Dritë - hijet e Shqipërisë në vitin 2011

26 Dhjetor 2011, 18:24Politika TEMA

Retrospektiva e vitit 2011 në Shqipëri: Nën hijen e ngjarjeve të 21 janarit, ritualit të zgjedhjeve të kontestuara dhe notave jo optimiste nga Brukseli.

Që në javët e para të këtij viti tensioni politik mes mazhorancës dhe opozitës arriti kulmin. Një protestë antiqeveritare pak metra larg selisë qendrore të qeverisë u përshkallëzua në përplasje fizike dhe dhunë mes protestuesve dhe forcave të shtuara të policisë. Nga përdorimi i armëve të zjarrit 4 protuestues humbën jetën, ndërkohë që dhjetra të tjerë mbetën të lënduar. Kjo ngjarje e 21 janarit 2011 e ktheu edhe një herë Shqipërinë në imazhet e medias ndërkombëtare si në skenat e vitit  1997, gjë që u shoqërua më pas me një ritual protestash nga opozita që kërkonin drejtësi për jetët e humbura.

Edhe pse me një ndërhyrje energjike të faktorit ndërkombëtar atmosfera e acaruar politike përshkroi dhe fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit. Në një kohë që pritej që përfundimi i garës zgjedhore të ishte faktor për çtensionim, përllogaritja e rezultatit për fituesin e bashkisë së Tiranës, mbajti për afër 2 muaj e gjysmë në interpretime të kundërta mes mazhorancës dhe opozitës vlefshëmrinë e shifrave në favor të kandidatit nga rradhët e së djathtës Lulzim Basha dhe rivalit të tij nga e majta, Edi Rama, që është dhe shefi i opozitës. Pas një kalvari shqyrtimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji i Gjykatës së Apelit, ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha bën betimin më 18 korrik si kryetari i ri i bashkisë më të madhe në Shqipëri, ndërkohë që sipas opozitës rezultati i votimeve ishte i manipuluar.

Progres Raporti jo optimist

Të parapërgatitur për një vlerësim jo optimist të zhvillimeve në Shqipëri në procesin e integrimit europian në mbledhjen e Komisionit Europian më 12 tetor 2011 kur do të zyrtarizohej dhe Progres Raporti, forcat kryesore politike shqiptare u angazhuan për reflektim në plotësimin e 12 prioriteve që kërkonte Brukseli. “Sikundër dhe në vite të tjera, Progres Raporti përbën një program të vërtetë pune, për sa u përket reformave të qeverisë sime dhe të çdo agjencie përkatëse. Çdo sektor do ta shqyrtojë atë dhe do ta shndërrojë në plan pune”-  deklaroi kryeministri Sali Berisha sapo mori në dorë tekstin e përgatitur nga Komisioni Europian. Ndërkohë që nga selia e partisë më të madhe opozitare në një komunikatë zyrtare vlerësohej si analizë e kthjellët edhe se “Edi Rama përfiton nga rasti për të rinënvizuar vullnetin e opozitës shqiptare për të ushtruar përgjegjësinë që i takon në jetësimin e axhendës shtetndërtuese dhe europianizuese të Shqipërisë.”

Rritje e abuzimeve një vit pas liberalizimit të vizave

Një vit pas aplikimit për qytetarët shqiptarë të lëvizjes pa viza për në zonën Shengen të BE-së kanë dalë në pah dhe disa shqetësime të shteteve anëtare për rritjen e rasteve të kërkesave për azilim nga persona të veçantë. Sipas të dhënave të ministrisë së Brendshme në Tiranë pjesa më e madhe e azilkërkuesve ka nxjerrë si shkak mbrojtjen nga fenomeni i gjakmarrjes, por autoritetet shqiptare kanë informacione se bëhet fjalë për abuzime dhe përdorim të dokumenteve të fallsifikuara, që janë lëshuar kundrejt pagesës së ryshfetit 50 deri në 100 euro. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani në një intervistë për Deutsche Welle-n në mes të muajit tetor u shpreh se “jemi duke bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesit e institucioneve të këtyre vendeve, ku Ministria e Brendshme në Tiranë ka bërë të qartë se të gjithë qytetarët shqiptarë që janë paraqitur për të kërkuar azil në mënyrë të paargumentuar dhe me dokumente të fallsifikuara do të kthehen menjëherë në Shqipëri. Gjithashtu po shikojmë nëse këtu kemi të bëjmë dhe me elementë të veprimtarisë kriminale. Nuk do të mund prishin imazhin e qytetarëve shqiptarë, të cilët treguan me procesin e regjimit të vizave për zonën Schengen se janë bashkëpunues dhe të gatshëm për të respektuar sistemin e rregullave për udhëtimin pa viza.”

Sinjale pozitive bashkëpunimi pozitë-opozitë

Në muajin e fundit të vitit 2011 nga klasa politike shqiptare erdhën sinjale pozitive për frymën e bashkëpunimit dhe për përpjekje për konsensus në realizmin e reformave thelbësore. Pas dështimit të tre raundeve të mëparshme në bisedimet BE – Shqipëri të komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociimin, mazhoranca dhe opozita miratuan më 9 dhjetor një rezolutë të përbashkët. Në prezencën dhe të përfaqësuesve të Delegacioni për Marrëdhëniet me Europën Juglindore në Parlamentin Europian, të dyja palët u angazhuan për konsensus politik në procesin e kryerjes së reformave në përmbushje të kërkesave të BE-së. Reforma zgjedhore, adaptimi i rregullores së punës së parlamentit shqiptar, miratimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, fuqizimi i luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit etj., ishin pjesë e rezolutës. /DW

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje