INTERVISTA/ Elvira Dones: Që më 21 janar dialogu i Berishës me shqiptarët ka dhënë shpirt

20 Shkurt 2012, 13:27Politika TEMA

Shkrimtarja e njohur, Elvira Dones ndan me lexuesit e gazetës Tema opinionin e saj për situatën aktuale politike në vend, për ngjarjen e 21 janarit 2011, për gjendjen e grave shqiptare, etj. Një tablo e Shqipërisë ashtu siç i shfaqet gazetares e shkrimtares Elvira Dones përtej oqeanit, ku ndjen dhimbje, pakënaqësi,revoltë por dhe shpresë se “Shqipëria do të bëhet një ditë”…..

 

Bisedoi: Blerina Gjoka

 

Zonja Dones, duke ju kërkuar mirëkuptim që kjo intervistë nuk do t’i referohet letërsisë, por politikës, aktualitetit shqiptar, ngjarjeve, fenomeneve dhe problematikave të shoqërisë shqiptare,  së pari do donim të dinim sa e lidhur jeni ju me Shqipërinë? Për shkak të të banuarit përtej oqeanit dhe aktiviteteve tuaja të përditshme, si e gjeni veten në raport me të mirat e të këqijat që ndodhin në atdheun tënd?

Unë përjetoj atë që ndodh në Shqipëri me po aq vëmendje, merak, kritikë, mall, shqetësim sa ç’e përjetojnë shumë njerëz të diasporës, besoj, kush më pak e kush më shumë. Kështu ka qenë në vite, e kështu mbetet. Përpara se të rrëfej mbi toka e ngjarje të largëta – ku jeta më hodhi a ku unë hodha veten – këmbëngul për të kuptuar me aq sa mundem vendin nga i cili më vijnë rrënjët, gjuha, identiteti. Çfarë e mundon këtë tokën amë; pse kaq e gjatë kjo lëngatë; e si dilet nga ky qorrsokak. Por do duhej një varg tespijesh tejet i gjatë për t’i mbajtur gjithë pyetjet, në këtë çast.

 

Si ngjan Shqipëria e vitit 2012 në sytë tuaj? Një vështrim kritik?!  Dashamirës?!  Dhe pse jo, një vështrim ëndërrues, siç do të doje të ishte?!

Shqipërinë e 2012-ës e shoh ashtu si na paraqitet para syve: të mardhur; të uritur; të korruptuar e të korruptueshme; të mashtruar; të egërsuar; të vobektë; të tallur; të vrarë në dinjitet e shpresa; të lënë pa shokë. Them “të lënë pa shokë” jo sepse dashamirësit e Shqipërisë mungojnë a kanë munguar, por sepse dashamirësit, e tok me ta edhe faktorët ndërkombëtarë  – të cilët, siç është e natyrshme, më shumë se dashamirës janë pragmatikë – po lodhen, u lodhën të gjithë bashkë të merren me këtë adoleshent të pamundur të Europës.

Shumë halle e probleme të pazgjidhura ka Shqipëria në këtë 2012. Më i madhi ndër ta është përpëlitja e kësaj demokracie të brishtë, e cila sot është shfytyruar në një “cratos”(pushtet), pa konceptin “demos”(popull), se këtë të fundit e ka humbur udhës.

E sa për vështrimin ëndërrues s’do mend që e kam, ndryshe nuk do bënim këtë bisedë. Por ky është “dimri i pakënaqësisë së madhe” i të gjithë shqiptarëve, e gjuha shkon vetiu aty ku dhemb dhëmbi.

 

Duke pasur parasysh që përveç shkrimtares brenda jush është dhe dimensioni i gazetares dhe i gruas sociale të angazhuar gjithashtu, nuk do të mund të shmangnim një pyetje konkrete mbi një ngjarje konkrete me të cilën prej një viti duket se Shqipëria është lidhur pazgjithshmërisht. Bëhet fjalë për 21 janarin 2011. Sipas jush çfarë ndodhi atë ditë, çfarë ndryshoi për Shqipërinë nga vrasjet dhe nga sjellja e politikës pas kësaj?

Në 21 janar të 2011-ës shteti shqiptar iu përgjigj gurëve e drunjve të fukarenjve që kishin të gjitha arsyet e kësaj bote të protestonin, me plumba. Që nga ai çast – ndonëse zoti Sali Berisha është ende në pushtet – dialogu mes tij dhe popullit shqiptar ka dhënë shpirt. Mes kokëpalarëve me stilolapsa-pistoleta xhepave, gazetarëve puçistë e opozitës nga njëra anë, dhe qeverisë në fuqi nga ana tjetër, nuk ka si të ketë më bashkëjetesë.

Jeta politike e Shqipërisë në këta 20 vjet ka kaluar nga kriza në krizë, nga një gjendje urgjence në tjetrën, e kjo nuk ka qenë produkt e përgjegjësi ekskluzive e një të vetmi faktori politik, në të kundërt: ky pilaf u gatua nga e djathta dhe e majta bashkë në vite bërje-zhbërjesh; pingpongjesh aleancash të zymta; shantazhesh të ndërsjella; sabotimesh të qëllimeve mirëbërëse e keqbërëse bashkë, e kështu me radhë.

Por mbas një viti që nga 21 janari, kryeministri Sali Berisha e qeveria e tij, në shpërfillje të plotë të provave balistike, ekspertizës amerikane e shqetësimit ndërkombëtar, në fytyrë të gjithë kësaj e mu karshi popullit, vijojnë me haluçinacionin e puçeve dhe konspiracionit. Nuk e di si mund të konsiderohet kjo qeveria e dobishme e shqiptarëve sot.

 

Si i shikon Elvira Dones liderët e politikës shqiptare, çfarë përfaqëson për ju Sali Berisha, po Edi Rama? Nëse do t’i kishit personazhe të librave tuaj si do ti përshkruanit ata, sa realë apo groteskë ngjajnë në sytë e një shkrimtareje?

Politikanët janë kafshë politike, dhe kjo është fasada, imazhi që duan, duhet a lypset të projektojnë tek populli. Por janë kafshë njerëzore, mbi të gjitha. Kjo më intereson, personalisht. Cili është ky njeri? Sa i zbërthyeshëm është për t’i mbërritur në unë-in, që aq shumë mbron e kultivon.

Ndonjë personazh i politikës është grotesk, ose bëhet grotesk e shpesh bëhet edhe më keq se aq, por kjo nuk e përjashton praninë e aftësive të tjera, të padiskutueshme në të njëjtin individ. Ndryshe ai individ, cilidoqoftë, nuk do të kish hipur aq lart e nuk do të kishte mundur të qëndronte në kolltuk aq gjatë.

Por duke u kthyer tek thelbi i pyetjes – sepse ju veçuat dy emra, Berisha e Rama, janë ata dy aktorët kryesorë të këtij momenti politik.

Presidenti Berisha ka patur gjithë kohën ta shprehë veten, dhe e ka shprehur fort e qartë. Na ka lënë kohë e mundësi që të shohim konceptin e tij të menaxhimit të shtetit. Edi Ramën duhet ende ta shohim në rolin e ri atë ditë që do të jetë në rolin e kreut të ekzekutivit.

Deri më sot e kemi parë në rolin e kryebashkiakut e kreut të opozitës. Se si do të sillet Edi Rama nesër, kjo besoj se do të jetë në vëmendjen e shumë prej nesh, sepse kështu lypset të jetë. Por unë nuk besoj në njeriun e Providencës, e uroj që as shqiptarët të mos besojnë më.

 

Shumë mendojnë se problemi i vërtetë i këtij vendi nuk janë politikbërësit, por mentaliteti që i voton ata… në fund të fundit shprehja që “popujt meritojnë qeveritë që kanë” a do t’i shkonte kësisoj edhe popullit shqiptar? 

Nëse popujt i meritojnë qeveritë që kanë: Po. Edhe jo. Në radhë të parë jo, sepse asnjë popull nuk meriton dhjetëvjeçarë regjimesh totalitare, tiranike, fashiste a parastaliniste: nuk e meritonin një regjim totalitar shqiptarët, por as bullgarët a libikët dikur; ashtu si sot nuk e kanë për hak të kenë regjime të tilla popujt sirianë e nordkoreanë, sa për të dhënë ndonjë shembull.

“Popujt meritojnë qeveritë që kanë” qëndron në këmbë, kur është fjala për një vend që funksionon sipas rregullave të demokracisë – por me një kusht ama, që të mos përqendrohen tepër parà në shumë pak duar, sepse kjo zbraz procesin demokratik nga thelbi i vet, dhe e zbraz shumë shpejt.

Çështja është që demokracia kërkon lirinë e shprehjes, respekt për individin e për pakicat, kërkon angazhim, pjesmarrje aktive dhe ndjenjë të pronës kolektive, shkurt demokracia ka nevojë për një Sens të Shtetit, për një mendësi të një shteti e shoqërie që ndërtohet duke nisur nga poshtë, nga individi, i cili hap pas hapi mëson të bëhet pjesëmarrës aktiv në rezultatin final.

Gjysmë shekulli imponim nga lart sigurisht e atrofizuan, e paralizuan besimin e shqiptarëve se duke u nisur nga poshtë, mund të bëhet diçka. Por në demokraci vëmendja aktive e individit është gur themeltar, e jo një gjest për t’u kryer një herë në katër vjet vetëm me hedhjen e votës, e pastaj le të presim që Shteti t’i bëjë të gjitha vetë. Që të bëhet, demokracia kërkon mund, është një punë e vazhdueshme e shpesh frustruese. Dhe kujt nuk i kandet ta bëjë mundin, paguan një çmim.

 

Përpos politikës, shoqëria shqiptare ka dhe shumë plagë sociale të pambyllura, për të cilat ju dhe keni shkruar, një ndër to ka të bëjë me të drejtat e grave….si e shihni gjendjen aktuale të grave në Shqipëri?

Prokurorja Ina Rama edhe para një viti ishte ajo që është sot: një grua moderne shqiptare, leva e re që fatmirësisht po rritet e forcohet në këtë vend; ishte e përgatitur, korrekte, diskrete, e hijëshme si pak kush. Gjëra që dimë tashmë. Por për një vit, kjo grua e fuqishme u kthye në “lavire bulevardi”. Pastaj iu desh një vit që të “pastrohej pak” e të bëhej shoqe bulevardi. Paskëtaj, para disa javësh Ina Rama u ul në kolltukun e emisionit Opinion, e u pa qartë nga ata që kanë sy e veshë, se ajo grua e fuqishme fitoi raundin e parë të dytë e të dhjetin bashkë. Ja që u fitokërka edhe pa bërtitur. Pa përdorur fjalë që ndyjnë ajrin, ndjenjat e mendjen.

Me “grua e fuqishme” i referohesha jo fuqisë reale të Ina Ramës, por perceptimit që gruaja e fshatit, ajo më e varfra, më e paditura, më e pambrojtura ka për Ina Ramën. Kur një zonjë e tillë sulmohet për një vit nga instanca më e lartë e ekzekutivit të vendit e njerëzit e tij në një fushatë helmi të paanë, çfarë do të mendojë ajo gruaja vulnerabël? Ku është shpresa e saj? Ku ta gjejë ajo forcën e mbështetjen për të ngritur zërin – atje në fund të shkallës ku është? Dhe në këtë trysni pafuqie e gjendjeje agresioni, shpesh gjenden jo vetëm gratë më të varfra por mësueset e qyteteve, pedagoget e Universitetit të Tiranës, mjeket e ndershme, profesionistet e kështu me radhë.

 

Ndërkohë në vend diskutohet shumë për përfshirjen më të madhe të grave në vendimmarrje dhe në politikën aktive duke ndryshuar në të vërtetë nga viti në vit në favor të grave shifrat e pjesëmarrjes. Por a po ndryshon mendësinë politike apo frymën e saj rritja e shifrave të grave në karriget e Kuvendit?

Le të rritet edhe më shumë numri i karrigeve të zëna nga gratë në Kuvend e në të gjitha format e pjesëmarrjes politike aktive. Ndërsa ndryshimi i mendësisë rreth femrës në politikë është një punë e betejë që duhet çuar përpara pastaj nga vetë politikanet e reja, të mbështetura nga forcat politike e strukturat e shtetit. Gruaja është gjysma e shoqërisë, pra ekuacioni është krejt i qartë. Por në Shqipëri, teksa ëndërrojmë me sy hapur hyrjen në Europë, ende ua bëjmë jetën ferr grave: në jetën e përditshme e atë profesionalen.

 

Krimi në familje duket gjithashtu si një fenomen thuajse shqiptar…ndërsa shqiptarët e quajnë familjen, oxhakun e shtëpisë si të shenjtë… çfarë ka që nuk shkon në familjen e sotme shqiptare?

Stres, quhet krimi në familjen shqiptare: stres, depresion, skamje, pafuqi, urrejtje, mosdialog në familje, mungesë politikash specifike sociale, zhgënjim nga qeveria/qeveritë, zhgënjim madje edhe nga jeta vetë.

Shifrat e larta të krimit në familje e shoqëri janë një problem serioz në çdo vend të varfër. Që shqiptarët po varfërohen dita ditës – e kam fjalën për 99 përqindshin – kjo duket sheshit. Shtresa më e varfër e popullsisë është sfilitur, njerëzit kanë humbur busullën e shpesh nuk ekziston një proporcion mes krimit e shkakut që e ka krijuar; vritet edhe për ca lekë, për njëqind euro; edhe për një grindje banale me fqinjin.

 

Librat tuaj, përveç anës letrare, janë komentuar dhe vlerësuar gjithashtu për trajtimin e çështjeve ndoshta më problematike që kalon shoqëria shqiptare, që nga gjakmarrja, emigracioni, problemet e grave, etj. Të gjithë ndoshta po presin për librin e radhës, cila është brenga që ju shqetëson këtë herë?

Rreth fundit të marsit besoj do të dalë në Tiranë e në Prishtinë romani “Luftë e vogël e përkorë”. Rrëfen për luftën në Kosovë. Ndërkohë jam duke shkruar, e kam ndër duar edhe disa punë të tjera.

18 komente në “INTERVISTA/ Elvira Dones: Që më 21 janar dialogu i Berishës me shqiptarët ka dhënë shpirt”

  1. tania says:

    Jam edhe une nje 50 vjecare qe bashkohem plotesisht me mendimet e Elvira Dones. I uroj suksese nga zemra duke na nderuar ne grave qe vuajme me teper ne kete shoqeri qe vuan.
    Pershendetje

  2. frasherlliu says:

    Zonja Dones e urte dhe e mire,e merakosur dhe e dlire ju uroj mendimin tuaj,te folurin troç e te paster para tere shqiptareve per te cilin kane nevoje ditet tona.Ashtu si thoni dhe ju se ne vendin tone ka mbire zia,e keqja,urrejtja,se politika i ka nxjerre eshtrat ketij populli dhe po luan me to siç beri ne Gerdec,me 21 janar e sot çdo dite.A mos valle shqiptaret e meritojne kete fat dhe jane fundosur ne qelbesiren politike te ngaterrestareve? Sot zonje e nderuar nga asnje klike politike ne Shqiperi nuk pritet azgje e mire e asnje perspektive pozitive dhe une mendoj qe e vetmja zgjidhje eshte :-te mblidhen rredh vatres vetem njerezit e mençur dhe intelektualet qe kumtojne e punojne me talentin e tyre shkencor ne vendet perendimore,shkrimtaret,analistet shkencore te fushave te ndryshme te jetes shoqerore,akademike e profesore ne unversitete te ndryshme me prestigj ne boten moderne e demokraci te vjeter,inxhiniere te talentuar e duar arte shqiptare qe punojne kudo ne bote qe me kopetence e zgjuaresi i kane dhene emer vendit tone ne bote,atedhetare qe kane goditur ashper me vepren e fjales se tyre tragjedite qe politika e poshter e pushtetareve i kane bere atdheut si dhe te rinj te talentuar qe punojne e studiojne ne unversitete e akademi te botes shkencen e vertete dhe ligjet e demokraciva te medha-ku te tere do ti zgjidhin hallet e Shqiperise.

  3. Muhua says:

    na eshte kjo Dones..na kabiljeja sduket na Shqiperia..na bastireti po

    1. like says:

      O Muho, na e perkthe pak, se nuk uptohet se c’do te thuash!?

    2. Kopenhagen says:

      Abetarja Muho, abetarja.
      Ta ka ngrene keci kur te zuri gjumi poshte ferres…

  4. Lumi says:

    Zoja Dones! Mendimeve te tuaja nuk kam çfar ti shtoj me !Lexova librin e Blen Blushit dhe shoh qe edhe sot Lek Dukagjinasit e bajn peng Shqiperine tone!..Pyetja ime ,besoj dhe e çdo shqiptari,i majt apo i djathte,eshte:-kur do te na hiqet nga faqja e dheut kjo moster qe e ka bere popullin te flase me veten?!..

  5. elinor says:

    Sa keq qe zonja si kjo dhe kryeprokurorja jane per saliun thjeshte “dy lavire bulevardi”!! Po ashtu edhe per nje “burrrrrneshe” si zhelepina!
    Me pelqen vecanerisht ajo qe znj. Dones thote se “nuk beson ne njeriun providence”! Pra mos m’i thurni lavde te pafund Edi Rames se ai nuk eshte i derguari nga Zoti ne Shqiperi qe do te na nxirrka nga mjerimi me doren e tij “magjike”. Te gjithe duhet te shikohen me nje sy kritik ne menyre qe te kerkojme sa me shum$e nga ata. Dhe per mendimin tim, tek Rama ka shume per te kerkuar. Mos u merrni me saliun, se tek ai s’kemi se c’te kerkojme me – gjithcka ka marre fund ne marredheniet me ate perbindesh. Prandaj, i vetmi njeri te cilit ne duhet t’i kerkojme llogari per neshtrim te plote ndaj diktatures, eshte Edi Rama.
    Vini re kur kjo zonja thote se “demokracia fillon nga poshte”. Pra, duhet qe te gjithe ne te behemi me te vetedijshem ndaj pergjegjesive tona dhe te kerkojme me shume nga politikanet. Nuk duhet te varim shpresat tek nje njeri i vetem sikur ky do na shpetoka ne menyre te magjishme. Aq me teper ne nje kohe kur shihet qarte qe ky njeri thjeshte po pret qe t’i bjere pushteti ne dore, krejt ashtu, rastesisht, duke bere shume pak ose asgje per ta merituar ate.
    Ne meritojme te udhehiqemi nga nje lider i cili e fiton te drejten e qeverisjes, jo nje te cilit ia dhurojne ate. Nuk na duhet nje lider i cili na ben ne fajtore per mosfunksionimin e demokracise ne vend!
    Prandaj, ju ftoj te gjitheve te kerkojme sa me shume llogari nga PS-ja dhe Rama ne menyre qe ky i fundit te zgjohet nga gjumi, te pranoje kritikat dhe te marri rolin e liderit te vertete. Nuk eshte kurre vone per te ndryshuar.

  6. tironci says:

    perfekt ELVIRA DONES

  7. beso says:

    I kam lexuar nje roman per luften ne Kosove.Bravo!Bravo!

  8. Dede SHKURTI says:

    Elvira Dones duhet te jete Presidente e Republikes se Shqiperise.

    1. Eda says:

      Nje nene qe ka braktisur pjellen e saj per c’faredo motivi qofte e ka humbur te drejten morale per te qene nene dhe jo me presidente o QORR!

  9. Leonardo says:

    Me respekt të madh të falenderojë për përgjigjet e sakta dhe të prera besoj se ai që ka pakë mënd e kuptonë dhe reagonë për mirë dhe mundohet të ndryshojë të faleminderit

  10. shpatar says:

    Mire e ka z.Dones, por kujte ja thote se na drejtojne kafshet?.Do ta pranoja ne se keta te sotcmit jane nje perjashtim.Le ti hedhim nje sy te shkurter historise shqiptare.Ne 500 vjetet e perandorise Otomane kemi nje Skenderbe.Eshte me te vertete per tu mburrur.Nga 1912 e deri tani shqiperia nuk ka bere kapercimin e te shkuares.Jemi me koncepte te mesjetes dhe me trupa te modernes.Kete mos perputhje po vuajme e do ta vuajme ne se nuk kuptojme qe ne krye duhen burra si: Skenderbeu,Vellezrit Frasheri,Barjam Curri,Cerciz Populli.Mihal Grameno,I.Qemali,Luigj Gurakuqi,Isa Buletini,Fanoli,Gjergj Fishta,Barjam Curri, Ali Demi,Avni Rustemi Migjeni,e shume intelektuale qe nuk paten mundesi te tregonin mencurine e tyre.Pra toka meme e ka brumin per te nxjerr nga gjiri i saje bije cilesor.Po si eshte e mundur qe penetrojne tipa te tille qe me te drejte indinjohet z.Dones .Nuk kemi kallona te pa levizshme ne shtetin qe ngrem.Kesaj i bashkangjiten dhe dasite midis zonave qe forcat kundershtuese te sovranit jane te dobta.Keshtu hipi Enveri me ndihmen e Sllaveve.Shkaterroji intelektualet qe i mbijetuan kohes se Zogut.Eliminoi shume kuadro dhe bashkeluftetar qe sakrifikuan per Shqiperine.Pastroi rrugen per te ardhur ne fron Ramizi.Ky i fundit nuk mund te bente ndryshe na solli ne Pluralizem Berishen ,Nanon qe na pollen nje kosherre servilash,te pa afte,militant qorra pa vizjon,spiuna ,te shitur dhe sic po dalin nga te huajte qe shkruajne per ne , agjente qe kane punuar nen rrogos me vite per ta destabilizuar Shqiperine ose per te ozurpuar pushtetin.Ne kete realitet cmund te bejne shqiptaret????.Si eshte e mundur qe jemi njesoje si brenda Shqiperise po ashtu ne Kosove,Maqedoni e kudo qe rrojme.Thua nuk na lene!!!!!.Te jemi pa aleate??.Te jene te verteta thenjet e z.Thecer???.Te mos u vije keq per ne qe perpelitemi ne pafundesi!!!!Si nuk bejme prokopi dhe ne sitemin me demokratik qe propogandohet me kaq force???E te mos e zgjase shume “Buono per Albanessi”

  11. ilir says:

    titulli i librit eshte “lufta e vogel e perfekte”…
    elvira dones me sa dija une jetonte ne itali pra pertej detit jo pertej oqeanit.eshte nje nga shkrimtaret me aktive dhe me te shkelqyera qe shkruan ne gjuhen italiane,qe te jep shprese dhe kenajsi ta lexosh.
    per problemin e femres besoj se vetem norvegjia ne europe e ka zjidhur si ndahen rolet dhe barazin gjinore ,ka probleme dhe italia e spanja e greqia pa dyshim ka shume shqiperia .une them nje ligj tip nordik(norvegjezi),40% te vendeve te punes te jene te zena me ligj nga femrat ne cdo institucion ,ndermarje etj etj….zoti na ka falur femrat qe jane nje krijese e MREKULLUESHME E PERKRYER.p:s perfshi dhe xhozin e parlamentit qe eshte terheqese po sfoli

  12. diana says:

    nqs nje grua do te thoshte idiotlleqet qe thote nje parlamentar , nje politikan, do ta merrnin si te cmendur, si te lajthitur…per nje politikan edhte e ligjshme , gati e ndershme te fyej, shaje , te shes , te blej (gjithcka , pa perjashtim), te korruptoje, e te korruptohet. mashtroje, te fsheh te verteten, te favorizoj e mbuloj krimin,,,,,

  13. iliririana gercaliu says:

    nuk di si te falenderoj per kontributin tuaj shoqeror ne ne vend te mallkuar me lider te malkuar

    1. Moza says:

      Lela paske ik per lesh! Pse jemi te mallkuar???
      Jemi ne vendin tone!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje