Lakmia për të pasur xhepin plot me rastin e ndërrimit të vitit ka bërë që institucionet lokale e qendrore në vend të kërkojnë shuma të majme parash në emër të shpërblimeve për punonjës të dikastereve të ndryshme. Kësisoj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si institucion që mbron ligjet e kushtetutshmërinë e vendit, ka paraqitur kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike, miratimi i së cilës jo vetëm që do të ishte shkelje e rëndë ligjore por edhe do të dëmtonte buxhetin e Kosovës për gjithsej 47 mijë e 428 euro.
Burime të gazetës brenda MAP, ku edhe vepron Departamenti për Shërbyes Civilë të mbështetura edhe në dokumente të cilat i ka siguruar gazeta, tregojnë se kërkesa e Kushtetueses ka arritur në fillim të muajit dhjetor. Letra e cila nuk është e nënshkruar nga shefi Enver Hasani, por vetëm mban emrin e Gjykatës, ka kërkuar nga kjo ministri që të aprovojë shumën mbi 47 mijë euro, në mënyrë që pos pagave të dhjetorit, punonjësit e Gjykatës Kushtetuese të marrin si shpërblim edhe nga 900 euro të tjera.
Aprovimi eventual i kësaj kërkese nga ana e MAP do të procedonte rastin në Ministrinë e Financave, përkatësisht në Thesarin e Kosovës, në mënyrë që me pagat e dhjetorit, punonjësit e Kushtetueses të marrin edhe shpërblimin prej 900 eurosh../zeri