Xhani de Biazi, në një intervistë për mediat italiane ka treguar punën e tij në muajin e parë në drejtimin e kombëtares shqiptare. Tekniku italian ka zbuluar se është ende në fazën e njohjes së lojtarëve, si dhe ka ftuar futbollistët me origjinë shqiptare që t’i bashkohen kombëtares tonë dhe jo të zgjedhin të tjera.
Cili ishte reagimi i parë ndaj propozimit për të drejtuar Shqipërinë?
Nuk thashë menjëherë po. Kërkova pak kohë për të menduar, për të vlerësuar të gjitha aspektet. Në fund u binda, pranova dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Drejtimi i një kombëtareje ishte një eksperiencë që dëshiroja të bëja, oferta nga Shqipëria erdhi në momentin e duhur të karrierës time. Mendoj se mund t’i ndihmoj për të realizuar objektivat që i kanë vënë vetes.
Keni drejtuar edhe më parë jashtë Italisë, eksperienca në Spanjë te Levante nuk ishte shumë pozitive…
Është e vërtetë, problemet ekonomike që kishte Levante i njihni të gjithë. Por kjo nuk ka ndikuar te dëshira për t’u kthyer dhe për të drejtuar jashtë Italisë. Kam marrë parasysh që ka disa pengesa për t’u kaluar, por nuk jam i frikësuar. Kam stimujt duhur për të bërë një punë të mirë.
A ke folur me ndonjë nga “italianët”?
Po, kam folur me Canën e Lacios, Ujkanin e Novarës dhe Bogdanin e Sienës. Kërkova nga ata një mendim për ambientin, për mentalitetin e njerëzve. Për mua është gjithçka e re, eksperiencat e tyre mund të më ndihmojnë në muajt e ardhshëm. Së bashku mund të ndërtojmë diçka të rëndësishme.
A keni menduar që tani si do të luajë Shqipëria?
Me 29 shkurt do të kemi një miqësore kundër Gjeorgjisë, pak kohë para do të kem në dispozicion lojtarët. Shumë prej tyre nuk i kam parë asnjëherë, ndaj për momentin nuk e di se si do të luaj. Gjatë këtyre javëve, unë dhe vëzhguesit e mi, kemi udhëtuar nëpër Evropë, për të vëzhguar dhe vlerësuar kë meriton të grumbullohet. Kam trashëguar një kombëtare “të vjetër”, objektivi është të rinoj ekipin dhe t’i transmetoj entuziazmin e duhur për të bërë më të mirën. Dua lojtarë që të japin zemrën, të jenë të ndërgjegjshëm për atë që do të thotë të veshësh fanellën e kombëtares së vendit tënd. Mendoj për shembull për ata lojtarë që kanë dy pasaporta: kush zgjedh Shqipërinë nuk e bën sepse është eliminuar nga kombëtarja tjetër, e bën se është i lidhur me tokën e tij.
Sa i rëndësishëm është aspekti psikologjik për një trajner?
Shumë. Mjafton të mendosh atë që ka bërë Renard, trajneri i Zambias. U ka transferuar lojtarëve të tij mentalitetin fitues, për të mundur këdo. Është e qartë, aspekti teknik ka rëndësinë e vet, por puna në kokën e futbollistëve, transmetimi i motivimit të duhur, mund t’i ndihmojë “të lëvizin malet”.
Norvegjia, Zvicra, Sllovenia, Qipro dhe Islanda: grupi për Brazil 2014 është i vështirë por jo i pamundur…
Jam dakord, respekt maksimal për kombëtaret që do të ndeshim, por mund të kishim një short më të keq. Nuk dua të mendoj se ku mund të arrijmë apo sa pikë do të bëjmë. Mund të them vetëm që do të luftojmë deri në fund për një ëndërr. /lajmeshqip
Trainerët italianë nuk dhurojnë spektakël loje në skuadrat që ata drejtojnë . Ata kanë një aftësi tjetër të shkëlqyer , drejtimin taktik të skuadrës për ta fituar ndeshjen. Ata dinë të ruajnë rezultatin gjatë lojës dhe të kalojnë shumë shpejt në zëvendësimin e veprimeve taktike kur janë në humbje. Shpresoj se italiani do të kultivojë këtë mentalitet tek kombëtarja jonë.