Hulio Sezar ka konfirmuar se do të jetë në derbin e fundjavës kundër Milanit pavarësisht dëmtimit, pasi shpreson që me këtë ndeshje të ndihmojë zikaltërit të rikthehen protagonistë në luftën për titull.
“Dua të rimarrim titullin kampion dhe të kthehem si fitimtar në Piazza Duomo për të festuar me tifozët. Jam gati të firmos që tani nëse më thoni që do humb dy derbi po do të marr titullin kampion”, u shpreh portieri i Interit.
Më pas, ai ka folur për sulmin e frikshëm të kuqezinjve duke saktësuar se nuk i trembet Ibrahimoviç. “Ndaj Ibrës duhet pasur kujdes nga gjithçka, por ai nuk më frikëson. Nga Pato i trembem dëshirës për të përsëritur dygolëshin e vitit të kaluar. Nga Robinjo i trembem dëshirës që ka për të më shënuar një gol. Cili është derbi perfekt? Ai i vitit 2010, fituam 2-0 me 10 vetë dhe i prita 11-metërshin Ronaldinjos”. (LajmeShqip.com)