Vetvendosje: Dhuratat e “Nanadimrit”

4 Janar 2012, 13:38Rajoni TEMA

Lëvizja Vetëvendosje nuk e la vetëm me “Hashimdimrin”. Kësaj radhe, kjo lëvizje u “kap” me “Nanadimrin”. E kjo, sipas tyre, është zv/kryeministrja Edita Tahiri.

Përmes një komunikate për medie, Vetëvendosje ka bërë një përmbledhje me të gjitha “dhuratat” e “Nanadimrit” që gjatë vitit 2011, përmes negociatave me Serbinë, i dhuroi popullit të Kosovës.

Vetëvendosje, duke i radhitur raundet e bisedimeve Kosovë-Serbi, e nis që nga ai i pari, duke kujtuar “dhuratën” e parë për Kosovën.

“Edita Tahiri i nisi negociatat me Serbinë që ende nuk na ka njohur. Serbia nuk u kushtëzua për asgjë nga Kosova ndërkohë që me negociata po i lehtësohet rruga për në BE. Negociatat nisën duke e shpërfillur Kuvendin e Kosovës”, shkruan Vetëvendosje.

 

Ndërkaq, më pastaj pasuan raundet tjera, që sipas Vetëvendosjes, vetëm sa shtoheshin tema të reja (telekomunikacioni dhe energjetika), ndërsa për temat e raundit të parë (regjistri civil dhe librat kadastral), sipas Vetëvendosjes, “Edita Tahiri fillon të lëshojë pe dhe shprehet e gatshme që Kosova t’i pranojë vetëm kopjet”, ndërkaq që, gjithnjë sipas Vetëvendosjes, “pala serbe mbetet në qëndrimin fillestar: origjinalet e regjistrit civil dhe librave kadastralë mbesin në Serbi”.

Në raundin e III-të, që u mbajt më 15 prill 2011, “kartat e identitetit, pasaportat, sigurimi i veturave, patentë-shoferët dhe tabelat e veturave, të gjitha këto çështje të brendshme të Kosovës, bëhen tema në negociata”.

Më pas, në raundin e IV-të, sipas Vetëvendosjes, “negociatave u shtohen edhe dy tema: personat e pagjetur dhe trashëgimia kulturore e Kosovës”.

“Ajo çka do të duhej të ishte një prej kushteve për të negociuar me Serbinë (kthimi i personave të pagjetur) bëhet temë e negociueshme!”, thekson Vetëvendosje.

Në raundin e V-të, të mbajtur më 2 korrik të vitit të kaluar, u arritën marrëveshjet e para në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. “Kjo e fundit kishte refuzuar kategorikisht çfarëdolloj marrëveshje që njeh shtetësinë e Kosovës. Në të gjitha marrëveshjet (në atë për regjistrin civil, lëvizjen e lirë dhe pranimin e diplomave universitare), Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga të gjitha elementet e shtetësisë dhe sovranitetit për Kosovën. Detajet e marrëveshjeve, sikurse i gjithë procesi negociator, u mbajtën të fshehta nga qytetarët e Kosovës – sot e atë ditë!”, vlerëson Vetëvendosje.

“Dhurata” e VI-të, sipas Vetëvendosjes, është fakti që “Qeveria e Kosovës i la vulat doganore pa Republikë të cilën e hoqi edhe nga dokumentet e tjera përcjellëse”.

“Ndërkohë që në veri të vendit vriteshin e plagoseshin policët shqiptarë, megjithë faktin që edhe vetë Hashim Thaçi deklaroi se dhuna e strukturave paralele në veri është e orkestruar nga shteti i Serbisë, ndaj këtij shteti u bënë kompromise të reja në kurriz të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës”, thekson kjo lëvizje.

Në raundin e VII-të të bisedimeve Kosovë – Serbi, negociatat vazhduan mbi marrëveshjet e arritura gjatë raundeve të kaluara, ku, sipas Vetëvendosjes, u diskutuan “edhe marrëveshjet që u arritën më vonë për çështjen e kufijve”.

E në raundin e VIII-të, që u mbajt më 30 nëntor 2011, Vetëvendosje thotë se, edhe pse Tahiri kishte deklaruar se me Serbinë nuk do të negociohej çështja e doganave dhe kufijve, kjo gjë nuk ndodhi.

“Ndonëse vetë Edita Tahiri kishte deklaruar që me Serbinë nuk do të negociohen çështjet e doganave dhe kufijve, në këtë raund Qeveria e Kosovës e bëri kompromisin e radhës duke hequr dorë edhe më tutje nga shtetësia e Kosovës. Kufiri shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shndërrua në kufi administrativ ndërsa pikat kufitare në pika kaluese”, vlerëson në fund lëvizja Vetëvendosje, duke numëruar kështu “dhuratat” e “Nanadimrit”. /Zëri/

1 komente në “Vetvendosje: Dhuratat e “Nanadimrit””

  1. Cakalli7 says:

    cfare te beje edhe mahmudija ashtu i ka thene ameriqia

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje