Beogradi e Prishtina e arrijnë një marrëveshje

3 Dhjetor 2011, 12:38Rajoni TEMA

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Për t’i kënaqur dy palët, BE në njoftimin e saj iu shmang fjalëve “kufij” dhe “linjë administrative” dhe përdori fjalën “pikëkalime”. Diplomatët europianë u shprehen të kënaqur me arritjet, ndërsa konfirmuan se palët nuk u morën vesh për energjinë dhe telekomin.

 

Pas bisedimeve treditore, Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic, kanë arritur marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufijve mes dy vendeve.

Marrëveshja, e cila parasheh nënshkrimin e një protokolli mes dy palëve dhe BE’së, do t`i obligojë Kosovën dhe Serbinë t’i menaxhojnë gjashtë pikat kufitare mes vete në bazë të ligjeve që i aplikojnë secila veç e veç.

Sipas kësaj marrëveshje, Kosova do të menaxhojë kufijtë, kurse pala serbe do t`i menaxhojë pikat administrative, pasi me ligjet serbe nuk i njohin kufijtë e Kosovës.

Në dokumentet e BE’së kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë quhen vendkalime, ndërsa në deklaratën e lëshuar nga Lehtësuesi Robert Cooper përmendet shkurtesa në gjuhën angleze IBM, e cila ka dykuptimësi. Në anglisht IBM do të thotë “Integrated Border Menagment” (Menaxhimi i integruar i kufijve), por edhe Inteagrated Boundering Menagment (Menaxhim i integruar i vendkalimeve administrative).

“Duke pasur parasysh se nga palët do të kërkohet që vazhdimisht të harmonizojnë legjislacionin e tyre me trashëgimin juridike të BE’së, ato kanë arritur një marrëveshje për konceptin e ndërtuar të BE’së të menaxhimin e integruar të pikëkalimeve. Kjo do të thotë se palët gradualisht do të vendosin pikëkalimet të përbashkëta të integruara, të vetme dhe të sigurta në të gjitha vendkalimet e tyre të përbashkëta”, thuhet në deklaratën e Robert Cooperit.

“EULEX’i do të jetë i pranishëm atje në përputhje me mandatin aktual që ka. Koncepti IBM do të implementohet sa më shpejt që të jetë praktikisht e mundur”.

Veç kësaj, Kosova dhe Serbia janë marrë vesh edhe për zbatimin e marrëveshjeve paraprake, derisa për nismat rajonale ka mbetur të diskutohet në takimet tjera.

“Palët presin që nga data 26 dhjetor të gjithë mund të gëzojnë lirinë e lëvizjes. Është arritur përparim edhe në temën e pjesëmarrjes së Kosovës ne nismat rajonale”, thuhet në fund të deklaratës së BE’së.

Para se të publikohej marrëveshja, Kryenegociatorja Edita Tahiri ka thënë se menaxhimin e integruar të kufirit shënon edhe fillimin e pranimit të realitetit nga pala serbe se Kosova ekziston si shtet.

“Kjo është një lëvizje e madhe e Beogradit. Ndërkohë, që kjo marrëveshje që do të nënshkruhet nga tri palët, është konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

“Fakti se u arrit në parim marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve është një ngjarje shumë e madhe në kuptimin e asaj sepse një kufi ndërshtetëror që ekziston midis dy shteteve tona pra, Kosovës dhe Serbisë, pranon që të menaxhojë me standarde europiane. Mendoj se për shtetin e Kosovës ka rëndësi të madhe sepse ne po e zbatojmë një standard të rëndësishëm në vendin fqinjë Serbinë, sic e kemi bërë dhe po e bëjmë me Maqedoninë, Shqipërinë dhe së shpejti edhe me Malin e Zi”, ka thënë Tahiri për RTK’në.

Pse po nënshkruhet marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve?

Edita Tahiri përgjigjet se kjo bëhet për ta obliguar Serbinë në zbatimin e marrëveshjes.

“Nënshkrimi bëhet në protokollin teknik, i cili është pjesë e marrëveshjes edhe me shtetet tjera. Pra, kemi nënshkrimin e protokollit teknik dhe kjo mendoj se është një arritur e madhe. Arsyeja pse ne kemi insistuar në nënshkrim ka të bëje me atë sepse në këtë periudhë u pa se Serbia nuk kishte seriozitet në zbatimin e marrëveshjeve andaj nënshkrimi do të jetë një instrument shtesë për ta obliguar në zbatimin në menaxhimin e integruar të kufirit. Këto marrëveshje kanë firmën e BE’së dhe SHBA’së që janë garantuese të marrëveshjeve”.

Në anën tjetër, Shefi i Delegacionit serbë, Borko Stefanovic gjatë ditë së premte ka thënë se Serbia nuk do të pranojë asnjë shenjë që e identifikon shtetësinë e Kosovës.

“Nëse të dy palët mund të gjejmë një zgjidhje atëherë kjo ditë do të jetë e suksesshme, dhe nëse jo, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun edhe gjatë fundjavës”, ka thënë Stefanovic.

Sipas Stefanovic, çështjet më të diskutueshme mbeten përfaqësimi i Prishtinës në takimet rajonale dhe çështjen e vijës administrative, të cilat, tha ai, “Serbia nuk do të lejojë që të të jepet atributet e kalimit të kufirit shtetëror”.

Për menaxhimin e integruar të kufijve ka folur edhe Kryeministri Thaçi, i cili ka thënë se një marrëveshje e tillë është plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Në kuadër të kësaj, ka qenë edhe çështja e menaxhimit të integruar të kufirit, që është një model i lartë evropian, që të dominojë edhe në rajonin tonë, në mes të Kosovës dhe vendeve fqinje, me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi, por edhe me Serbinë, që do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit, komunikimit në mes të vendit tonë dhe vendeve në rajon, por edhe popujve tjerë”, ka thënë Thaçi, pas mbledhjes së Qeverisë.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për çështje teknike në prill të këtij viti, por se deri më tani vetëm për tregti të lirë janë marrë vesh.

Ruani i tetë i bisedimeve ka ardhur një javë para se BE’së të marrë vendim për statusin e kandidatit të Serbisë për në BE si dhe për vendimin për t`i dhënë Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Edita Tahiri ka thënë se Kosova pret që përpos udhërrëfyesit BE të avancojë me përparimin e Kosovës drejt Unionit.

BE ka njoftuar se dialogu do të vazhdojë në ditët në vazhdim për të diskutuar temat tjera, duke përfshirë energjinë, telekomin./express

1 komente në “Beogradi e Prishtina e arrijnë një marrëveshje”

  1. Prishtina says:

    Stuhia 2 se shpejti do filloje,vaj halli i serbeve te Kosoves se veriut, do te perdoren si mish per top nga Beogradi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje