Prishtina: Rruga e Kombit mundëson pjesëmarrjen në Superligën shqiptare

7 Janar 2012, 11:45Sport TEMA

“Duke pasur parasysh rrjedhat e fundit politike dhe sociale në rajonin tonë, sidomos në Kosovë, si dhe pamundësinë e zhvillimit të ndeshjeve të mirëfillta dhe mundësisë për të paraqitur klubin tonë edhe në garat ndërkombëtare kërkojmë nga Federata shqiptare e Futbollit që të shqyrtojë mundësinë e inkuadrimit të klubit tonë në Kategorinë Superiore të Shqipërisë në futboll. Kërkesën e mbështesim duke u bazuar në pamundësinë e zhvillimit të aktivitetit tonë ndërkombëtarë tani e 13 vite nga përfundimi i luftës në Kosovës.Duke pasur parasysh që FC Prishtina ka një numër të konsiderueshëm të lojtarëve të cilët mund t’i përmbushin kriteret për t’u promovuar në arenën ndërkombëtare, dhe për këtë kanë dhënë dëshmi duke luajtur prej sa vitesh në shumë skuadra të Shqipërisë. Getoizimi i sportit e veçanërisht i futbollit në Kosovë, ka bërë që shumë talente të futbollit të mbesin pa përspektivën e duhur dhe duke shkuar drejt shuarjes së tyre.

Prishtina është një ndër kontribuesit e kombëtares së sotme të Shqipërisë në futboll. Prej këtij klubi kanë dalë anëtarët e sotëm të kombëtares si Debatik Curri e Armend Dallku. Interesimi për kombëtaren dhe për vetë kategorinë Superiore të Shqipërisë, në Kosovë ka qenë në rritje sidomos në vitet e fundit.

FC Prishtina së fundi ka angazhuar një trajner gjerman, Ëolfgang Jerat me qëllim të rritjes së performancës së ekipit dhe duke u përgatitur që një ditë të jetë e përfaqësuar në arenën ndërkombëtare.

Mungesa e angazhimit të mjaftueshëm të faktorit politik kosovar, si dhe mangësitë e Federatës së futbollit të Kosovës janë duke ndikuar negativisht në perspektivën e futbollit dhe kjo mundësi e Federatës tuaj do ta rriste perspektivën e zhvillimit të talenteve në trevat tona. FC Prishtina ka kapacitete të mjaftueshme financiare dhe njerëzore (trajnerë dhe futbollistë) që të mund t’i përballojë në të njëjtën kohë angazhimet në Kategorinë Superiore të Shqipërisë dhe me ekipin e saj të dytë në Superligën e Kosovës. Mendojmë se këtë mundësi na e favorizon edhe hapja e rrugës së kombit (Prishtinë – Tiranë), duke krijuar lehtësi të komunikimit dhe infrastrukturës rrugore të udhëtimit.

Jemi të gatshëm t’i plotësojmë të gjitha kërkesat të cilat dalin nga rregullorja e licencimit të klubeve të FSHF-së. Shpresojmë se kërkesa jonë do të ketë një trajtim meritor dhe të bazuar në interesin e përbashkët kombëtar, social dhe zhvillimit të futbollit në trevat shqiptare, si dhe rritjes së mundësisë të përfitimeve edhe nga kombëtarja shqiptare”.

Futbolli në Kosovë, kampion me buxhet 110 mijë euro

Edicionin 2010/2011 Prishtina që ka kërkuar të anëtarësohet në FSHF ka shpenzuar pak mbi 200 mijë euro. Prishtina është klubi që harxhon më shumë në Kosovë.  Buxheti i klubeve të tjera kosovare është dukshëm më i vogël nga ai që e deklaron Prishtina. Kampioni në fuqi i Kosovës, Hysi, edicionin e kaluar kur arriti të shpallej kampion, shpenzoi rreth 110 mijë euro. Drejtues tjerë të Hysit kanë bërë të ditur se buxheti për edicionin 2011/2012 është më i vogël se ai i edicionit të kaluar. Hysi vlerësohet ndër klubet më stabile financiarisht në vend. Në Shqipëri, buxhetin më të lartë aktualisht e ka Skënderbeu që mendohet se harxhon rreth 1 milionë euro në sezon.

Federata e Kosovës, pesimiste!

Në FSHF e kanë mirëpritur kërkesën dhe kanë premtuar angazhim maksimal për realizimin e saj, ndërsa në FFK kanë pohuar se liga e përbashkët është vetëm një ëndërr, të paktën deri në pranim të saj në FIFA e UEFA. Sipas drejtuesve të futbollit kosovar, FIFA e UEFA nuk do të lejonin krijimin e ligës së përbashkët, pa u anëtarësuar FFK-ja në këto dy asociacione./ Sport Ekspres

4 komente në “Prishtina: Rruga e Kombit mundëson pjesëmarrjen në Superligën shqiptare”

  1. xhoni, says:

    Kerkesa e ekipit te futbollit te PRISHTINES eshte jo vetem e mundeshme per t’u realizuar,se ka edhe precedente te kesaj natyre ne Europe,por eshte edhe nje obligim KOMBETAR!!!FSHF-ja ne se nuk e ben,doemos ketu hyn KORRUPSIONI!!!!

  2. Tironci Lugano says:

    Nuk shoh asnje arsye qe skuadra e Prishtines te mos pranohet ne Kampionatin tone Kombetar.Kjo gje do ishte pozitive dhe fotbollin tone.Ngelet per tu pare reagimi i Dukes.

  3. raimondi says:

    Absolutisht Skuadra e Prishtines duhet te jete Pjese e kampionatit tone
    dhe ne presim me dashuri jo vetem skuadren e Prishtines ,por gjithe skuadrat e Kosoves.

    —Te behet tamam kampionat Shqiptar i vertete,dhe do kete me te vertete kompeticion talentesh

    Hajde urime kampionatit te perbashket shqiptar !

    –Partia Aleanca Kuq e Zi kur te behet Parti parlamentare ,do fitoje shumicen ne[parlament
    dhe atje te kerkoje Bashkimin Kosove-Shqiperi,se jemi vonuar shume ,dhe nuk pret me koha ….

  4. afrimi says:

    Jo vetem Prishtina por edhe 5 klube futbolli te tjera te pakten do te perbenin kampionatin e vertet shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje