Qyteti me një hyrje dhe dalje

4 Mars 2012, 19:50Rajoni TEMA

Në kuizin gjerman, të mbajtur para dy vjetëve “Kush do të bëhet milioner”, pyetja e fundit dhe vendimtare për të fituar një milion euro që iu drejtua kandidatit, ishte se cili qytet në botë ka vetëm një rrugë hyrëse dhe dalëse. Një nga opsionet e përgjigjes bie Janjeva e Kosovës, dhe për çudi kandidati gjerman ia qëllon.

Në Kosovë, jo që ka pak njerëz që e dinë se Janjeva ka vetëm një hyrje, por nuk e dinë që Janjeva është një qytet që i përngjan për nga arkitektura Prizrenit, Ulqinit, Beratit, Gjirokastrës… Ndërmjet dy kodrave të shfaqet Janjeva, fshati nën juridiksionin e komunës së Lipjanit, dikur qyteti më i pasur me ar dhe argjendari, këpucëtari, prodhues veglash të ndryshme që mblodhi vendës e evropianë bashkë shekuj me parë dhe që ruan edhe në ditët e sotme bashkëjetesën dhe mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve: turq, romë, kroatë, boshnjakë, e shumicë shqiptare.

Në rrugët, dyqanet, shkollën dhe sheshin e vogël të Janjevës flitet shqip, serbokroatisht dhe turqisht. Por, të gjithë banorëve iu është lënë vetëm një rrugë, e cila fillon aty ku mbarojnë fshatrat serbe dhe asfalti, e fillon Janjeva me rrugicat plot borë, me të vetmen rrugë që bie përmes saj dhe nuk ka dalje në qytet apo fshat tjetër.

Bashkëjetesa, shembull edhe për BE-në

Në këtë qytet kanë jetuar punëtorë të ardhur gjermanë-saksonë për nxjerrjen dhe përpunimin e xehes. Përzierja e kulturave vërehet edhe sot. Kjo tregohet me dy objektet dominante të kultit; kisha katolike madhështore dhe po ashtu edhe xhamia.

Janjevasit të tregojnë me kënaqësi qendrën e vendbanimit të tyre duke e përshkruar me xhaminë dhe dyqanet e plastikës dëshmitë e vetme të banorëve kroat –prodhuesve që furnizuan jo vetëm Kosovën, mirëpo dhe Ballkanin me plastikën dhe prodhimet tjera, boshnjakë e turq për suxhukun e njohur, që kanë mbetur vetëm rrëfenja në gojën e banorëve bashkë me fosilet e hardhisë së rrushit.

E qendra e Janjevës, që deri në vitet 60-ta kishte statusin e komunës dhe iu hoq për shkak të zgjerimit të Prishtinës, si kryeqytet dhe kalimit të minierave në përgjegjësinë e kryeqytetit, ka mbetur pa përkrahjen e institucioneve të vendit. Aty ku standardet evropiane për bashkëjetesë janë shembull, nuk shkel këmba e askujt.

Këta banorë nuk dinë për standardet që Kosova duhet plotësuar për komunitetet. Nuk kanë nevojë për trajnime, apo ligjërata, broshura, posterë me foto sesi të jetojnë bashkë. Këtë e dinë qëmoti, që kur erdhën gjermanët, pastaj turqit, kroatët… Nuk kujtojnë se janë ndihmuar ndonjëherë apo të jetë investuar në këtë vendbanim pas luftës. Përkundrazi, varfëria ka kapluar fshatin.

Shumica e popullatës jeton me asistencë sociale. Të tjerët që thonë se kanë punë, punojnë vetëm verës si ndërtimtarë, e ditëve të dimrit mblidhen në kafe-çajtoren që quhet “Bash çarshi”, pikëtakimi i myslimanëve dhe katolikëve, shqiptarëve e kroatëve, turqve, romëve për të pirë nga një gotë, raki, qaj, kafe…

E për të ngrysur ditët e dimrit dhe çuar një gotë një banor ka zgjedhur të bëjë rrugën me kalë. Kalin me samarë e ka lidhur për kafenenë. I mësuar të presë të zotin kali nuk trembet as nga ezani i hoxhës dhe kambanat e kishës, objekte këto të vendosura në afërsi rreth 100 metra dhe 100 të tjera, ku shihet furra e bukës, dyqani ushqimor, stacioni, dyqanet e plastikës, Posta, Shtëpia e Shëndetit, që bashkë përfshijnë një hapësirë jo më shumë se 300 metra dhe quhet Çarshia e qytetit.

Mbetur në histori, harruar nga shteti

Në Janjevë banorët jetojnë më shumë me bujqësi. Fabrika për përpunimin e metalit “Metaliku” dikur me 950 punëtorë, tash e privatizuar ka vetëm pesë punëtorë. Gjallëria e dikurshme që i dha epitet të famshëm këtij vendbanimi nuk duket më. Prodhimi i plastikës tani është shndërruar në tregti, kurse ushtrimi i zejeve të vjetra ka mbetur prezent te romët me përpunimin e hekurishtes që mblidhet nëpër deponi.

Ajnur Arifi, një i ri i komunitetit rom, ushtron zejen e kovaçit. Ai punon sopata, e punime tjera nga hekuri që i bën me mjete jo fort të sofistikuara. Lëndën e parë të punës e merr nëpër hekurishte dhe deponi të ndryshme, ndërsa prodhimet e tij i ekspozon në treg të qyteteve më të afërta. Kroatët kujtohen nga banorët si prodhues të ndryshëm edhe artizanatesh, tepsia, shporete, krehër…që furnizonin Kosovën, e tash dyqanet e vendit kanë mall Kine e Indie. Kroatët kishin 700 shtëpi, tani janë mbetur rreth 50 të tilla.

“Përpara ka pasur gjallëri”, thotë Sherif Berisha. Për të sfiduar të ftohtit ai ka sjellë dru nga mali me kalin e huazuar, pasi shpjegon se rrugët janë të pakalueshme me mjete tjera, sidomos dimrit.

Këta banorë kanë votuar në zgjedhje dhe iu kanë besuar premtimeve, të cilat tash i shohin se nuk janë jetësuar.

“Qeveria s’ka bërë për ne”, thotë ai derisa tregohet shumë i hapur kur përmend se i kanë rënë pishman se kur u pyetën nëse duan të shkojnë bashkë me komunën e Graçnicës, zgjodhën Lipjanin si qytet me më shumë shqiptarë.

Është e habitshme si mundën të ngjiten në rrugët e rrugicat e tatëpjeta të Janjevës politikanët që kërkuan votën, por shihet qartë se i zbriten këto rrugë për t’i parë sërish vetëm në kohë zgjedhjesh. Në Janjevë ata që punojnë nuk kanë punë të rregullt. Çlirim Gashi punon në ndërtimtari, e këtë punë e ka sezonale (verës).

Ai ankohet se e lanë Janjevën me një hyrje dhe dalje, thotë se po të kishte një dalje nga ana e Gjilanit do të ishte një mundësi e mirë për janjevasit që të qarkullonin dhe hapeshin mundësi më shumë.

Kroatë,shqiptarë, turq, romë mësojnë në një shkollë

Në këtë vend u lind dhe u rrit dhe etnologu më i njohur shqiptar, mbledhësi i Kanunit At Shtjefën Gjeçovi, ai është përjetësuar edhe me një përmendore në oborrin e shkollës së mesme të ulët dhe fillore e që mban edhe emrin e tij.

Shkolla qëndron në majën e kodrës prej nga shihen dhe gjithë lagjet. Por, për t’u ngjitur atje rruga bëhet në këmbë. Nxënësve u duhet të zbresin teposhtë kodrës, ku shihen shtëpitë e ngjitura njëra me tjetrën dhe rrugicat e ngushta ndërmjet tyre që të bashkohen në rrugën e vetme të Janjevës dhe pastaj të ngjiten rrugicave tjera të kodrës tjetër përballë për të arritur gjer tek shkolla në maje të kodrës, ku mësohet në dy gjuhë shqip dhe serbisht.

