Për një atdhedashuri të re, kundër anarkisë patriotike

11 Janar 2012, 22:02Politika TEMA

Nga Enver Robelli

Në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët, kudo që jetojnë, do të duhej që këtë periudhë jubilare ta shfrytëzonin për reflektim kritik mbi anarkinë e përgjithshme në të cilën jetojnë dhe jo duke u shfryrë me nacionalizëm parak dhe tundje të flamujve, sepse kjo nuk do t’ua kthejë as dinjitetin e shkelur, as nuk do t’u sjellë mirëqenie

 

Ka disa muaj që shqiptarët, kudo në Ballkan, po joshen nga popullistë të rinj e të vjetër me një produkt tepër të lirë: patriotizmin folklorik. Ky biçim patriotizmi po vendoset në tezga të ndyra, po mbështillet me flamuj kombëtarë të vegjël e të mëdhenj, po stërstoliset me shenja kombëtare bash ashtu siç pispilloset, ta zëmë, një valltare e klubeve të natës në kërkim të ndonjë myshteriu të dehur. Në kushte të lirisë është lehtë ta shndërrosh patriotizmin në sport, të paraqitesh si pronar i licencës për dashuri ndaj atdheut, të trumbetosh një lloj monopoli ndaj të ashtuquajturave vlera kombëtare. Thirrjet e serta në stilin “ne jemi 10 milionë”, me të cilat synohet të tregohet se edhe shqiptarët dinë të tregojnë muskujt, janë vetëm një kopje e keqe e parullës së nacionalistëve serbë “nas i rusa – 300 miliona” (“ne dhe rusët 300 milionë”). Dalldia e patriotizmit folklorik me gajtanë e xhamadanë tregon se shqiptarët askund në Ballkan nuk janë ende sa duhet të pjekur për t’u ballafaquar me problemet reale. Pasi nuk kanë as guxim, as vetëdije qytetare, as gatishmëri për të luftuar për drejtësi ligjore dhe sociale, shumica e shqiptarëve kanë zgjedhur rrugën e lehtë: kalojnë kohën në kafehane ose para televizorit duke dëgjuar herë këngë gjaknxehta, herë duke shikuar teatrin e përditshëm politik.

Në vitin 1924 Fan Noli në një fjalim të mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë kishte numëruar disa anarki, të cilat e vështirësonin ose e bënin të pamundshëm zhvillimin e shëndoshë të shoqërisë shqiptare. Si është puna sot?

 

Anarkia politike: 100 vjet pas Pavarësisë dhe 20 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri klasa politike mbetet e polarizuar dhe e kurthuar në konflikte personale dhe në ballafaqim e luftë për kontroll të resurseve publike. Nepotizmi, korrupsioni, manipulimet mbesin prodhimet kryesore të fabrikës politike shqiptare. Vetëm në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoninë shqiptare ende nuk ka zgjedhje të lira. Ende vidhen votat. Vetëm në këto vise kundërshtari politik shpallet armik dhe vritet. Duhet të jenë me dhjetëra kundërshtarë politikë të vrarë që nga viti 1990 e këtej – nga dora e shqiptarit. Polarizimi ekstrem ka çuar në paralizimin e sistemit politik, i cili nuk është në gjendje të marrë asnjë vendim në të mirë të Shqipërisë pa kaluar nëpër drama të mëdha dhe pa ndërhyrjen e misionarëve ndërkombëtarë. Gjendja në Kosovë nuk dallon shumë, sepse për çdo ditë po kopjohet modeli i kanibalizmit politik të Tiranës. Përballë kësaj situate nuk duhet pritur aspak respekt nga të huajt për dinjitetin politik të një shoqërie dhe të republikave me shumicë shqiptare në Ballkan. Këtë e tregojnë edhe paraqitjet e shpeshta mediale të diplomatëve në Tiranë e Prishtinë: ata nuk flasin me zë të qetë, por bërtasin e qortojnë me vokabular jodiplomatik, sepse jo vetëm atyre u ka ardhur te hunda kjo anarki.

 

Anarkia ekonomike: Shqiptarët në Shqipëri e Kosovë dhe gjetiu në viset e banuara prej tyre edhe 100 vjet pas Pavarësisë shqiptare janë kryesisht konsumatorë të prodhimeve të huaja, pasi vetë nuk prodhojnë gati asgjë. Ekonomia e tregut, heqja e barrierave doganore, konkurrenca e lirë është një e arritur e botës së përparuar dhe nuk duhet të kundërshtohet, por të përvetësohet. Por një shoqëri që importon madje edhe qumësht dhe jogurt, biskota dhe gjalpë, siç është kjo shqiptare, një ditë do të importojë edhe bërllokun e të tjerëve. Kjo tashmë është miratuar nga Parlamenti në Tiranë. Një shoqëri e cila lejon që ekonomia t’i plaçkitet nga biznesmenë të nëntokës dhe të privatizohet çdo gjë, nesër nuk do të jetë as pronare e ajrit. Një shembull frikësues na e ofron Kosova, ku një bandë lokale dhe ndërkombëtare në bashkëveprim prej vitesh privatizojnë e tjetërsojnë pronën shoqërore – pa koncept, pa ide, pa plan, pa strategji. Fitimi ndahet në stilin “aksham-pazari”. Një shembull tjetër është shkatërrimi i organizuar kriminal që po i bëhet prej vitesh natyrës, e sidomos vijës bregdetare, në Shqipëri – jo nga një dorë e padukshme armiqësore, por nga njerëzit e pushtetit, nga familjarët e tyre, nga biznesmenët e pasuruar brenda natës.

 

Anarkia sociale: Shqiptarët kudo në Ballkan janë më të varfrit mes popujve të kontinentit të vjetër. Ndryshimet kaotike të dy dekadave të fundit kanë krijuar një shtresë të hollë tepër të pasur dhe një shumicë që duhet të mbijetojë me rroga që s’janë më shumë se lëmoshë. Dallimi është ekstrem, fyes, i trishtueshëm për një shoqëri: shtresa e mafiozëve dhe politikanëve pa ndjenja humane çlodhet në resore të shtrenjta pushimi të rivierës turke dhe shkollon fëmijët në shkolla private, larg “popullit të pistë”, derisa pjesa dërmuese e qytetarëve duhet ta korruptojnë mjekun që t’ua trajtojë fëmijët e sëmurë, duhet të çojnë fëmijën në shkolla publike, ku dominon dhuna dhe mungesa e kompetencës sociale nga personeli arsimor i lënë pas dore me vite. Kompetenca sociale e një shoqërie shihet në raport me të varfrit. Ndër shqiptarë as që ekziston një vetëdije për përmasën e mjerimit.

 

Anarkia mediale: Mediet shqiptare, në Tiranë e Prishtinë e gjetiu në viset shqiptare, me ndonjë përjashtim, janë vetëm tribunë e popullizmit dhe joprofesionalizmit, jo arenë e luftës së ndershme dhe të pakompromis për emancipim shoqëror. Pothuaj për çdo ditë shohim një horrllëk medial, një aleancë politiko-gazetareske në mbrojtje të krimit, ku gjithçka vihet në shërbim të ruajtjes së interesave të një krahu politik apo tjetrit, të një tarafi apo grupi mafioz. Në këtë rrëmujë interesi i përgjithshëm shoqëror nuk ka vend! Shumica e medieve, e veçanërisht ato që mbahen me shpallje e reklama të pushtetit, shpesh përdoren e keqpërdoren për qëllime të ngushta, egoiste, ndonëse me vetë faktin se e tundin flamurin e informimit të opinionit do të duhej të ishin të kujdesshme në ruajtjen e disa parimeve publicistike bazë. Në këtë anarki sot mbrohet manipulimi i tenderëve dhe vjedhja e arkës së shtetit, nesër u këndohet në kor bëmave të Skënderbeut. Ka edhe më zi: dalin gazetarë e politikanë të korruptuar deri në fyt dhe thonë se e kanë idhull Hasan Prishtinën, i cili dhuroi krejt pasurinë për çlirimin e vendit të tij.

 

Anarkia me imazh: Secili shqiptar që sot del në Evropë mund të bëjë testin e imazhit, kur një i huaj e pyet prej nga vjen. Mund të thotë nga Shqipëria dhe tjetrit do t’i shkojë mendja te mafia. Mund të thotë nga Kosova dhe tjetrit do t’i shkojë mendja te krimi e banditizmi, i përhapur prej vitesh nga grupe plaçkitësish anekënd kontinentit të vjetër. Derisa kombet e tjera bëjnë çmos të përsosin imazhin, shqiptarët edhe ndonjë aktivitet të tillë e qesin në tender dhe e lyejnë me korrupsion. Aq shumë e ka përmirësuar imazhin e Kosovës reklama e kompanisë së marketingut “Saatchi & Saatchi”, saqë nuk do të ishte befasi që të angazhohej sërish, që t’ia zhvatnin kësaj shoqërie edhe nja 7-8 milionë euro për punë të kota.

 

Duke pasur parasysh gjendjen përgjithësisht të mjerë në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët, kudo që jetojnë, do të duhej që këtë periudhë jubilare ta shfrytëzonin për reflektim kritik mbi anarkinë e përgjithshme në të cilën jetojnë dhe jo duke u shfryrë me nacionalizëm parak dhe tundje të flamujve, sepse kjo nuk do t’ua kthejë as dinjitetin e shkelur, as nuk do t’u sjellë mirëqenie. Ky vit duhet të shfrytëzohet për një debat qëllimmirë e gjithëpërfshirës, për një atdhedashuri të re dhe kundër anarkisë patriotike. Atdhedashuri sot është shporrja nga pushteti e sundimtarëve antidemokratikë e të korruptuar dhe krijimi i alternativave të reja politike – ose se paku detyrimi i politikanëve për të ndryshuar pozitivisht, nëse kjo është e mundshme. Atdhedashuri është të mbrosh ambientin dhe të zhvillosh ekonominë që prodhon vende të punës. Atdhedashuri është të protestosh e të dalësh në rrugë sa herë që nuk pajtohesh me gjendjen ekzistuese dhe të luftosh për një Shqipëri e për një Kosovë të dinjitetshme, larg përrallave bajate me patriotizëm folklorik – përralla këto që tregohen duke pirë sherbet.

Profesor Sami Repishti, njëri prej zërave më të respektuar të diasporës shqiptare të Amerikës, këto ditë shkroi: “Ne duam hymjen në Europë jo si lypsarë, por si nji komb që e meriton! Fatkeqësisht, nji zhvillim i këtillë nuk paraqitet i mundshëm në Shqipëri sot. Etja e pafund për pushtet – dhe pushtet absolut – vrapimi mbas pasunimit të shpejtë e në shumicën e rasteve me mjete te paligjshme, korrupsioni qeveritar dhe qytetar që grijnë administratën e vendit dhe vetë shoqëninë shqiptare, shkelja e paturpshme e ligjit e mosdënimi i krimit, nuk premtojnë nji të ardhme të mirë. Kjo situatë ka krijue nji imazh shumë negativ për Shqipërinë në botën e jashtme. Nji ish-kryeministër i akzuem për abuzime zyrtare kërkon të zgjidhet President i Republikës në qershorin që vjen. Nji ish-president kërkon të mbetet kryeministër për tridhjetë vjet, sikur Shqipëria të ishte ‘çifligu i babajt’. Parlamenti shëmbëllen ma shumë me nji ‘pazar oriental’ me kakofoninë e tij”. Kjo analizë vlen po aq edhe për Kosovën, po aq edhe për shqiptarët në Maqedoni dhe partitë e tyre. Shqiptarët, po të parafrazojmë profesor Repishtin, sot janë të lirë, por nuk janë të çliruar. Le të jetë viti 2012, viti jubilar i Pavarësisë së Shqipërisë, si moment motivimi që lirisë t’i shtohet edhe një vlerë tjetër: çlirimi!

18 komente në “Për një atdhedashuri të re, kundër anarkisë patriotike”

  1. Rani says:

    O Enver sikur shqitaret te dinin te reflektonin nuk do te ishin ne kete gjendje te mjerueshme pa shpetim. Ne nuk e njohim si komb fjalen “reflektim” se kemi dhene shume here prova. Prova e fundit domethenese qe mendoj une ka vulosur fatin e shqiptareve nen Sali Berishen eshte rizgjedhja e tij ne 2005. Kjo rizgjedhje i konfirmoi Evropes plake se “ne duam qe te jetojme ne kete menyre me kafshe qe na drejtojne se nuk mund te bejme ndryshe” prandaj evropianet nuk e fshijne fare per ne sot dhe kane mese te drejte.

  2. D s says:

    shkrim sh i mire hallall.

  3. PER SHQIPERI TE LIRE says:

    Po,shkrim i bukur,i vertete,qe thote ato te verteta qe pak shqipetare do i pranonin.Por nuk duhen nenvleresuar atu levizje qe ngrene lart ndergjegjen kombetare , te humbur te shqipetareve.Vetevendosja dhe AKZ po bejne ate qe shqipetaret gjate gjithe eksistences se tyre nuk e kane pasur,atdhedasurine,vetedijen per eksistencen e nje kombi kaq te madh.Ndoshta keto levizje mund t’a zgjojne shqipetarin e mesuar nen sundim.

  4. raqi says:

    Jam kurioz te di se si mund te kalohet ne nje faze veprimesh e jo vetem konstatimesh me nivel kaq reflektues?! Si mendon autori i shkrimit? Kur populli ka pak force, kur politika per interesa eshte ne harmoni te plote per te bere edhe rrotacionet por per te ruajtur dominimet? si mund te behet?
    A eshte i vetem rasti i shqiptareve ne Ballkan?
    SA mendon se kane ndikuar padrejtesite historike per kete gjendje? -padrejtesi qe nuk jane gatuar nga shqiptaret?Ata thjesht kane qene viktima ne shumicen e rasteve-gje kjo qe nuk them te merret si vlere” as si justifikim per te pare mire e sakte se ku duam te shkojme, por ne nje fare menyre si kushtezim per ecjen mire e shendetshem shoqerisht e politikisht drejt porogresit real.
    Si mendon autori- Si mund t’i realizojne shqiptaret interesat e tyre kur ndervaresia e interesave te koalicioneve kunder shqiptareve kane bere demë te medha deri ne tjetersim historie, kulture, mendesie etj etj, A ka mbet ndonje mundesi rikonsiderimi?
    Po patet ndonje qasje per sa me lart do mirepritej! Problemet qe parashtroni jane te qenesishme nderkohe refleksioni mbi to fillon nga Çfare duhet bere? Si ? E jo pa rendesi sa mund te bej UNE (te beje secili) per te ndihmuar diçka? A ka z. Robelli ndonje projekt ne kete drejtim?
    FLM

  5. arber says:

    Zotni autor, kuptoj qe kete artikull e ke bere per te treguar qe lexoni shume, por une nuk dua te lexoj perkundrazi te rilexoj shkrimet e Prof. te nderuar, ku vetem ne fund hasim ne nje mendim tendin(rreth dy fjali per ceshtjen)..ne fakt ka qene edhe Prof.Shenasi Rama qe ka shkruajtur gjere e gjate, ndoshta edhe afrim krasniqi prandaj mos na servirni copy and paste dhe mos kritikoni ndjenjen e patriotizmit qe mezi po cel ne zemrat e te rinjve! boll me njerez si ju dhe gjenerates suaj

  6. 2012 says:

    Lexova artikullin. Konkluzioni im: tegjitha rruget te cojne ne Rome ose gjitha prapesite e ketyre 20 viteve te cojne tek kokeministri makbethian. Edi Ramen nuk e meriton ky popull pa ndergjegjie.

  7. Luani says:

    Është e vërtetë se gati të gjithë të huajt të shikojnë mangët kur ju tregon se je shqiptar, por nëse ti e vërteton se je shqiptar i vërtetë e jo sikur laviret nga qeveria jote, të duan pa asnjë rezervë.

  8. lupo says:

    Bravo: Enver Robelli!

  9. Edi Detroit says:

    Ky eshte gazetari me i mire shqiptar, urime.

  10. MURAT HULI says:

    -ESHTE DESHIRA E TE GJITHE SHQIPTAREVE TE SHKOJME NE KETE PERVJETOR ME NJE DASHURI SI GJITHMONE PER VENDIN TONE,TE BASHKUAR E NJE RESPEKT PER NJERI TJETRIN.
    -SEICILI POLITIKAN TE BEJE ANALIZEN SE QFARE I KAM DHENE VENDIT,ME NJE NDJENJE TE LARTE PERGJEGJESIE,DHE NE MENYRE VULLNETARE TE PERCAKTOJE SE DUHET TE QENDROJE APO DUHET LARGUAR DUKE KERKUAR FALJE PER MOS REALIZIMET NE VEND.
    -QE ME ZGJEDHJEN E PRESIDENTIT ME KONSENSUS NGA POPULLI ,DUHET TE FILLOJE ANGAZHIMI PER NJE SHTET LIGJOR,ASHTU SIQ DONIN ISMAIL QEMALI,BOLETINI,GURAKUQI E TE TJERE.ME PRESIDENTIN E RI DUHET TE RRITET UNITETI I CILI ESHTE MJAFT I DEMTUAR PER SHKAQE TASHME TE NJOHURA. [email protected]

  11. arber says:

    Me ka mbetur ne mendje nje shkrim antikombetar i gazetarit Enver Robelli mbi botimin ne tre vellime “Fjalori Enciklopedik Shqiptar 2”, pergatitur nga ish- Akademia e Shkencave e Shqiperise ne bashkepunim te gjere me studiues nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Ca gabime ortografike kishin mjaftuar qe ky gazetar antikombetar ta quaje ate veper madhore mbarekombetare “Nje Enciklopedi te turpshme”(!?) Eshte e kuptueshme pse ketij antikombetari t’i djegin syte e veshet kur shikon e degjon manifestime popullre paqesore te shqiptareve te shtypur ne shekuj, e tash 100 vjet te copetuar ne tre shtete te ballkanit; dhe, deri 10 vjet me pare te vrare e te sakatosur nga shovinistet serbomedhenj. Çfare po bene shqiptaret? Po vrasin njeri? Po djegin fshatra e qytete siç kane bere miqte serbe te Robellit? Ata vetem tubohen e kendojne, hedhin valle e shkembejne vizita. Jetojme ne epoken e demokracise europiane e amerikane Z. Robelli jo ne kohen e genocidit Millosheviçin…

  12. Latif Dreqi says:

    Ne dramen “Nen hajat te Parrizit” te te madhit Fishta, behet kjo bisede midis Skenderbeut dhe djallit te porta e parajses:
    “Skanderbegu:- Si jane pra shqyptaret e Shqypnija?
    Djalli:-si jane?..si i don anmiku!”

  13. beso says:

    shkrim shume i mire,si gjithnje nga Enver Robelli.Difekte te kapura ne koke,te gjitha te natyres anarkiste.Nuk e ngaterrojme ne shqiptaret lirine per anarki,se shyqyr kemi ardhur nga nje shtet diktatorial,por kjo anarki na eshte servirur dhe eshte sponsorizuar ne tejskaj nga njerezit e politikes dhe partite e tyre.Kjo eshte bere me qellim,njesoj sikur te djegesh zyren e gjendjes civile per te fshehur identitetin.Megjithate ka rrugedalje.Perpara nje shekulli e gjysme Hegeli e ngrinte si çeshtje anarkine e mikroshteteve gjermane(ishin nja 300 shtetthe e principata),dhe po te shohesh gjithe shekullin qe shkoi,pavaresisht absurdit te 2 lufterave boterore,gjermanet jane unifikuar dhe kane nje disipline solide karshi tendencave anarshiste.Patriotizmi eshte atdhedashuri,kurse nacionalizmi eshte mjet qe shfrytezohet per kapjen e pushtetit.

  14. ''evgjitngrenesi'' says:

    ne fakt ka nje perpjekje hileqare nga autori ku problemet qe ai me te drejte konstaton(si shume te tjere)perpiqet tja ngarkoje patriotizmit.nderkohe qe eshte pikerisht mungesa e partriotizmit shkaku kryesor i kesaj situate anormale.nje patriot i vertete nuk shkaterron ekonomine e vendit te tij,nuk shkaterron mjedisin,nuk shkaterron kohezionin kombetar,nuk shkaterron demokracine.si shpjegohet qe shqiperia e cila drejtohet nga kozmopolitet eshte me keq se fqinjet e saj qe qeverira me nacionaliste? i gjithe ky shqetesim vjen nga fakti se klasa e sotme politike ndihet e shqetesuar dhe e rrezikuar nga fryma kombetare qe po rritet,dhe per ta penguar kane ne sulm lloj-lloj tipash qe te ”trembin” shqiptaret e ndershem nga gogoli i patriotizmit.keshtu si po vene gjerat nuk ka enver qe e shpeton saliun

  15. bobi says:

    Zoti Robelli nuk ja ka fajin shqiptareve nacionalizmi e patriotizmi por kozmopolitikanet e sotem qe njofin vetem korrupsionin tradhtine ndaj kombit poshtersit ndaj tij vetem e vetem per xhepat e tyre ky eshte problemi shqiptaret duhet ti japin nje shanz patrioteve e nacionalisteve te tregojn edhe ata sa te zot jane te qeverisin kete vend politikane e sotem e kan shkaterru e poshtru ket vend si mos ma keq me shitjen e detit me shkolla greke ku nuk ka asnje greke me varre greke ku nuk ka rene kurre ndonje ushtare greke me Omonian e Bollanos e Dules qe tallen e nuk duan tja din per shtetin e kushtetuten shqiptare me politikanet greke qe nuk lene fjalim e fjale pa poshtruarShqiprin me maqedonas e malazes qe na fyejn e poshtrojn ne flamur e gjuhe pra ka ardhur koha ta thyem tabu e nacionalizmit e ti japim atij shanzin qe e meriton ne ket vend

  16. Donjet Liridoni says:

    Ju lumtë, Enver!

  17. pashtriku says:

    ”veq kreshniku na shpeton ne” , patrotizem me shumic falas, esht vella me koshtunicen , e njefar burri asht rama …..samari i mungon , te gjitha te zezat i ka…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje