Ora e Mirë dhe Xherdani i Artë

27 Shkurt 2012, 22:11Blog TEMA

Nga Adriatik Kelmendi

Arritjet historike të Rita Sahatçiut dhe Xherdan Shaqirit, në muzikë e futboll, janë shembulli më i mirë ilustrues se ku do të mund të ishin kosovarët, në qoftë se do të jetonin dhe do të edukoheshin në një shtet normal e të zhvilluar. Një lajm ky, që në mesin e zhgënjimit të madh, do të duhej të na mbushte me optimizëm

 

NË MESIN E SHUMË lajmeve jo të mira për Kosovën gjatë shkurtit, kanë ndodhur edhe dy nga arritjet kulmore të kosovarëve në botë, që të dyja që shënojnë histori. Fatkeqësisht, siç ndodh zakonisht, lajmi i keq është lajmi më i përfolur, këto dy lajme thjesht historike për Kosovën, megjithatë as përafërsisht nuk nxitën kureshtjen e mediave dhe të qytetarëve të tejngarkuar me politikën.

Pra, krejt qartë, janë dy emra shqiptarësh nga Kosova: Rita Ora (mbiemër artistik) në muzikë dhe Xherdan Shaqiri në futboll, këtë shkurt të vitit 2012, shënojnë dy rekorde të paarritura deri më tash nga të gjithë shqiptarët.

Rita, këtë të diel, është renditur si e para në top listën e këngëve më të shitura në vendin më të rëndësishëm të muzikës botërore, Britani të Madhe, e gjithashtu edhe në Belgjikë, duke shënuar kështu suksesin më të madh të të gjitha kohëve që ka arritur një këngëtare shqiptare në botë.

Xherdani, në fillim të shkurtit, u bë futbollisti më i paguar ndonjëherë shqiptar, me nënshkrimin e kontratës prej mbi 10 milionë eurosh për klubin e famshëm të futbollit nga Gjermania, Bayerni i Minhenit.

Këto lajme të mrekullueshme, përveçse ngrenë dinjitetin e nëpërkëmbur të kosovarëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi, janë shenja të qarta për optimizëm, sidomos për kosovarët.

TASH, DUHET MARRË si të kuptueshme dhe qëllimmira edhe reagimet e disa kosovarëve, që të drobitur me vuajtjet e shtetit më të ri në botë dhe rekordet e shumta të zeza në Evropë, të shohin si jo arritje të shqiptarëve të pastër sukseset e Ritës dhe Xherdanit. Natyrisht, dikush do të dëshironte që një Rita, që do të rritej në Prishtinë dhe që këndon “Xhamadani vija-vija”, të ishte e para e top-listave evropiane, si dhe një Xherdan që ka luajtur në fushat me baltë të Zhegrës të ishte pjesëtari i ri i pankinës së klubit gjerman. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur. Dhe, për më tepër, ka pasur pak gjasa të ndodhte. Pasi që moshatarët e tyre në Kosovë, në vend se të kultivonin dhuntitë e tyre, është dashur të shkojnë nëpër shtëpi-shkolla, të përjetojnë dëbimin e prindërve nga puna, trajtimin si qytetarë të klasit të dytë, luftën, shkatërrimin e ç’është një e zezë tjetër.

E Rita dhe Xherdani janë pikërisht nga familjet që janë detyruar që shkaku i situatës së pashpresë politike e ekonomike në Kosovë, në fillim të të ’90-ave, të emigrojnë.

Prindërit e Ritës, Besnik dhe Vera Sahatçiu, janë në mesin e atyre shqiptarëve të Kosovës, të detyruar që me vajzën e tyre të porsalindur në Prishtinë, më 1990, të shkojnë në Britani të Madhe.

Njëlloj, edhe prindërit e Xherdanit, lindur në Zhegër të Gjilanit më 1991, ishin detyruar të shkojnë drejt Zvicrës për të siguruar mbijetesën.

Që të dyja këto familje, të gjendura në pozitat e refugjatëve, sigurisht se kanë bërë atë që e dëshiron çdo prind për fëmijët e tyre: investimin e përgjithshëm për t’i siguruar jetë të suksesshme.

Kështu, Rita (përndryshe mbesë e regjisorit të mirënjohur nga Peja, Besim Sahatçiu) në moshën 13-vjeçare fiton rol në filmin “Spivs”, kurse 5 vjet më vonë kualifikohet si konkurruese për këngën që do ta përfaqësojë Britaninë në Eurosong 2009, por tërhiqet duke pohuar se nuk është ende e gatshme. Por, duket se i mjaftuan dy vjet për t’u përgatitur mjaftueshëm, saqë të nënshkruajë kontratë me një ndër yjet më të mëdha të muzikës sot në botë, Jay-Z, dhe të arrijë deri më tash të paarritshmen: numrin 1 në top-listën britanike e belgjiane, gjë që siguron hyrjen në botën e muzikës botërore nëpërmjet derës më të madhe. Për më tepër, Rita ka arritur atë që deri më tash nuk ia kanë dalë as asnjë nga fqinjët tanë, as serbë, as malazezë e as maqedonas.

Xherdani, pasi që tregoi talentin në klubet e juniorëve SV Augst’s and FC Basel, shpejt arrin që të dëshmohet në përfaqësuesen e Zvicrës për moshat nën 21-vjeçare. Në 2010 fillon të luajë në ekipin e seniorëve, për të shënuar golin e parë në shtator të atij viti kundër Anglisë, në kualifikimet për Euro 2012. I shquar sidomos për shpejtësinë, ai bie në syrin e menaxherëve të spikatur të futbollit, për të zënë vendin këtë muaj në klubin e Bayernit të Minhenit, si më i paguari shqiptar.

Të tjerat, tashmë do të jenë pjesë e historisë së muzikës dhe futbollit kosovar e shqiptar.

RRËFIMET PËR RITËN dhe Xherdanin do të duhej të trajtoheshin si shembulli më i mirë ilustrues se ku do të mund të ishin kosovarët, në qoftë se do të jetonin dhe do të edukoheshin në një shtet normal e të zhvilluar. Një lajm ky, që në mesin e zhgënjimit të madh, do të duhej të na mbushte me optimizëm. Se edhe ne, me gjithë vuajtjet e përjetuara, do të mund të rrisim fëmijët tanë si konkurrentë dinjitozë me të gjithë të tjerët në botë, në fusha të ndryshme të jetës. Kjo, gjithsesi, në qoftë se arrijmë të bëjmë Kosovën, një shtet normal dhe të përparuar. Në mënyrë që fëmijët tanë të mund ta arrijnë atë që neve na u mohua, e që do të varet tash krejt prej nesh, në qoftë se do t’ua mohojmë edhe atyre. Apo, do t’i bëjmë që edhe duke jetuar e edukuar në Kosovë, të arrijnë sukseset që Rita dhe Xherdani na dëshmuan se janë të arritshme. Edhe për shqiptarët, edhe në Kosovë.

Tash, në shtetin tonë, varet nga ne!

Që së shpejti, edhe lajme të mira – të dalin nga Kosova!

 

P.S.: Si thoni që Rona Nishliu të zërë vendin e parë në Eurosong 2012, më 26 maj?! Kapak! ?

5 komente në “Ora e Mirë dhe Xherdani i Artë”

  1. shpati says:

    Cfare je duke na thene,o zoteri!!Shqiptari me i ZOTI DHE ME I PAGUARI NE BOTE ESHTE KRYEMINISTRI I SHQIPERISE SALI RAM ABDULLAH BERISHA(heroi juaj dhe ARMIKU YNE),qe ka pasuri te veten TE GJITHE SHQIPERINE!!!PYETNI,PO DESHET SAKTESI,MIKUN E TIJ ME TE MIRE,ARMIKUN E MADH TE SHQIPTAREVE,DAMIR FAZLLICIN!!!Pastaj vjen THACI I JUAJ,vellai PREJ BABE TJETER I BERISHES!!!

  2. Palla says:

    O ti magar na qave trapin me kete gjerdanen tuaj .mos I ngatrro ata dy ,ago eshte shqiptare e kosovess kurse ai eshe zvicerrjan we mos qofte. Kete thone medjad e europes cdo dite ,pra suksese ores dhe posht tradhetarve te kombit .

  3. Drini says:

    Hajde llogjike hajde. Goxha shkrimtaruc. pse me keta te dy do mbahet nje shtet? apo jane te gjithe kosovaret xherdana. Po jane vetem futboll dhe muzike, asgje tjeter , nuk tregojne inteligjence o shkrimtaruc, jane vetem dy talente dhe kaq.

    1. Kosova e kuqe says:

      shpati,palla,drini=tre analfabet qe kan lezuar shkrimin bythprap,sepse esenca e shkrimit eshte qe po te ishte Kosova nje shtet normal me mireqenje kosovaret nuk do te dalloheshin nga te tjeret ne Europe sepse talenti nuk u mungon,se cfar problemi keni ju me ket fakt vetem ju e dini ,por per komente me logjike sjeni se Sali Berisha dhe Gjerdan Shaqiri nuk kan ndonje lidhje qe te ceken ketu se bashku por ja qe edhe femijet shkarravisn disi fleten e bardhe me vija kaotike por pa asnje domethenje.

  4. Fadili says:

    Arritjet historike të Rita Sahatçiut dhe Xherdan Shaqirit, në muzikë e futboll, janë shembulli më i mirë ilustrues se ku do të mund të ishin kosovarët*, në qoftë se do të jetonin dhe do të edukoheshin në një shtet normal e të zhvilluar.

    * shqiptaret ke dashur te thuash i dashur Adriatik, se mesove bile ti qe edhe kosovaret shqiptare jane!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje