Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Hulio Grandona, ka bërë të ditur se është gati t’i ofrojë Pep Guardiolës stolin e kombëtares së këtij vendi dhe se do të bëjë maksimumin për të realizuar këtë ëndërr.
Grandona ka bërë të qartë se duke patur në skuadër lojtarin më të mirë në botë, Lionel Mesi, duhet edhetrajneri më i mirë në botë për ta ndihmuar të fitojë Kupën e Botës.
“Nëse Argjentina do të gjejë mundësinë ekonomike, Guardiola do të jetë trajneri i ardhshëm i kombëtares. Do të ishte një ëndërr ta realizonim një kontratë të tillë”, deklaroi presidenti i Federatës Argjentinase për radion “ONA FM”
Më pas, ai ka treguar se beson që Mesi është lojtari më i mirë në planet edhe nëse nuk e fiton një Botëror, por e di që futbollisti duhet të japë maksimumin për një objektiv të tillë për të lumturuar një popull që është zhgënjyer pas disfatave të shumta në turne ndërkombëtarë.
“Do të jetë shumë e rëndësishme të fitojë një Botëror me Argjentinën. Por kjo nuk është e nevojshme për ta cilësuar më i miri, pasi ka fituar shumë tashmë. Ne jemi krenarë me Mesin dhe ai me ne gjithashtu”, deklaroi Grandona.