Shkolla ka 70 nxënës të komuniteteve, dhe prej tyre 36 janë të kombësisë kroate. Dikur në këtë shkollë komuniteti kroat ishte më shumë i pranishëm. Tani, komuniteti kroat mban mësim në katin e dytë, kurse ai shqiptar dhe rom e turq në pjesën tjetër.

Olga Guciç drejtoresh e mësimit në gjuhën kroate, thekson se mësimi zhvillohet pa ndonjë problem dhe në frymë shumë të mirë… Ndonëse punojnë me plan-programe dhe libra të Serbisë. Ajo thekson se janë në rrugë për të punuar me plan-programe të Kosovës dhe tekste që pritet të dalin. Përkundrazi, banorët kujtojnë me nostalgji kohën kur kroatët ishin shumicë në Janjevë.

“Në vitet e 90-ta erdhi Shesheli këtu dhe i frikësoi kroatët. Ata filluan të shpërngulen kryesisht në Zagreb dhe deri në 90 për qind e tyre nuk janë më këtu e që kanë jetuar dikur”, thotë Milazim Krasniqi, po ashtu njëri nga banorët dhe mësuesit më të vjetër të Janjevës, duke treguar se shtëpitë e kroatëve janë blerë nga shqiptarët.

Lutjet e përbashkëta

Shtëpitë e Janjevës kanë ruajtur arkitekturën e vjetër. Disave muret u janë ndërtuar mbi bazamentet me gurë të mbetura nga shtëpitë e mëparshme. Autoktonia e Janjevës dëshmohej edhe me rrugën me kalldrëm, që u zëvendësua me kube të reja dhe e vetmja rrugë e Janjevës ku u punua.

Edhe lutjet në Janjevë bëhen në dy gjuhë. Në xhami arabishtja mbizotëron në lutje, kurse serbishtja në kishë. Kroatët e fesë katolike dhe shqiptarët luten bashkë në këtë kishë, turqit dhe shqiptarët në xhami./zeri

5 komente në “Qyteti me një hyrje dhe dalje”

  1. Currila says:

    Jo mor jahu qytet me nje hyrje dhe me nje dalje eshte vetem Durrsi, te ura Dajlonit hyn te ura del prap.

    1. alban says:

      Ka ndryshu Durresi mer jahu.Esht bo dhe nje tjeter,nga Keneta,tek mbikalimi i Shkozetit,pastaj per ku te duash.

  2. Tirona says:

    Para disa vitesh po ne gjermani ne emisionin si te behesh milionier, pyetje e fundit dhe perfundimtare ishte: Eshte nje ure qe eshte me e gjere se sa e gjate,ne cilin kryeqytet te europes ndodhet kjo ure? Kandidati per te fituar cmimin nuk e gjeti pyetjen,keshtu qe humbi shanshin per fituar.Drejtuesi i emisionit i t5hote kandidatin se kjo ure gjendet tek bulevardi deshmoret e kombit prane hotel dajtit ne kryeqitetin e shqiperise Tirana.

  3. petrit says:

    shyqyr qe nuk paska ndo 1 pesjonist Grek, sepse do ngrihej ministri jashtem Grek do thoshte i takon greqis edhe Kosova

  4. Albanezi says:

    Me pelqeu artikulli,eshte vertet informativ,po…ku ne dreq e keni gjetur ate foto qe nuk thote asgje?…Ose me sakte, jo vetem qe s’e mbeshtet shkrimin, po i vjen ndesh atij. S’do te ishte me interesant nje set fotosh ku te mbeshtetej ideja e qytetit me nje hyrje-dalje, vendlindja e Gjecovitt, bashkejetesa multinacinale e fetare,bukuria natyrore,etj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje