Hije manipulimesh edhe në miqësore

16 Janar 2012, 11:28Sport TEMA

“Mendova se donte ta zgjaste ndeshjen deri në mëngjes”. Kjo ishte deklarata e trajnerit të Verder Bremen, Tomas Shaf, pas 10 minutave shtesë të akorduara nga gjyqtari i ndeshjes miqësore të zhvilluar ditën e mërkurë kundër AZ Alkmar, të luajtur në Belek të Turqisë dhe të fituar nga ekipi gjerman me rezultatin 2-1.

Nga kjo shtesë e pazakontë, pas disa hetimeve, është mësuar se gjyqtari i ndeshjes ishte i rremë. Takimin duhej ta drejtonte Raiço Raitçev, por në fakt ai u drejtua nga Laçezar Ionov, ish-gjyqtar të cilit i është hequr licenca dhe që është prezantuar në fushë si kolegu i tij bullgar Raitçev. Këtë përfundim e ka publikuar edhe Verder Bremen në faqen zyrtare të klubit.

Sipas mediave gjermane, administratori i përgjithshëm i Verder, Klaus Allofs, i cili ka sinjalizuar menjëherë Federatën Gjermane të Futbollit, nuk përjashton mundësinë e një tentative për manipulim të lidhur me bastet sportive. Në komunikatën zyrtare të faqes së internetit të Verder Bremen shkruhet se treshja e gjyqtarëve që duhej të drejtonte takimin ishte siguruar nga një kompani e cila merrej me akomodimin e AZ Alkmar gjatë fazës përgatitore.

Ionov, ish-gjyqtar i kategorisë së dytë është përsëritës, pasi dy vite më parë ka drejtuar pa leje ndeshje në Venezuelë e Argjentinë, ndaj është hequr nga lista e të licencuarve të Federatës Bullgare.

Fußball.de bën të ditur se një vit më parë, po në Turqi, një treshe gjyqtarësh hungarezë ka drejtuar nën emra të rremë takimin miqësor mes kombëtareve të Bullgarisë dhe Estonisë. Pas përfundimit 2-2, ku të 4 golat u shënuan me penallti, ndeshja përfundoi në listën e atyre të dyshuara për manipulime edhe për faktin se gjyqtarët nuk ishin pjesë e listës së FIFA-s.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje