9 milionë euro për rrugë të pakalueshme

31 Janar 2012, 11:43Rajoni TEMA

Mbi 9 milionë euro janë dhënë për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe rajonale nga Ministria e Infrastrukturës për sezonin 2011-2012, ndërkohë që nga reshjet e mëdha të borës mbeten të pakalueshme shumë rrugë. Kanë kaluar më shumë se pesë ditë dhe ende ka rrugë të papastruara, ku shtresat e akullit rrezikojnë kalimtarët dhe ngasësit e automjeteve.

Pos milionave që janë dhënë për rrugë magjistrale Komuna e Prishtinës ka dhënë rreth 100 mijë euro tender për pastrimin e rrugëve, derisa trotuarët në qendër të saj janë të pakalueshme dhe qytetarët ecin nëpër rrugën kryesore.

Ridvan Dermaku, punëtor në kompaninë e autobusëve “Mimoza 93”, e cila mban linjën Gjilan- Prishtinë dhe anasjelltas, ka treguar se gjatë ditës së parë, kur ka rënë borë, atyre u është dashur t’i anulojnë disa linja. Ai ka thënë se edhe dy ditë pasi që është ndalur bora, rrugët nuk kanë qenë të pastruara dhe kanë pasur vonesa në linjat e tyre.

Sipas tij, kompanitë e pastrimit gjatë ditës së parë nuk kanë arritur të bëjnë asgjë në këtë magjistrale që lidh Prishtinën me qytetin e Gjilanit.

“Ne gjatë ditës së parë që ka rënë borë kemi humbur më shumë se një linjë”, ka thënë ai, duke shtuar se po ashtu janë vonuar deri në 1 orë e gjysmë më shumë sesa arritjet e planifikuara. Sipas tij, edhe dy ditë pasi që është ndalur bora, rrugët kanë qenë të kalueshme me vështirësi.

“Vetëm pas ditës së tretë që është ndalur bora, kompanitë për mirëmbajtje të rrugëve kanë arritur ta pastrojnë rrugën”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se mospastrimi i rrugëve nga kompanitë përgjegjëse, kompanisë në të cilën ai punon u ka shkaktuar edhe humbje të shumta financiare.

Po ashtu, Halit Ferati, taksist në kryeqytet, tregon se rrugët janë pastruar dy ditë pasi ka ndalur bora. Ai tregon se ka pasur shumë vështirësi gjatë ditës sa ka rënë borë, e po ashtu edhe dy ditë më vonë.

“Ende trotuaret dhe disa rrugë dytësore janë të mbushura me borë, nuk e di pse kompanitë që mirëmbajnë rrugët nuk po kryejnë punët e tyre”, është shprehur ai.

Po ashtu, Valmir Sinani, ka thënë se ende trotuaret janë të papastruara dhe të mbushura me borë. Ai ka thënë se asnjë trotuar i në rrugët e Prishtinës nuk është pastruar nga kompanitë që janë përgjegjëse.

Ndërsa, Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka thënë për “Zërin” se të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale janë të kalueshme. Ai ka thënë se gjatë ditës e hënë kanë pasur një takim me mbikëqyrësit e rrugëve, të cilët kanë dhënë vlerësimin e tyre se tani më të gjitha rrugët janë të pastruara.

Sipas tij, vetëm gjatë ditës sa ka rënë borë, edhe përkundër punimeve që kanë bërë kompanitë, rrugët kanë pasur vështirësi. “Tani të gjitha rrugët janë të pastruara”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe ajo që lidh vendin me Malin e Zi, që viteve tjera kishte probleme, kësaj radhe është e kalueshme.

Kurse, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka qenë i pakontaktueshëm gjatë ditës e hënë.

Pastrimi i borës paguhet me orë

Hiç më pak se 230 euro për orë, do të paguajë Komuna e Prizrenit për heqjen e borës nga rrugët dhe trotuaret e këtij qyteti. Për këtë tender jo të zakontë të heqjes së borës me orë, Komuna e Prizrenit e cila drejtohet nga Ramadan Muja, ka angazhuar tri kompani.

Mirëpo, kjo praktikë e heqjes së borës me orë nuk është praktikuar ndonjëherë nga institucion që merr para nga arka e shtetit. Tenderin për zonën e parë, komuna i ka dhënë kompanisë “Çlirimi” nga Prizreni.

Kjo kompani vetëm për fshirjen dhe larjen e rrugëve nga komuna do të marrë hiq më pakë se 12 mijë e 236 euro në muaj, për mirëmbajtjen e hapësirës publike, kompania do të marrë nga komuna 2 mijë e 621 euro në muaj, për largimin e borës 150 euro për orë, dhe për mbjellje të barit 46 euro për njësi.

Për zonën e dytë, komuna e ka shpallur fitues kompaninë “Shërbimi”, e cila nga komuna do të marrë hiq më pakë se 19 mijë e 111 euro në muaj. Për fshirjen dhe larjen e rrugëve, 798 euro për mirëmbajtjen e hapësirave publike, 40 euro në orë për largim të borës dhe 41.5 euro për mbjellje të barit për njësi.

Ndërkaq, pjesën e tretë të tenderit sipas dosjes e ka fituar kompania “Ekoregjioni”, e cila për fshirjen dhe larjen e rrugëve nga komuna do të marrë 10 mijë e 730 euro në muaj, për mirëmbajtjen e hapësirave publike 505 euro në muaj, largimin e borës 40 euro për orë, mbjelljen e barit 41.50 euro për njësi dhe për shërbime tjera komunale kjo kompani do të marrë nga komuna 4 mijë e 900 euro në muaj.

Zyrtarë të Kuvendit Komunal të Prizrenit, as vetë s’e kanë të qartë se si do ta monitorojë komuna kohën e kompanive që heqin borën në rrugët e këtij qyteti. Ahmet Krsniqi nga Zyra e Prokurimit përmes telefonit tha se komuna ka inspektorë për ta bërë një gjë të tillë, por ai nuk ka dashur të flasë me në detaje, pasi që ka thënë nuk është kompetent për një gjë të tillë.

Por, në anën tjetër, zyrtarë të partive opozitare thonë se Komuna e Prizrenit është kampion e shkeljeve ligjore. Zafir Berisha nga partia Bashkimi Demokratik, thotë se tenderi në fjalë është vazhdimësi e manipulimit dhe keqpërdorimeve që po bëhen me paratë e taksapagueseve në komunën e Prizrenit.

Ai thotë se nuk ka fije logjike që te jepet një tender për heqjen e borës me orë. “Ky tender është një nga shkeljet e radhës që bëhen në këtë komunë. Prizreni është kampion i shkeljeve ligjore. Në këtë komunë ligji nuk shkelet nga padituria. Por, shkelet për t’iu mbushur xhepat individëve të caktuar”, tha ai.

Kompania e afërt me pushtetin

Zafir Berisha thotë kompania e cila e ka fituar tenderin për heqjen e borës prej 150 euro për orë është kompani e lidhur ngushtë më pushtetin komunal të Prizrenit. Berisha thotë se në Komunën e Prizrenit gati asnjë projekt që jepet me tender nuk ka pranim teknik nga grupi eksperteve sipas ligjit, asnjëherë nuk përfundon asnjë projekt në momentin kur jepet tenderi.

Ai tha se në komunën që drejtohet nga Muja jepen me projekte të caktuara dhe përfundojnë krejt ndryshe, ku rasti më eklatant është ai i rrugës Prizren – Zhur.

“Rruga as për së afërmi nuk është e realizuar nga projekti bazë kur është dhënë tenderi”, tha ai./Zeri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje