Topi: Dialogu politik dhe institucional është detyrim kushtetues e civil

16 Nëntor 2011, 21:32Politika TEMA

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ishte i pranishëm të mërkurën në mbrëmje në takimin e “Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës” organizuar në “Universitetin e Arteve” ku merrnin pjesë diplomatë, drejtues të bashkësive fetare, përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, akademikë, studentë, etj.

Gjeni më poshtë pjesë nga fjala e Topit:

“Për ne, shqiptarët, raportet me tolerancën kanë qenë raporte komplekse, të imponuara kryesisht nga fatet tragjike në luftra e pushtime, nga regjime autoritare dhe refuzuese ndaj të drejtave bazë të njeriut. Shqipëria ishte ndër të paktat shtete që nuk iu bashkua në kohën e duhur Kartës së OKB-së të të Drejtave të Njeriut dhe sidomos Kartës së Helsinkit, por me ndryshimet demokratike, në vitin 1995, Shqipëria konfirmoi standarde të larta të këtyre të drejtave duke u pranuar me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Sot Shqipëria është një vend nënshkrues i Deklaratës së Parimeve mbi Tolerancën, është një vend anëtar në NATO dhe me projektim të qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Tej bilancit historik, në shoqërinë shqiptare ekziston një raport i fortë tolerance, sidomos në aspektin e marrëdhënieve midis qytetarëve të besimeve të ndryshme fetare. Si rrallë ndonjë vend tjetër, ne kemi komunitete të ndryshme fetare që respektojnë dhe vlerësojnë besimin e tjetrit, jetojnë në harmoni dhe e përdorin këtë tregues si një pasuri të çmuar të identitetit evropian të shqiptarëve. I njëjti vlerësim karakterizon raportet tona kulturore, sociale, sportive dhe arsimore me kulturat dhe vendet e tjera. Me sjelljet e tyre qytetare, shqiptarët dëshmojnë etje për njohjen e kulturës së tjetrit, e pranojnë atë si pjesë e jetës së përditshme, respektojnë traditat dhe përbëjnë ndër rastet e veçanta evropiane të mungesës tërësore të organizatave ose strukturave raciste, ksenofobe, intolerante apo antisemite.

Parimet mbi tolerancën krijojnë një numër të gjerë angazhimesh, të cilat nuk mund të merren të mirëqena në një kohë të vetme, – ato janë angazhime afatgjata dhe si të tilla, kërkojnë garanci afatgjatë, pra shndërrimin e sjelljes tolerante në kulturë qytetare, kulturë politike dhe kulturë shtetërore. Shoqëria shqiptare i ka të gjitha potencialet për ta arritur këtë, edhe pse shpesh ndeshemi me raportime shqetësuese që lidhen me të drejtat individuale dhe kolektive të njeriut. Të tilla janë rastet e dhunës dhe krimit në familje, rastet e dhunës në shkolla apo ndonjë rast në zyrat e policisë, rastet e korrupsionit zyrtar mohues ndaj të drejtave publike, çdo formë e mungesës së transparencës, rastet e konflikteve për pronësinë mbi tokën apo të paragjykimeve krahinore dhe sociale.

Mbi të gjitha, ne nuk mund të mos konstatojmë sot një nivel të lartë të konfliktualitetit politik, mungesë dialogu institucional dhe retorikë denigruese që largon vendimmarrjen nga shqetësimet reale qytetare. Shpesh herë kemi parë sesi individë apo institucione politike, të cilët kanë përgjegjësi dhe detyrimin zyrtar e publik të jenë përfaqësues, tolerantë dhe transparentë, – të veprojnë ndryshe, duke cenuar me sjelljet dhe vendimet e tyre jo vetëm interesat individuale të qytetarëve, por edhe të vendit”.

2 komente në “Topi: Dialogu politik dhe institucional është detyrim kushtetues e civil”

  1. armand says:

    bjeri gajdes gajdexhi…………………

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje