Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, flet pa politikë për jetën e tij private për lexuesit e gazetës “Lajm”. Hoxhaj tregon se si është njohur me bashkëshorten e tij, kurse ekipi dhe sportisti i preferuar i tij dhe i djalit të tij, Liri, është Barcelona, respektivisht dhe Lionel Messi
Nga Valon Gerbeshi
Modest dhe i thjeshtë, flet pa politikë dhe për jetën e tij private ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Ai në një intervistë ekskluzive për gazetën “Lajm” zbulon se si e ka njohur bashkëshorten e tij dhe se këshillohet me të në baza ditore si për qasjen e tij ndaj publikut, por edhe për problemet e shumta që e preokupojnë shoqërinë tonë dhe atë globale. Hoxhaj për lexuesit e gazetës “Lajm” tregon se si djali i tij, Liri, ashtu edhe ai është adhurues i futbollit dhe i lojtarit Lionel Messi, kurse Barcelona është ekipi i tyre i preferuar. Duke e kujtuar fëmijërinë e tij të hershme, ai thotë se ishte shumë i dhënë pas librave dhe futbollit, kurse si çdo fëmijë tjetër edhe ai në fazën e hershme të fëmijërisë së tij besonte se ekziston babadimri. Ndërsa sot edhe ai vetë mundohet që ta bindë vajzën e tij, Lea, me misionin e babadimrit se ai ekziston dhe fëmijëve ju sjell dhurata duke u munduar që Lean pesëvjeçare ta gëzojë me ndonjë dhuratë në emër të babadimrit. Hoxhaj tregon se pozita aktuale për të është pozitë e cila kërkon shumë punë dhe përkushtim, kurse vetë ai punon më shumë se 15orë në ditë madje edhe gjatë vikendeve.
“Lajm”: Zotëri Hoxhaj, jeni fytyrë publike, dhe publiku ju njeh si profesor, deputet, ministër, por lexuesit e gazetës “Lajm”, kanë shprehur interesim të dinë më shumë për jetën tuaj private, jashtë politikës. Me fjalë të tjera, kush është Enver Hoxhaj, në jetën e përditshme dhe familja e tij?
Hoxhaj: Meqë një pjesë të madhe të angazhimit tim ditor, pothuajse prej orëve të hershme të mëngjesit deri vonë, unë e kaloj me politikën dhe rreth politikës, ndërsa pjesa tjetër e jetës së përditshme mbetet shumë e pakët. Vikendi mund të jetë dita e diel, ndonjë gjysmë dite e lirë, përderisa punoj edhe të shtunave, dhe sidomos pas marrjes së pozitës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Shumë vizita, shumë aktivitete e takime ndodhin edhe gjatë vikendit. Jeta ime private është që jam profesor Universitetit, kam gruan dhe dy fëmijë, dhe sikurse çdo qytetar i Kosovës, synoj ta shijoj përditshmërinë pranë familjes time dhe fëmijëve të mi.
“Lajm”: Lexuesit kanë shprehur interesim të dinë për shkollimin tuaj, nga shkollimi i ulet deri te ai post-universitare ?
Hoxhaj : Unë kam përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Therandë (Suharekë). Përderisa studimet në fushën e historisë i kam përfunduar në Prishtinë dhe në vitin 1993 kam lëvizur për Vjenë, ku atje kam jetuar në mes vitit 1993-1994, deri në shtator të vitit 2000. Atje kam përfunduar edhe studimet e magjistraturës dhe të doktoraturës, ku në vitin 2000 kam doktoruar dhe në shtator të vitit 2000 jam kthyer në Prishtinë. Ambiciet e mia kanë qenë që megjithatë të jem profesor i Universitetit, do të thotë nuk kam pasur ndonjë ambicie shumë të madhe që të hyjë në politikë dhe të merrem me politikë. Derisa kam qenë student i doktoraturës në Vjenë dhe bashkëpunëtor shkencor në Universitetin e Vjenës. Kam qenë shumë i kyçur në debatet politike, publike, jo vetëm në Austri, por edhe në shumë vende të Evropës, në Gjermani, në Francë, në Britani të Madhe, dhe në Itali, por shpesh herë kam qenë edhe në Amerikë, në atë kohë për problemet politike në Kosovë. Kur jam kthyer në Kosovë, përkundër asaj që nuk kam dashur të jem edhe më tutje i kyçur në debate publike, e kam parë që ka një interes të medieve edhe në atë kohë si akademik që të jap mendime për situatën politike në vend, ose për tema të tjera dhe në vitin 2004 në zgjedhjet parlamentare, kam vendosur që të hyjë në listën e deputetëve, në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, të cilin e njoh pothuajse nga viti 1987, pasi kemi një miqësi disavjeçare. Kam qenë çdo herë mik i tij i ngushtë, edhe kam qenë mbështetës i tij, kështu që angazhimi im politik mandej ka qenë pothuajse një hap logjik i asaj se çka kam bërë para se të hyjë në politikë.
“Lajm”: Ministër jeni i martuar dhe keni fëmijë. A mund të na thoni se kush është bashkëshortja e juaj dhe me çfarë merret?
Hoxhaj : Shoqja ime është ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, në Departamentin e Gazetarisë. quhet Remzie Shahini- Hoxhaj, dhe paralelisht është duke përfunduar studimet e doktoraturës po ashtu në Austri. Ka përfunduar studimet Master në Frankfurt të Gjermanisë, dhe në të njëjtën kohë ligjëron që disa vite në degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Kem debat pothuajse ditor për relacionin e politikës me medie, për relacionin e Qeverisë, për tema të ndryshme të politikës të shoqërisë në Kosovë, mirëpo edhe për tej Kosovës, tema të natyrës globale, politike, dhe është një mbështetëse e fuqishme e imja, dhe në të njëjtën kohë edhe unë synoj që brenda kufizimeve të mia kohore, edhe si bashkëshort edhe si prind, por edhe si akademik, të jem në komunikim të përhershëm me të dhe të ndajë mendime të ndryshme për problemet që përcjellin vendin tonë, apo në kohën në të cilën jetojmë.
“Lajm”: Lexuesve ndoshta ju intereson të dinë se si jeni njoftuar me bashkëshorten tuaj dhe kush ishte personi i parë që bëri hapin e parë që ju të jeni bashkë?
Hoxhaj : Ne jemi njoftuar në vitin 2000 pas kthimit tim nga Vjena. Në atë kohë , unë kam udhëhequr një institucion i cili është marrë me arsimin e lartë, i cili është thirrur “WUS AUSTRIA”, dhe realisht unë dhe bashkëshortja ime kemi punuar në institucionin e njëjtë. Kjo ka qenë mundësia e kontaktit të parë. Iniciativa ka rrjedhur nga ana ime dhe unë kam qenë ai i cili i kam marrë hapat e parë në këtë aspekt.
“Lajm”: Meqë bashkëshortja juaj është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe njëra ndër lëndët që ajo ligjëron është Marrëdhënie me Publikun. A ju këshillon juve personalisht ajo ndonëse jo zyrtarisht se si të komunikoni me publikun?
Hoxhaj : Pa dyshim, në mënyrë të rregullt në baza ditore dhe javore unë bisedoj me shoqen time për komunikimin tim me publikun në përgjithësi, për çështje të caktuara politike. E marr këshillën e saj, e çmoj dhe e vlerësoj shumë. Është shumë e drejtpërdrejtë në këshillën e saj, dhe nëse unë në ndonjë situatë të caktuar kam bërë ndonjë gabim të natyrës teknike apo nuk kam arritur që ta shpreh mendimin tim të çartë apo nuk kam qenë në gjendje që të pasqyroj aktivitetin tim apo në një formë më direkte ta adresoj para publikut atë që duhet të adresuar, zakonisht këshilla e saj apo sugjerimi i saj është po ashtu shumë i çartë dhe direkt dhe bëj përpjekje që pastaj ta përmirësoj veten time. Por, ndikimi i saj edhe në pjesën e komunikimit të publikut për pjesën e natyrës së politikës është shumë i madh tek unë në baza të rregullta ditore.
“Lajm”: A do të thotë se bashkëshortja është këshilltarja e juaj më e mirë?
Hoxhaj : Mendoj se kemi komunikim të rregullt ditor dhe pa dyshim këshilla e saj dhe roli i saj është shumë kyç nga pozita që ajo ka. Mirëpo, shpeshherë mund të kemi edhe mendime të ndryshme për një problem të caktuar, por pa dyshim mendimi i saj është shumë me peshë në jetën time edhe politike, profesionale edhe si akademik por edhe në jetën private.
“Lajm”: Nga pozita aktuale pa dyshim se të pa shmangshme janë edhe udhëtimet në vendet e ndryshme të botës. Nga këto udhëtime a mbetet gjithçka vetëm zyrtare nga aeroporti në takim pune dhe anasjelltas apo keni mundësi që t’i shfrytëzoni këto udhëtime edhe për pak çlodhje?
Hoxhaj : Ajo çfarë unë mund të them është se gjatë vitit 2011 kam vizituar 34 shtete me ftesa zyrtare të ministrave të Punëve të Jashtme nga vendet e ndryshme dhe përveç këtyre 34 shteteve, unë kam pasur takime edhe me mbi 60 personalitete si, presidentë, kryeministra, ministra të Punëve të Jashtme, ministra të profileve të tjera të vendeve që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ka qenë një agjendë shumë e ngjeshur, dhe zakonisht gjithë vizitat që kam bërë në një vend, kanë qenë vizita që janë zhvilluar brenda 1 apo 2 ditëve, ku shpesh herë dhe në shumicën e rasteve kam udhëtuar pasdite në atë vend dhe kam arritur që menjëherë të filloj takimet ose në raste të veçanta kam arritur në vende të caktuara në mëngjes, duke filluar menjëherë me agjendën zyrtare dhe asnjëherë nuk ka pasur mundësi që unë të vizitoj vendet të cilat do të duhej t’i vizitoja. Kohëve të fundit kam qenë në Japoni për dy ditë. Aty ka qenë një agjendë e plotë ditore gjatë një dite dhe ditën tjetër është dashur që të kthehem përsëri në Kosovë. Rrallëherë ndodh që të kem hapësirë sa i përket shfrytëzimit të kohës edhe për aktivitetet e tjera.
“Lajm”: Udhëtimet e shumta ju bëjnë që të jeni larg familjes. Sa keni kohë që t’i dedikoni familjes dhe fëmijëve?
Hoxhaj : Mjerisht shumë pak. Pjesa më e madhe e jona që jemi në politikë kanë shumë pak kohë për familjen, por unë synoj që ta koordinoj në agjendën time kohore sa herë që jam në Prishtinë dhe në Kosovë, përveç që të kaloj kohë me familjen time të ngushtë, po ashtu t’i vizitoj edhe prindërit, me të cilët jam shumë i lidhur, dhe meqë mua më ka rënë të jem shumë jashtë prej studimeve, për shkak të karrierës time akademike, dhe tash për shkak të aktivitetit tim politik, synoj që maksimalisht në vikendet e caktuara të jem pranë tyre ose të jem në një drekë apo darkë me anëtarët e familjes, qoftë edhe dy apo tri orë takim, vetëm e vetëm që ta plotësojmë zbrazëtirën tonë familjare.
“Lajm”: I keni dy fëmijë, Liri dhe Lea. Kush u ka vënë emrat fëmijëve tu?
Hoxhaj : Emrat kanë qenë propozim i të shoqes edhe pse kemi pasur debat shumë të gjatë për atë se si do të duhej t’i emërojmë, por vendimi përfundimtar ka qenë i saj. Janë dy emra që kanë shumë të përbashkëta edhe me gjuhën shqipe. Janë emra të gjuhës shqipe, por kanë edhe një peshë edhe përtej arealit gjuhësor shqiptar.
“Lajm”: Kur jemi tek emrat, kush ju ka vënë emrin tuaj ?
Hoxhaj : Emri im është propozim i prindit tim i cili ka pasur dhe ka një dashuri të veçantë për Shqipërinë, sikurse shumica e gjithë shqiptarëve që kanë jetuar në Ish-Jugosllavi në një kohë të shtypjes, të vetmin interesim që kemi pasur ka qenë Shqipëria. Ndërsa emri im flet më shumë për relacionin e familjes time me Shqipërinë dhe me vlerat patriotike që i kanë ndarë dhe i ndajnë qytetarët e Kosovës edhe sot e kësaj dite, se sa që flet për diçka tjetër. Është më shumë një orientim patriotik i atdhedashurisë sesa i një relacionit të caktuar me një emër të caktuar.
“Lajm”: Kemi kuptuar që djali i juaj Liri, është një adhurues i flaktë i Barcelonës dhe i futbollistit Lionel Messi. Për juve kush është sportisti dhe sporti më i preferuar ?
Hoxhaj : Pa dyshim futbolli dhe pa dyshim Barcelona është ekipi më i preferuar i imi, por edhe i Lirit, gjithashtu edhe i subjektit tim politik ku jemi. Ne shpesh e mendojmë që PDK-ja ka një të përbashkët me Barcelonën dhe e kemi pothuajse një vullnet të pathyeshëm sikurse e kanë lojtarët e Barcelonës, e kemi një besim të plotë në veten tonë si ekip, por të njëjtën kohë e kemi edhe një frymë të një loje fer me të tjerët e shoqëruar edhe me disiplinë dhe në të njëjtën kohë kemi edhe një pathyeshmëri në politikë, ashtu sikurse edhe Barcelona ka dëshmuar këto vitet e fundit, edhe kur Barcelona nuk ka qenë ndër ekipet më të fuqishme në futboll, por edhe kur PDK –ja nuk ka qenë në pozitë, ne kemi qenë edhe në atë kohë me Barcelonën. Kështu është një kontinuitet më i gjatë, nuk është vetëm një reagim për shkak të sukseseve të Barcelonës. Ndërsa sportisti im i preferuar pa dyshim mbetet vetë Lionel Messi.
“Lajm”: Gjatë fushatës elektorale keni pasur numrin 10. Ju e përmendet se Barcelona është ekipi juaj i preferuar, por edhe futbollisti më i mirë në botë Lionel Messi bart numrin 10. A ju ka asocuar me ndonjë gjë numri 10 apo ndoshta keni pasur inspirim nga Messi që keni këtë numër apo ndoshta djali juaj ju ka propozuar që të keni këtë numër?
Hoxhaj : Mendoj që mënyra kur të bëhen listat e deputetëve është një proces goxha kompleks dhe unë kam kërkuar nga kryetari i PDK-së, z. Hashim Thaçi që të jem i vendosur në numrin 10. Nuk kam bërë përpjekje që të lëviz më përpara në këtë listë. Natyrisht kuptohet se këtu ka pasur asocime. Do të thotë numri 10 është një lloj rangimi brenda për brenda partisë ku unë jam, por këtu ka pasur asocime me futbollin edhe me emrat e caktuar të lojtarëve në futboll. Lirit i ka bërë përshtypje që ta kem këtë numër, por edhe shumë shokëve, miqve dhe përkrahësve gjatë fushatës elektorale. Kanë ardhur me ide dhe propozime të ndryshme, sepse unë kam numrin 10, dhe kush të tjetër përveç Messit, kanë numrin 10, dhe për mua ka qenë një numër i mirë dhe i suksesshëm.
“Lajm”: Kur folëm për fëmijërinë. Të kthehemi edhe njëherë tek fëmijëria juaj e hershme. A mund të na zbuloni për lexuesit tanë se cila ishte lodra juaj e preferuar në kohën e fëmijërisë tuaj të hershme ?
Hoxhaj : Sikurse shumë fëmijë në moshën e hershme, për shkak të pozitës ku është shtëpia e prindërve, unë kam lozur shumë futboll dhe kam qenë shumë i lidhur me futbollin, kështu që lodra më e preferuar ka qenë topi. Përderisa mund të them se që në moshën e hershme kam lexuar shumë dhe kam qenë një lexues i pasionuar dhe që në shkollën fillore në klasën e 5-7 kam ndarë edhe një pjesë të kohës që të merrem me sport. Por nga klasa e 7 apo 8 deri në përfundimin e shkollës së mesme, mjeti më interesant që mua më ka sjell kënaqësi ka qenë libri dhe kam lexuar shumë, jo vetëm në fushën e letërsisë por edhe në fusha të tjera.
“Lajm”: Keni besuar gjatë fëmijërisë tuaj se ekziston babadimri?
Hoxhaj : Mendoj që në moshë të hershme si çdo fëmijë tjetër edhe unë kam besuar në ekzistencën e babadimrit në rolin dhe misionin e tij. Nuk mund të përmendi vitin dhe kohën se kur kam ardhur në përfundim se babadimri nuk ekziston
“Lajm”: A ju flisni fëmijëve tuaj për babadimrin ?
Hoxhaj: Përderisa ende bëjmë përpjekje që ta bindim vajzën tonë të vogël Lea, e cila është pesëvjeçare se babadimri ekziston, sjell dhurata dhe është për fëmijë, djali im, Liri, ka vite që ka një shpjegim më racional për mosekzistencën e babadimrit, sepse babadimri është më shumë një lloj inskenimi sesa që një gjë e vërtetë. Përpjekja jonë e vazhdueshme ka qenë që vajzën tonë, Lea, ta gëzojmë me figurën e Babadimrit.
“Lajm”: Të flasim pak për kohën e tanishme. A ndiheni më mirë tani si ministër i Punëve të Jashtme apo në kohën kur ishit ministër i Arsimit ?
Hoxhaj : Mund të them që arsimi për mua është një mision jetësor, meqë me përgatitje jam profesor universiteti dhe e shoh arsimin si kyç për emancipimin dhe modernizimin e shoqërisë për reformimin e Kosovës, dhe si mjet më të rëndësishëm që mund ta përgatisë Kosovën që të konkurrojë me vendet më të rëndësishme në botë dhe është ndër sektorët më të rëndësishëm. Ndërsa me politikë të jashtme, kam mbërri për shkak të edukimit dhe qëndrimit tim në Vjenë dhe Londër për disa vite, por edhe për shkak të pjesëmarrjes sime në procesin e negociatave ne Vjenë në kuadër të atij procesit, i cili është udhëhequr prej Ahtisarit, që solli edhe Pavarësinë e Kosovës. Në mes vitit 2005 -2007, unë kam qenë kandidati kyç nga PDK-ja, i cili ka marrë pjesë në të gjitha takimet që janë mbajtur në Vjenë. Një pjesë të madhe të kohës më është dashur të merrem edhe me politikë të jashtme. Politika e Jashtme ka një peshë edhe më të madhe për shkak të asaj që e kemi mundësinë ta prezantojmë interesin nacional të Republikës së Kosovës, ta promovojmë Kosovën si është, dhe në të njëjtën kohë të përfaqësojmë edhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, interesa këto politiko- ekonomike, arsimore dhe kulturore. Ajo çka është e përbashkët në të gjitha pozitat që unë kam, qoftë edhe në pozitën time të përhershme akademike është se unë jam një njeri i cili punon 15 orë në ditë, orari im i punës fillon shumë herët dhe përfundon shumë vonë, dhe duke përfshirë edhe vikendin synoj që të jep maksimumin nga vetja ime që t’u shërbej qytetarëve të Kosovës. Më shumë e shoh rolin dhe misionin tim në politikë si një shërbim ndaj qytetarëve të Kosovës sesa një vetëpërmbushje të ambicieve të mia.
“Lajm”: Si je ndier në momentin kur ka ndodhur skandali me ambasadorin Rus në OKB. Derisa ju po flisnit, ambasadori Rus ju ndërpreu, por pavarësisht sjelljes së tij, ju vazhduat fjalimin dhe në fund e përshëndetët atë. Në ato momente opinioni Kosovar e ka vlerësuar shumë sjelljen tuaj diplomatike dhe ju ka cilësuar si hero. Si jeni ndier ju në ato momente, por pastaj edhe me mirëpritjen nga Shqiptarët me mënyrën e reagimit tuaj ndaj ambasadorit në ato momente?
Hoxhaj: Misioni dhe puna e Ministrit të Jashtëm është shumë komplekse. Duhet të jesh shumë i përgatitur për çdo situatë dhe nuk mund të parashihet reagimi i të tjerëve meqë ke të bësh me një fushë më të gjerë përtej Kosovës, me njerëz të profileve dhe interesave të ndryshme. Detyra ime si ministër i Punëve të Jashtme është që edhe kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës edhe shtetet të cilat nuk kanë qëndrim miqësorë ndaj Kosovës, ta trajtojnë pozitivisht Kosovën. Në Këshillin e Sigurimit situata që kam pasur me ambasadorin Rus, ka qenë një situatë e cila nuk kam pasur dëshirë që të ndodhë, por për neve është më rëndësi që ta kemi mbështetjen edhe të shtetit të tij dhe që Republika e Kosovës të anëtarësohet në OKB. Në ato momente kur unë kam qenë duke prezantuar qëndrimin e Republikës së Kosovës në OKB, në një konferencë shtypi, ka qenë një ndërhyrje nga ana e tij, dhe më është drejtuar me atë që unë nuk kam të drejtë të flas në OKB dhe përgjigjja ime ka qenë e prerë, që unë jam ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, dhe Kosova është një shtet i pa varur e sovran, dhe unë si ministër kam të drejtë të flas në emër të këtij vendi kudo në botë qoftë në Nju Jork qoftë në qendrat e tjera . Unë kam pasur takime të njëpasnjëshme në atë kohë, dhe nuk kam arritur t’i shoh as mediet se si kanë arritur të pasqyrojnë një ngjarje të tillë.
“Lajm” : Momenti më i dashur në karrierën tuaj politike ?
Hoxhaj: Pa dyshim 17 shkurti, dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Momenti kur unë kam vendosur nënshkrimin tim, unë kam pasur mundësinë që të kem një lloj rikthimi jo individual, por një lloj rikthimi kolektiv të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe aspiratës së tyre për shtet, të vuajtjeve të tyre, sakrificës dhe çmimit shumë të lartë që kemi paguar si popull për Pavarësinë e Kosovës, dhe aspiratës që ky popull të jetë vendi, të jetë pjesë e familjes dhe popujve perëndimorë të lirë.
“Lajm”: Sa gjuhë të huaja flisni?
Hoxhaj : Unë, përveç gjuhës shqipe flas edhe gjuhën angleze dhe gjermane, jo vetëm në kuptimin e një shkrimi të thjesht por edhe të një kuptimit të mirëfilltë akademik. Kuptoj në mënyrë pasive edhe Frëngjisht dhe Rusisht. Rusisht kam mësuar në shkollë fillore dhe të mesme, ndërsa po ashtu gjatë studimeve në Vjenë kam mësuar edhe gjuhen latine dhe Greqishten e Vjetër.
“Lajm”: Keni shumë udhëtime zyrtare dhe thatë se këto udhëtime përfundojnë si të tilla. Por, jashtë udhëtimeve zyrtare, cili është vendi i preferuar për ju, për një vizitë dhe vikend ?
Hoxhaj : Pa dyshim që vendi më i preferuar për mua dhe familjen time është Shqipëria. Aty e ndiej veten më së miri, një vikend 2 apo 3-ditor, e sidomos tash pas përfundimit të një pjese të autostradës të rrugës së Kombit, realisht hapësira kohore e shkurt e bën të mundshme që të shijohet edhe më mirë.
“Lajm”: Urimi për festat e fundvitit?
Enver Hoxhaj : Ju faleminderit shumë. Ju uroj edhe juve edhe lexuesve të gazetës “Lajm” dhe mendoj se lajmi ka bërë një punë shumë të mirë. Suksese në punë.
Me pelqeu shume kjo interviste.Ishte nje bisede shume e ciltert dhe e ngrohte.Kjo interviste me dha mundesine te njihem me nje personalitet e burre te mencur te Kosoves.I eshte gjendur punes njeriu i duhur,me kulture,sjellje,aftesi profesionale dhe mbi te gjitha me dashurine dhe perkushtimin e duhur per atdheun e tij.I uroj nga zemra shume suksese ne detyren e tij shume te rendesishme ne rrethanat historike qe po kalon Kosova jone.
Edhe nje note tjeter optimiste nga ky bashkebisedim publik:Zoti Minister! Degjojeni dhe konsultojeni me shpesh bashkeshorten,qe per fatin tuaj te mire e paskeni me te gjitha virtytet dhe aftesite e kerkuara,e mbi te gjitha specialiste per marredheniet me publikun.Sot kjo fushe ka rendesi te madhe,sidomos lidhja me popullin tend e me hallet e tij dhe kthimi i kokes kurdohere pas per te mos e harruar te kaluaren,vleresuar te sotmen e per ta hedhur veshtrimin me sy me te kthjellet drejt te ardhmes me te mire.
Bashkim Pitarka
Diplomat ne pension