Duket se hetimet për trukimin e ndeshjeve në Itali nuk do të kenë kurrë fund. Në dritë kanë dalë sërish dyshimet për trukimin e disa ndeshjeve në Serinë B dhe tre ndeshjeve në Serinë A: Breshia-Bari 0-2, Breshia-Leçe 2-2 dhe Napoli-Sampdoria 4-0.
Si të mos mjaftonte kjo, 17 persona janë arrestuar nga policia italiane pasi akuzohen për trukime në ndeshje. Ljmi bëhet i ditur nga mediat italiane, të cilat citojnë policinë. Sipas policisë, kupola e trukimeve të ndeshjeve është në Singapor, ndërsa qendra e operacioneve ndodhet në Europën Lindore.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, një nga të arrestuarit është edhe futbollisti i njohur Cristiano Doni, ish-kapiten i Atalantës. Ish-mesfushori aktualisht është i pezulluar nga drejtësia sportive, i akuzuar për trukimin e të paktën tre ndeshjeve të Serisë B në sezonin e kaluar.
Sipas mediave italiane, pritet që edhe ish-sulmuesi i famshëm Giuseppe Signori të jetë një nga të arrestuarit.
Operacioni policor ka nisur në Kremona dhe arrestimet janë kryer në 10 qytete të ndryshme italiane. Mes të arrestuarve ka edhe të tjerë futbollistë dhe ish-futbollistë si Carlo Gervasoni (Piacenza, aktualisht i pezulluar), Filippo Carobbio (Spezia), Zamperini dhe Luigi Sartor (ish-lojtar i Parmës, Vicenzës, Interit dhe Romës) dhe Marco Paolini (Benevento, i pezulluar).
Lutem mos i beni lemsh lajmet: Signori eshte arrestuar qe ne muajin qershor dhe vazhdon te jete ne arrest shtepiak. Cristiano Doni u arrestua sot ne mengjes.