlantik. E nën kontekstin e zhvillimeve të sotme politike duhet të themi se dhjetori ’90 dhe dhjetori ’98 janë dëshmi e energjive të mëdha kombëtare që kemi ne shqiptarët për të ndryshuar dhe korrektuar rregjimet dhe kurset ku na dhunojnë apo manipulojnë të hyjmë udhëheqësitë tona politike. Cdo lloj tolerimi i mëtejshëm i realtiteteve të mbizotëruara nga udhëheqësi politike të mbrapshta, të majta e të djathta, çdo lloj përshtatshmërie ndaj keqnajave ciklike e simetrike që këto udhëheqësi ndërtojnë në funksion të lojrave për pushtet dhe ruajtje kontrolli, do të jetë humbje e fitoreve të arritura në dhjetorin ‘90 dhe dhjetorin ‘98. Në dhjetorin ’90 fituam duke përmbysur të keqen, në dhjetorin ’98 fituam duke lartësuar tryezën e paqes dhe bashkëpunimit parimor, sot ka ardhur koha të ringrihemi për të fituar duke lartësuar qytetarinë dhe perëndimizimin. Kurrë nuk është vonë. Realiteti bi-monist, realiteti PD – PS, realiteti i mbizotëruar nga elitat bllokuese postkomuniste që drejtojnë e vegjetojnë në këto dy parti, duhet të ndryshojë. Eshtë koha për dalëzotsi. Eshtë koha për një realitet të fortë, shprehës, këmbëngulës, kurajoz, qytetar jashte PD dhe jashte PS.
rojti si qen, u vra si qen,u varros si qen
eshte koha? Koha ishte qe moti,po nuk jane njerezit!
Po ky alien gardini kush eshte ore ufo eshte ky?
Keto jane perralla me mbret.
Niko