PROVAT: Pse e regjistroi Metën Prifti dhe pse video është origjinale dhe e patjetërsueshme

9 Janar 2012, 22:25Politika TEMA
PROVAT: Pse e regjistroi Metën Prifti dhe pse video është

Prokuroria arrin të faktojë videon duke përdorur rrethanat e dëshmitë, por rrëzon ekspertizën shqiptare të saj, e cila është vetëm spekulim. Organi i akuzës argumenton se video nuk ka ndërhyrje dhe është origjinale. Prokuroria e përdor videon si provë në pretencë dhe thotë se origjinaliteti i saj dëshmon edhe vërtetësinë e dëshmitarit Dritan Priftit. Lexoni të gjithë argumentet e prokurorisë

 

Ekspertët shqiptarë do marrin 35 mijë dollarë për punën e bërë për videon Meta- Prifti, e cila nga prokuroria cilësohet si joprofesionale. Në pretencën e përgatitur nga prokurorët thuhet se video është origjinale, përsa kohë që ekspertët nuk kanë provuar të kundërtën.

Në fillimet e pretencës, prokurorët tregojnë se përse Dritan Prifti u detyrua që të regjistrojë kryetarin e LSI, Ilir Meta duke bërë presione për ryshfet. Më pas prokurorët shpjegojnë se si është regjistruar video, se si është ruajtur dhe nuk është prekur aspak nga Dritan Prifti. Prokurorët thonë se kanë të drejtë të përdorin videon si provë për sa kohë që gjykata ua ka dhënë atyre në dispozicion pikërisht për këtë çështje. Prokurorët po ashtu argumentojnë se është diletante mënyra se si ekspertët shqiptarë janë shprehur për videon, pa thënë për asnjë moment se ajo nuk është origjinale, por vetëm duke hedhur aludime aspak shkencore.

 

Presioni për të regjistruar videon

Në hyrje të pretencës sqarohet se përse Dritan Prifti e regjistroi videon pasi situata u bë e padurueshme.

“Në dëshminë e tij, të dhënë përpara gjykatës, shtetasi Dritan Prifti sqaroi arsyet që e shtynë të bënte regjistrimin e bisedës me Ilir Metën duke shpjeguar se: “Që nga shkurti i vitit 2010 deri në fund të detyrës sime si ministër nuk mbaj mend ndonjë takim që kam bërë me Ilir Metën, gjatë të cilit nuk është bërë një kërkesë për një favor, për një tender, për një ankand, për një koncesion, për një privatizim, pra u kthye në një marrëdhënie vetëm kërkesash dhe u bë një marrëdhënie shumë stresonte dhe e bezdisshme, sepse unë nuk kisha mundësi që kërkesat e tij të paligjshme t’i zbatoja dhe t’i realizoja. Në këto kushte unë vendosa që të kisha një provë të kësaj marrëdhënie dhe prandaj kam bërë regjistrimin, të cilin e kanë parë të gjithë shqiptarët të shfaqur mediatikisht në zyrën time. Pas një telefonate që Ilir Meta më bën për tu ankuar për një shkëmbim SMS-je me një person të caktuar, ai më thotë se po vij tek zyra jote, për të biseduar diçka sepse jam për të ikur në aeroport për një rrugë jashtë shtetit. Unë vendosa që këtë bisedë, që do të bëhej në zyrën time, ta regjistroja, për të pasur një provë të marrëdhënieve të mia me zotin Meta”,” thuhet në pretencë.

“Analiza e tablateve telefonike të shtetasit Dritan Priti vërteton këtë rrethanë fati të dëshmuar prej tij, pasi më datën 01.03.2010, në orën 10:59 dhe në orën 13:16, i pandehuri Ilir Meta i ka telefonuar atij. Po ashtu edhe procesverbali i datës 02.05.2011, për këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve nga sistemi TIMS, konfirmon faktin e daljes së të pandehurit Ilir Meta jashtë shtetit më datën 01.03.2010, ora 13:57,” vijon më tej pretenca.

 

Videoja pranohet si provë

Prokurorët kanë arritur të vërtetojnë origjinalitetin e videos duke përdorur rrethanat, tabulatet telefonike dhe dëshmitarët. Por ata po ashtu kanë argumentuar se edhe nga pikëpamja teknike, video është e paprekur. Ata thonë se edhe vetë gjykata e ka pranuar videon si provë e vlefshme proceduralisht.

“Këtë regjistrim audioviziv, dëshmitari Dritan Prifti e ka kryer nëpërmjet një pajisje joprofesionale të kamufluar në  një orë tavoline dhe e ka shkarkuar menjëherë në laptopin e tij personal, sapo e ka ndërprerë regjistrimin, pasi i pandehuri Ilir Meta është larguar nga zyra e tij. Origjinali i kësaj videoja ndodhet në laptop dhe në USB, të pranuara nga gjykata si prova materiale. Dokumenti video, i ndodhuri në laptop në fajlin e emërtuar c:user Dritan Priftit/PITC 0008.avi… është vlerësuar nga gjykata si provë e vlefshme proceduralisht, me vendimin e ndërmjetëm të datës 11.07.2011, me të cilin ajo ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për papërdoshmëri të videoregjistrimit,” thuhet në pretencë.

Për më tepër, prokurorët argumentojnë se mund ta përdorin videon si provë për shkak se ekspertët kanë ofruar një version të videos, të pastruar për tu dëgjuar më mirë.

“Ekspertët, në faqen 22 të aktit të ekspertimit janë shprehur se: “Teknikisht u krijuan disa kopje, mbi të cilat u aplikua një gamë e gjerë filtrash me karakteristike të ndryshme me disa software profesionalë. Bashkangjitur keni kopjen e filtruar më mirë të sinjalit audio të bisedës Meta- Prifti”. Ky akt ekspertimi, i cili i bashkëngjitet si pjesë integrale, kjo CD me kopjen e pastruar të bisedës është pranuar dhe marrë si provë nga gjykata me vendimin e saj të datës 14.11.2011, në të cilin citohet tekstualisht: “Të pranohet dhe të administrohet si provë akti i ekspertimit i hartuar nga ekspertët e caktuar nga kjo gjykatë”, kjo në faqen 32 të procesverbalit. Ne mendojmë se është një e drejtë e gjykatës që të çmojë nëse do ta dëgjojë atë në sallë publikisht apo do ta dëgjojë në dhomën e këshillit apo nuk do ta dëgjojë fare përmbajtjen e saj, por një vendim i tillë nuk mund të na e heqë ne të drejtën për të përdorur këtë provë në mbështetje të akuzës në konkluzionet tona. Për më tepër që një kopje e aktit të ekspertimit së bashku me CD-në, e cila përmban regjistrimin e bisedës, i janë vënë në dispozicion palëve nga ekspertët sipas urdhërimeve të vetë gjykatës,” shprehen prokurorët.

 

Në video nuk ka pasur ndërhyrje

Prokurorët thonë se ajo çka kanë ofruar prokurorët ka qenë më shumë një spekulim se një argumentim shkencor. Ata thonë se dëgjohet një tik-tak i ndryshëm në video, çka po sipas tyre lë shtigje për interpretime, por nuk fakton ndërhyrjen në video.

“Nga tërësia e rrethanave të çështjes, të vërtetuara në rrugë gjyqësore, por edhe nga përmbajtja e aktit të ekspertimit teknik, rezultoi se kjo video ishte origjinale dhe e patjetërsueshme. Kërkesa kryesore e vendimit të gjykatës për kryerjen e ekspertimit teknik ishte: “nëse videoja objekt ekspertimi me materialin audioviziv të bisedës mes subjekteve Ilir Meta e Dritan Prifti, e ndodhur në laptopin provë materiale, ka apo jo ndërhyrje në përmbajtjen e tij video e audio, në kuptimin e fshirjes apo montazhit të këtij regjistrimi dhe nëse po, ku konsistojnë këto ndërhyrje?” Ekspertët duke mos gjetur në rrugë shkencore asnjë detaj të fshirjes apo montimit të videos, u shprehën vetëm se: “deformimet anormale të kurbës së sinjalit në pikat e mësipërme i çojnë në përfundimin se probabiliteti i ndërhyrjeve të mundshme rezulton të jetë shumë i madh”. Në këtë përfundim jo kategorik dhe as shkencore, këta ekspertë arritën vetëm për shkak se sipas tyre “në minutën 11:25 konstatohet një spektër gjurmë e ngjashme me një tik-tak (tepër) jo në harmoni me tik-taket e tjerë”, në një kohë që siç deklaruan vetë përpara gjykatës në përgjigje të pyetjeve tona “tik-taku i tepërt” mund të ishte edhe ndonjë zhurmë nga jashtë regjistruesit apo edhe ndonjë defekt i mekanizmit të orës që kamuflonte regjistruesin, duke pranuar kështu pasaktësinë e përfundimit të tyre,” argumentojnë prokurorët.

 

Origjinaliteti i videos konfirmon vërtetësinë e Priftit

Duke argumentuar se video është origjinale, prokurorët thonë se një fakt i tillë konfirmon vërtetësinë e thënieve të dëshmitarit Dritan Prifti.

“Që kjo video është origjinale dhe e patjetërsuar, u vërtetua gjatë shqyrtimit gjyqësor. Rezultoi e provuar me deklarimet e dëshmitarit Dritan Prifti se ai e ka hedhur (shkarkuar) videon nga ora-kamera në laptop menjëherë sapo ka përfunduar regjistrimin. Gjithashtu kohëmatësi i videos dhe ora e biosit në laptop përputhen dhe tregojnë datën 01.03.2010 dhe orën 13.33. Po kështu ky fajl, siç del edhe nga akti i ekspertimit, ka vetëm një datë modifikimi, atë 01.03.2010, ora 01.33 p.m. Pra, rezulton saktësisht e vërtetuar që të mos jetë hapur as për tu parë më pas e jo më të jetë ndërhyrë në të. Ekspertët vetë, duke iu përgjigjur pyetjes sonë, u shprehën se duhet një kohë e caktuar për të ndërhyrë në video, nëpërmjet kompjuterëve dhe programeve, kohë e cila, siç vërtetohet, mungon në këtë rast.

Këto fakte provojnë jo vetëm origjinalitetin e videos, por edhe konfirmojnë gjithashtu vërtetësinë e thënieve të dëshmitarit Dritan Prifti për këtë moment të dëshmisë së tij,” thonë prokurorët.

“Rrethanat e tjera që jepen në aktin e ekspertimit, për hapje të latopit më datë 01.02.2011 apo futje të USB-ve në data të tjera dhe me emra të tjerë nuk kanë asnjë lidhje me çështjen dhe nuk paraqesin asnjë interes për vërtetësinë e videos. Ato, vetëm sa janë shfrytëzuar në mënyrë jo korrekte për të hedhur dyshime për procesin. Laptopi mund të jetë hapur për arsye më të ndryshme, por dokumenti i administruar në fajlin c:users/Dritan Prifti/PITV 0008.avi, i cili gjendet në laptop dhe përmban videon origjinale, është ruajtur i pacenuar si gjatë fazës së hetimeve paraprake, ashtu edhe në hetimin gjyqësor, duke iu dhënë në dispozicion edhe vetë ekspertëve kopje të klonuara të hard diskut të laptopit, pikërisht për të mos ndërhyrë në dokumentin origjinal.”

7 komente në “PROVAT: Pse e regjistroi Metën Prifti dhe pse video është origjinale dhe e patjetërsueshme”

  1. Goni says:

    do ta beje kurban Meten vucidolsi..qe te mbuloje te vetat ,jo se verte merret me korrupsionin ..prokuroria shqiptare eshte vetem estrade qe ka regjisor Saliun e Ram malokut

    1. Salisuma says:

      Fullanka nuk ka bythe te nxjerre nga burgu Ilirin. Nese e ben, ka mbi koke rrezikun per nje burg te rende per vehten dhe hapjen e dosjeve plot me dallavere te Guvernatorit me te cilin ndan shtratin, por jo seksin.

  2. asso says:

    e cfare ka rendesi qe jepen kaq detaje kur eshte e sigurt qe ai me 16 merr “triumfin”!!!!Po te pakten te shpallet dite zije kombetare per gjyqeson shqiptar dita e dhenies se pafajesise se Metes se eshte dita kur humb shpresen cdo shqiptar se hapet drita jeshile per Shqiperine jo vec ne BE!!!!!E cfare jane 12 rekomandimet e BE, ligjet me 3/5, e bla bla bla, kur keto ligje “zbatohen” kaq “mo ta mo”!!!!!Cdo kush duhet ta pickoj veten fort deri ne dhimbje qe te kuptoj se ku kemi mberritur!!!!!!

    1. bujar hoti says:

      Pelqej opinionet ;ME PAKE FjALE,,,,;pershendetje

  3. arian says:

    meta do denohet dhe iken nga skena politike sala e ka ditur videon dhe e lejoi priftin ta publikonte per ta heq qafe me lezet

  4. BUJAR HASANI says:

    Mendoj se do kete nje dite DREJTESIE edhe tek ne …Ata qe spekullojne me Shtetin para ligjit dhe prapa hekurave….shpresoj dhe besoj……

  5. BUJAR HASANI says:

    Ata qe spekullojne me Shtetin “para ligjit dhe prapa hekurave”shpresoj dhe besoj se do kete nje dite DREJTESIE edhe tek ne…..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje