Salihi zgjedh: Dua Gllazgoun!

17 Janar 2012, 18:29Sport TEMA

Hamdi Salihi konfirmoi dje dëshirën për t’u larguar nga Rapidi i Vjenës dhe për t’u transferuar në Skoci, te një nga dy superklubet e këtij vendi, Sëlltikun ose Gllasgou Renjxhersat, me një parapëlqim të lehtë për këtë të dytën. Sulmuesi i Shqipërisë i bëri këto komente në një intervistë për kanalin “Sport Neës” në paketën TV sportive “Supersport”. Ai konfirmoi lajmin e “Sport Ekspres” të publikuar pak javë më parë se Rapidi i Vjenës vazhdon të kërkojë 1.5 milionë euro për të, ndonëse kanë mbetur vetëm gjashtë muaj kontratë mes dy palëve. “Kam pasur kontakte nga të dy klubet e Gllazgout. Natyrisht që janë dy klube shumë të mëdha dhe do të më pëlqente të luaja në njërën prej tyre. Nëse do të më duhej të zgjidhja, preferenca ime do të binte me Gllazgou Renjxhersat duke qenë se aty luan ish-bashkëlojtari im te Rapidi i Vjenës, Jelavicc. Është gjithmonë e rëndësishme të kesh një mbështetje kur shkon në një klub të ri, edhe pse ka pak gjasë që Jelavicci të mbetet te Renjxhersat pasi ai ka marrë oferta të tjera nga klubet angleze. Në të gjitha rastet, Renjxhers apo Sëlltiku janë dy klube të rëndësishme dhe unë do të isha i lumtur të luaja për njërën prej tyre”, tha Hamdi Salihi.

Sulmuesi shqiptar që ka luajtur fare pak këtë sezon te Rapidi i Vjenës, e pranoi megjithatë se bisedimet nuk do të jenë aspak të lehta për shkak te kërkesave të ekzagjeruara të austriakëve. “Rapidi kërkon ende 1.5 milionë euro për mua. Nuk do të jetë e lehtë që të transferohem, por shpresoj që kjo të ndodhë deri në fund të muajit kur merkato të jetë mbyllur”, tha Salihi që është i paduruar për të arritur një marrëveshje për shkak se Rapidi e ka margjinalizuar si pasojë e mosrinovimit të kontratës që skadon në muajin qershor.

Salihi konfirmoi që kishte pasur shumë interesime për të gjatë kohëve të fundit. Ai përmendi edhe oferta nga Ligue 1 e Francës si dhe madje nga MLS e Amerikës. /Sport Ekspres

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje