Reali i Madridit ka shënuar rekordin e tij historik në 18 javët e para të kampionatit spanjoll, duke realizuar 63 herë në portat kundërshtare. Megjithëse për fundin e fazës së parë duhet pritur ndeshja e javës së ardhshme, skuadra që drejtohet nga Hoze Murinjo ka thyer që tani rekordin për golat e “kampiones së dimrit”, pasi shifra më e lartë e regjistruar më parë ishte ajo e 61 golave të Barcelonës së sezonit të kaluar.
“Los blancos” po ecin me një rritëm të paimagjinueshëm prej 3.5 golash për ndeshje në kampionat, më i larti në historinë e klubit. Nëse kjo prodhimtari para portës kundërshtare do të vazhdojë deri në fundin e sezonit, Reali mund të arrijë të shënojë 130 gola, ndërsa rekordin historik për klubin e mban ekipi i sezonit 1989-1990 me 107 gola.
Ndërkohë, treshja e frikshme e sulmit madrilen kërkon të shkojë drejt një tjetër rekordi, atë të më shumë golave në një sezon të vetëm në Spanjë pasi kanë shënuar 60 gola në 30 ndeshjet e zhvilluara deri tani. Kristiano Ronaldo (26), Higuain (17) dhe Benzema (17), synojnë të thyejnë rekordin e 100 golave të shënuar në edicionin 2008-2009 nga treshja e Barcelonës: Mesi (38), Eto’o (36) dhe Henri (26).
E vetmja pike e zeze ne bilancin e ketij Reali mbetet Barcelona.