Vilajeti i errët

13 Tetor 2011, 11:32Blog TEMA

Nga Enver Robelli

 

Prej tetorit në tetor: para një viti në Bosnjë-Hercegovinë janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, por vendi ende nuk ka qeveri. Qëllim i serbëve të Bosnjës është të dobësohet sa më shumë pushteti qendror në Sarajevë dhe, pas shkëputjes eventuale të veriut nga Kosova, të fillojë demontimi i mëtutjeshëm i Bosnjës. Prapa kësaj loje të rrezikshme qëndron, si përherë në 20 vjetët e fundit, politika hegjemoniste e Beogradit dhe ambicia për të dominuar mbi popujt tjerë në Ballkan

 

1. Larg Prishtinës dhe Sarajevës

 

Kur në fund të muajit gusht kancelarja gjermane, Angela Merkel, vizitoi Ballkanin, për opinionin ishte po aq me rëndësi të shohë se në cilat vende ajo NUK do të qëndronte. Merkel zhvilloi takime në Zagreb dhe në Beograd, por shmangu Sarajevën dhe Prishtinën. Me palën kroate bisedimet sigurisht ishin më të lehta. Kroacia tashmë gjendet në rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian, anëtarësimi formal pritet të ndodhë më 1 korrik 2013. Në Serbi, Merkel dha mesazhe të qarta sa u përket integrimeve evropiane dhe qëndrimit agresiv që po mbajnë autoritetet e atjeshme karshi Kosovës. Prishtina nuk ishte në agjendën e kancelares – dhe arsyeja për këtë është e ditur: ndonëse Berlini mbështet pavarësinë e Kosovës, raportet e politikanëve gjermanë me kryeministrin Hashim Thaçi lënë për të dëshiruar prejse policia e Kosovës arrestoi tre pjesëtarë të Shërbimit Sekret Gjerman (BND), të cilët pastaj nga mediat e pushtetit u ekspozuan thua se ishin terroristë të Al-Kaidës. Kundër tyre madje u fabrikuan akuza se gjoja kanë marrë pjesë në sulmin kundër Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO). I pyetur mbi këtë episod të pakëndshëm, një ministër i kabinetit Thaçi me një rast kështu ishte arsyetuar: “Kemi qenë të mashtruar dhe të manipuluar nga shërbimet e tjera”. Sidoqoftë, çmimin e mendjelehtësisë dhe të lojës me muskuj nga disa eksponentë të qeverisë e paguan Kosova, e cila ka nevojë jetike për përkrahje nga Gjermania.

 

2. Zbehja e perspektivës

 

Injorimin e radhës kancelarja Merkel ia bëri Bosnjë-Hercegovinës. Edhe në rastin e këtij vendi arsyet janë të qarta. Tamam para një viti, në tetor, në Bosnjë janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, por partitë politike të tri etnive, boshnjakëve (myslimanëve), serbëve dhe kroatëve ende nuk janë marrë vesh për krijimin e një qeverie të re. Në muajt e kaluar Merkel ishte angazhuar edhe personalisht për tejkalimin e krizës së brendshme politike, e cila e ka futur Bosnjën në qorrsokak dhe e ka zbehur dukshëm perspektivën e integrimeve evropiane. Pas dështimit të përpjekjeve të saj ndërmjetësuese për reformën kushtetuese, Merkel nuk e pa të nevojshme të vizitojë Sarajevën. Për aq kohë sa vendi stagnon ai duhet të injorohet, së paku në mënyrë simbolike. Ky duket se është qëndrimi gjerman ndaj Bosnjës. Dhe jo vetëm gjerman. Në përgjithësi në Bashkimin Evropian mbizotëron mendimi se pa vetëdijesimin e politikanëve në Bosnjë nuk mund të ketë përparim. Në të kaluarën disa vendime të rëndësishme për Bosnjën janë marrë nga të huajt, jo pak ligje janë imponuar nga protektorët ndërkombëtarë dhe shumë largime të politikanëve nga postet e tyre janë urdhëruar nga përfaqësuesit e lartë në Sarajevë. Të gjitha këto janë bërë me shpresën se politikanët vendorë do të mësojnë leksionin dhe do të emancipohen. Për fat të keq të Bosnjës kjo nuk ka ndodhur ende.

 

3. Me kakofoni drejt anarkisë

 

Pa qeveri, pa programe të qarta për zhvillim ekonomik dhe përherë e zhytur në kakofoni, Bosnjë-Hercegovina po rrëshqet drejt anarkisë. Numri i të papunëve është gjithnjë e më i madh, shumë fonde të BE-së nuk janë transferuar në arkën e shtetit, disa firma kanë falimentuar. Nga analistët Bosnja gjithnjë e më shpesh po quhet “vilajeti i errët”, një shtet që stagnon me fajin e politikanëve lokalë. Në një intervistë për revistën “DANI” të Sarajevës, përfaqësuesja e fondacionit socialdemokrat gjerman “Friedrich Ebert” në Banjallukë, Tanja Topiq, deklaroi se mosformimi i qeverisë është pasojë e papërgjegjësisë së madhe të atyre që kanë marrë besimin e qytetarëve në zgjedhje. “Nga ana tjetër, këtë e shoh edhe si mosinteresim të madh të vetë qytetarëve, si një gjendje e cila është më e keqja për Bosnjën, e ajo është status quo-ja”, mendon Topiq. Ajo nënvizoi se qytetarët në Bosnjë janë pengje të një gjendjeje, në të cilën parakusht kryesor për pjesëmarrje në pushtet është “pasqyra e gjakut, përkatësisht numërimi i rruazave të gjakut”. Këtu Topiq aludon në Marrëveshjen e Daytonit, e cila gabimisht quhet marrëveshje për paqe, e në fakt është vetëm një dakordim për ndërprerjen e luftës. Marrëveshjet për paqe zakonisht e rregullojnë funksionimin e një shteti ose raportet mes shteteve. Në Bosnjë dokumenti i Daytonit e ka krijuar një shtet jofunksional, ku çdo post publik duhet të ndahet sipas çelësit etnik – ose sipas rruazave të gjakut, siç thotë Topiq. Kështu kriter për t’u emëruar në një post në Bosnjë nuk është aftësia për të kryer një punë të caktuar, por përkatësia etnike, partiake dhe klanore. Derisa politikanët grinden për ndarjen e posteve sipas përpjesëtimit etnik, 90 për qind e qytetarëve të Bosnjës, sipas anketave, dëshirojnë që vendi të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Por Topiq mendon se kjo është një lloj hipokrizie e popullsisë, e cila nuk bën asnjë presion kundër politikanëve për t’iu afruar cakut brukselian. (Hiç më ndryshe nuk paraqitet situata as në Kosovë: të gjithë duan që Republika e re të jetë pjesë e BE-së, të gjithë kërkojnë heqjen e vizave, të gjithë duan rroga më të larta dhe sundim të ligjit. Por krejt këto kërkesa mbesin në nivelin deklarativ, emocional dhe nuk përkthehen në aksion politik). Jo vetëm në Bosnjë e Kosovë, por edhe në vende të tjera të Ballkanit shpesh nuk janë vetëm politikanët ata që operojnë me dyfytyrësi – në fakt dyfytyrësia jo rrallë buron edhe nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë.

 

4. Si në vaktin e Sllobës

 

Arsyet sipërfaqësore pse Bosnja nuk ka qeveri qendrore shihen te mosgatishmëria e dy partive për kompromis: nga njëra anë të ashtuquajturit “socialdemokratë të pavarur” të Milorad Dodikut, kryetarit të Republikës së serbëve, nga ana tjetër socialdemokratëve të Bosnjë-Hercegovinës të ish-ministrit të jashtëm Zlatko Lagumgjija. Në fakt pjesën më të madhe të fajit e bart pala serbe, e cila me çdo kusht synon të dobësojë pushtetin qendror dhe kështu ta bëjë Bosnjën të duket si shtet pa ardhmëri. Pas kësaj strategjie fshihet loja e madhe që Beogradi po e luan me veriun e Kosovës. Shkëputja eventuale e veriut do të krijonte rrethana për demontimin e mëtutjeshëm të Bosnjës. Kjo është, në fakt, një luftë e Serbisë për dominim mbi popujt e tjerë të Ballkanit – jo me terror masiv si në kohën e Slobodan Milosheviqit, por me përpjekje për revidimin e historisë, me synime për shpërndarjen proporcionale të fajit për krimet e llahtarshme, me nxitjen e tensioneve kudo ku jetojnë serbët etj. Në krye të kësaj fushate qëndrojnë presidenti serb, Boris Tadiq, kryetari i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq – dhe pas tyre intelektualët nacionalistë, si Dobrica Qosiq dhe Lubomir Tadiq, i ati i Boris Tadiqit. Filozofi Lubomir Tadiq gjatë luftës në Bosnjë ka qenë njëri prej këshilltarëve të kriminelit të luftës Radovan Karaxhiq. Pak para pavarësimit të Malit të Zi, Tadiqi (plaku) kishte organizuar një kampanjë të pasuksesshme për ruajtjen e “bashkësisë shtetërore” serbo-malazeze.

 

5. Nën pragun e varfërisë

 

Derisa Serbia destabilizon Ballkanin, kriza ekonomike po e dëmton gjithnjë e më shumë Bosnjën. Sipas një hulumtimi të Ipeshkëvisë së Bosnjë-Hercegovinës, ky shtet është më i varfri në rajon. Rreth 600 mijë qytetarë jetojnë nën pragun e varfërisë me më pak se 120 euro në muaj(Bosnja ka rreth 4,5 milionë banorë). 20 mijë qytetarë, kryesisht pensionistë, për çdo ditë ushqehen në të ashtuquajturat “kuzhina popullore”. Në anën tjetër politikanët jetojnë në luks të neveritshëm. Ndonëse ende nuk kanë arritur të zgjedhin qeverinë, parlamentarët e Bosnjës në fund të çdo muaji marrin mesatarisht nga 5 mijë marka konvertibile (rreth 2500 euro). Kjo shumë është e barabartë me 16 pensione të një plaku, i cili ka punuar 30 apo 40 vjet në sektorin publik.

 

2 komente në “Vilajeti i errët”

  1. Luan Morina says:

    Bosnja nuk dallon shumë nga Kosova. Gati të gjithë udhëheqësit në Kosovë gjenden tani në dosjet e gjykatave të huaja, jo për luftë kundër armikut, por për vjedhjen e buxhetit të kombit të tyre. Kjo është njësoj sikur kur njeriu e shpëton tjetrin nga rreziku me qëllim të vjedhjes së kuletës së tij, shtëpisë së tij dhe pasurisë e tij.

    Ku ka vend tjetër në botë, ku ministri paguan më shumë se dhjetë milionë euro për një kilometër rrugë, e ku banori ka më pak se një euro në ditë për të shpenzuar për familjen e tij.

  2. PrapambetjetOsmane says:

    Cok gyzel icoglan Davutoglu !!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje